e diel, 27 qershor 2010

Ne Ndihme te Shkollimit te Larte te te rinjeve Shqiptaro - Amerikane.



(Gazeta Illyria,E Premte, 25 Qeshor 2010)
Me datë 20 Qershor u mbajt në Qendrën Islame Shqiptaro – Amerikane në Garfield, New Jersey, takimi me temë “Edukimi si vlerë e gjithë bashkësisë: Të promovojmë modele suksesi.” Takimi ishte organizuar nga “Our Effort – Përpjekja Jonë,” një iniciativë e bashkësisë së kësaj xhamie që synon organizimin e eventeve që adresojnë debate dhe ceshtje që i interesojnë komunitetin shqiptar në Amerikë.

Imam Rifat Alili foli për shkollimin si ndërmarje shpirtërore. Në fjalën e tij ai vuri në dukje që jo vetëm në traditën islame por në të gjitha fetë hyjnore, dija është vlerësuar si mjet në zbulim të së vërtetës dhe se të tëra traditat e mëdha fetare kanë njohur dimensionin sublim të së vërtetës. Diplomat universitare, vuri në dukje ai, nuk duhen parë vetëm si arritje në karierën personale. Dija e përftuar duhet vënë në shërbim të komunitetit dhe shoqërisë në përgjithësi.

Dr. Mentor Cana foli për eksperiencën e tij në sistemin universitar amerikan. Ai vuri në dukje se arritjet dhe sukseset në shkollim apo në karierë janë rezultat i sakrificave që duhen ndërmarë. Ai vuri në dukje me shqetësim se shumë familje shqiptare shpesh nxisin fëmijët e tyre të punësohen sa më shpejt duke pritur kontributin financiar të fëmijve të tyre dhe nuk promovojnë sa duhet vlerën e edukimit.

Në fjalën e tij, Besnik Sinani vuri në dukje se arritjet në arsimimin e lartë të individëve të komunitetit nuk janë thjesht arritje individuale, pasi idetë, ekspertiza dhe krediti social që edukimi siguron kthehen në potencial për gjithë komunitetin. Për këtë arsye është e rëndësishme që komuniteti të promovojë tek gjenerata më e re aspirata të larta dhe pritshmëri të lartë. Ai propozoi se si pjesë e këtij promovimi komuniteti duhet të krijojë fonde për bursa për të mbështetur ambicjet e studimeve të anëtarëve të bashkësisë që tregojnë aftësitë, dedikimin dhe motivimin për të ndërmarë sfidat e studimit universitar.

Gjatë takimit u theksua se është e njohur në traditën islame ashtu si dhe në traditat e tjera fetare ndërtimi i vakëfeve që mbështesin institucionet e dijes dhe studentët. Universitetet më të vjetra në botë si ai i Ezherit në Kajro apo Kajrauan në Marok dhe të tjera që u themeluan në Evropë në modelin e tyre si ai i Sorbonës dhe Oxfordit janë ndërtuar si vakëfe apo endowments në mbështetje të edukimit, motivuar nga besimi se këto ndërmarje shihen si vepra të virtytshme në sytë e Zotit. Është e nevojshme që komuniteti të investojë në krijimin e fondeve për bursa jo vetëm duke besuar tek përfitimi social dhe praktik që kjo sjell në bashkësi, por dhe si një akt i virtytshëm fetar.

Studentë dhe prindër bënë pyetje mbi mënyrat më të mira për të zgjedhur programet dhe universitetet për studimet e tyre dhe në mënyrë të vecantë për opsionet që ofrohen në financimin e studimeve, vecanërisht në përpjekjet për të financuar programet e magjistraturës. Ata kërkuan, gjithashtu, mundësinë e krijimit të kontakteve në grupe më të vogla në takime në të ardhmen ku pyetje praktike per strategji aplikimi apo mënyrat e kërkimit për universitet e duhura dhe bursat mund të bëhen.

e shtunë, 26 qershor 2010

Flotila në Kufirin e Qytetrimeve.


Besnik Sinani

Narrativa e Evropës – në botën e mitologjisë - fillon me rrëmbim. Evropa ishte vajza e Agenorit, mbretit të qytetit të Tires, në gjirin e Sidonit. Ajo u rrymbye një ditë nga Zeusi e pasi u mbart në brigjet e kontinentit që do merte emrin e saj, u përdhunua pre tij. Një tjetër variant, më pak erotik, i kësaj narrative, na tregon se tregtarët e Kretës, që më vonë do quheshin evropianë, rrëmbyen Evropën në një anije në formën e një bualli të bardhë e ja sollën për nuse këtë vajzë të Azisë mbretit të tyre Asteriusit. Ajo rrëmbehet prej ku është sot Libani dhe nëpërmjet rrëmbimit e përdhunimit apo shtratit martesor pjell gjenezën identitare që sot identifikojmë me emrin e saj.

Udhëtimi ku Azia u bë Evropë ndodh në të njëjtat ujra ku flotila ndërkombëtare po shkonte drejt Gazës për të sfiduar embargon izraelite. Duhet observuar fakti se një pjesë e medias ka ngulmuar ta reduktojë karvanin Euro-Aziatik, me shume fe e etni, me shumë gjuhë e kredo politike, në thjesht turke apo më tej në veglën e Islamit kundër Perëndimit; sulmi i komandove të një prej ushtrive më të fuqishme në botë ndaj aktivistëve që mbrojtën anijen e tyre në ujra ndërkombëtare me copa druri paraqitet si mbrojte e demokracisë kundra autoritarizmit të Lindjes; dhe sfida civile ndaj rrethimit mesjetar të Gazës paraqitet si akt terrorizmi. Flotila ndërkombëtare reduktohet në turke, Turqia në Lindje plus Islam, Izraeli në Perëndim (vë re pradoksin gjeografik!) dhe në castin që aksioni civil i flotilës montohet në territorin e Lindjes, Islamit, Terrorizmit, atëherë është e kollajtë të legjitimosh dhunën dhe vrasjen e nëntë civilëve, rrethimin e Gazës si kështjellat e mesjetës, dhe demonizimin e kujtdo që solidarizohet me kauzën e tyre.

Montimi i ngjarjes në tabllonë (apo karikaturën!) gjigande të përplasjes së qytetrimeve, montimi i motiveve, personazheve në Lindje, në Islam, projekton tek flotila rrezikun që na kanoset të tërëve se Lindja dhe Islami janë ky territor i huaj dhe i rrezikshëm, ekzotik dhe sufokues si xhungla në filmin Avatar. Banorët e saj janë të ndryshëm dhe me atashimin e tyre mistik ndaj pemës pengojnë progresin e atyre që në film kanë fytyrë si e jona e flasin si ne. Kësisoj, prej mëse 60 vjetësh palestinezët dëshmojnë rrënimin e shtëpive të tyre që qe i nevojshëm që në Lindjen e Mesme të ngrihej e vetmja demokraci me të mbijetuarit nga Holokausti.

Në Perëndim debati mbi cfarë ndodhi me flotilën, reperkursionet e kësaj ngjarjeje, domethëniet politike etj, kanë sjellë një mori zërash e mendimesh ku edhe në SHBA - ku gati-gati është tabu kritika ndaj Izraelit nga qarqet politike - është folur për dëmin strategjik që Izraeli po i kushton Amerikës, kohët e fundit e thënë kjo dhe nga figura kryesore e ushtrisë amerikane, gjeneral David Petreus. Në fakt, gazeta izraelite si Ha’aretz kanë qenë ku e ku më kritike ndaj qeverisë së tyre se shumë jashtë Izraelit, dhe qëndrimet e Turqisë, sidomos në lidhje me embargon, janë mbështetur ku më shumë e ku më pak nga shumë qeveri në Perëndim.

Është interesante të observosh se mes kësaj morie zërash e qëndrimesh, shtypi shqiptar ka zgjedhur në mënyrë të vecantë t’i sjell lexuesit zërat më agresiv të shtypit të djathtë në Perëndim, në mënyrë prominente, për shembull, artikuj nga gazeta të tilla si The Wall Street Journal. Komentarët e kësaj gazete kanë ngulur këmbë se Izraeli, fuqia e vetme nukleare në rajon, po vepronte si një demokraci në vetmbrojtje e rrezikuar nga një sulm i një organizate turke me lidhje me Al Kaedan, se këto ngjarje tregojnë largimin e Turqisë nga orientimi perendimor drejt atij Islamik, se ky orientim ka lidhje me ideologjinë islamiste të partisë në pushtet, e cila ndan të njëjtën ideologji me Hamasin. Të vrarët dhe fëmijtë e Gazës, qoftë dhe gjermanët e iralandezët apo hebrenjtë që gjendeshin në anije, janë inkonseguentë në këtë narrativë të përplasjes së qytetrimeve që nuk ka vend për kompleksitetin kokëfortë të realitetit tonë njerzor. Por pyetja që po sugjeroj këtu ka të bëjë me përzgjedhjen e medias shqiptare për të prezantuar në faqet e saj qëndrimet më të djathta, më agresive të shtypit perendimor, atij që ngul këmbë se këtu nuk kemi të bëjmë me tjetër gjë vecse me një pozicionim të Turqisë në kampin e armikut. Nëse spekullojmë – dhe jo komplet në ajër – mbi cfarë sygjeron përqafimi i diskursit të djathtë të perëndimit nga një pjesë e mirë e shtypit tonë si qëndrim mbi një ngjarje detajet e së cilës po debatohen thekshëm, atëherë kjo na tregon dicka mbi klimën tonë, më shumë se sa për cfarë ndodhi në ujrat ku legjenda na tregon se Azia u bë Evropë. Një lexues që komentonte në faqet online të një të përdithmeje kishte kapur thelbin e mesazhit të kësaj përzgjedhjeje mediatike: Midis Turqisë e Perëndimit ne jemi me Perëndimin.

Historiani dhe shkrimtari Perry Anderson ka vënë në dukje se shpesh janë ata popuj në Evropë që gjenden “në kufinjë” që kthehen në partizanët më të thekur të ndarjes Lindje/Perëndim, të Evropës, të ndarjes nga territoret e Rusisë apo Islamit. Interesante ishte, për shembull, reagimi kryesisht negativ ndaj shqiptarëve që ishin pjesë të flotilës në shumë forume elektronike shqiptare: C’donin ata aty? Nëse shumë vende të botës nxituan të shqetësohen apo më pas shtypi të intervistojnë bashkatdhetarët e tyre që morën pjesë në këtë ndërmarje, vihej re qartazi një farë revolte e lexuesit shqiptar nga pjesmarja e bashkombasve të tyre në flotilë. Po cdo të thotë të jesh me Perëndimin kundra Turqisë? Është përpjekje e panevojshme të vëmë në dukje këtu se ky qendrim është një kuptim shumë i reduktuar i kompleksitetit të botës tonë, se Perëndimi dhe Lindja kanë qëndrime shumë komplekse në lidhje me këtë ngjarje, se disa nga figurat më prominente në Perëndim, ashtu si Shtëpia e Bardhë, kanë vënë në dukje se embargoja nuk mund të jetë më e qëndrueshme dhe se në anën tjetër, Egjipti ka qenë partneri më i rëndësishëm i Izraelit në vendosjen e embargos. Turqia është një rast tejet kompleks ku qeveria aktuale ka ngulur këmbë në ngritjen e marëdhënieve të mira me armiq historikë si Armenia e Greqia, partia aktuale në pushtet ka qenë aktori më prominent në shtysën për antarsim në BE, ndërkohë që qartazi Turqia po kërkon të ketë një rol më aktiv në politikën ndërkombëtare. Përfytyrimi i ndarjes së botës në kampe monolite, ndërluftuese komplikohet edhe kur mendon se figura fetare më me influencë në Turqi, Fetullah Guleni, ka shprehur kriticizëm ndaj flotilës. Vizioni i vendeve dhe qytetrimeve si skuadra futbolli që diktojnë tifozllikun tonë është jo vetëm karikaturë e botës, por dhe reflektim i optikës tonë te rrudhur. Ethja prej tifozësh që kërkojnë të tregojnë se me cilën skuadër janë është në fakt indikues i frikës që na zë sytë ndaj plojës njerzore të Gazës.

Në këtë optikë është vështirë të shohësh qënie njerozore në Gaza me nevoja dhe apirata si tonat, ata përfytyrohen të ndryshëm si krijesat imagjinare të filmit Avatar; nuk mund të shohim një anije me aktivistë por shohim një akt terrorist; nuk mund të shohim as idealizmin e njerëzve prej kombësive të ndryshme, diversitetin e bindjeve fetare, politike, atë etnik, linguistik që përbënte flotilën, do shohim vetëm palë ndërluftuese, Lindje/Perëndim, dhe zgjedhjen tonë të determinuar. Gaza, Lindja, Turqia kthehen në territorin përtej, në territorin armik, një territor i shtrirë nga Stambolli në Kandahar ku ngjizen fanatizmi, mistika e ekzotizmi. Edward Said na ka vënë në dukje se karikatura të ngjashme kanë justifikuar dhe i kanë dhënë një llustër morale disa prej krimeve më të shëmtuara të njerzimit, hija e të cilave vazhdon të qëndrojë mbi botën tonë. Paralelisht, nëse pranojmë sugjerimin tim, se përzgjedhja dominante e shtypit shqiptar që të prezantojë në faqet e tij retorikën – jo të Perëndimit – por të qarqeve të djathta të tij, atëherë kjo është indikative e optikës me të cilën kuptojmë ngjarje për të cilat së paku formalisht as Izraeli nuk ka thënë fjalën e fundit - se përndryshe nuk kishte pse të ngrinte komision investigimi - atëherë duhet të marim në pyetje optikën tonë për botën që na ndalon të shohim njerzoren tek qënie me nevoja dhe aspirata jo fort ndryshe nga tonat, dhe tek ata aktivistë të të gjitha feve e kombësive që shprehën solidaritetin e tyre me popullin e rethuar të Gazës, atij rrypi toke jo shumë larg vendit nga ku thuhet se u rrëmbye vajza që pas rrëmbimit e subversionit seksual, i dha emër kontinentit tonë.

e mërkurë, 23 qershor 2010

Arsyeja si themel i dijes Islame


Imam Neki Kaloshi

Është (Allahu) Ai që u solli analfabetëve një të dërguar nga gjiri i tyre, për tu lexuar atyre shpalljet e Tij, për ti pastruar e për tu mësuar Librin dhe Urtësinë ndonëse ata më parë ishin vërtet nëhumbje të plotë.
Ne e zbritëm këtë Kuran në gjuhën arabe, për ta kuptuar ju.

(Jusuf ajeti 2)
Ne të kemi shpallur Librin, i cili është përkujtesë për ju. Vallë, a nuk po kuptoni?
(enbija ajeti 10)
Në të vërtetë, Ne e kemi shpallur Kuranin në gjuhën arabe, për ta kuptuar ju,
(ez zuhruf ajeti 3)
Ata do të thonë: “ sikur të kishim dëgjuar ose menduar, nuk do të ishim midis banorëve të zjarrit flakërues!”
(el-mulk ajeti 10)
Vallë, a i urdhëroni njerëzit që të bëjnë të mira e veten po e harroni, ju që lexoni shkrimet! A nuk arsyetoni? (
bekare ajeti 44)
Shembulli i atyre, që iu besua Teurati, por pastaj nuk e zbatuan, i shëmbëllen gomarit, që vetëm sa i mbart librat. Sa i keq është shembulli i atyre që mohojnë shpalljet e Allahut! Allahu nuk i udhëzon (në rrugën e drejtë) keqberesit.
(xhumua ajeti 2 dhe 5)

Profeti Muhamed s.a.v.s. thote një një hadith: “Atij që Allahu i dëshiron mirësi, i bën të mudur të kuptojë fenë”.
Pra nga ky hadith nxjerrim dy gjera kryesore: E para, qe dija eshte mirësia më e madhe qe Allahu i jep besimtarit, dhe e dyta na shpjegon që dija lidhet doemos me kuptimin. Pra kjo e dyta është kushti i mirësisë së Allahut, pasi pa këtë dija nuk qëndron, ajo është e mangët dhe si e tillë nuk mund ta realizojë qëllimin e saj. Prej këtej mund të bëjmë dallimin midis dijes së vërtetë dhe asaj që mund të quhet thjesht njohuri. Për të pasur dijen e vërtetë nuk mjafton thjesht njohuria mbi gjërat, por duhet doemos edhe ti kuptosh mirë ato. Njohuria pa kuptim është e mangët dhe nuk shërben për gjë. Njeriu që vetëm memorizon, nuk mund të quhet i ditur. Ai është, ashtu sic Zoti na ka thënë në Kuran: “Si gomari që bart libra”. Përkundrazi, të kuptuarit është njohja e vërtetë, ajo që e bën njeriun të aftë të jetojë sic duhet, sic Allahu ka dashur që ai të jetojë, duke qenë i aftë ti përgjigjet nevojave të jetës.
Allahu i Lartësuar na ka pajisur me një logjikë të natyrshme dhe të shëndoshë, ashtu sic na ka sjellë edhe mesazhin e Tij hyjnor në përputhshmëri të plotë me arsyen tonë dhe është detyra jonë që të përpiqemi që nëprëmjet kësaj arsyeje ta kuptojmë mesazhin e Tij. Cdo kuptim i gabuar në këtë mes, vjen si rezultat i mungesës së përpjekjes së duhur, për ta vënë në lëvizje arsyen tonë.
“Dhe ne kemi lënë argumente të qarta për atë popull që logjikon”
Ankebutë, 35
“Krijesat më të urryera që ecin mbi tokë tek Allahu janë, shurdhët, memecët, të cilët nuk logjikojnë”
Enfalë, 22
“Kështu ne u shpjegojmë argumentet tona, popullit që kupton”
Arafë, 32
“Ne ju kemi sjellë një libër, të shtjelluar mbi një logjikë të shëndoshë, udhëzues dhe mëshirë për popullin që e beson”
Arafë 52
Mendja është një nga mirësitë më të mëdha që Allahu i ka dhënë njeriut, për të cilën edhe e ka ngritur mbi të gjitha krijesat e tjera. Për shkak të aftësisë intelektuale që ka qenia njerëzore, Allahu e ka vendosur atë mëkëmbës (Kalif) mbi tokë, duke ia nënshtruar atij gjithcka mbi të. Cdo krijesë e njeh Allahun nëpërmjet rrugëve të nënshtruara prej Tij, ndërsa njeriu është një krijesë që ka aftësinë ta njohë Atë nëpërmjet arsyes dhe fuqisë së intelektit. Mendimi është rruga nëpërmjet të cilës njeriu shkon tek Krijuesi i Tij. Nëpërmjet mendimit ne e njohim Krijuesin tonë, dhe nëpërmjet tij ne kuptojmë madhështinë e Zotit tonë dhe i nënshtrohemi Atij. Për këtë arsye, Allahu na këkon në shumë ajete që të logjikojmë, që të mendojmë për madhështinë e Tij.

"Nuk mund të gjesh në krijimin e të Gjithëmëshirshmit kurrfarë te mete. Hidhe vështrimin tënd! A sheh ndonjë plasaritje? Pastaj riktheje sërish vështrimin! Sytë e tu do të kthehen të përulur e të nënshtruar".
Mulk, 3-4
Muslimanët janë të dalluar nga ummetet e tjerë, pikërisht në lidhje me nivelin e të kuptuarit që kërkohet prej tyre. Kjo vjen pasi, duke qenë umeti i fundit, prej tij kërkohet që ta vazhdojë zbatimin e fesë edhe pas përfundimit të shpalljes, dhe vetëm nëpërmjet fuqisë së intelektit, ky umet do të mund ta mbajë gjallë këtë fe në të gjithë botën, deri në ditën e fundit, duke përfshirë këtu, popuj, raca, kultura nga më të larmishmet. Kjo e ka bërë këtë fe, të mundshme për tu zbatuar në cdo cep të globit përgjatë të gjithë historisë së saj 1400 vjecare.
Të gjithë popujt e mëparshëm, kanë besuar nëprmjet mrekullive. Allahu u ka ofruar atyre mrekulli, për ti bërë ata të binden se fjala e Tij është e vërtetë. Mrekullitë e Allahut, të realizuara nëpërmjet Profetëve të Tij, kanë qenë gjithmonë vizive. Musai kishte shkopin, largimin e sprovave që u vinin egjiptianëve, carjen e detit. Isai kishte shërimin. Ai ngjalli të vdekurin. Ibrahimi doli i gjallë prej flakëve të zjarrit, Junusi prej barkut të peshkut, Jusufi prej pusit. Ndërsa Muhamedi a.s. ka qenë i rezervuar në mrekullitë. Banorët e Mekes i kërkuan atij mrekulli, por Allahu na sqaron në Kuranë se ato vijnë Kur Ai dëshiron.
Plani i Allahut ishte më i madh. Ai e dërgoi Muhamedin a.s. mëshirë për të gjithë botën, deri në ditën e fundit, dhe Allahu ka projektuar që mrekullia kryesore e të Dërguarit të tij, të mos jetë vizive. Në këtë mënyrë, Allahu i ka dhënë Muhamedit Kuranin si mrekullinë e Tij më të madhe, një mrekulli e vlefshme për të gjitha kohët. Mrekullitë vizive janë për ata që mund të shihen në një vend dhe në një kohë të caktuar, ndërsa Kurani është një mrekullie vlefshme për cdo kohë, për aq sa Allahu do të dëshirojë që ai të jetë i ruajtur mbi sipërfaqe të tokës. Në këtë mënyrë, mrekullia e Muhamedit a.s. është mrekulli e prekshme në mënyrë intelektuale, është një libër. Kurani është mrekullia e fjalës, e cila i drejtohet mendjes. Dhe kjo mrekulli është aty, për këdo që ka zemër dhe mendje të hapur për të pranuar.
Në këtë mënyrë, muslimanët janë një umet i bazuar mbi dije dhe arsye, në zhvillimin e tyre. Kjo i bëri ata një fe në ekspansion, aq sa për një kohë mrekullisht të shkurtër, u bën zotërit e botës. Për këtë arsye, ne jemi umeti që kemi dijen më të pasur fetare dhe njëkohësisht dijen më të sigurtë. Një armatë gjigande dijetarësh, na kanë lënë në veprat e tyre një det të gjerë dieje që degëzohet në një sërë fushash shkencore, duke nisur që nga tefsiri, akidja, ahlaku, hadithi, fikhu, usuli etj. Pra dija është vepra më e mirë e vlerësuar te Allahu dhe ajo realizohet nëpërmjet të kuptuarit. Jo më kot, fjala muxhtehid, ka të njëjtën rrënjë me fjalën xhihad. Pra muxhtehidi, ai që arsyeton dhe përpiqet të kuptojë fenë, duke ofruar përgjigje për ato aspekte të jetës që nuk kanë tekst të drejtpërdrejtë, është ai që lufton për ta bërë fenë e Zotit të zbatueshme, dhe ky është xhihadi më i mirë dhe më i vlerësuar tek Allahu. Allahu i ka ngritur dijetarët në grada të larta në xhenet, më të larta se ato të shehidëve.
Një prej shkaqeve të rënies së umetit sot, sipas dijetarëve është rënia e dijes, dhe një prej shkaqeve kryesore të rënies së dijes është, mënyra e gabuar e të kuptuarit të dijes dhe fesë në tërësi. Shumë muslimanë sot e ndjejnë veten dijetarë, pasi kujtojnë se duke memorizuar një tufë ajetesh e hadithesh, bëhen të aftë të punojnë me këtë dije. Por në të vërtetë ajo nuk është dije. Pasi dija nuk është memorie. Dija është e lidhur me mendimin. Fjala fikh do të thotë mendim, dhe pa zhvilluar mendimin, nuk mund të kesh dije të thellë mbi fenë. Shumë muslimanë, duke keqkuptuar dijen, e kanë marrë kuptimin e cektësisë së njohurive të tyre, si standard, duke mohuar cdo gjykim të thelluar, e duke e kategorizuar atë si bidat. Në këtë mënyrë, dija është rrudhur sot në një grup parimesh që nuk gjejnë zbatueshmëri në jetën e përditshme.
Që të dishë të punosh me dijen, duhet doemos të kesh njohuri të mjaftueshme në fushën e usulit, gramatikës arabe, hadithit, etj. Nuk mjafton të dish ce cfare ka thënë Allahu dhe i Dërguari i Tij për një cëshjte, por duhet ditur se kur, në c’rrethana dhe për c’arsye Allahu dhe i Dërguari i kanë thënë këto. Ibn Tejmije ka thënë për këtë se nuk është i ditur ai që dallon të mirën nga e keqja, por i ditur është ai që mes dy të mirave, dallon të mirën më të madhe dhe mes dy të këqijave, dallon të keqen më të vogël. Kjo kërkon pra jo thjesht njohjen e hukmit mbi gjërat, por kërkon edhe njohjen e vlerës së tyre. Pra dijetari në këtë rast është ai që ka aftësi të bëjë krahasime, të peshojë, të vlerësojë. Pa këto ai nuk mund të jetë dijetar, pasi nuk ka c’të na thotë për jetën e përditshme. Jeta është e komplikuar dhe vlera e dijetarit është sepse, ai di të peshojë realitetin ku jeton, duke ia paraqitur atë gjykimit të Allahut, të Dërguarit a.s.
Pikërisht për këtë janë zhvilluar shkencat e dijes fetare. Për këtë dijetarët tanë kanë ngritur dijen e usulit, i cili përcakton mënyrën sesi duhet kuptuar një ajet apo hadith. Usuli, është ai që i vendos ajetet dhe hadithet në kontekstin e duhur, duke na dhënë kuptime të qarta lidhur me to, pa të cilat, nuk mund ti bëjmë të aplikueshme këto ajete dhe hadithe. Arsyeja, urtësia janë ato që i japin vlerë dijes, pasi ato e zbresin atë nga dhahiri në realitet, nga teoria në praktikë. Kjo fe është jetë, dhe vlera e dijes është kur ajo ka aftësi ta zbresë njohurinë në jetën e përditshme, kur ajo ka aftësinë ta ndërtojë jetën sipas parimeve që kërkon Allahu i Lartësuar. Dija fetare nuk është një thjesht për zbukurim, për soditje, por ajo ka vlerë kur jetohet, dhe ajo nuk mund të jetohet pa zotëruar kuptime të thella mbi të, pa zotëruar njohje të thella të realitetit, për të bërë të mundur që njohja parimore e fesë të bëhet e zbatueshme në rrethanat ku jetojmë.

e diel, 20 qershor 2010

E pur si muove


Nga N.I.
Kripë e sheqer për hidhësinë e një debati “juridiko-fetar”.

…E pur si muove… Galileo Galilei: Romë viti 1633. Fjali e artë që ka mbetur në kujtesën e njerëzimit nga debati, marrëdhënia dhe kurorëzimi i një raporti të shfytyruar midis një realiteti kozmik që ekzistonte në fakt dhe një pseudorealiteti të përkohshëm, vendosur me dhunë institucionale për interesa meskine të monopolit të një pushteti absolut. Kjo psherëtimë sot e kësaj dite ka arritur të dalë me përunjësinë e forcën e arsyes mbi gjithë zhurmat e anatemat e ekzekutimet e deri triumfuese mbi fushatat spekulative e të përgjakshme ushtarake.
Për të shmangur çdo abuzim, dua që në fillim të heq një vijë të prerë e të fortë midis dogmës, besimit e besimtarëve të çdo besimi qofshin hebrenj, budiste, zarathusrianë, të krishterë apo edhe paganë, dhe gabimit apo manipulimit njerëzor të udhëheqësve shpirtërorë apo nga institucionet e tyre përfaqësues, që shpesh u duhej të prodhonin politikë meskine në vend të dashurisë së besimit të amshuar.
Për hir të së vërtetës shohim sot kohë pas kohe udhëheqës mendjehapur shpirtërorë të cdo besimi që përtërijnë etikisht vetveten e grigjat e pasuesve me mesazhe pendimi për paudhësitë e bëra historikisht e aktualisht nga përfaqësues të tyre të çdo niveli.
Në kuadër të këtij evokimi vihet re një mënyrë përsëritjeje, gjithnjë e më të shpeshtë dhe fatkeqe, të fjalës fundore “Turp”. Deri në nivelet më të larta të diskursit politik, intelektual e publicistik, me decibelë të posacëm të fjalës shqiptohet me gishttregues fjala “Turp”. Një fjalë ofrohet si gjykim fundor dhe shpesh i pashpresë e pamëshirë. Ka një nxitim fëminor për ta zënë rradhën në fillim si për të thënë që meqë e thashë i pari e kam unë monopolin e gjykimit. Më hershëm këto shfaqen në arketipin e procesioneve të gjuetisë së shtrigave apo inkuizicionin e ideve e shkencëtarëve që vinin në dyshim pushtete absolutë e të padeleguar të institucioneve të mesjetës apo periudha historike të errëta e të turbullta që ka përjetuar çdo besim e entitet besimtarësh, kur pushteti politik ka abuzuar me atë shpitëror apo anasjelltas. Më e afërt për ne shqiptarët është temperatura dhe nuanca e Komunizmit që mishërohej në atmosferën e retorikën e përfaqësuesve të emëruar të Pushtetit Ateist të Vijës së Masave, ku në mbledhjen e Frontit, Grave apo Rinisë gjykonin të destinuarit apo të paracaktuarit “armiq” apo ata “me shfaqje te huaja” apo “te deklasuarit = “të deklasifikuarit” njerëz, duke e njësuar dhimbsurinë e mëshirën me mëkatin më të madh.
Me keqardhje shihen ende këto shfaqje atavike në një lloj publicistike partizane që ka filluar t’i bëjë shërbimin më të keq fesë së krishterë, imazhit dhe institucioneve të saj në Shqipëri. Çfarëdo semantikë mund të turbullohet në metaforën e teksteve të të gjitha dogmave të besimit por, ajo që i bashkon qartë si thelbësore e vecanërisht madhështore është etika e kondesuar në formulën ..”Mos i bëj tjetrit atë që nuk do doje ta bënte tjetri ty”…
Gjeni më poshtë disa pasazhe të një stili ateist, përjashtues e të pamëshirshëm që përdor një personazh me mbiemër klerikal, një i vetëquajtur kalorës penëushtë i besimit të nderuar kristian. Besimi Kristian ashtu si gjithë besimet monoteiste, predikojnë e janë ngritur mbi sakrificën e vetëflijimit, dhurimin e dashurisë pa kushte, mëshirës për të dobëtit, përdëllimin e altruizmin. Në të kundërt këta shkronjës të turbulluar i mohojnë haptas, trimërisht këto vlera e për fat të keq, me një heshtje të padurueshme nga institucionet në emër e interes të së cilave ata pretendojnë se vringëllijnë.
Po merremi thjesht me anatominë e pjesshme të një shkrimi, që ka lidhje me këtë debat duke kërkuar ndjesë për përdorimin jo qëllimkeq si shembull të këtij e jo ndonjë tjetër rasti më të rëndë. Kjo pasi zanafilli apo personi shkaktar i këtij debati (z. K. Myftaraj) duket të jetë një rast i pashpresë vetmohimi etik e keqpërdorimi, me një integritet të mbetur në tentativë dhe i përfshirë në lutjet për mëshirë ndaj …”atyre që s’dinë ç’ka bajnë”…
Mjaftojnë disa citime të shpërndara, sa për të krijuar një portret, nga artikulli polemik në fjalë, drejtuar një refuzuesi të tezave të “ateizmit fetar” të atyre që kërkojnë zhdukjen e besimeve “rivale” në shoqëri.
…radikalist i njohur i grupeve islamike…Cilit grup i takon zotnia që akuzohet e ku janë faktet për këtë? Për shkak të respektit për gjuhën e bukur shqipe, mbiemri në trajtë të rregullt në shqip bën “islame” jo “islamike”.
Polemizuesi me mbiemër klerikal, sheh se në pelegrinazhin në Kishën e Shna’Nout marrin pjesë … 1.5 milion banorë të Shqipërisë e të shqiptarëve jashtë kufirit… Kjo më kujton argumentin butaforik e patetizmin shifror të mitingjeve politike. Lind natyrshëm pyetja: Cili është burimi i kësaj shifre, nga kush e si u mat numri, prejardhja e arsyet?... e pur si muove… Idhujtaritë, bestytnitë e pelegrinazhet e ndryshme të “religjionit popullor” që ndodhin me shumicë në vendin tone e kudo, nuk kanë një bazament të shëndoshë monoteist e një ritual të mirëpërcaktuar, ndaj shpesh përfundojnë në pikniqe të turbullt turistikë, vendtakime romantike të dyshimta apo konsume të tepruara gastronomike. Ato mund të shërbejnë për gjithçka, përveçse për të përcaktuar identitet të qartë fetar, si ai që kërkon të gjejë numëruesi tek “1.5 milionët” e tij.
.. arsimimi i tërë popullatës (dhe këtu paradoksalisht, ka merita dhe diktatura komuniste)… Ky mendoj se është një mjerimi i vërtetë i argumentit publicistik. Duket të jetë pikërisht arsimimi ateist e keqja bazë e lëngimit të zgjatur shpirtëror e moral të brezave të rinj në Shqipëri i cili duket se do të zgjasë edhe për shkak të disa pengjeve e komplekseve të inferioritetit politik e improvizimit dritëshkurtër në reformat arsimore e tekstet shkollore. Kjo spjegon lehtësinë e përfshirjes së këtyre brezave në trafikun e prostitucionit, alkoolizmit, drogës, skemave piramidale, lojrave të fatit e bixhozit, ndjekjen e horoskopëve, hajmalive, korrupsionit edhe në segmente që duhet të jenë rojtarë skrupulozë të vlerave etike e intelektuale.
… në mbrojtje të mikut tim K. Myftaraj…si mund të mbrohet me argumente inteligjentë një njeri që zihet sistematikisht me vehten, që sulmon dhe fyen të tjerët për shkaqe besimi apo bindjesh në këtë posturbanizëm e globalizëm që jetojmë përditë (ndryshethënë shekullin e XXI(?))
… tradhtarë të vendit biles dhe në Arabinë tënde z. Muja… me demek Kulak!!! Pas kësaj “Masa” do hidhej e do të thoshte –“Në turrën e druve Djallin!”, ose “Të dëbohet e të internohet qeni!”. Pastaj këto krijesat që jetojnë në “Arabinë e z. Muja” a i llogarit sipas kartës së OKB e gjithë Konventave Ndërkombëtare si qenie njerëzore ky shkronjës. A mund të dënohet një debat për idetë e besimin të jetë kaq provincial e pervers. Vetëm racizëm nuk mund të gjesh në Monoteizëm e kjo vjen më tepër erë tjetër se sa kalorësi kristiane.
…Duhet të kini më shumë respekt për fisin tuaj z. Muja, e jo ta lini në baltë të kaluarën e fisit, e për çfarë? Për disa të ardhura të dhëna kushedi se nga kush pikërisht për të bërë të kundërtën ndaj fisit tuaj, Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Turp, z. Muja… ja dhe Çasti Fundor, paragraf i rëndomtë dacibaosh. U mbars mali e polli një … m…i. Nga feja….tek tribuja. Ky mendoj mund të jetë një fund aspak i lakmueshëm i çdo argumenti të shëndoshë në shërbim të vlerave etike. Rendet fisnore e monarkike mu për shkak të vlerave të dyshimta janë distiluar, përmirësuar e reformuar në kohë. Për kë duhet thënë fjala “Turp”? Pas atyre që pretendohen pa nxjerrë arsye shihet se mes të tjerave edhe intrigimi e thurja e argumentit vetë është për të ardhur keq.
Argumenti se “...islamizmi ruajti identitetin shqiptar ...?! është pjesë e një përbërësi që po e do pësojë tjetërsim. Identiteti vetë mendoj se ka dinamikën e tij e futet tek kategoritë historike ai nuk është i ngirë e i përhershëm. Kategori historike kanë qenë Perandoria Romake, Bizantine, Perse, Mongole, Otomane, Spanjolle, Britanike, etj, etj, të cilat pas konsumimit të tyre historik, tani nuk egzistojnë më si të tilla, por vijojnë të egzistojnë si fakte historike e si koncepte e ndoshta edhe si pellgje kulturorë, ekonomikë e gjuhësorë. Të qenit shqiptar nuk na bën as më të mirë e as më të këqinj. Ky është një caktim po ashtu hyjnor, jashtë e pa vullnetin tonë dhe prej këtej eja të ulemi për të gjetur arsye të shëndetshme identifikimi pa qenë nevoja të spekulojmë. Le t’u qasemi mençurisht disa sistemeve më modernë të vlerave, ku çështja e besimit është vetjake dhe mbrohet me ligj ushtrimi i saj. (Sa teveqelë na duken disa të huaj kur thonë “…ua nuk ka mundësi të jesh shqiptar!”...e pur si muove… ) Çdo mëtonjës për hapjen e Kutisë së Pandorës, mendoj se mbetet thjesht një Don Kishot që i mungon naiviteti e i kutërbon ligësia.
Le të shpresojmë që arsimimi i mirë i të gjithë shqiptarëve të japë frytet e duhura, le të shpresojmë që njerëzit e thjeshtë ta kuptojnë (siç po e kuptojnë) se besimi tek Zoti është e vetmja shpresë që jeta të na shkojë mbarë, le të shpresojmë që njerëzit të kuptojnë se është respekt dhe atribut ndaj të parëve tanë (rikonvertimi në të krishterë(?))(zëvendëso)BESIMI pa dhunë e pa detyrim, madje ai do të sjellë prosperitet, paqe dhe integrim, le të shpresojmë se radikalistët ashtu si dhe komunizmi nuk e ka jetën e gjatë. - Plotësisht dakort duke mos i arnuar argumentit pjesën në kllapa që zëvendëson bindjen e shpresës së parë të nënvizuar pa një kuptim integral.
Lavdi Zotit, paragrafi i fundit i këtij shkrimi është ngushëllues e shpresëdhënës ndonëse i shkruar pa asnjë ndryshim nga e njëjta dorë. Gjeni më poshtë:
Së fundmi, le të shpresojmë që njerëz të zgjuar, që nuk shiten, e që nuk gëlltisin “lugën e çorbës” për pak pushtet, para, e gra, të drejtojnë vendin tonë e të rikrijojnë binomin e prishur fe+atdhe, sepse identiteti i shqiptarëve nuk mbrohet duke bërë hipokritin, por duke mjekuar plagën, e kjo plagë mjekohet pa dhunë, por duke parë të vërtetën në sy dhe duke reflektuar. Europa e di kush jemi, por ne shqiptarët, për fat të keq, falë njerëzve si ju nuk e dimë akoma se kush jemi.- Plotesisht dakort…
Ndoshta veçoria e rrjedhshme dhe ekumenike (gjithëpërfshirëse) e epilogut na jep guxim të shpresojmë pasi vendndodhja si shterrim i argumentit, me apo pa dashje na respekton e na shërben të gjithëve.
E vërteta është aty jashtë - ose e pur si muove. Se sa e si janë shqiptarët e sotëm, dihet, po si do të jenë e çfarë do të jenë të nesërmit, këtë le tja lëmë Providencës. Kjo pasi kompleksiteti i procesit është i tillë sa që logjika e mangët e vullneti njerëzor jo vetëm që nuk mund ta riformatojë, por as ta paragjykojë, ndaj sërish është mirë të pëshpërisim…e pur si muove…
Më tej do doja të shtoja një rutinë të shëndetshme civile që duhet kryer rëndom. Me shpresë se Drejtësia jonë do të dalë një ditë nga bataku i vlerave të materializmit e ateizmit, denoncimi i këtyre qyqarëve me padi civile përmes sistemit të institucioneve demokratike ku kemi sistemuar vlerat tona sociale e të bashkëjetesës, mbetet i nevojshëm dhe i shëndetshëm. Çdo shoqëri që pranon t’i hapë rrugë budallait, së shpejti do shohë që i ka bërë varrin vetes dhe vlerave të saj. Padia civile ndaj të tillëve që dëmtojnë jo thjesht muslimanët shqiptarë, por palcën e qenies së bashkëjetesës (me çdo grup që i qaset një besimi i cili nuk cënon harmoninë) së shqiptarëve, duhet të dalë nga kuadri i thjeshtë i përfaqësuesve legalë apo vetanakë të grupit të kërcënuar. Ai duhet të përfshijë natyrshëm gjithë komunitetet e tjera fetare e përfaqësuesit e tyre më të lartë.
Krerët e Kishës Ortodokse Autoqefale, Kishës Katolike e gjithë entitetet e tjera fetare duhet të prononcohen nëse kjo nuk është (qoftë larg) një gurhedhje me dorëfshehje.
Jemi në të njëjtën barkë, barka është e vogël, ajo nuk na takon vetëm ne, padijes dhe egoizmit tonë por, edhe fëmijëve e brezave pasardhës që do na gjykojnë më ftohtë, e rruga është e gjatë e me telashe. Kjo heshtje nuk duhet të zgjasë më për hir të së mirës së përbashkët. Një proverb na këshillon se …”Krimet kryhen nga të ligjtë e ata fitojnë vetëm sepse njerëzit e mirë (të të gjitha besimeve) heshtin e nuk bëjnë atë që duhet ta bënin”...

16/06/2010 18:13:19

e shtunë, 19 qershor 2010

Probleme të deklarimeve identitare në komunitetin shqiptaro – amerikan.


Besnik Sinani

(Fjala e mbajtur në takimin “Shqiptar, Amerikan dhe Musliman: Feja dhe Identiteti,” mbajtur në Qendrën Islame Shqiptaro – Amerikane në Garfield, New Jersey më 23 Maj, 2010.)

Zonja dhe Zotërinj, anëtarë të këtij komuniteti e mysafirë,

Dua të filloj duke falenderuar të zotët e shtëpisë që na mirëpritën në eventin e sotëm si dhe organizatorët e këtij eventi, Imam Rifat Alilin, xhematin këtu në xhaminë në Garfield dhe iniciativën “Our Effort – Perpjekja Jone,” pranë kësaj xhamie, si dhe të gjithë ata që kontribuan dhe ndihmuan në përgatitjen e këtij eventi. Për vite të tëra kemi parë pllakën në hyrje të kësaj xhamie si dhe xhamive të tjera shqiptare në Shtetet e Bashkuara që njofton se kjo është një qendër islame, shqiptaro – amerikane dhe për këtë arsye vendosëm të fokusojmë eventin e sotëm pikërisht në diskutimin e kompleksitetit të një komuniteti që është njëkohësisht një bashkesi lidhjeje shpirtërore që bashkohet në adhurimin e Zotit, një bashkësi njerëzish që mblidhen në kultivimin e traditës, riteve dhe etikës islame; kjo është gjithashtu një bashkësi shqiptarësh që ndajnë me njëri – tjetrin imagjinatën dhe memorien historike, referencat kulturore dhe gjuhën që na bashkon me shqiptarë të tjerë këtu në SHBA si dhe gjetkë, qoftë të besimeve të tjera apo pa besim fetar; kjo është gjithashtu qendër e një bashkesie qe ka ndërtuar jetën në këtë vend, qoftë si emigrantë të ardhur, apo të lindur këtu dhe si të tillë ne jemi pjesë e mozaikut kulturor, fetar dhe etnik të shoqërise amerikane dhe ndajmë me kojshitë apo kolegët tanë në punë vlera, interesa, shije e referenca kulturore pavarësisht nga besimi fetar, prejardhja etnike, apo gjuha amtare e kojshive apo kolegëve tane.

Kur flasim për idenë e mozaikut fetar, kulturor, etnik e gjuhësor që përbën shoqerinë amerikane është bërë e zakonshme të dëgjojmë të flitet për Irlandezo – Amerikane, Afro – Amerikane, Italo – Amerikane, Hispono - Amerikane e kështu me radhë. Ajo që njihet në debatin e shkencave sociale në Amerikë si “hyphenated identity,” edhe pse term i debatuar, na bën të ditur se si shoqëri ne pranojmë si pasurim të shoqerisë sonë faktin se vimë nga prejardhje, tradita, besime, kultura diverse dhe se ky diversitet, në dallim nga pjesa më e madhe e Evropes Perendimore, në SHBA konsiderohet si vlere, pasuri, dhe kontribut në shoqëri. Sigurisht, edhe këtu shohim grupe, forma tensioni, retorika urrejtjeje që shpesh ngrihen kundra një grupi apo një tjetri ku mund të përmendim debatin kohët e fundit mbi emigracionin dhe ligjin famëkeq në shtetin e Arizonës që prek kryesisht emigrantët meksikanë. Gjithsesi, në përgjithësi, shoqëria amerikane ka pranuar si vlerë dhe pasuri kombëtare diversitetin kulturor, racor, etnik, dhe fetar që formëson shoqërinë tonë. Mes kësaj larmie kemi patur mundësinë të ndërtojmë dhe institucionet, iniciativat dhe projektet që inagurojnë dhe kultivojnë komunitetin shqiptaro – amerikan, një bashkësi e larmishme me myslimanë dhe të krishterë apo jo-fetarë, me prejardhje nga Shqiperia, Kosova, Maqedonia, apo Mali i Zi, të ardhur prej dekadash apo të një prurjeje më të vonët, të moshave dhe profesioneve të ndryshme. Në fakt, emigracioni në SHBA ka sherbyer dhe si mundësi njohjeje për shumë prej nesh të cilët edhe pse shqiptarë, për shkak të kushteve politike, kufijve që na ndanin, nuk do kishim patur mundësi te njiheshim me njëri – tjetrin më parë. Kësisoj, pavarësisht besimit tonë fetar, formimit profesional, bindjeve politike, shijeve të larmishme etj., ne njohim prezencën në një bashkësi shqiptaro – amerikane që ndan një memorie historike, gjuhë, referenca kulturore, eksperiencën e emigracionit që na bën të identifikohemi, të solidarizohemi si shqiptaro – amerikanë.

Por a ka arritur komuniteti shqiptaro – amerikan, nëpërmjet institucioneve të veta, liderëve të vet, publikimeve të veta, aktivitetit të vet të njohë e të reflektoje këtë diversitet tonin brenda bashkësisë shqiptaro – amerikane? Për pak minuta do flas për dy raste që më shërbejnë të ilustroj problematikën që dallojmë në disa qëndrime të disa organizatave dhe figurave në komunitetin shqiptar në amerikë si forma deklarimi identitar përjashtues ndaj shqiptaro – amerikanëve të besimit musliman. Këto dy raste, për fat të keq, nuk janë përjashtime, por besoj se janë indikative të botëkuptimit dhe qëndrimeve të disa qarqeve, organizatave, e figurave të njohura të komunitetit shqiptaro – amerikan, të cilat dëmtojnë kohezionin tonë si komunitet.

Kohët e fundit, një grup shqiptarësh kanë ngritur iniciativën për të marë aprovimin për vendosjen e një monumenti të Skënderbeut në një nga sheshet e qytetit të New York-ut. Midis iniciatorëve dallohen emrat e z. Astrit Leka, nën/kryetar i shoqatës së veteranëve të Luftës së Dytë Botërore me banim në Gjenevë, Dr. Anna Kohen, Presidente organizatës “Motrat Qiriazi,” Dr. Skënder Kodra, Dr. Peter Prifti, Dr. Adem Harxhi, Dr. Dhorka Dhamo etj. Dy artistët e propozuar për të punuar në këtë projekt janë artistët e njohur Naxhi Bakalli, dhe Fatos Kola. Në 11 pikat ku shpjegohet motivacioni mbrapa kësaj kërkese, emrat e përmendur më sipër përmendin:

Pika 1. Gjergj Kastrioti Skenderbeu u bë i vetmi mbrojtës ushtarak i Evropës së krishterë në kohën e tij; Pika 4. Sepse për mbrojtjen e lirisë dhe të krishterimit, Skenderbeu luftoi personalisht në krye të ushtrisë; Pika 5. [u quajt] nga papët e Romës “Atlet i Krishtit,” “Dhuratë e Krishtit,” “Shpata dhe Mburoja e Krishterimit dhe mbrojtësi i pamposhtur i tij.” Pika 6. Bashkpunoi ngushtë me Vatikanin dhe me 4 papë… qe e frymëzuan në misionin e Tij, që mundësoi të pamundurën. Pika 9. Skenderbeu ishte një kampion i mbrojtjes së lirisë, qytetrimit perendimor dhe krishterimit.

Mësuar të konsiderojmë Skënderbeun si Hero Kombëtar, nuk ka si mos vëmë në dukje këtë mbitheksim të Skënderbeut si kryqptar. Skënderbeun, me sa di unë, jemi mësuar ta shohim si figurën që simbolizon qëndresën e shqiptarëve ndaj pushtimit të huaj, jemi mësuar në shkolla ta shohim si figurën që luftoi kundra ushtrive turke dhe venedikase, por më qartë si figurën që u nxor nga pluhuri i shekujve nga rilindasit gjatë formulimit romantik të nacionalizmit shqiptar dhe u vendos në piedestalin e heroit kombëtar për të gjithë shqiptarët e të gjitha besimeve. Në fakt, ishte poeti Naim Frashëri, një poet mistik e besimtar musliman i tarikatit bektashi, ai që pagëzoi i pari Skënderbeun në fronin e Heroit Kombëtar. Le të sqarojmë këtu se ky mbitheksim i Skënderbeut si kryqatar nuk është pjesë e ndonjë revizionimi historik që kërkon të na vërë në dukje elemente që nuk i kishim ditur më parë nga jeta e Skenderbeut. Nëse do të ishte kështu, nuk do të shihnim të njëjtët zëra që ngulmojnë ta quajnë atë si “Mburoja e Krishterimit” të alarmohen nga botimi i nje studimi të mirëfilltë akademik mbi Skënderbeun kohët e fundit nga historiani zviceran Oliver Schmitt. Qëllimi është tek mbitheksimi i figurave, elementeve, miteve, narrativave që kërkojnë të projektojnë një identitet shqiptar të ngritur mbi referenca kulturore të krishtera në përjashtim, kundërshti e antagonizëm me prezencën, vlerat, figurat, dhe referencat muslimane të shqiptarëve.

Ndër motivet që shtyjnë emrat e përmendur më sipër, përmendet në pikën e 10-të se Neë York-u është qyteti ku banon një komunitet i madh shqiptaro – amerikan, për të cilin figura madhore e Skënderbeut është ajo e Heroit legjendar të popullit të tyre liridashës. Në këtë qytet, dua te kujtoj anutorët e mësipërm, jetojnë dhe shqiptarë që kanë ndërtuar së paku tre xhami shqiptarësh, ku shqiptarët e Staten Island kanë ndërtuar një nga xhamitë më të mëdha në Shtetet e Bashkuara, dhe mijëra familje shqiptarë janë anëtare të regjistruar të këtyre komuniteteve. Autorët e mësipërm ose nuk e kanë kuptuar se një Skënderbe hero i Krishterimit kundra islamit (një vështrim ky tejet simplistik e i reduktuar historik) nuk mund të jetë hero i muslimanëve shqiptarë në qytetin e New Yorkut apo gjetkë, ose teksa flasin nuk na konsiderojnë ne muslimanët shqiptarë në Amerikë si shqiptaro – amerikanë. U takon atyre të sqarojnë këtë dilemë, por e kemi veshtirë të besojmë se ata nuk janë të ndërgjegjshëm për këtë kundërshti tonën, pasi ka prej tyre që kanë familjare të tyre besimtarë muslimane që falen me ne në keto xhami.

Fatkeqsisht, ky rast nuk eëhtë nje rast i izoluar. Shumë nga ju mund të kujtoni fjalimin e ligë të Dom Anton Kcirës kur cilësoi muslimanët shqiptarë ashtu si dhe muslimanët boshnjakë të masakruar në Sebrenicë si qenër që meritojnë të rripen së gjalli nga Milloshevici. Dom Anton Kcira tregoi mjerimin dhe skëterrën qe ka brenda tij. Por ajo që na shqetëson është prononcimi i figurave të njohura ndër shqiptarët e Amerikës si z. Ekrem Bardha të cilët na bënë thirrje që “të mos keqkuptojmë Dom Anton Kciren.” Na bën përshtypje se si nuk pati asnjë fjalë në artikullin e tij që adreson palën e lënduar. Ne kemi anëtarë të këtij komuniteti që humbën të dashurit e tyre në masakrat e forcave të Milloshevicit, ata që Dom Antoni i quan qenër që meritojnë të rripen të gjallë. Ekrem Bardha flet per harmoninë fetare të shqiptarëve por duam të pyesim nëse fjalët e Dom Antonit përputhen me këtë imazh te harmonisë fetare. Të tilla qëndrime mbajtën dhe organizata të tjera shqiptare këtu në Amerikë dhe këto qëndrime na bëjnë të pyesim nëse bashkëkombasit tanë janë të interesuar për ngritjen e një komuniteti gjithë – përfshirës së shqiptarëve të Amerikës, apo ato kanë një vizion shumë më të ngushtë e përjashtues, në fakt kundërshtues ndaj sensitiviteteve te shqiptaro – amerikaneve të besimit musliman.

Kjo qendër ka bërë thirrje dhe më parë që mos ngatërrojmë qendrimet e Dom Anton Kcires me qendrimet e katolikëve gjerësisht këtu në Amerikë. Edhe ajo palo, gjysëm – apologji e Dom Antonit se kinse kish përdorur gjuhën e gabuar, kur është se fillimisht me arrogancë mbrojti qëndrimin e tij, erdhi vetëm pasi organizata muslimane kontaktuan dioqezën e kishës katolike në Michigan. Katolikët amerikanë kanë qenë partnerë në kauza të rëndësishme së bashku me muslimanët. Ne nuk duhet të biem ne verbërinë e Anton Kcirës e të bëjmë gjykime kolektive ashtu sic Kcira gjykoi gjithe muslimanët shqiptarë në bazë të qëndrimeve të vëllezërve Duka, qëndrime që kjo xhami dhe të gjitha xhamitë shqiptaro – amerikane i dënuan me termat me të ashpra. Ajo që duam të vëmë në dukje, gjithsesi, është se qëndrime të organizatave e figura të njohura mes shqiptarëve të Amerikës si ato që sapo përmendëm, janë përcarese, induktojnë tension në bashkesinë tonë, dhe nuk flasin në emër të gjithë bashkesisë shqiptaro – amerikane as në New York e më gjerë.

Në përfundim, është detyra jonë si bashkësi të sjellim këto shqetësime në tryezën e nje diskutimi konstruktiv brenda komunitetit shqiptaro – amerikan, dhe të kontribuojmë në krijimin e një fryme dhe qendrimesh që njohin, vlerësojnë dhe pranojnë diversitetin brenda komunitetit shqiptaro – amerikan. Shpesh përgjigja që do marim do jetë shkurajuese, si ajo që morëm nga Dom Anton Kcira, apo ata që verbërisht mbështetën retorikën e tij të urrejtjes. Por ne nuk kemi zgjidhje tjetër përvecse të përpiqemi të ndërtojmë një diskutim konstruktiv me ata që jane të interesuar, sepse me shqiptarë të besimeve të tjera, apo pa besim ne jemi pjesë e të njëjtës familje, të lidhur nëpërmjet farefisnisë apo krushqive dhe ndajmë me njeri – tjetrin elementë të rëndësishëm të të qenit shqiptarë, që na informojnë se kush jemi dhe se pse identifikohemi si të tillë. Nëse këto cështje nuk adresohen do shohim reagime patetike si ato që kërkojnë zevendësimin e monumentit të Skënderbeut me atë të Sulltan Muratit. Edhe pse i vleresojmë këto qëndrime si margjinale, ato janë simptomatike si reagime ndaj qëndrimeve identitare që kerkojnë të përjashtojnë prezencën muslimane nga horizonti historik dhe social i shqiptareve. Këto jane importe nga ligjërimet e prodhuara në Shqipëri dhe Kosovë, pjesë e tensioneve të përballjes me një Evropë në krizë identitare. Kjo nuk është klima në të cilën gjindemi ne shqiptaro – amerikanët. Per këtë arsye ne kemi potencialin per tu ngritur mbi përcarjen dhe tensionet që mbillen nga këto qëndrime, por kjo do ndodhë vetëm nëse do kemi si bashkesi vullnetin, motivet, dhe vizionin për ta bërë këtë. Ju faleminderit.

e mërkurë, 9 qershor 2010

Rruga drejt vendtakimit te dy deteve


Neki Kaloshi



Allahu xh.sh. thotë në Kuranin e Tij Famëlartë:

65. Dhe gjetën një prej robërve Tanë, të cilit i patëm dhuruar mëshirë prej Nesh dhe i kishim mësuar nga ana Jonë dije.
66. Musai i tha atij: “A mund të të pasoj ty, që të më mësosh edhe mua diçka prej diturisë së drejtë që të është dhënë ty?”
67. Ai u përgjigj: “Ti nuk mund të durosh dot me mua!
68. E si mund të durosh (pa pyetur) para diçkaje për të cilën nuk di asgjë”?
69. (Musai) tha: “Do të më gjesh të durueshëm, në dashtë Allahu e nuk do të të kundërshtoj për asgjë.”
70. (Hidri) i tha: “Nëse vjen pas meje, mos më pyet për asgjë, derisa të ta shpjegoj unë!”


Prej këtyre ajeteve ka vërtetë shumë mësim për këdo që kërkon të marrë dije dhe të veprojë me të. Dija është një prej vetive më të larta që e zbukuron njeriun dhe e ngre atë në gradë të larta tek Allahu xh.sh. Zoti thotë në Kuran: “Me të vërtetë njerëzit që i frikësohen më shumë Allahut janë dijetarët”. Kjo vjen si rezultat i dijes së tyre mbi madhështinë e Allahut, si rezultat i dijes mbi cilësitë e Tij të larta dhe mirësitë e Tij të pafundme ndaj robërve të Tij, por vjen edhe si rezultat i dijes mbi dobësitë e tyre si krijesa. Pra frika ndaj Zotit vjen mbi bazë të dijes së njeriut në dy drejtime: Dija ndaj fuqisë së Zotit, dhe dija ndaj mangësisë nejrëzore. Dija e njeriut në këtë rast i bën të qartë atij kontrastin e madh midis krijeses dhe Krijuesit. Vetëm kështu njeriu arrin të kuptojë vërtet nevojën e madhe që ka për Krijuesin e tij, dhe vetëm kështu ai i nënshtrohet Atij plotësisht. Në të vërtetë kuptimi i fjalës musliman është, “i nënshtruar”. Dhe nënshtrimi vjen pikërisht kur robi kupton këtë kontrast krijesë-Krijues.

Por, rruga për tek dija është e vështirë dhe kërkon që njeriu të jetë i pajisur me një sërë cilësish dhe vlerash. Imam Shafiu citon mësuesin e tij të thotë: “Dija është dritë dhe Allahu nuk ua jep dritën atyre që nuk dinë ta vlerësojnë”. Një ndër cilësitë më të rëndësishme që i bën të mundur njeriut të arrijë dijen është durimi. Me durim këtu kuptojmë një sërë elementësh: durimi në përzgjedhjen e njerëzve nga e merr dijen, durimi në preokupimin dhe sakrificat për ta marrë dijen (sakrifikimi i kohës, mundit, privimit nga dëshirat madje edhe nga shumë prej nevojave të njeriut), durimi për të qenë i vëmendshëm ndaj mësimit, durimi për ta ruajtur dijen pasi e ke marrë atë (durimi për të rezistuar ndaj harresës), durimi për ta zbatuar atë që mëson , durimi për t’ua transmetuar atë të tjerëve si dhe durimi për ta mbrojtur dijen nga cdo gjë që e prish atë, sic mund të jenë idetë e gabuara, sulmet e injorantëve, etj.

Dija është dhurata më e madhe që Allahu i jep besimtarit, por që njeriu të arrijë tek kjo duhen një sërë kushtesh. Cdo mirësi që Allahu ua jep robërve të tij ka nevojë për kushtet e veta. Ka nevojë për kohë, për mund, për sakrifica dhe bereqeti ka nevojë që të piqet deri sa të mbërrijë tek nejriu. Dija është si fara që mbillet në tokë dhe ajo ka nevojë për kohën dhe kushtet e saj, deri sa të japë frutet e veta. Gjatë kësaj kohe, njeriu duhet të kujdeset për të, të përpiqet, të sakrifikojë që pema e tij të rritet e sigurt deri në kohën kur ajo sjell bereqetin e saj. Nuk ka rrugë të shkurtra dhe të menjëhershme për këtë. Këto janë ligjet e Zotit dhe njeriu duhet tu nënshtrohet atyre, nëse dëshiron të ketë sukses në këtë jetë dhe në tjetrën.

Profeti a.s. thotë: “Zoti më edukoi mua dhe e përsosi edukimin tim”.

Si e përsosi Allahu edukimin e Profetit a.s.?

Që në vegjëli ia pastroi zemrën nga mëkatet. Allahu i Lartësuar thotë: “A nuk ta pastruam ne gjoksin tënd?”. E dyta, duke e ruajtur Profetin e Tij nga mëkatet që përpara shpalljes. E treta, duke i dërguar atij mësuesin më të mirë, Xhibrilin a.s. E katërta, duke i lënë atij një interval kohor prej 23 vjetësh. E pesta, duke ia përshtatur dijen në raport me situatat e krijuara gjatë jetës së tij. Dhe i gjithë mesazhi i Profetit a.s. fillon me fjalën “lexo” dhe përfundon me “Sot plotësova për ju fenë tuaj dhe plotësova për ju mirësinë Time”. Pra mesazhi ka filluar me leximin dhe është përsosur gradualisht deri në momentin e fundit, kur misioni profetik i Muhamedit a.s. përmbushet krejtësisht. E gjithë kjo kohë ka kaluar nëpërmjet një kalvari të gjatë sakrificash, mundimesh, përpjekjesh, në të cilat Profeti a.s. ka dëshmuar se qe më i durueshmi i të duruarve.

Me kaq sa thamë deri më tani mund të kuptojmë se humbja e durimit është ajo cka privon robin nga dija. Humbja e durimit bën që njeriu ta vjelë pemën e tij, pa u pjekur frutet ende, dhe si rrjedhim ato nuk japin bereqet, por dëm. E gjithë kjo vjen nga një sifat shumë i keq që ka njeriu, nxitimi. Nxitimi prish gjithë mundin e bërë për arritjen e të mirës. Në këtë mënyrë njeriu as e arrin bereqetin, por ndërkohë e cdo dëm përpjekjen. Një fjalë e urtë thotë: nxitimi as nuk e arrin përfundimin dhe as e kursen kurrizin. Ndërsa një tjetër: Kush e kërkon dicka para kohe, ndëshkohet me mosrealizimin e saj. Profeti a.s. na këshillon: “Nxitimi është prej shejtanit”. Me një fjalë, shejtani përpiqet të që me anë të nxitjes së nxitimit tek besimtarët tua prishë veprat atyre. Në rastin konkret, nëpërmjet nxitimit, shejtani i privon besimtarët nga dija, duke synuar ti lërë ata në errësirë. Shumë dijetarë kanë thënë se një dije e mbetur për gjysëm nuk është dije. Ajo sjell vetëm ngatërresa midis njerëzve dhe i corodit ata.

Një ndër robërit më të dashur tek Allahu, i cili ka pasur privilegjin të bisedojë drejtpërdrejtë me Allahun, është Musai a.s. Allahu i Lartësuar thotë në Kuran: “Dhe Allahu i folli Musait, fjalë bindëse”. Duke qenë në këtë pozitë Musai a.s. mendoi se ishte neriu më i ditur në tokë, dhe në një bisedë që pati me popullin e tij, e pohoi këtë. Për këtë pohim, Allahu i Lartësuar i tërhoqi vëmendjen.

E urdhëroi që të marrë rrugën për tek një njeri më i ditur se ai, të cilin as Musai nuk e dinte se ekzistonte. Dhe kjo rrugë ishte e gjatë dhe e mundimshme. Vendtakimi i tij me Hidrin ishte vendtakimi i dy detrave, një skaj i largët dhe i mundimshëm për tu përshkuar. Pas gjithë këtij mundimi, Musai a.s. e humbi rrugën dhe u desh të orientohej nëpërmjet peshkut. Pasi arriti tek Hidri, Musai u përball me skepticizmin e Hidrit, i cili iu shpreh se dyshonte nëse ai do të ishte i durueshëm. Ndërkohë, Musai, i vendosur për t’ia dalë mbanë mësimit. Ai iu shpreh Hidrit: “Dhe dashtë Zoti, do të më gjesh nga durimtarët”.

Dhe kështu nis një tjetër rrugë e Musait a.s., ajo e kërkimit të dijes prej Hidrit. Gjatë këtij udhëtimi, mësuesi, bëri disa veprime që për Musain binin ndesh me arsyen e tij e cila ishte e kufizuar në një sferë tjetër nga ajo e Hidrit. Kjo bëri që Musai të ndërhynte duke shprehur habine me sjelljen e tij, gjë që e bëri të shfaqë mosdurimin etij. Mësuesi e toleroi në rastin e parë. E toleroi edhe në të dytin. Pas rastit të tretë, ku dhe vetë Musai u bind për dobësinë e tij, për mungesën e durimit, kur edhe e mori mesazhin bindës prej Krijuesit të tij, se vërtetë paska njerëz edhe më të ditur se ai, u kthye tek populli i tij. Profeti Muhamed s.a.v.s.: “Zoti e mëshiroftë Musain. Sikur të kishte duruar edhe pak, Hidri do ti mësonte edhe shumë gjëra të tjera të vlefshme”.

Kjo ngjarje është dëshmi e mënyrës me të cilën Allahut xh.sh. e ndihmoi të dërguarin e Tij, për tu kultivuar me kujdesin për të qenë i matur në cdo vendim që ndërmerr, si dhe për të peshuar cdo fjalë dhe për të mos shprehur kurrë asgjë të nxituar dhe për të cilën nuk ka njohuri.



*Ky shkrim eshte nje hutbe e mbajtur gjate faljes se xhumase ne Xhamine e Laprakes

e shtunë, 5 qershor 2010

Pas ligjit shamior, frika



Nga Alain Badiou

Për filozofin Alain Badiou, «ligji shamior nuk shpreh veçse një gjë : frikën e Perëndimorëve në përgjithësi dhe atë të francezve në veçanti ». Përse?: «Sepse ata janë fajtorë, por hiqen të pafajshëm».

Artikulli është botuar në Le Monde, më 22 Shkurt 2004


1. Një ditë prej ditësh, disa republikane e republikanë të mirë argumentuan se u dashka një ligj për ndalimin e gjithë shamive mbi flokët e vajzave. Fillimisht në shkolla, më pas diku tjetër, mundësisht gjithkund. Thashë gjë, një ligj? Një ligj! Presidenti i republikës ish një politikan sa i limituar aq dhe i pashqitshëm. I zgjedhur totalitarisht prej 82% e votuesëve, ndër ta edhe gjithë socialistët, njerëz midis të cilëve rekrutoheshin edhe republikane(ë)t e mirë në fjalë, u përkul me nderim: një ligj, po, një Ligj kundër atyre pak mijë vajzave të reja që e vënë të lartpërmendurën shami mbi flokët e tyre. Qeroset, zgjebëset! Edhe myslimane, pale! Dhe kështu, edhe një herë nga fillimi, në vazhdën e kapitullimit të Sedan-it, të Pétain-it, të luftës së Algjerisë, të shtirjeve të Mitterrand-it, të ligjeve perfide kundër puntorëve pa letra, Franca shastisi botën. Pas tragjedive, farsa.

2. Po, Franca e gjeti më në fund një problem të denjë për përmasat e saj: shaminë në kokën e ca vajzave. Tashmë mund të themi se dekadenca e këtij vendi është ndalur. Dyndja myslimane, diagnostikuar prej kohësh nga Le Pen-i, konfirmuar sot nga intelektualë të padyshimtë, ka gjetur kujt t’i flasë. Beteja e Poitiers-së nuk ish veçse një gotë birrë mes shokësh, Charles Martel-i, një figurant me thikë gome. Chirac-u, socialistët, feministët dhe intelektualët e Iluminizmit të kapur prej islamophobisë do ta fitojnë betejën e shamisë. Nga Poitiers tek shamia, rezultati është i mirë, progesi i konsiderueshëm.

3. Kauza e madhe lyp të tjerë argumentë. Për shembull: shamia lipset të ndalohet sepse shenjon pushtetin e meshkujve (babai, vëllai i madh) në këto gra e vajza. Përjashtohen atëherë të gjitha ato që këmbëngulin ta mbajnë. Përfundimi: këto gra e vajza shtypen. Aherë, duhen ndëshkuar. Pak a shumë sikur të thoshim: “Kjo grua është përdhunuar, ta burgosim”. Shamia është aq e rëndësishme sa meriton një logjikë me aksioma të rinovuara.

4. Ose, në të kundërt: janë ato që duan ta mbajnë lirisht të mallkuarën shami, rebelet, lojëcaket! Aherë, do të ndëshkohen. Një minutë: nuk qenka shenjë shtypjeje nga meshkujt? Babai, vëllai i madh nuk kanë të bëjnë fare me këtë? Për cilën arsye duhet ndaluar, aherë, kjo shami? Sepse është shenjë e dukshme fetare. Këto lojëcake e shfaqin « dukshëm » besimin e tyre. Me një këmbë të rini!

5. Ose është babai e vëllai i madh, e shamia duhet shkulur sipas perspektivës feministe. Ose është besimi i vajzës, e shamia duhet shkulur sipas perspektivës “laike”. Shami të mirë s’ka. Kokë zbathur! Kudo! Gjithë bota le të dalë, thoshim qëmoti - edhe jo myslimanët e thoshin – “kokë zbuluar”.

6. Mbani vesh mirë, babai e vëllai i madh i vajzës me shami nuk janë thjesht figurantë familialë. Shpesh e nënkupotjmë, herë e deklarojmë: babai është një copë puntor, një i qyqar “i ardhur nga fshati” taze, futur të punojë në zinxhir në uzinat e Renault-së. Arkaik. Por budalla. Vëllai i madh, spaçator bari. Modern. Por i korruptuar. Periferi të frikshme. Klasa të rrezikshme.

7. Feja myslimane vjen e i shtohet peshës së feve të tjera, dhe më e keqja: në këtë vend, është edhe fe fukarenjsh.

8. Përfyryrojmë drejtorin e një liceu, shoqëruar nga një skuadër inspektorësh të armatosur me centimetra, gërshërë, libra jurisprudence: nisen të verifikojnë në dyert e shkollës nëse shamitë, kipat e kapelet e tjera janë “të dallueshme”. Kjo shamia e madhe sa një pullë poste lidhur në topuz? Kjo kipa si një monedhë dy euroshe? E dyshimtë, shumë e dyshimtë. E vogla mundet fare mirë të jetë pjesa e dukshme e së madhes. Por, çfarë shoh? Kujdes! Një kapele të lartë! Aime! Mallarmé, kur u pyet për kapelet e larta, e tha: “Kushdo që e mban një të tillë nuk mundet dot ta heqë. Bota do të soste, jo kapelja.” Dukshmëri e përjetëshme.

9. Laiciteti. Parim inoksidabël! Liceu para tre apo katër dekadash: ndalohej përzierja e gjinive në klasa, pantallonat të parekomandueshme për vajzat, katekizëm, priftërinj. Komunioni solemn, me djemtë me fashë të bardhë në krah e me çupërlinat nën vello tyli. Vello të vërtetë, jo shami. Edhe doni të ma shisni si kriminale këtë shami? Pikërisht këtë shenjë distace, trazimi, kapërthimi të së këtushmes? U dashkan përjashtuar këto zonjusha që ndërlidhin kaq ëmbël të djeshmen dhe të sotmen? Hajde tani, lëreni të grijë makinën e mishit kapitaliste. Cilatdo qofshin vatjet e ardhjet, pendesat, prurjet e largëta punëtore, ajo do të dijë t’i zëvendësojë zotët e vdekur të feve me Molokun e dhjamur të mallrave.

10. A nuk është ndërkaq feja e vërtetë masive ajo e tregtise? Krahas së cilës myslimanët e bindur duken si minoritet asketik? Nuk është shenjë e dukshme e kësaj feje degraduese fakti që mund të lexojmë mbi pantallona, atlete, tee-shirt: Nike, Chevignon, Lacoste,... Nuk është më meskine të shkosh në shkollë si një grua sanduiç trustesh se sa si një besimtare në Zot? Për t’i qëlluar në zemër shënjestrës, për t’i parë gjërat tamam, e dimë ç’na lipset: një ligj kundër markave. Futju punës, Chirac. Të ndalojmë pa u trembur shenjat e dukshme të Kapitalit.

11. Ndriçomëni. Racionaliteti republikan dhe feminist i pjesës që shfaqim prej trupit dhe pjesës që nuk shfaqim, në vende të ndryshme dhe epoka të ndryshme, cili është? Nuk di që në ditët tona, dhe jo vetëm në shkolla, të tregohen thithat e gjoksit apo ballukja pubike, as veglat. Duhet vallë të nxehem që këto pjesë i “fshihen vështrimit”? Duhen dyshuar vallë bashkëshortët, dashnorët, vëllezërit e mëdhenj? Vetëm pak kohë më parë në fshtatrat tona, në Siçilinë e ditëve të sotme e gjetiu, vejushat mbajnë shami të zeza, çorape të errëta, maramanë. S’është e nevojshme të jesh e veja e ndonjë terroristi islamik për këtë.

12. I habitshëm tërbimi që i rezervojnë kaq shumë zonja feministe vajzave me shami, deri aty sa t’i luten të gjorit president Chirac, sovietikut me 82%, t’i dënojë në emër të Ligjit, ndërkohë që trupi i prostituar femëror gjendet kudo, pornografia më poshtëruese shitet universalisht, këshillat për ekspozimin seksi të trupit mbushin bujarisht hapësirat e faqeve të revistave për adoleshentë.

13. Shpjegimi i vetëm: vajza lipset të tregojë ç’ka për të shitur. Duhet të ekspozojë mallin. Duhet të bëjë të ditur se, tashmë qarkullimi i grave i bindet modelit të përgjithësuar, jo shkëmbimit të kufizuar. Kush pyet për baballarët e vëllezërit mjekroshë! Rroftë tregu planetar! Modeli, është top modeli.

14. Besonim se ish mirëkuptuar që e drejta e paprekshme e gruas është që ajo të zhvishet vetëm përpara syve të atij (ose asaj) që ajo zgjedh. Por, jo. Është detyrë ta sugjerosh zhveshjen në çdo çast. Kushdo që e mban mbyllur mallin për treg nuk është tregtar besnik.

15. Mbrojmë këtë, çka është bash e habitshme: ligji për shaminë është një ligj i pastër kapitalist. E urdhëron feminitetin të ekspozohet. Me fjalë të tjera, qarkullimi sipas paradigmës tregtare të trupit femëror, është i detyrueshëm. Ai e ndalon në thelb - dhe për adoleshentët, zonën e ndjeshme të gjithë universit subjektiv – çdo rezervë.

16. Gati kudo thuhet se “mbulesa” është simboli i patolerueshëm i kontrollit të seksualitetit femëror. Pse vërtet imagjinoni se nuk kontrollohet ditëve të sotme në shoqëritë tona, seksualiteti femëror? Ky naivitet do e kish bërë Foucault-në të qeshë. Kurrë nuk është treguar kaq imtësisht kujdes për seksualitetin femëror, gjithë ato këshilla të dijshme, gjithë ato diskriminime higjenike midis përdorimit të mirë e të keq të Kënaqësisë, kthyer në një detyrim të frikshëm. Ekspozimi universal i pjesëve të supozuara eksituese, një detyrë e ngurtësuar më tepër se e urdhëruar e moralit të Kantit.

Sakaq, midis slloganit “Shijoni, gra!” të fletushkave tona dhe detyrimit “Mos shijoni!” të stërgjysheve tona, Lacan-i vendosi kaherë isomorfinë. Kontrolli tregtar është më i qëndrueshëm, më i sigurt, më masiv se ç’mund të ketë qenë ndonjëherë kontrolli patriarkal. Qarkullimi i përgjithësuar prostitucionist është më i shpejtë dhe më i sigurt se mbylljet vështirësuese familjare, mundja e të cilave, midis komedisë greke dhe Molierit, ka shkrepur të qeshura për shekuj të tërë.

17. Mami dhe kurva. Vende të caktuara bëjnë ligje reaksionare për mamin e kundër kurvës, të tjera, ligje progresiste për kurvën e kundër mamit. E megjithatë, altenativës i ndalohet të flasë.

18. Jo detyrimisht me “as kjo, as ajo”, që vazhdon të përtërihet në terrenin neutral (në qendër, si François Bayrou?) të cilin pretendon se e kundërshton. “As nënë as kurvë” ngjall pak trishtim. Sikurse “as kurvë as e nënshtruar”, lëvizje ndërkaq absurde: përgjithësisht, “kurva” nuk qenka e nënshtruar, që kur kështu? Kaherë i quanim të respektueshmet. Publikisht të nënshtruara, me një fjalë. Sa për “të nënshtruarat”, ndoshta janë vetëm kurva private.

19. Po aty kthehemi: armiku i mendimit sot, është prona, tregtia, gjërat si shpirtrat, jo besimi. Të themi më mirë se, është besimi (politik) ai që mungon më shumë. “Rritja e integrizmës” nuk është veçse pasqyra në të cilën Perëndimorët e ngopur shohin me tmerr efektet e rrënimit të ndërgjegjeve, rrënim të cilin vetë e drejtojnë. Dhe veçanërisht shkatërrimin e mendimit politik, të cilin ngado përpiqen ta organizojnë, herë nën petkun e demokracisë së pakuptimtë, herë me furnizime parashutistësh humanitarë. Në këto kushte, laiciteti, i cili pretendohet t’i shërbejë dijeve, nuk është veçse një rregull shkollor për respektin ndaj konkurrencës, stërvitje për normat “perëndimore” dhe armiqësi ndaj çdo bindjeje. Shkolla e konsumatorit kuller, e tregëtisë së lehtë, e pronarit të lirë dhe votuesit të zhgënjyer.

20. Kurrë nuk do të kalojmë mjaftueshëm në ekstazë me trajektoren e këtij feminizmi unikal që, nisur për të liruar gratë, sot predenton se kjo “liri” është aq e detyrueshme sa të kërkojë përjashtimin e vajzave (dhe asnjë djali!) për shkak të paraqitjes në veshje.

21. Gjithë zhargoni i shoqërisë rreth “komuniteteve” dhe përleshjes sa metafizike aq dhe të ekzaltuar midis “Republikës” dhe “komunitarismave”, është krejtësisht i kotë. T’i lëmë njerëzit të rrojnë si të duan, ku të munden, të hanë atë që hanë zakonisht, të mbajnë turbanë, fustane, mbulesa, minifunde, kastanjeta, të përkulen gjithë ditën para zotave të lodhur, të fotografojnë njëri-tjetrin në përkulje e sipër apo të flasin me zhargone piktoreske. Këto lloj “diferencash” nuk bartin më të voglin mesazh universal, as e pengojnë mendimin, as e mbrojnë atë. Nuk ka asnjë arsye atëherë, as për t’i respektuar, as për t’i sharë. “Tjetri” – sikurse dhe thonë pas Levinas-it amatorët e teologjisë diskrete dhe moralit portativ – të jetojë pak ndryshe, ja një konstatim pa firo.

22. Sa për faktin se kafshët njerëzore grupohen sipas prejardhjes, është një rrjedhojë natyrore dhe e paevitueshme e kushteve shpesh të këqija të mbërritjes. Vetëm kushëriri mundet, ose bashkëfshatari, të mirëpresë, do s’do, në strehën e periferisë Saint Ouen Lëmosha. Kinezët të shkojnë atje ku ka ndërkaq kinezë, lipset të jesh i trashë për të formalizuar më tej.

23. I vetmi problem me këto “diferenca kulturore” e këto “komunitete” nuk është sigurisht ekzistenca e tyre sociale, e habitatit, punës, familjes apo shkollës. Është se emrat e tyre janë të pavlefshëm atëherë kur bëhet fjalë për çështje të vërteta, qofshin ato të artit, shkencës, dashurisë dhe, mbi të gjitha, të politikës. Që jeta ime prej kafshe njerëzore të mbruhet me veçanti, ky është rregulli i gjërave. Që kategoritë e kësaj veçantie të pretendohen universale, duke u marrë seriozisht me Subjektin, kjo është rregullisht shkatërrimtare. E rëndësishme është ndarja e predikatëve. Mund të merrem me matematikë i veshur me pantallona të verdha kalërimi dhe mund të militoj për një politikë nënprodukt të “demokracisë” elektorale me flokë me Rasta. As teorema s’është e verdhë (apo jo e verdhë), as fjala që na mbledh s’ka gërshet. E aq më pak mungesë gërshetash.

24. Kur thonë se shkolla kërcënohet shumë prej një veçantie aq të parëndësishme sa shamia e disa vajzave, ndillen dyshime se nuk bëhet fjalë kurrë për të vërtetën. Por për opinione, të ulta dhe konservatore. Nuk i dëgjuam vallë politikanët dhe intelektualët të pohojnë se, para së gjithash shkollën e kemi për të “përgatitur qytetarë”? I errët program. Në ditët dona, “qytetari” është shijues i hidhëruar, i kapur pas një sistemi politik në të cilin çdo ngjashmëri me të vërtetën është e përjashtuar.

25. Nuk janë vallë të shqetësuar, si lart ashtu dhe poshtë, që shumë vajza me orgjinë algjeriane, marokene e tuniziane, me topuzin shtrënguar fort, hijerënda në fytyrë, punëtore të shfrenuara, po thurin, bashkë me ca kinezë jo pak të sulmuar në universin familiar, krerët e frikshëm të klasës? Në ditët tona, lipsen sakrifica të numërta. Mundet që Ligji i sovjetikut Chirac të sjellë përjashtimin e dhunshëm të disa nxënëseve të shkëlqyera.

26. “Shijoni pa fre”, ky gomarllëk i ‘68, nuk arriti kurrë të vërë në funksion me regjim të lartë motorrin e dijeve. Një dozë e caktuar asketizmi vullnetar, arsyen e thellë e njohim prej Freud-it, nuk është i huaj për fqinjët e mësimdhënies apo të paktën ndonjë fragment i ashpër për të vërtetat efektive. Kështu që, një shami, tek e fundit, mund të hyjë në punë. Atje ku ndërkaq patriotizmi, alkool ky i fortë për nxënie, shfaqet krejtësisht difektoz, çdo idealizëm, edhe i paketuari për import, është i mirëpritur. Të paktën për ata që mendojnë se shkolla nuk është bërë për të “përgatitur” qytetarë-konsumatorë.

27. Në të vërtetë, Ligji shamior shpreh veçse një gjë: frikën. Në përgjithësi perëndimorët, francezët në vençanti, nuk janë veçse një grumbull të frikësuarish që dridhen. Nga se kanë frikë? Nga barbarët, si gjithmonë. Ata të brendshmit, “të rinjtë e periferive”; ata të jashtmit, “terroristët islamikë”. Përse kanë frikë? Sepse janë fajtorë, por hiqen të pafajshëm. Fajtorë se, qysh prej viteteve 1980, kanë refuzuar dhe tentuar të shfarosin çdo politikë emancipimi, çdo arsye revolucionare, çdo pohim të vërtetë të gjërave sikuse janë. Fajtorë sepse të kapur pas privilegjeve të tyre të vogla. Fajtorë sepse nuk janë veçse fëmijë të plakur që luajnë me ato që blejnë. Ja pra kjo është, “janë plakur në një fëmijëri të gjatë”. Kësisoj, kanë frikë prej kujtdo më pak plak se ata. Për shembull, nga një zonjushë kokëfortë.

28. Por mbi të gjitha, Perëndimorët në përgjithësi dhe francezët në vençanti kanë frikë nga vdekja. As që u shkon ndërmend që një Ide mund të vlejë aq sa të merret për të rreziku në sy. “Zero të vdekur”, kjo është dëshira më e rëndësishme e tyre. Megjithatë, e shohin se kudo në botë miliona njerëz nuk kanë asnjë arsye t’i tremben vdekjes. E midis tyre, shumë, pothuaj çdo ditë, vdesin në emër të një Ideje. Për “të civilizuarin”, ky është burimi i brendshëm i terrorit.

29. E di mirë që Idetë për të cilat pranojnë sot të vdesin përgjithësisht, nuk vlejnë shumë. I bindur se gjithë zotat janë tërhequr prej kohësh, më vjen keq që djem të rinj, vajza të reja, copëtojnë trupat në masakra të tmerrshme nën thirrjen mortore të atij që prej shumë kohësh nuk është më. Di po ashtu se instrumentalizohen, këta “martirë” të frikshëm, nga komplotistë pak të dallueshëm nga ata që pretendojnë të vrasin. Kurrë nuk përsëritet mjaftueshëm se Ben Ladeni është krijesë e shërbimeve amerikane. Nuk kam naivitetin të besoj në pastërtinë, as në madhështinë, as në cilindo efikasitet, të kasaphaneve vetëvrasëse.

30. Por, them se ky çmim i tmerrshëm i paguhet fillimisht shkatërrimit në detaj të gjithë racionalitetit politik nga dominuesit në Perëndim, ndërmarrje të cilën e praktikuan po aq gjërësisht sa dhe bollëkun, në Francë konkretisht, lidhjet intelektuale dhe popullore. Donit të shfarosnit me shfrenim edhe kujtimin e Idesë së revolucionit? Të çrrënjosnit çdo përdorim, edhe alegorik, të fjalës “punëtor”? Mos u qani për rezultatin. Shtrëngoni dhëmbët e vritini fukarenjtë. Ose lërini t’i vrasin miqtë tuaj amerikanë.

31. Kemi luftërat që meritojmë. Në këtë botë të përshkuar nga frika, banditët e mëdhenj bombardojnë pa mëshirë vendet e dobëta. Banditët e mesëm praktikojnë vrasjen me shënjestër të kujdo që i bezdis. Banditët e vegjël fare bëjnë ligje kundër shamive.

32. Do thonë, gjysma e së keqes. Sigurisht. Gjysma e së keqes. Përpara zjarrit të Gjykatës së Historisë, do përfitojmë nga rrethanat lehtësuese: “Specialist në krehje flokësh, luajti në këtë mesele vetëm një rol figuranti”.

Alain Badiou është filosof, shkrimtar dhe profesor në Ecole Normale Superieure.


Shqiperoi: Nermin Begzade.

e premte, 4 qershor 2010

Shqiperia si opsion


Ramadan Ramadani

Ky opsion përbëhet në atë që shqiptarët e Maqedonisë të jenë Shqipëri, shtjelluar në detaje të kenë një ambient për jetë dhe punë si shqiptarë që janë. Më duhet të pranojë se ky opsion mu kujtua nga se njëra nga “zgjidhjet” që u përmendën në pyetjen publike ishte edhe ajo se nëse do duhej të bëhej grevë urie, duke referuar në neverinë që ngjallë te shqiptarët çdo përkujtim për grevën e urisë të fundit të Edi Ramës


Pavarësisht se pyetja publike që bëri kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti për atë se ku do shkohej nëse do dilej prej qeverie mund lehtësisht të perceptohej si një atak i madh kundër misteriozitetit të liderit të partisë në pushtet, kjo pyetje është edhe një sfidim intelektual për gjithë ata që do mund të jepnin ndonjë opsion qoftë edhe kështu publikisht. Andaj i sfiduar nga kjo pyetje edhe unë do mundohem të paraqes një alternative, dhe realizimi i atij opsioni do gëzonte shumë shqiptarë, pra brenda dhe jashtë Maqedonisë. Ky opsion përbëhet në atë që shqiptarët e Maqedonisë të jenë Shqipëri, shtjelluar në detaje të kenë një ambient për jetë dhe punë si shqiptarë që janë. Më duhet të pranojë se ky opsion mu kujtua nga se njëra nga “zgjidhjet” që u përmendën në pyetjen publike ishte edhe ajo se nëse do duhej të bëhej grevë urie, duke referuar në neverinë që ngjallë te shqiptarët çdo përkujtim për grevën e urisë të fundit të Edi Ramës. Por, edhe përkujtimi për neveritje ishte përkujtim dhe neve na u kujtua Shqipëria. Dhe, jo kjo e tanishmja e grevës së Edi Ramës, drekës së Sali Berishës…, por një Shqipëri edhe për neve, e pse jo edhe me neve.
Ajo që propozoj unë është që të dilet dhe publikisht të premtohet se pas disa viteve do bëhet Shqipëri. Dhe aq. Pa kurrfarë shtjellimi. Besoni që ne do besojmë dhe të durueshëm siç jemi do presim atë ditë ose vit i cili do na caktohet si afat. Mundësisht para vitit 2014, pasi nuk duam të lodhemi duke hequr shëmtueshmërinë që na u është bërë qyteteve tona të bukura. Kjo është deviza politike kryesore e cila do duhej të i thuhej popullatës shqiptare tani dhe këtu. Dhe, të jetë parulla dhe shpjegimi bosht për çdo lëvizje politike. Ashtu për shembull në pyetjen se nëse ka ose jo divergjenca brenda partisë të shpjegohet se krejt ne punojmë për të njëjtën Shqipëri, por kemi mendime të ndryshme rreth disa afateve. Në pyetjen se pse na duhet integrimi në NATO dhe BE, të thuhet se kjo bëhet sebep asaj Shqipërie. Po ashtu edhe në pyetjen se çka do ndodhë nëse kjo puna e emrit zgjat dhe ky shtet mbetet ende pa emër dhe si i tillë nuk mund të integrohet në BE, të thuhet se ne do angazhohemi për një Shqipëri e cila do ketë marrëdhënie të mira me shtetet fqinje dhe para së gjithash me Bullgarinë. Dhe shumë e shumë shpjegime rrjedhëse për decentralizimin, trashëgiminë kulturore dhe për gjithë zhvillimet politike ditore. Në momente të caktuara kritike bile mund edhe të shpjegohet se kryeministri aktual duhet ndihmuar mu sebep asaj se më së shumti i kontribuon kësaj çështjeje dhe krejt ne do dimë se për çka bëhet fjalë. Dhe do mund edhe të durojmë edhe të shohim arsyeshmërinë e qëndrimit në qeveri, në Parlament, pritjen e dërgesave të nëntorit dhe gjithë veprimin institucional. Bile, për të ndihmuar kjo gjë në kthimin e misteriozitetit nuk është e thënë që të thuhet në mënyrë edhe aq eksplicite por mjafton të jepen isharete dhe të përdoren simbolika të cilat bollshëm i posedon gjuha jonë shqipe.
Në këtë vazhdë do mund të përdorej edhe mistifikuesi më i madh; faktori ndërkombëtar ku gjatë takimeve me ta do mund të folej për politikë rajonale me theks të veçantë në tërësinë e Kosovës, kurse në dalje të thuhej se kemi folur edhe për strategjinë afatgjate të veprimit tonë dhe gjëra si kjo.
Pra, nuk besoj se dikush do të kërkojë më shumë sqarime, pasi jemi të vetëdijshëm për efektin e kundërt që mund ta ketë te partneri i koalicionit. Ashtu, shkaku i këtij efekti askush nuk do u ngushtojë për detajet rreth realizimit të cakut që është vënduar. Dhe, askush, nuk do pyes më nëse do duhej të rihej në qeveri dhe bile as atë se çka duhet të bëhej deri në atë vit. Këtë pyetje mandej do mund ta bënin vetëm partitë opozitare shqiptare, por me vetë pyetjen do vërtetonin arsyeshmërinë dhe shëndoshmërinë e këtij opsioni. Me vet pyetjen do përgjigjeshin dhe me këtë do fitohej e drejta që të thirren edhe ata në bashkëveprim për këtë opsion.
Pra, Shqipëria është opsion dhe mbetet opsion sidomos për të ardhmen e paqartë ku futet ky vend me mbrojtje të emrit të cilin se kemi, identitetit të cilin se dimë dhe me shfaqjen e çdo ditë e më shumë, mosbesimit për Evropën. Evropa mund të jetë si të jetë por vardisja ndaj saj është e vetmja gjë që na mbante bashkë. Kur do bëhet ndryshe, pa euro-integrime, atëherë ne që kemi emër por nuk kemi shtet dhe ata që kanë shtet por nuk kanë emër nuk do kemi ku të shkojmë bashkë. Diçka mund të humbet por jo emri jonë, ne mbetemi shqiptarë. E nëse atëherë dikush pyet se nëse shkohet diku dhe ku, atëherë me gojë plot do mund të thuhej, nuk shkoj kund, vazhdoj të rri këtu në qytetin, vendin tim, i cili për shqiptarët është Shqipëri.