e hënë, 22 shkurt 2010

Ligji kundër diskriminimit dhe synimet e axhendës gay


Fitim Zekthi


Një lobing i madh është duke u organizuar në vend për të miratuar një ligj të quajtur kundër diskriminimit, e që në thelb ka ngritjen e homoseksualitetit në një status të mbrojtur shoqëror. Ligji fsheh tinëzisht qëllimin, pasi kërkon që në mbrojtjen e homoseksualëve, të përfshijë edhe kategori të tjera si, diskriminimi racial, etnik apo edhe fetar. Çështja e të drejtave të homoseksualëve është një problem i njohur në botë dhe Shqipëria është ndër të fundit që po ndeshet me këtë problem, dhe kudo çështja përkrahet nga lobingje të rëndësishme që shpenzojnë shumë pará në këtë drejtim. Miratimi i ligjit të mosdiskriminimit të homoseksualëve është pjesë e asaj strategjie që njihet si “ndryshime të vogla hap pas hapi”. Ky ligj është hapi i parë. Në disa shtete të SHBA ligjvënësit, duke iu trembur përdorimit të një ligji të tillë në gjykata nga organizatat e homoseksualëve, janë
detyruar të shkruajnë në ligj se dispozitat e tij nuk mund të përdoren për ripërkufizuar martesën. Në të vërtetë, megjithëse në këto ligje është vendosur një nen i tillë, Gjykata e Lartë e Massachusetts e ripërkufizoi martesën bazuar në këtë ligj. Gjykata e Lartë tha se duke qenë se homoseksualiteti është çuar në një status të mbrojtur shoqëror, atëherë përkufizimi i martesës midis një burri dhe një gruaje është irracional dhe jo kushtetues. Gjykata e Connecticut- it vetëm pak kohë pas këtij vendimi e ripërkufizoi martesën duke u nisur nga ekzistenca e ligjit që mbronte homoseksualët nga diskriminimi. Profesori i ligjeve në universitetin Yale, William Eskridge, një nga mbrojtësit më të mëdhenj të çështjes gay, thotë se duhet të ndjekim pikërisht këtë taktikë, të miratojmë fillimisht ligje të tilla kundër diskriminimit dhe më pas të shkojmë në gjykatë dhe të fitojmë të drejtën e
martesës së njerëzve me seks të njëjtë. Këtë praktikë kanë ndjekur edhe New Jersey dhe Iowa. Pra, miratimi i një ligji të tillë ka këtë qëllim dhe kjo nuk ka asgjë për t’u fshehur.
Një prej zërave më të thekshëm në mbrojtje të çështjes gay është drejtoresha e qendrës për të drejtat e njeriut, Elsa Ballauri, e cila thotë se ne thjesht po kërkojmë një ligj kundër diskriminimit dhe jo të martesave. Ç’sjell martesa e gay-ve në shoqëri ose ç’ndodh, pasi një e tillë sanksionohet me ligj, siç edhe duket se është duke u shtruar rruga ne këtë vend? Në të gjitha tekstet e shkollave, por edhe në kopshte, fëmijët do të mësojnë se familja bëhet edhe mes një burri e një burri dhe fëmijëve të tyre apo mes një gruaje dhe një gruaje dhe fëmijëve. Do të ketë ilustrime me foto e pamje, do të ketë edhe tregime e vjersha. Kjo do jetë e detyruar. Më pas nuk do të ketë më nevojë për gjykatat që të njohin një divorc apo zgjidhin një martesë, do të hyhet në një epokë të liberalizimit të një licence të tillë bash si e patentave të makinës. Kjo nuk është një fantazi. Axhenda
gay e ka bërë këtë gjë në qytetin e vogël Folsom, pranë Sakramentos në Kaliforni. Folsom është tashmë bota e re që kërkon të ngrejë kjo axhendë. Të gjithë ata që besojë te martesa mes një burri dhe një gruaje duhet të jenë shumë të kërcënuar nga një ligj i tillë kundër diskriminimit, pasi ky ligj e ngre homoseksualitetin në një status të mbrojtur social. Edhe fëmijët e familjeve kundër martesave gay do të kenë tekste, ku të mësojnë se familja është edhe ajo e gay-ve.
Qeveria shqiptare duhet ta shohë si kërcënim këtë gjë dhe jo ta trajtojnë si një modernitet, për më tepër kur flasin për PD si një forcë e djathtë. Të jesh gay nuk përbën objekt për të qenë i mbrojtur me ligj. Me ligj mbrohen vetëm cilësi të pandryshueshme, si ngjyra e raca, etnia dhe besimi fetar. Nuk ka asnjë nevojë të thuhet se mbështetja e një ligji të tillë nga “përfaqësi” të ndryshme myslimanësh (sado të nisur me qëllim te mire, e sado teë verbuar nga keqkuptimi qofshin), është një akt i hatashëm turpi, i pa të dytë në asnjë vend në botë.
Besimi fetar mund te futet në një ligj për diskriminimin, sepse ai i ka sjellë botës paqe dhe qytetërim dhe është trashëguar prej mijëvjeçarësh dhe mbi te gjitha i përket sferave shpirtërore. Homoseksualiteti nuk është besim shpirtëror. Problemi me homoseksualitetin është se axhenda e tyre është materialiste dhe ata duan ta heqin bota familjen, në qendër të se cilës është fëmija. Në një botë konsumi, seksi shet shumë dhe familja e qëndrueshme përbën një kërcënim. Feja është edhe më shumë një kërcënim, për këtë biznes dhe prej ketej buron gjithçka në këtë debat.
Axhenda gay është përpjekur të fitojë pranim duke thënë se homoseksualiteti është i lindur dhe për këtë ka përdorur katedra gjenetike, por ka dështuar. Një nga gjenetistët më mëdhenj, Dr. Dean Hamer, aktivist gay, pas kërkimesh pa fund, tha se nuk mund të thuhet se ka një gjen gay. Psikiatri më influent sot në botë, Jeffrey Satinover, ka shkruar një libër “Homosexuality and the Politics of Truth”, ku e denoncon sajimin se kjo sëmundje është e lindur. Sipas tij, pranimi i sjelljes gay rritet nga 5% në 20%, kur përdoret sajesa orientim seksual. N.q.s miratohen ligje të tilla, edhe mundësia që kjo sjellje të bëhet më e përhapur rritet. Shoqata Amerikane e Sociologëve dhe e Psikiatërve ka ngritur alarmin për këtë gjë. Homoseksualët nuk ka pse t’i diskriminojë askush, por sjellja e tyre nuk duhet kurrsesi të ngrihet në një status të mbrojtur shoqëror me një ligj për diskriminimin. Ky është vetëm
hapi i pare. Më pas vjen martesa e pas saj kërkohet Folsom. Parlamenti shqiptar dhe qeveria nuk mund të mbrojë me ligj një sjellje seksuale të pashëndetshme.

e mërkurë, 17 shkurt 2010

A është perëndimi “El-Dorado” i shqiptarëve?*



Vajada Keçi Manjani


Perceptimi i kufinjve pas gati 50 vite mishërim të tyre në komunizëm mbetet të jetë shumë i gjallë tek ne shqiptarët. Perceptimi i popullit tonë si i mbyllur në kafaz imagjinar, përtej se cilit nuk mund të kalohet, vërehet të jetë i gjallë edhe sot e kësaj dite. Prej kohësh populli ynë ka ëndërruar perëndimin sikur të ishte “El Dorado”, prej të cilit na ndajnë veç disa kufij. Të tillë, shume syresh kanë lënë jetën në përpjekje për ta kaluar atë. “El Dorado” në imagjinarin kolektiv paraqitet si i mbushur me flori. I tillë gjendet në ndërtesa, në rrugë në rrobet e njerëzve, në vetë njerëzit dhe perceptimet e tyre. Vetë perëndimi e ka paraqitur veten si të tillë. Si vendi i demokracisë, i vlerave politike dhe ekonomike të pa kontestueshme, si vend ku ëndrrat për liri dhe prosperitet nuk çfarë të bëhen veç se realitet. Mitizimi i “El Dorados” së perëndimit tashmë ka përfshirë çdo qelizë të shoqërisë sonë.
Vështirë të kuptohet nga një perëndimor qasja e shqiptarëve ndaj perëndimit. Natyrisht, që shumica prej nesh, duke mos dalë ndonjëherë jashtë shtetit për të perceptuar dallimin real midis asaj që mediat shfaqin nëpër ekrane dhe asaj që në realitet jetohet nëpër ato shoqëri, marrin përsipër për të qënë çkado lloj reference që iu ofrohet. Thonë se të nëjtët individë, të cilët punuan për propagandën komuniste, janë ata të cilët punojnë sot për formimin e opinionit të shqiptarëve në demokraci. A është e vërtetë që shumica e vlerave të cilat opinion-bëresit thonë se ne kemi si popull, egzistojnë akoma edhe nën peshën e ngarendjes kolektive drejt perëndimit?
Ne jemi shembulli më i mirë i ndërrimit drastik të vlerave. Për disa do të perceptohej si herezi të pohosh se ishim pikërisht ne ata që përqafuam menjëherë mbas vitit 1945 në mënyrë drastike vlerat e komunizmit, të cilat i duartrokitëm me zellin më të madh, tek sa na shfarosnin me pompozitet traditat dhe kulturën. Ishim pikërisht ne që lamë adhurimin e Zotit për të përqafuar adhurimin e partisë-shtet me “profetë” që iknin e vinin në arenën e politikës së kohës. Ishim ne që, në fillim të viteve 1990, sa hap e mbyll sytë, hodhëm mbrapa krahëve, sikur të mos kishin ndodhur kurrë, vuajtjet e komunizmit. Mbase ky është një nga tiparet më të mëdha të popullit tonë: “Të harrosh shpejt”.
Ashtu si çdo i ri, dhe unë kam qënë e indoktrinuar me mitin e “El dorados” perëndimore. Kanalet televizive të Mediasetit dhe Rai-t italian ishin ata ndiqeshin plot etje në mjedisin ku jam rritur. Adoleshecën e kam kaluar duke ndjekur modelet e paraqitur prej tyre, dhe duke i adaptuar brenda vetes ato modele. Sot e kuptoj se ato kanë qenë thjesht iluzione. Produkt i makinacioneve të marketingut televiziv.
Ende më kujtohet paniku që përjetova ditët para të nisjes sime për studime në Itali. Perceptoja se edukimi im, i cili për arsyje fetare vinte në plan të parë integritetin moral dhe edukatën familjare, binte ndesh me shoqerinë në të cilën do të kaloja aq shumë vite studimi. Parashikoja një luftë të madhe të brëndshme për t’i rrezistuar modeleve dhe stereotipeve të rinisë së “hapur”, e cila me siguri do të binte ndesh me normat morale dhe edukatën fetare aq të shtrenjtë për mua. Parashikimet e mia katastrofale mbetën veç një kujtim kurioz sot mbas gati pese vitesh nga përjetimi i tyre. Nuk e mohoj se elementët që formuan këtë lloj paniku tek unë, - siç e zbulova më vonë, - kishin qënë të pa baza në realitet. Mjafton një analizë e vogël dhe një vështrim i shkurtër ne realitetin shqiptar, për të kuptuar se miti i perëndimit që gjallëron brenda nesh nuk përputhet me realitetin e vertetë të këtyre vendeve. Po a na bën mirë përqafimi pa kriter i gjithçkaje që serviret nëpër mediat tona si projektim i së ardhmes që po brendësojmë në vetvete?
Nga çdo vlerë që na paraqitet si e tillë nga përëndimi, që efektivisht nuk e njohim aq thellë sa për ti bërë një filtrim të mirëfilltë atyre që mund ti quajmë si vlera prej tij. Kam frikë, se populli jonë me qasjen e pa kontrolluar dhe të pa filtruar ndaj gjithçkaje që vjen tek ne me markën “nga jashtë shtetit” te meret apriori dhe pa e venë në diskutim aspak. Të gjëndur në një tranzicion të cilit nuk po ja shohim fundin, nuk kemi arritur të bëjmë ende dallimin midis vlerave të cilat dëshirojmë t’i ruajmë në vetvete dhe atyre që dëshirojmë të përthithim nga perëndimi.
Pamja e qartë dhe e ftohtë e një realiteti plot iluzione që udhëheq sidomos rininë shqiptare është alarmante. Modelet që na ofrohen artrtificialisht nga jashte apo nga mediat ndiqen verbërisht. Problemi qëndron në faktin se këto modele, nuk janë të pranuara as në vëndet që i kanë prodhuar dhe ideuar më parë. Edhe pse publikut i shiten per realitet, këto modele nuk janë gjë tjetër vetëm se formatues të një mjedisi, i cili vlen vetëm si objekt debatesh dhe reagimesh nga inteligjenca e këtyre vendeve në lidhje me problemet morale që ato shkaktojne ne shoqëri. Të paktën në shoqërinë italiane për shëmbull, këto dukuri janë dalluar nga masa e gjerë e popullsisë, si elementë që nuk përfaqësojnë jetën reale, madje as realitetin e rinisë së këtyre vendeve.
Atëherë si është e mundur që programet televizive të krijuar enkas shpesh herë për të gjeneruar skandal dhe për pasojë shikueshmëri të lartë, tek ne nuk perceptohen si të tilla, por si modele që duhen ndjekur për të arritur standartet e modernitetit Evropian?
Përthithja e antivlerave në këtë mish-mash perceptimesh të realitetit është një rrezik i cili duhet të pranohet si pjesë e kushteve për t’u “modernizuar”. Në këtë mënyrë edhe gjykimi mbi vlerat që ne pretendojmë të marim mbetet relativ. Ndonse në shumicën e shoqërive perëndimore që ne përpiqemi ti imitojmë verbërisht është arritur perceptimi se shthurja morale, mashtrimi e kriminaliteti nuk janë pjesë e lavdërueshme e shoqërive të tyre, ne i marrim ato si pjese të modernizimit, brenda në koston e biletës për në “El-Doradon” e propaganduar.
Për këtë arsye na duhet të kemi kurajon për të thënë “jo”! Jo, nuk e dua imoralitetin, jo nuk e dua shthurjen, jo nuk e dua zvetënimin e familjes. Vlerat asnjëherë nuk vjetërsohën, asnjëherë nuk dalin jashtë mode. Individualisht, duhet të kemi kurajon të ndërtojmë kohën tonë, fatin tonë me një qëndrueshmëri prej heronjsh. Koha e sotme, e cila zhvesh njeriun nga frerët e nefsit (uni-t) të tij, bëhet armike e përpjekjeve për rikthimin nën drejtimin dhe kahje të qëndrueshme.

* Shkrimi është botuar më parë në “Revista Familja”. Ai vjen këtu i ndryshuar dhe përshtatur për formatin e kësaj faqeje.

e enjte, 11 shkurt 2010

Mirela Bogdani dhe Forumi Musliman: Vazhdon Dialogu i Shurdhët.

Besnik Sinani

Në ditët që pasuan intervistën e Mirela Bogdanit në emsisionin Déjà vu, ku e vënë përballë një fotografie grashë muslimane gjatë një faljeje, znj. Bogdani bëri komente që u konsideruan si ofenduese prej shumë muslimanësh, në faqe e lista interneti u shfaqën debate të ashpra mes znj. Bogdani dhe disa muslimanëve. Forumi Musliman i Shqipërisë iu drejtua me një letër ankese dhe Partisë Konservatore të ëells –it ku znj. Bogdani aderon për të cilën ajo ishte zgjedhur dhe si kandidate e kësaj partie për zgjedhjet e ardhshme. Këto ditë, pas një përgjigjeje nga Partia Konservatore e Wells –it ku thuhet znj. Bogdani suspendohet nga lista e kandidatëve të Paritsë, ky debat midis disa muslimanëve dhe znj. Bogdani u bë i njohur në shtyp për publikun.

Në ankesën e tyre ndaj znj. Bogdanit, Forumi Musliman Shqiptar e ka akuzuar atë për islamofobi – i njësuar në disa dokumenta te Kombeve të Bashkuara me racizmin dhe forma të tjera të urrejtjes ndaj tjetrit - ndërsa M. Bogdani akuzoi Forumin Musliman për ekstremizëm fetar – identifikuar sot globalisht si një nga plagët më shqetësuese në shumë shoqëri. Ajo akuzoi, gjithashtu, Olsi Jazexhiun si instiguesin kryesor prapa Forumit dhe si ekstremist fetar.

Në gjithë këto shkëmbime me terma të rënduar, nuk u shfaq asnjë përpjekje për të patur një dialog të mirëfilltë mbi termat, idetë, dhe qëndrimet që shqetësojnë të dyja palët dhe më gjerë. Së pari, znj. Bogdani shpreh mendimin e vet duke etiketuar gratë muslimane si “të privuara” por habitet pse muslimanët protestojnë ndaj një emërtimi të tillë. E kam vështirë të kuptoj se sipas cilës llogjikë protesta ndaj një etiketimi ofendues konsiderohet ekstremizëm. Si u duhet të reagojnë palëve që ndihen të ofenduar ndaj etiketimeve ofenduese? Së dyti, Forumi Musliman nuk kufizohet me ankesën ndaj etikemiteve të tilla, por vazhdon të fusë në thesin e akuzës për islamofobi komentet e Bogdanit mbi integrimin e muslimanëve dhe të Turqisë në Evropë. Ka një dallim të qartë, më duket mua, midis komentesh ofenduese islamofobe dhe mendimeve të dikujt rreth integrimit të Turqisë në BE. është gati e panevojshme këtu të vë në dukje se nuk bie dakort me idetë e Bogdanit rreth integrimit, sic kam bërë këtë të qartë më parë. Gjithsesi më duket se nuk mund të vendoset aq kollaj lidhja mes islamofobisë dhe kundërshtisë ndaj integrimit të Turqisë apo emigrantëve në Evropë.

Inflacioni i termave dhe shpërdorimi i tyre sjell detyrimisht zhvleftësimin e këtyre termave dhe ideve e shqetësimeve që kërkojnë të tejcojnë. Për këtë arsye është për të ardhur keq që asnjëra palë nuk u angazhua me shqetësimet e palës tjetër, nuk tentoi as të shpjegojë shqetësimet e veta. Cfarë kemi parë gjer më tani dhe ka gjasa të vazhdojë dhe në ditët që do vinë, do jetë ping – pongu i termave të rënduar që nuk do bëjnë asgjë për të kontribuar seriozisht një dialogu për ekstremizmin, integrimin, islamofobinë dhe format e protestës në një shoqëri të lirë.

e enjte, 4 shkurt 2010

Hija antishqiptare te regjistrimi i popullsisë


Nga Fitim Zekthi


Hija ka qenë gjithnjë një metaforë e fuqisë, jo vetëm për studiuesit e pikturës. Prej vitesh në Shqipëri si hije është endur një kërkesë për një regjistrim të popullsisë, ku të tregohej etnia dhe besimi fetar. Shumëkush i ka dhënë karar duke e quajtur këtë një kërkesë dashakeqe që nxitet nga mendje ende të turbulluara kohësh të shkuara.

Tashmë regjistrimi i popullsisë mbi bazë besimi dhe etnie është drejt jetësimit dhe nuk bëhet më fjalë për një kërkesë hije. Arsyetimi zyrtar, i cili është zgjatim i arsyetimit nga vjen kërkesa, është se me këtë gjë Shqipëria plotëson një standard të Bashkimit Evropian. Regjistrimi i popullsisë me bazë besimi dhe etnie është pa dyshim një akt i lig dhe që kërkon të nxisë në këtë vend debate, fyerje dhe të stisë një identitet të ri.

Kërkesa është bërë, kahmot, nga përfaqësuesit politikë të minoritetit grek në Shqipëri. Në Evropë sot nuk ka asnjë vend që të ketë bërë një regjistrim të popullsisë mbi bazë besimi dhe etnie, pavarësisht se shumë kanë të dhëna për diversitetin e popullsive të tyre. Regjistrimi i pakicave fetare apo etnike dhe racore teorikisht ka kuptim për një qeveri kur diskriminimi ndaj tyre është shumë i madh dhe mundësia e tyre për të shkuar në shkollë është shumë e vogël, kur ata nuk merren në punë, kur ata kanë trajtim mjekësor të keq, kur gjykata dhe policia sillet me ta si me qytetarë të dorës së dytë, krahasuar me grupet e tjera të shoqërisë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një vend që e ka aplikuar këtë gjë, duke regjistruar popullsinë në bazë racore dhe qeveria ka hartuar programe të posaçme për të integruar qytetarët e saj me ngjyrë. Ata janë pranuar në shkolla pa plotësuar kriteret që janë kërkuar për të bardhët, janë mbrojtur me programe të kujdesit shëndetësor më shumë se të bardhët dhe madje presidenti Obama tha se ai do të emërojë gjyqtarë në Gjykatën Supreme që vijnë nga minoritetet me ngjyrë apo hispanike.

Megjithatë kritikat kanë qenë shumë të mëdha mbi mosfunksionim e kësaj sjelljeje, saqë shumë shtete e kanë braktisur tashmë aksionin afirmativ, siç quhet. SHBA ka vuajtur nga kjo gjë, sepse deri në vitet ‘70-të të zgjedhshëm ishin vetëm të bardhët dhe shumë emigrantë, por edhe vendas deklaronin se ishin të bardhë. Deri në vitin 1960 qytetarët me ngjyrë nuk kishin as të drejtë të votonin. Sot në SHBA kjo gjë është në të perënduar. Një sherif në deltën e Mississipit, i përfshirë në regjistrimin e popullsisë, thotë në një intervistë për “Los Angeles Times” se meksikanët po bëhen shumë të bardhë, ndërsa libanezët, megjithëse ishin të bardhë, ishin shumë të zinj dhe kinezët më të bardhë sesa amerikanët. Këtë ai e thoshte nisur nga integrimi i tyre në shoqërinë amerikane.

Sot në Shqipëri asnjë qytetar i minoritetit grek nuk trajtohet më keq sesa ata shqiptarë në spitale, as në zyrat e punës. Mundësinë për të shkuar në shkollë nuk e ka më të vogël sesa një shqiptar. Në gjykata apo polici nuk është dëgjuar kurrë ndonjë rast që një qytetar i minoritetit grek të jetë trajtuar më keq sesa një qytetar shqiptar.

Regjistrim të popullsisë mbi bazë minoritetesh ka pasur në Afrikën e Jugut, në regjimin e Aparteidit, dhe kjo e ligjëruar nga akti i regjistrimit të vitit 1954, ku duhej deklaruar ngjyra. Ajo kohë atje ka kaluar dhe as që bëhet fjalë për regjistrim të popullsisë duke deklaruar ngjyrën.

Për etninë dhe për fenë nuk ka asnjë vend në Evropë që të ketë kryer regjistrim të popullsisë. Të dhënat që ka qeveria britanike për shembull janë ato që ajo merr nga zyra e punës, e taksave, e kujdesit shëndetësor dhe e policisë. Këto zyra nuk kanë regjistrim të popullsisë mbi bazë besimi dhe etnie, por kanë të dhëna për shkak të punës së tyre të përditshme dhe i raportojnë këto të dhëna te Zyra Kombëtare e Statistikave. Edhe vendet e tjera kanë të dhëna mbi etninë dhe besimin, por regjistrim shtetëror askush nuk bën. Dhjetëra organizata, institute private bëjnë anketime dhe nxjerrin të dhëna. Në SHBA për shembull të dhënat më të referueshme janë ato të Pew Forum On Family & Religion. Instituti Pew Research është një makineri e madhe private sondazhesh dhe studimesh atje, dhe bën gjithfarë vëzhgimesh.

Verën e kaluar në Francë, i vetmi vend në botë deri më tani, presidenti Sarkozy emëroi një qytetar me origjinë algjeriane, Yazid Sabeg, që të drejtojë një agjenci për të regjistruar popullsinë në bazë etnie dhe feje. Franca është vendi me numrin më të madh të myslimanëve në Evropë. Të rinjtë emigrantë në Francë janë dy herë më shumë në numër të papunë sesa ata francezë. Varfëria në familjet e tyre është e thekshme krahasuar me ato franceze. Mundësitë e tyre për të shkuar në shkollë janë pakrahasimisht larg me ato të francezëve. Shumë prej tyre vdesin, edhe pa u kontrolluar fare te mjeku. Presidenti Sarkozy tha se duhet të marrë fund kjo gjendje, emigrantët duhet të integrohen, por fillimisht na duhen të dhëna. Kjo qe arsyeja pse ai emëroi një biznesmen me origjinë algjeriane në krye të kësaj pune. Kritikat megjithatë nuk munguan dhe qenë therëse. Dhjetëra shoqata për të drejtat e njeriut thanë se kjo bëhet që pas evidentimit ata të zbohen nga Franca ose të kenë mundësi më të vogla për të fituar një punë apo shkollë. Presidenti këmbënguli se donte të kundërtën. Kompanitë më të mëdha në Francë u mblodhën nën drejtimin e Yazid Sabeg, drejtorit të projektit të regjistrimit mbi bazë besimi dhe etnie, dhe nënshkruan një marrëveshje ku zotohen të promovojnë integrimin e minoriteteve në kompanitë e tyre. Dhe kjo po funksionon sipas të dhënave të Ministrisë franceze të Ekonomisë. Megjithatë regjistrimi i popullsisë mbi bazë feje dhe etnie ngeci. Këshilli Kushtetues në Francë e quajti thyerje të së drejtës klasifikimin e qytetarëve sipas origjinës dhe besimit. Këshilli Kushtetues është për Francën Gjykata Kushtetuese dhe është autoriteti më i lartë kushtetues. Presidenti Sarkozy, për të qetësuar kritikat, ngriti një komision special për ta parë nëse mund të gjendet mundësi ligjore që të bëhet ky regjistrim i popullsisë dhe për të vlerësuar diversitetin në të. Komisioni tha se mund të përdoren statistika për të vlerësuar diskriminim, por ai rrëzoi mundësinë e aksionit afirmativ dhe për pasojë edhe regjistrimin me bazë etnie dhe besimi.

Shqipëria kësisoj është i vetmi vend në Evropë që ndërmerr në mënyrë të verbër një nismë për regjistrimin e popullsisë në bazë besimi dhe etnie. Në esetë e librarisë së Kongresit Amerikan (S. S. Nicholas of Louisville, Kli-NTUCKT. Entered, according to Act of Congress, in the year 1863) për pushtetin e shumicës, thuhet se ajo nuk asnjë të drejtë natyrale për pushtet arbitrar, ajo ka pushtet si mjeku mbi pacientin, për të shëruar, jo për të vrarë. Në Shqipëri regjistrimi i popullsisë me bazë besimi dhe etnie nuk shëron. Regjistrimi i popullsisë kësisoj është thjesht uzurpim i një pushteti që nuk i takon qeverisë në këtë rast.

Shqipëria është një vend laik dhe qeveria nuk ka asnjë arsye të dijë se çfarë besimi kanë qytetarët e saj. Demokracia iu ofron besimtarëve një marrëveshje: të pranojnë si çmim për ekzistencën e shoqërisë civile faktin që ata nuk duhet kurrë të imponojnë bindjet e tyre dhe shteti nuk mund të përdorë fuqinë e tij për të cenuar një besim. Në anën tjetër, qytetarët janë të lirë të ushtrojnë besimin e tyre siç ata e ndjejnë dhe janë të lirë të debatojnë me të tjetër në atë që quhet treg idesh. Deklarimi i besimit pas një kërkese të qeverisë e cenon laicizmin, por në kushtet e Shqipërisë, kur 500 mijë njerëz punojnë në Greqi, cenon edhe lirinë e tyre për të shprehur besimin.

Regjistrimi i popullsisë mbi bazë besimi dhe etnie me anë të një programi shtetëror është edhe thyerje e parimeve themelore të shtetit. Gjyqtari i Gjykatës Supreme në SHBA, Holmes, ish-hero lufte, në vitin 1906 thoshte se taksat janë çmimi që ne paguajmë për të jetuar në një shoqëri civile. Në rastin tonë taksat po përdoren për ta dëmtuar shoqërinë civile. Profesoresha e ligjeve në universitetin e Dayton-it, Vernellia Randall, e cila është ndër zërat më influentë për të drejtat e minoriteteve, thotë se kemi të bëjmë me minoritet në rastin kur anëtarët e një grupi shoqëror kanë në mënyrë të dukshme më pak kontroll mbi jetët e tyre sesa grupe të tjera dominante të shoqërisë. Rasti i qytetarëve grekë në Shqipëri nuk është ky, e as rasti i besimtarëve ortodoksë, katolikë apo bektashinj e myslimanë. Në anën tjetër, profesoresha Randall thotë se nuk ka kufij matematikë për të evidentuar një grup në minoritet dhe ajo merr shembull qytetarët me ngjyrë që shkojnë në shtete të caktuara edhe në 50% apo edhe më shumë. Kësisoj arsyet vulgare të kinse standardeve të BE për pakicat janë të paqena, pasi më parë është i paqenë diskriminimi.

Po të ishte për arsye integrimi, mund të regjistroheshin qytetarët me ngjyrë në Shqipëri, që jetojnë në mizerje dhe realisht janë të diskriminuar. Hija është vërtet simbol i fuqisë dhe në këtë rast me regjistrimin me bazë feje dhe etnie, ajo po bën një prej dëmeve më të mëdha që mund t’i bëhen këtij vendi.