e enjte, 30 dhjetor 2010

E shenjta dhe profania në Xhaminë e re të Tiranës


Elton Hatibi

Shtëpi e Zotit apo apartamente për “zotat”?

Këto ditë është përfolur në publik mbi mundësinë e ndërtimit të një xhamie të re në kryeqytet. Nga autoritetet janë përcaktuar dhe kriteret funksionale të këtij objekti, sipërfaqja, koeficienti i ndërtimit, kate mbi dhè e gjithashtu nën dhè, një minare, metra katrorë, pronarë dhe shpronsime. E gjitha kjo që është publikuar i ngjason një historie me pronar trualli dhe ndërtues pallatesh, histori të rëndomta këto që shoqërojnë jetën social ekonomike të qyteteve tona. E vecanta në këtë ngjarje, parë kështu me sy të lirë, është se në këtë pallat do të ushtrohen rite dhe praktika të besimit islam.

LHSH: LIgji kundra shamive perjashton muslimanet nga jeta publike


Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit

D E K L A R A T Ë

Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë, një organizatë e pavarur kjo, që mbledh në gjirin e saj një numër të madh teologësh muslimanë të diplomuar, në lidhje me debatin publik për çështjen e shamisë islame, i nxitur nga projektligji për arsimin parauniversitar, e ndjen si detyrim fetar, moral dhe profesional të sqarojë se:

e mërkurë, 29 dhjetor 2010

Peizazh me baltë dhe floktore


Ervin Hatibi

Cepi i mëhallës nuk ka rrugë që të mund ta quash lirshëm rrugë. Balta e zezë e passhiut si naftë ngrihet nga gropat me llokoçitje. Është një lloj balte e përpunuar, një aplikacion urban i rafinuar imët nga këpucë me dhe pa taka dhe goma makinash me dhe pa dokumenta, një nënprodukt që ka shumë pak të bëjë me baltën burimore të rilindasve apo të poetit nga Devolli. (Kush është familjar me disiplinat erotiko-sportive ku meshkuj të ndezur brohorasin rreth ca grave të reja që luftojnë gjysëmcullak në një legen të stërmadh mbushur me diçka të ngjashme, e ka të qartë për ç’familje substancash po flas.) Lirshëm përfytyron mbi këtë lloj balte dy makina bllokuar turi më turi në ngushti të rrugicës tek i hungërojnë si hijena njëra-tjetrës duke i dërguar isharete kërcënuese me hapembyllje dritash. Dritat pas pak do të ikin dhe nafta më pak e ëmbël se mjalta do ngrihet vrik nga toka e do nxijë çfarë i zë pragu deri lart e më lart në qiellin, fundbarku i të cilit është ende i njomur me shi...

e martë, 28 dhjetor 2010

Besimtarët jo-konformistë, një qasje alternative

Vajada Keçi Manjani*

‹‹Fëmite e tu nuk janë femijtë e tu, janë fëmijtë e vetë jetës. Ti i sjell në jetë, por nuk je ti që i krijon. Ata janë pranë teje, por nuk janë pronë e jotja. Mund t’i japësh të gjithë dashurinë tënde, por jo idetë e tua, sepse ato kanë idetë e veta›› - Khalil Gibran.

e diel, 26 dhjetor 2010

Pëlhura e laicitetit


Besnik Sinani

Me sa kujtoj, rasti më i hershëm i përjashtimit nga një shkollë publike në Shqipëri, për shkak të mbajtjes së shamisë myslimane, ndodhi gati dhjetë vjet më parë në shkollën e mesme të gjuhëve të huaja. Babai i njërës prej vajzave të përjashtuara nga mësimi, deklaroi për shtypin në atë kohë se e kish shtrënguar në fyt të bijën me shaminë e saj, duke e kërcënuar se do e mbyste nëse nuk e hiqte. Edhe ata që nuk janë dakort me norma fetare si mbajtja e shamisë, është vështirë të kundërshtojnë se, së pari, vajzës nuk po i imponohej shamia nga autoriteti mashkullor familjar dhe se vendosja e shamisë prej saj, në kundërshtim me këtë autoritet, në këtë rast shpreh autonominë si individ në sfidë ndaj autoritetit patriarkal.

e mërkurë, 22 dhjetor 2010

E thjeshta e komplikuara “shami”!


Ermir Hoxha

Për të gjithë ata që nuk e dijnë, “shamia” në Islam është një obligacion për femrën besimtare; nuk është simbol. Nuk është vendi për të shpjeguar urtësitë e kësaj lloj performanceje te kategoria e “seksit të dobët” që ka vendosur ta jetojë jetën mbi principe besimi, por lehtësisht mund të kuptohet nga çdokush, që ajo (shamia), është në funksion të një përkorësie, e cila përshkon si fill pothuaj të tre besimet monoteiste, ngase pikërisht janë me rrënjë të përbashkëta. Nënë Tereza bën “muuu’’ në këtë aspekt, e po ashtu figura e Marisë së Virgjër, e njohur në Islam si Merjemja e ndershme. Por duhet ta pranojmë se sot, për shkak të një lloj vizualiteti dominant, real e virtual, me femra që mu aty te kufiri mes publikes dhe intimes anojnë paksa nga kjo e fundit, ajo që ka vendosur ta zbatojë rigorozisht këtë ndarje etike, bën më tepër përshtypje; tërheq vëmendje e madje shënjestrohet për atë se pse nuk futet tek të shumtat. E kjo, në një shoqëri, që mëton se i ka themelet te principi i lirisë!

e martë, 21 dhjetor 2010

Pikësëpari Fëmija... më pas Dija... pastaj 2 L-të (Ligji dhe Laiciteti)


Anduena Qefalia

Ky shkrim vjen në vazhdën e debatit te fundit rreth projektligjit mbi arsimin parauniversitar, te cilin si qytetare e këtij vendi (e shkolluar në Perendim), si grup interesi (prind me fëmije), por edhe si pjesë e nje komuniteti fetar (atij mysiman) une e shoh në tërësi si mjaft konstruktiv. Gjithësesi, debati ne disa pika kyce e ka humbur rrjedhshmërine e tij llogjike, ndaj dëshiroj te nxjerr ne pah keto momente ku te gjithëve na duhet të jemi pak më te kujdesëshëm.

e hënë, 20 dhjetor 2010

Disa kontradikta në Projektligjin për Arsimin Parauniversitar

Fabian Zhilla*

Gjatë këtyre ditëve Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka publikuar projektligjin për arsimin parauniversitar, për konsultim me publikun. Ky projektligj është kontestuar jo pak në media për paqartësitë që mund të prodhojë. Kritika kryesore qëndron në atë se nene të këtij projektligji bien në kundërshtim me nene të veçanta të ligjit tashmë të aprovuar, Ligjin Kundër Diskriminimit. Parimisht, shqetësimi i ngritur në media deri diku qëndron, por në një pikëpamje tjetër juridike. Media e ka komentuar pikën 4 të nenit 36 të projektligjit, i cili ndalon ekspozimin e simboleve fetare në ambientet e institucioneve arsimore, si ndalim ndaj shamisë apo mjekrës për nxënësit praktikantë të besimit musliman. Në analizën juridike të mëposhtme, ndahet një qëndrim tjetër kritik.

e diel, 19 dhjetor 2010

KMSH-ja, zyrë shtypi e Ministrisë së Arsimit


E. Mërtiri

Siç kemi mësuar nga mediat, Ministria e Arsimit ka hartuar një draft ligjor, ku, ndër të tjera, ka një nen icili ndalon ekspozimin e simboleve fetare në shkollat publike të arsimit parauniversitar. Një ligj i tillë përbën një lajm vërtet shqetësues për çdo musliman pasi çdo kush e kupton që tashmë, vajzat muslimane që mbajnë shami do të mund ti thonë përfundimisht lamtumirë shkollimit nëpër institucionet publike. Pikërisht ky ligj u interpretua në këtë mënyrë nga të gjitha mediat në Shqipëri, gjë që tregon se ligji, në mënyrë shumë eksplicite dhe të qartë ndalon shaminë në shkolla.

e premte, 17 dhjetor 2010

Kutia e Pandorës ballkanike, Dick Marty : « Pavarësia e Kosovës nuk u vendos në Prishtinë »


Pas botimit të raportit të z. Dick Marty, « Trajtimi çnjerëzor i njerëzve dhe trafiku i paligjshëm i organeve në Kosovë » drejtuar për informacion Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, botojmë një intervistë të z. Dick Marty, të datës 12 mars 2008, dhënë faqes së internetit voltairenet.org në mënyrë që publiku shqiptar të njihet me pozitat e njëanëshme të z. Dick Marty që në krye të herës në lidhje me zgjdhjen e çështjes së pavarësisë së Kosovës dhe më qartësisht për Ushrinë Çlirimtare të Kosovës dhe ndërhyrjen e trupave të NATO-s në Jugosllavi më 1999.

e diel, 12 dhjetor 2010

Politikat dhe historografia e konvertimit në Islam.


Besnik Sinani


Pse u konvertuan shumica e shqiptarëve në muslimanë? Kjo pyetje nuk është thjesht e karakterit historik. Mbi të gjitha, në debatin publik shqiptar ajo përbën një pyetje politike. Debati mbi konvertimin e shqiptarëve në ligjërimin publik është i lidhur me pyetje (dhe më shpesh shpjegime) për gjendjen tonë politike, ekonomike e kulturore, për prapambetjen e fatkeqsitë historike, për orientimin gjeopolitik dhe pavarësinë e vonuar. Ky debat pasurohet përditë nga kontributi i politikanëve, shkrimtarëve, politikano – shkrimtarëve, armatës së analistëve e qeflinjve të tjerë të histories, dhe duket të jetë kthyer në zbavitje mbarëkombëtare tonën në kohë të lirë. Në këtë vërshim prurjesh, kontributi i një historiani të mirëfilltë, si Dr. Dritan Egro (Panorama, 5 Dhjetor, 2010) është vërtet i mirëpritur.

e hënë, 6 dhjetor 2010

Politika e jashtme e islamofobisë


Elton Hatibi

Gjëja më e lehtë për çunakët që duan të futen në lojra të mëdha është të thurin lavde për idetë e atyre që janë më të afirmuarit në treg, paçka se tregu është një aksham-pazar, ku malli i freskët është shitur në mëngjes dhe në aksham ka tepruar malli bajat. Me gjithë këta autorë që për fat të mirë janë përkthyer në shqip këtë dekadë, dhe ndërkohë që mjetet e informimit, posaçërisht interneti, ofrojnë një mori mundësish për t’iu qasur informacioneve të specializuara, çunakët, të cilët duan të bëjnë karrierë, pijnë ujë vetëm nga burimet vendase, të helmatisura gjatë industrializimit të vrullshëm të periudhës enveriste.


e diel, 5 dhjetor 2010

Kur gjeopolitika e Ankarasë bëhet në kafenetë e (ish) Bllokut


Nolian Seitaj*


“Nëse njerëzit e përcaktojnë një situatë si të vërtetë, pasojat prej saj janë të vërteta”

W.I.Thomas dhe D.S.Thomas, The Child in America


Shkrimin e tij në gazetën Shqip të datës 26 Nëntor te titulluar “Turqia dhe iluzioni ballkanas i aleancës” i cili ne pamje të pare të jep përshtypjen e një analize serioze mbi marrëdhëniet ndërkombëtare dhe specifikisht mbi aleancat rajonale z.Dritan Hila e hap çuditërisht me një pasazh nga romani Skënderbeu i Sabri Godos ku tekstualisht thuhet: “Turku ka nevojë për kalin ,jataganin dhe Kuranin”, po ti bashkëngjisim këtij fragmenti edhe vargjet e famshme të rilindasit Naim Frashëri: “O dritë që lind andej nga perëndon” të cilat artikullshkruesi ja ndërfut tekstit për të treguar aspiratat euroatlantike të elitave drejtuese të periudhës së pas Pavarësisë e deri në ditët e sotme (këtu nuk ben përjashtim as Enver Hoxha pasi komunizmi si ideologji ishte alternativa e kapitalizmit ose thënë ndryshe dy ane te se njejtes medalje, Modernizmit Perëndimor) kemi përpara syve strukturën e krejt shkrimit të Hilës, strukturë e cila as më shumë e as më pak nuk është tjetër veçse dikotomia e vjetër orientaliste e cila e ndante botën bardhë e zi në dy blloqe monolite Lindje-Perëndim ku sigurisht Perëndimi ishte simbol i Dritës(iluminizmit), Arsyes , Forcës dhe Progresit, Virilitetit, vetë idesë së epërmë të Qytetërimit ndërsa Lindja ,despotike, obskurrantiste, irracionale, e dobet, femërore, e penetrueshme, e mbarsshme ose me nje fjale antipod i të parit.

e premte, 3 dhjetor 2010

Artur Zheji dhe mesha e radhës


Doan Dani

Në debatin e programit Opinion të datës 24 nëntor 2010 munguan vetëm pjesëmarrësit e Big Brother për të kompletuar analizat historiografike në lidhje me islamizimin e shqiptarëve, pavarësinë e vonuar, flamurin, osmanizimin etj. Sigurisht që ndërhyrja më groteske ishte ajo e z. Zhej i cili pa respektuar periudhat historike, rajonet, situatat gjeopolitike, ngjarjet e konsumuara gjate periudhës skënderbejane etj, eksperimenton rolin e historianit në një stil shërbese fetare mbushur me boshllëqe shkencore. Në një çast ambienton Rikard Zemërluanin në Francë; ngatërron kryeministrin italian Crispi (me senatorin Crespi) dhe e vendos në një periudhe 50-70 vjeçare përpara pavarësisë së Shqipërisë në një kohë që Crispi drejtoi kabinetin qeveritar jo më tepër se 27 vite përpara 1912; cilëson si rast të veçantë ballkanik që Shqipëria hyri nën sundimin osman jo si shtet por e coptuar, duke nënkuptuar se popujt e tjerë ballkanike ranë në këtë sundim si shtete (konkretisht cilat?); vendos ‹‹piramida kokësh›› në shek. XVI dhe i lidh me shqiptarët duke “vjedhur histori” - në lidhje me këtë ngjarje duhen ankuar serbët dhe jo shqiptarët, më saktësisht për të ashtuquajturën Čele Kula e vitit 1809.

e mërkurë, 1 dhjetor 2010

Muca luan 'politikash' me Berishen



Agjencia Kombëtare e Lajmeve bënte të ditur se gjatë një takimi me Kryeministrin Sali Berisha, kreu i Komunitetit Musliman Shqiptar (KMSH) ka shprehur mungesën e besimit tek premtimi i Kryetarit të Bashkisë si dhe kreu i opozitës, Edi Rama, për ndërtimin e një xhamie të re në kryeqytet.