e martë, 4 tetor 2011

E-zani ofron nje faqe te re


Të nderuar lexues! Duke synuar të rrisim dhe përmirësojmë mundësitë e komunikimit me ju, kemi krijuar një blog tjetër, më të avancuar dhe me rifreskime më të shpeshta, duke qenë më të vëmendshëm ndaj ngjarjeve dhe zhvillimeve të aktualitetit. Kjo faqe e re do të jetë më interaktive dhe do të ofrojë mundësi më të mira që ju të merrni pjesë me komentet tuaja. Blogu i ri do të mund të gjendet në adresën www.e-zani.com. Shpresojmë të kemi realizuar sa më mirë atë për të cilën të gjithë së bashku kemi më shumë nevoje.

Ju faleminderit për mirekuptimin dhe kontributin tuaj!

e-Zani

e enjte, 29 shtator 2011

KMSH legjitimon vjedhjen e mandateve në KPD

Komuniteti Musliman ka thërritur mbajtjen e seancës së parë të Këshillit të Përgjithshëm Drejtues të dalë pas zgjedhjeve të kontestuara që u mbajtën në verën e këtij viti. Mbledhja do të zhvillohet ditën e djelë dhe do të ketë për rend dite, fillimisht konstituimin e këtij këshilli, duke i dhënë mandatin për vitet në vazhdim, miratimin e të gjitha vendimeve të Kryesisë së KMSH-së të mbajtura që nga mbledhja e fundit e Këshillit të Përgjithshëm, si dhe disa çshtje të tjera, të cilat në shkresën përkatëse të Kryesisë së Këshillit nuk bëhen të ditura.

e martë, 27 shtator 2011

Folklor shkencor


Doan Dani

Përpara disa javësh zjarri shkrumboi vegjetacionin modest në malin e Taraboshit dhe vendi i dytë në Evropë për ritmet e rritjes ekonomike, sipas një legjende qeveritare, e përballoi sfidën natyrore në pritje të ndërmjetësimit hyjnor. Dëmi ekonomik dhe ekologjik si gjithmonë nuk shqetëson autoritetet përkatëse dhe as masën, e deri këtu nuk kemi përse të skandalizohemi. Mirëpo, kur vëren se Mali i Zi, një shtet demografikisht më i vogël se Tirana, pa rritjen ekonomike të Shqipërisë, madje i banuar tërësisht nga “malokët” – duke huazuar një etiketë standarde –, zotëron avionë të posaçëm në shuarjen e zjarreve, nuk mund të mos argëtohesh nga pretendimet e flirteve nacionaliste mbi superioritetin tonë etnik, që aktualisht gumëzhijnë nëpër media, e gjithashtu nuk mund të mos trishtohesh nga memoria e paraardhësve tanë të cilët luftuan përgjatë ngjarjeve historike të konsumuara në urën kohore mes shekujve XIX dhe XX, që ato shkrepa të ishin shqiptare. Ne e djegim pasurinë kombëtare dhe njëkohësisht bëjmë sehir. Sidoqoftë, ironia qëndron diku tjetër. Ndërsa zjarri përparonte i patrazuar, mediat kryesore fokusoheshin parësisht tek votimet në zonën e Dukagjinit, ku njëzet vitet e fundit zgjedhjet nuk zhvillohen asnjëherë në afatin dhe mënyrën e konsideruar normale. Kjo dëshmon qartësisht se kasta politike zotëron hapësirat kryesore në jetën kolektive të shqiptarëve televiktima, në atë interval kohorë ditorë ku mungojnë “kopshti antropologjik” i Big Brother, telenovelat etj. Akoma më problematik prezantohet fakti se kasta është shndërruar në njësi matëse dhe me pretendime interpretuese, që në rastin e politikës nënkupton monopole partiake.

NYTimes: Vendosja e Artit Islam në një piedestal të ri.


“Përgjatë tre viteve të fundit,” shkruan Randy Kennedy në një artikull të The New York Times, “në dhoma galerish të fshehura nga sytë e publikut në katin e dytë të Muzeut Metropolitan të Artit [në New York]… rrëfenjat për pasuritë nga e kaluara e Islamit po shpalosen…, thesaret, në këtë rast më shumë se njëmijë pjesë nga posedimet e mëdha të artit Islam në muze, ngadalë po popullojnë dhoma të ndërtuari rishtazi, që po zënë vend në vitrina të reja vezuelluese me mermer egjiptian nën këmbë dhe abazhurë xhamishë mbi kokë, midis gërgëllimës së shatërvaneve dhe harqeve të ngritura si korniza për pamjet e 13 shekujve histori arti.“

e hënë, 26 shtator 2011

Pamundësitë për rishkrimin e historisë


E. Mërtiri

Sociologu dhe politologu Fatos Tarifa u përfshi gjatë këtyre ditëve në debatin mbi rishkrimin e historisë me një replikë ndaj historianit të mesjetës Ferid Duka, në të cilën paraqiteshin kontestimet e tij mbi mënyrën sesi z. Duka e koncepton këtë proces. Tarifa përpiqet të kundërshtojë konceptimin e Dukës, për atë çfarë duhet rishikuar në periudhën osmane të historisë shqiptare. Ai replikon ndaj një tij, duke shprehur kundërshtim të ashpër ndaj një pasazhi të shprehur nga Prof. Duka: Shqipëria u pushtua nga osmanët në shekujt XV-XVI, por pas këtij momenti ne nuk mund të flasim vetëm për pushtim, por edhe për zhvillim ekonomik, shoqëror, kulturor të popullit [shqiptar] në kuadër të Perandorisë Osmane, ashtu siç duhet të flasim edhe për rolin që luajtën shqiptarët në historinë e kësaj perandorie [dhe] mënyrat e integrimit në sistemin osman”.

e shtunë, 17 shtator 2011

Shqipëria, Palestina dhe Kosova

Arber Fetiu

Vitin që shkoi, politika e jashtme Kanadeze, krahas sprovave të ndryshme në agjendën e saj ndërkombëtare qe vendosur edhe para një testi të rëndësishëm për prestigjin dhe për vet politiken e jashtme kanadeze. Në Këshillin e Sigurimit, organin më të lartë të OKB-së, Kanadaja ishte vënë në garë karshi Gjermanisë dhe Portugalisë, për okupimin e njërës nga dy ulëset jo-permanente të Këshillit të Sigurimit, që do i jepte Kanadasë një eko më te rëndësishme për dy vitet që do vinin në këtë mekanizëm të diplomacisë ndërkombëtare. Parashikimi sillte në horizont Gjermaninë si fituese të pakontestueshme të njërës nga ulëset, ndërkaq ulësja e mbetur oshilonte mes Kanadasë dhe Portugalisë, shtet ky ndër më të varfrit në Bashkimin Evropian. Trofea u humb ! Kanadaja humbi ulësen jo-permanente në Këshillin e Sigurimit dhe kjo lojë për Kanadanë u shëndrrua në njërën nga disfatat më të turpshme të historisë se sajë diplomatike.

e premte, 16 shtator 2011

Shqipëria dhe Konferenca Islamike.*

Besnik Sinani

Për shumë vite, prezenca e Shqipërisë si anëtare e Organizatës së Kombeve Islamike (OKI) është komentuar si devijim nga orientimi pro-perëndimor i Shqipërisë apo si tregues i ngjyrasave pro-islamike të qeverisë shqiptare dhe vazhdimisht është bërë thirje për daljen nga kjo organizatë.


Kabllogramet e Ambasadës amerikane na tregojnë se jo vetëm krerë të diplomacisë shqiptare si z. Besnik Mustafaj dhe z. Lulzim Basha kanë diskutuar statusin e anëtarësisë së Shqipërisë në këtë konferencë me ambasadën amerikane, por kanë kërkuar edhe në mënyrë të drejtëpërdrejtë mendimin e kësaj ambasade në lidhje me vazhdimësine e anëtarësisë së Shqipërisë në OKI.

e martë, 13 shtator 2011

Pas Një Vere Protestash: A Ka Kosova Një Problem Fetar?


Besnik Sinani

Në mediat kosovare por edhe në disa media perëndimore është krijuar një narrativë e tillë: Kosova ka qenë përherë një vend me një shumicë muslimane ku identiteti fetar ka qenë dytësor ndaj atij kombëtar dhe ku ka mbizotëruar toleranca fetare e përftuar nëpërmjet një indiference ndaj fesë. Ndikimet dhe sponsorizimet nga vende si Arabia Saudite kanë influencuar në krijimin e një klime të re, ku të rinjë kosovarë, të ndjellur nga para apo trushplarje, po demostrojnë një identitet gjithnjë e më të duksëm fetar, të shënuar nëpërmjet ritjes së mjekrave apo mbajtjes së shamive për femrat. Kjo situatë e re rrezikon imazhin e Kosovës në sytë e Perëndimit - mbështetja e të cilit duhet që shteti i ri të mbijetojë ndaj presionit serb - rrezikon traditën fetare të sekularizuar dhe ka rezulutuar në qëndrime intolerante ndaj pakicës katolike. Por problemi kosovar me fenë duket të jetë më kompleks se kaq.

e hënë, 12 shtator 2011

Rasti Palestinez dhe si Shqipëria mund të lobojë për Izraelin.


Armir Taraj

Në datën 7 Shtator, gazeta MAPO botoi një artikull nga Tonin Gjuraj me titull Rasti Palestinez dhe si Shqiperia mund te loboje për Kosoven.”

Autori shkruan rreth votës së pritshme këtë shtator në OKB rreth kërkesës, së spekuluar por jo të sigurtë, të Palestinës për njohje si shtet anëtar i kësaj organizate. Gjuraj bën një analizë të situatës në Lindjen e Mesme dhe më pas rreket të nxjerrë një konkluzion se cili do ishte qëndrimi më i mirë dhe më i dobishëm (gjoja për Kosovën) në këtë rast nga ana e Shqipërisë.

e enjte, 8 shtator 2011

Migjeni dhe konstruktimi i vargëzuar i historisë

E. Mërtiri

Në antikitet, duke u rrekur të konceptojë një botë perfekte, të vënë në funksionim nëpëmjet artit të politikës, Platoni ndeshet me një pengesë serioze: poetët. Duke qenë se poetët, i marrin mendjen njerëzisë duke i demotivuar të kryejnë detyrimet qytetare, Platoni nuk heziton t'i vendosë ata në fund të hierarkisë shoqërore. Poezia, arti, shihet si një armë e fuqishme që, nëse nuk është në shërbim të ndërtimit të projektit të duhur shoqëror, bëhet një pengesë e jashtëzakonshme. Për këtë arsye, Platoni i përjashton poetët nga kantjeri i ndërtimit të utopisë së tij.

e martë, 6 shtator 2011

Kryqtari norvegjez qenkësh larë në të njëjtin ujë me Bushin...


Taha Këvanç

Nëse terrori që mori shpirtrat e 76 njerëzve në Norvegji kalohet nëpër gazeta me germa të vogla, nuk habitem aspak... Avokati mbrojtës i terroristit deklaroi se do të mbështetej në mëtimin se klienti ishte me “të meta mendore”; gjoja qenkësh i paaftë mendërisht... Kryeministri norvegjez i mbylli këto defterë me premtimin për “më shumë demokraci, më shumë transparencë”...

e hënë, 5 shtator 2011

Për dallimet në festimin e ditës së Bajramit në Shqipëri.


Imam Neki Kaloshi.

Bismilah Ar-Rahman Ar-Rahim

Me emrin e Allahut të gjithmëshirshmit mëshirëplotit. Paqja dhe begatia e Zotit qofshin për profetin tone, Muhamedin alejhi selam - i cili u dërgua për të nxjerrë njerëzit nga errësira e injorancës në dritën e dijes - mbi të gjithë shokët e tij dhe dijetarët e Islamit qe i pasuan deri në ditët tona, ata të cilët kontribuan në qartësimin e rrugës së vërtetë dhe ndricimin e saj, në mënyrë qe të jetë sa më e kuptueshme dhe e njohur për të gjithë brezat që do të vijne më pas.

Të nderuar vëllezër në besim,

Fatkeqesisht, sistemi i eger komunist me inkuizicionin shekullar ndaj fesë dhe shkollimi pa kriter në vende islame ka bërë që injoranca dhe padija të reflektohen në forma nga më të ndryshmet në vendin tonë. Një ndër frytet të e hidhura të këtyre realiteteve, të cilat na prishin dhe ëmbëlsinë e festave e ditëve ë shenjtëruara nga Zoti dhe krijojnë shqetësime në mesin e besimtarëve është mikrobi i konfuzionit për namazin që falim, për agjërimin që mbajmë dhe për të drejtën dhe autoritetin për të përcaktuar fillimin e Ramazanit apo ditën e Bajramit.

e enjte, 1 shtator 2011

Cfarë na mëson lirimi i Artan Kristos?


Besnik Sinani*

Shtypi ditor njoftoi se festa e Bajramit në Shqipëri gjeti të lirë Artan Kriston (alias Muhamed Abdullah el Albani) veprimatarin musliman të dënuar në dhjetor të 2010 me pesë vjet heqje lirie nën akuzën “thirrje publike dhe propagandë për kryerjen e veprave penale për qëllime terroriste.” . Gjykata e apelit të Durrësit ka rrëzuar si të papranueshme akuzat e ngritura nga prokuroria. Në një shkrim të botuar në gazetën Shekulli me datë 18 Nëndor 2009, me titull “Xhihadi i pamundur i Artan Kristos,” kam ngritur pikërisht pretendimin se në bazë të kumtesës së Kristos të postuar në Youtube dhe qëndrimeve të tjera të postuara në internet, të sjella nga prokuroria si provë e fajësisë së Kristos, akuza ndaj tij nuk qëndron. Kam shkruar se për të kuptuar çfarë Kristo thotë, mesazhi i tij duhet vendosur në kontekstin e debateve fetare bashkohore rreth xhihadit si dhe referencave të klerikëve që ai përmend.

e hënë, 29 gusht 2011

Bajram në Bulqizë


E-zani i nalte

Ajri i rëndë bëhet gjithnjë e më i fortë, sapo i afrohesh stacionit të pompave. 13 burra, të cilët për vite të tëra kanë gërmuar tokën në kërkim të kromit, dergjen në krevatë të improvizuar, pa dhënë shenja jete. I vetmi që arrin të flasë është kryetari i grevës, Baki Bajraktari, i cili me zë të mbytur tregon se gjendja e grevistëve është e rëndë dhe se nuk dihet se si do jetë në orët në vijim. I ofrojmë një cigare, por Bakiu refuzon. “Jam me Ramazan dhe nuk e prish agjërimin me ujë dhe cigare”, thotë ai.

1000 metra nën tokë, këtë muaj, në Bulqizë, Ramazani u takua me minatorët grevistë. Braktisja e ushqimit për hir të Zotit, për t’i treguar vetes se rrohet pa bukë, po jo pa Zot, u puq poshtë në galeritë e protestës me urinë për drejtësi dhe dinjitet.

e shtunë, 27 gusht 2011

Mbi histerinë anti-turke

Besnik Sinani

Nuk është mirëfilli e ditur se çfarë pikërisht i ka kërkuar ministri turk i arsimit homologut kosovar, por një kërkesë për rishikimin e teksteve të historisë për të riparë pasazhe fyese ndaj popullit turk ka ngjallur një reagim të gjerë që tejkalon kritikën ndaj kërkesës së ministrit turk dhe ka marë formën e një histerie anti-turke. Historianë dhe tifozë historie patën rastin të flasin për pandryshueshmërinë e historisë dhe kjo mori një formë betimi rezistence ndaj pushtuesit.

e mërkurë, 24 gusht 2011

Shkenca kundër Turqisë


E. Mërtiri

Një kërkesë e Ministrit turk të Arsimit për rishikimin e teksteve shkollore, të cilat, sipas tij, përmbajnë fyerje për Turqinë dhe Perandërinë Osmane ka ndezur reagime të ashpra tek historianë dhe politikanë të ndryshëm në Kosovë dhe Shqipëri. Reagimet nga bota akademike kanë qenë të shumta dhe nuk kanë munguar tonet e ndezura emocionale, gjë që përbën vërtetë një paradoks ku ia vlen të ndalesh.

e martë, 23 gusht 2011

Shpalljet e para


Martin Lings*

Jo shumë pas kësaj shenje të jashtme të autoritetit dhe misionit të tij, ai filloi të përjetonte shenja të brendshme të fuqishme, krahas atyre për të cilat kishte qenë i ndërgjegjshëm më parë. Kur pyetej rreth tyre, ai fliste për “vizione të vërteta” që i vinin në gjumë dhe thoshte se ishin “si dalja e dritës në agim.”

e diel, 21 gusht 2011

Streha e Antinacionalizmit


E. Mërtiri

Regjistrimi fesë dhe etnisë, por edhe probleme të shumta me minoritetin grek në jug të vendit, kanë sjellë një rrije të sensibilitetit shoqëror ndaj marrëdhënieve me fqinjët dhe si rrjedhim, edhe ndaj çështjes kombëtare. Kjo ka bërë që të ketë edhe një rritje të vëmendjes politike në grupime të vogla, të cilat i shohin sentimentet nacionaliste tek një pjese e popullsisë si një mjedis të përshtatshëm për të bërë elektorat. Në fakt kjo vjen më tepër nga përjashtimi që politika shqiptare i ka bërë çështjes kombëtare, duke bërë që interesat kombëtare të mbeten thuajse të papërfaqësuara në politikë.

e shtunë, 20 gusht 2011

Shpata e Islamit


René Guénon

Në botën perëndimore është e mdës që Islami të konsiderohet si një traditë thellësisht luftarake, dhe si rrjedhojë, kur kordha ose shpata (es-sejf) është e përfshirë, kjo është marrë vetëm në sensin e saj më literal, pa menduar se si kjo çështje është në realitet. Megjithëse, është e pakundërshtueshme që në Islam ka një aspekt të veçantë në lidhje me luftën, ai gjendet gjithashtu në tradita të tjera, duke përfshirë edhe Krishterimin.

e mërkurë, 17 gusht 2011

Shqiptarë dhe shqipfolës apo kryqëzata e rekonkuistas

Besnik Sinani

Në botime periferike online, kryesisht me ngjyrim nacionalist e katolik, ka vite që formulohet një përkufizim i ri i qënësisë shqiptare, i cili vendos një demarkim thelbësor midis kolektivit shqipfolës dhe “shqiptarëve të vërtetë”. Ky dallim ngrihet mbi pretendimin se, midis atyre që flasin shqip sot ka prej atyre që nuk janë shqiptarë në karakterin racor dhe etnik të tyre. Kësisoj, shqiptar nuk është detyrimisht ai që “bukës i thotë bukë…” (përcaktues gjuhësor ky), por ai që përveç të folurit shqip si gjuhë primare (gjuhë e nënës), gëzon dhe pastërtinë e duhur racore dhe etnike. Ky dallim, më shumë sesa artikulim i mirëfilltë karakteristikash racore të shqiptarit “të vërtetë”, shfaqet si përkufizim negativ që mëton të dallojë ata shqipfolës që janë “pasardhesit e ushtarakve e kolonve te sjellun nga Turqia, Egjypti, Arabia…”, shqipfolës “turko -arabë”. Si çdo doktrinë raciste, ky ligjërim mvishet me histori pesë groshësh, por dalluesi që shënon këta “pasardhës turko – arabë” cilësohet jo nga karekteristika racore, por nga identifikimi fetar me Islamin.

e shtunë, 13 gusht 2011

Çështja çame apo çështja e çamëve

Ergys Mërtiri

Zhvillimet më të fundit në Shqipëri tregojnë për një rritje të ndjenjës së nacionalizmit, të cilën e ndeshim gjithnjë e më shpesh në jetën publike e shoqërore. Ndërgjegjia kombëtare duket në rritje në një masë të konsiderueshme, pavarësisht se, duke mos qenë e pjekur intelektualisht, dhe duke mos qenë e kultivuar siç duhet nga elitat, ajo mbetet ende e mjegullt dhe e pa artikuluar në termat e duhur, si dhe e pa adresuar në problematikën e nevojshme. Në këtë linjë, duket se edhe çështja çame po gjen gjithnjë e më shumë sensibilitet në Shqipëri, duke tërhequr vëmendjen e opinionit.

e enjte, 11 gusht 2011

Qartësimi i Pamjes


Hoxha Sabaudin Jashari.

Transmeton Ibn Mesudi (r.a) se Profeti (a.s) ka thënë: “ Ai që unifikon shqetësimet e tij ( ka shqetësim vetëm Allahun), Allahu ia merr përsipër të gjitha shqetësimet e tjera. Ndërsa ai që i shkapërderdh shqetësimet e veta nëpër dynja, Allahut nuk i intereson se në cilën luginë prej luginave të dunjasë humbet ky njeri.”


Ibn Kajimi thotë: “Nëse robi , sa herë gdhihet dhe ngryset, nuk ka shqetësim tjetër veç Allahut, Allahu ia merr për sipër të gjitha nevojat dhe shqetësimet e tij, zemrën ia vë në punë vetëm për dashurinë e Allahut, gjuhën vetëm për kujtimin e Tij, dhe gjymtyrët vetëm për bindje ndaj Tij. E nëse sa herë gdhihet dhe ngryset nuk ka shqetësim tjetër veç dynjasë, Allahu ia ngarkon të gjitha hallet e dynjasë, shqetësimet e saj dhe lodhjet e saj dhe nuk i lë mbështetje tjetër veç vetes së tij. Sakaq zemrën ia devijon nga dashuria e Allahut për tek dashuria e krijesave, gjuhën nga kujtimi i Allahut për tek kujtimi i tyre dhe gjymtyrët e tij ja devijon për tek shërbimi i njerëzve. Kështu që robi mundohet si egërsira në shërbim të tjetërkujt apo si puna e farkëtarit që fryn fort barkun e tij dhe shtrydh brinjët e tij për t’i fryrë tjetërgjëje.”


Koncepti i teuhidit te selefët ( brezat e parë të muslimanëve) e ndershëm të umetit musliman, ka qenë shumë më thelbësor se sa ai skolastik, i mëvonshëm.

e mërkurë, 10 gusht 2011

Muslimani nuk mund ta fyejë Nënë Terezën


Imam Neki Kaloshi

Me Emrin e Zotit Më të Mëshirshmit, Mëshirbërësit

Gjithë Falenderimi i takojn Zotit të Madhërishëm, paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të dashurin tonë, Profetin Muhamed a.s. .

Padia e ngritur kundra Imam Shqefqet Krasniqit kasjellë një valë mbështetjeje në mesin e besimtarëve, gjë që tregon bindjen e bashkësisë së besimtarëve në të gjitha trevat shqiptare se kjo padi është sa absurde po aq dhe keqdashëse. Të tilla ngjarje që me të drejtë perceptohen si sulme jo vetëm ndaj imamit të nderuar, por ndaj gjithë bashkësisë, ngjallin shpesh pasione të cilat gjithsesi nuk duhet të mjegullojnë mendimin dhe etikën tonë fetare.