e diel, 31 korrik 2011

Tellallët e urrejtjes ndërshqiptare.


E-Zani


Teksa mentorët ideologjikë të Breivik si Robert Spencer dhe Pamela Gellner u distancuan prej tij, në Shqipëri, sic kemi njoftuar më parë, akti i tij terrorist u nderua nga disa si “anti-terrorist”, ndërsa viktimat e tij, më së shumti adoleshentë e ndër të cilët dhe një shqiptare, u damkosën si terroristë. Duhet vënë në dukje që ky terrorizëm publicistik në penën e famkeqit Kastriot Myftaraj, nuk habiti kënd nga ata që kanë ndjekur zhvillimin e retorikës së supremacistëve dhe fundamentalistëve të krishterë në gjirizet e website-ve të urrejtjes ndërshqiptare. Por nuk është për t'u habitur, gjithashtu, që shkrime e K. Myftaraj për “de-islamizimin e Kosovës” gjenden dhe në blog-un Gates of Viena, një nga blogjet e frekuentuar nga kalorsi kryqtar Breivik. Artikulli është përkthyer nga një kontribues i zellshëm i këtij blogu, një shqiptar pro-serb dhe fundamentalist i krishterë, Ilia Toli, gjithashtu edhe doktor i shkencave në matematikë.

e premte, 29 korrik 2011

Komuniteti Mysliman nxjerr jashtë loje besimtarët, mohon zgjedhjet


Komuniteti Mysliman Shqiptar ndodhet tashmë përpara zhgjedhjeve të Këshillit të Përgjithshëm, i cili është një institucion që është konceptuar të funksionojë si parlament i këtij komuniteti. Këto zgjedhje janë tepër të rëndësishme, pasi prej tyre zgjidhen të gjitha strukturat e tjera, deri tek Kryetari i KMSh-së. Aktualisht duket se afrimi i zgjedhjeve ka vënë në lëvizje drejtuesit e KMSH-së për të thelluar edhe më tej uzurpimin e këtij institucioni, duke shfuqizuar verdiktin e besimtarëve nga përfaqësimi I tyre në parlamentin e muslimanëve në këtë vend. Bëhet e ditur se drejtuesit e lartë të këtij institucioni, kanë shkelur rëndë statutin në lidhje me zgjedhjen e përfaqësuesve të Tiranës. Ata kanë shpërfillur të drejtën e përfaqësuesve të xhamive të Tiranës, për të marrë pjesë në seancën e zhvilluar në Myftininë e Tiranës, prej nga do të zgjidhen edhe anëtarët e Tiranës në këtë Këshill.

e mërkurë, 27 korrik 2011

Kundër Propagandës Terroriste Në Median Shqiptare.

Forumi E-Zani i Naltë

Legjislacionet kundër nxitjes apo përligjies së dhunës në shoqëritë demokratike tregojnë se ka kufinjë të domosdoshëm që kushtëzojnë lirinë e fjalës dhe të shtypit. Këto ligje që synojnë mbrojtjen e shoqërisë, humbasin çdo kuptim kur në vendin tonë agjitatorë të urrejtjes dhe të dhunës si Kastriot Myftaraj dhe gazeta SOT botojnë të tilla manifeste:

e martë, 26 korrik 2011

Mesazhe nga Oslo

Xhodi Hysa

Nëntëdhjetë vite më parë evropiano-centrizmi ishte moda e fundit mes shkencëtarëve dhe banorëve të Evropës, çdo vend tjetër i cili nuk ishte brenda kufijve të Evropës jo vetëm që ishte një vend i prapambetur por shihej si një vend ekzotik me disa njerëz të çuditshëm dhe disa forma të çuditshme të jetuari. Sistemi ynë kishte në qendër të tij Perëndimin ndërkohë që çdo kontinent tjetër rrotullohej rreth tij, cilido nga këto kontinente që ishte më pranë diellit (lexo Perëndimi) ishte më i ndriçuar dhe më i zhvilluar se sa kontinentet që ishin larg tij. Çdo e keqe shihej se buronte prej Lindjes, madje dhe i Sëmuri i Evropës ishte në lindje të saj.

e hënë, 25 korrik 2011

Anders Breivik, terroristi i dyshuar norvegjez, admirues I Izraelit dhe Avigdor Libermanit.


Richard Silverstein

Numri i të vdekurve nga sulmi i egër në Norvegj u rrit në 92 sot. Anders Breivik, një radikal i të djathtës ekstreme i cili publikonte rregullisht në një forum internet neo-Nazist, është i vetmi i dyshuar i arrestuar deri tani. Electronic Intifada publikoi pjesë nga manifesti me 1500 faqe, shkruar nga Breivik, i cili portretizon filozofinë e tij politike. Këtu, CNN mbulon lajmin e manifestit nga një këndvështrim paksa i ndryshëm nga ai më poshtë. Për shembull, duke patur parasysh përdorimin e steroideve dhe suplementeve me testosterone nga vrasësi, dikush mund të spekulojë mbi rolin që mund të kenë luajtur këto në çmendurinë e tij të mbushur me urrejtje e zemërim.

e diel, 24 korrik 2011

Kur vdekja i ka sytë e kaltër


Vedrana Rudan


Sa e thjeshtë ishte jeta për ne të civilizuarit para kësaj thertores në Oslo dhe rrethina. Muslimanët e (@%*&) hidhnin botën në erë. Kullat binjake, avionet, autobusët në Londër, bile edhe stacionin policor në qytetin tim Rijekë ... askund njeriu nuk mund të ishte i sigurtë.

Njerëzit që besojnë në Zot - kundër regjistrimit të Berishës.


E-Zani

Sulmi i fundit verbal i kryeministrit Berisha ndaj kundërshtarëve të regjistrimit të popullsisë mbi baza fetare dhe etnike krijon habinë e rastit me kryeministrin tonë. Regjistrimi i popullsisë ka vite që kërkohet ndër të tjera për të korrur të mbjellat e komunizmit që më së fundi elitat e kompleksuara të shpëtojnë nga stigma e të qenit pjesë e një populli me shumicë muslimane. Nëse komunizmi nuk e kish kryer këtë punë gjer në fund, kriminalizmi dhe demonizimi i identitetit musliman në vitet e tranzicionit, shantazhi kulturor e fetar dhe presioni ekonomik grek kanë synuar ta përmbushin këtë proces.

e shtunë, 23 korrik 2011

Terroristi është një ANTI – Musliman.


Numri i të vdekurve nga sulmi i djeshëm në Norvegji është ngritur në 91. Shumica e viktimave ishin fare të rinj e të tjerë ishin punonjës civilë. Dhimbjes së familjeve për jetët e humbura i shtohet ankthi dhe pasiguria që terrori injekton dhunshëm në një shoqëri.


Ky sulm u quajt qysh në momentet e para si 11 Shtatori i Norvegjisë dhe shënjestra e parë u vendos mbi al-Kaidan. Por profili i fajtorit nuk është ajo që pritej në fillim. Terroristi, sic po raportohet nga Euro Neës dhe BBC, është një fundamentalist i Krishterë me anësim politik të djathtë dhe në aq pak sa dihet për të është se ai është një anti-musliman.

e premte, 22 korrik 2011

Imam Shefqeti dhe Nënë Tereza.


E-Zani

Kallzimi penal, sic është njoftuar në media, kundra një prej imamëve të Prishtinës, Hoxhës Shefqet Krasniqi, është qesharak e asnjë ent mediatik me respekt për veten nuk mund ta njoftonte si lajm. Në anën tjetër, nuk jemi të sigurtë nëse Imam Krasniqi, si lider fetar, po ofron shembujt e duhur të urtësisë për të ndihmuar besimtarët në një kohë dukshëm të tensionuar marëdhëniesh fetare. Por ky tension, ama, është qartazi produkt i politikave pa mend të qeverisë së Kosovës.

e martë, 19 korrik 2011

" Ti zhdukim Talibanët nga trevat shqiptare "


Hoxha Bekir Halimi

Protestat e besimtarëve muslimanë në Prishtinë janë pasuar me shtimin e gjuhës së urrejtes e islamofobisë. Duke klikuar këtu mund të shihni fjalën e imamit të nderuar të Shkupit, hoxhës Bekir Halimi, duke adresuar ligjerimin e urrejtjes së këtyre javëve të fundit.

Papërgjegjshmëria e licencës gjuhësore kundra Islamit

E-Zani.

Ditën e djeshme, opinionisti i gazetës MAPO, Alfred Lela, solli në vëmendjen e publikut vdekjen e dy bashkëqytetarëve tanë e njëkohësisht dy viktima të një sistemi dështimesh, keqmanaxhimesh, neglizhence, mungese përgjegjsie ligjore që kanë karakterizuar këtë tranzicionin tonë që nuk po mer fund.

e premte, 15 korrik 2011

Na robëroni, vetëm na ushqeni!


E. Mërtiri

Në vitin 1953 Robert Nisbet, mendimtari më i rëndësishëm i konservatorizmit modern të pasluftës së dytë, ngrinte alarmin se bota perëndimore kërcënohej nga një formë e re totalitarizmi, në dukje më human, por jo më pak imponues. E veçanta ishte se totalitarizmi perëndimor i pasluftës ishte i fshehtë dhe i padallueshëm. Ai sundon shoqëritë moderne duke kushtëzuar marrëdhëniet njerëzore, deri në indet më intime të ndërveprimit njerëzor. Një prej mënyrave të shfaqjes së tij mund të gjendej në atë pjesë të mendimit politik të gjysmës së dytë të shek. XX që artikulon një nevojë mjaft thelbësore për modernitetin, nevojën për bashkësi.

e mërkurë, 13 korrik 2011

Shkëlqimi i argjendit të nxirë


Doan Dani

Aktor, regjisor dhe spektator

Emri i Srebrenicës tashmë është rrënjosur në histori si arketipi përmbledhës i ngjarjeve më tragjike ballkanike të fundshekullit të kaluar, i rishfaqjes së fantazmave të ideologjisë më primitive të zhdukjes së Tjetrit, një ideologji që pothuajse të gjithë evropianët e përfytyronin të varrosur ose të paktën të zëvendësuar nga “harmonia” e sforcuar si prodhim i komunizmave lindorë dhe nga kujtesa perëndimore e pasojave të Luftës së Dytë Botërore. Ai mes korriku i 1995 fatkeqësisht dëshmoi se një gjysmë shekulli nga gjyqi i Nurembergut, në qoshen jo edhe aq të humbur të një kontinenti me pretendimin e parësisë territoriale dhe kohore të civilizimit, u konsumuan krime akoma më të llahtarshme, e gjithashtu vërtetoi se zgjidhjet në tryezën e Fuqive të Mëdha në të vërtetë kishin qenë shtyrje e kasaphanës nga fillimi i shekullit të XX në epilogun e tij.

e diel, 10 korrik 2011

Dijetari Shuajb Arnauti sot në Tiranë.

E-Zani

Drejtuesit e xhamisë së Dine Hoxhës në Tiranë kanë njoftuar se sot pas faljes së Akshamit do kenë nderin të mirëpresin si vizitor një nga dijetarët më të njohur të shekncës së hadithit sot në botë, sheh Shuajb Arnautin.


Sheh Shuajb Arnauti ka lindur në Damask më 1928, dy vjet pas emigrimit të babait të tij nga qyteti i Shkodrës nga ku emigroi për arsye të kufizimeve fetare gjatë regjimit të Mbretit Zog.

Ai është dijetar i hadithit, shkollës Hanefi, ekzegjezës kuranore, gramatikës arabe dhe leksikologjisë dhe ka edituar shumë nga veprat klasike dhe manuskriptet e vjetra. Studioi në Damask jurisprudencën e shkollës Hanefi me dijetarë si Abdul Razak el Halebi, Nuh Albani, Sulejman Gavoci e të tjerë si dhe terminologji hadithi me Abdullah el Habashi, Sheh el Kalas dhe Salih el Farfur me të cilin, përgjatë shtatë viteve, lexoi gjithashtu tetë volumet e Hashija rad el muhtar të shkollës Hanefi të Ibn Adedinit si dhe komentarët kuranorë të Zamahsharit dhe Nasafiut.

Sqarim.

B. Sinani.

Ditën e djeshme postova një koment mbi një artikull të K. Myftarit të titulluar, Riciklimi i Olsi Jazexhiut. Në dallim nga cfarë ka qenë përshtypja nga komentet në FB apo në kontaktet private, ky shkrim nuk ka patur të bëjë me O. Jazexhiun. Qëndrimet e tij si pro regjistrimit të popullsisë në baza fetare dhe etnike, ashtu si dhe qëndrime të mëpërparshme mbi islamin në Shqipëri janë, në mendimin tim, të dënueshme. Autorë të tjerë që botojnë në këtë blog kanë komentuar më parë mbi qëndrimet e O. Jazexhiut. Vlen të thuhet, gjithsesi, se asnjëherë nuk është folur për të në këtë blog në nivel personal por vetëm për qëndrimet e bëra publike nga O. Jazexhiu.

e shtunë, 9 korrik 2011

Riciklimi i Olsi Jazexhiut.

E-Zani

Në një artikull të para disa ditëve me titull “Aleanca e çuditshme e analistëve, për regjistrimin etnik dhe fetar të popullsisë, nga Panajot Barka tek Olsi Jazexhi, me Artan Fugën në mes,” Katriot Myftari, një autor i njohur si promovues i armiqësisë fetare dhe islamofobisë shkruan:

e mërkurë, 6 korrik 2011

Shteti kleptoman, u vjedh Zotin besimtarëve

Arbër Fetiu

Qyteti i Venedikut, prej nga edhe po i shkruaj këto linja, është një qytet i kulturës se lartë, kryeqytet i tregtisë në mesjetë. Kjo hapësirë pat lindur shumë njerëz interesantë, prej Marko Polos e deri tek Kazanova. Por ky qytet, si disa te tjerë, njihet po ashtu për një sens të veçantë të pranimit të tjetrit. Me shekuj, Venediku ka qenë udhëkryq ku janë gërshetuar kulturat dhe fetë e tregtarëve te ndryshëm prej të gjitha këndeve të botës. Pak minuta nga qyteti, në Ponzano, sot të premten, në njërën nga kishat e qytetit, u fal namazi i xhumasë nga besimtarët myslimanë. Ka tash 6 vite, që në mungesë të xhamisë, myslimanëve besimtarë të Venedikut të krishterë, u ofrohet hapësira e Kishës së Zonjës Sonë, që këta të performojnë ritualet e tyre islame, deri sa të gjendet alternativë për ta. “Më i mirë një mysliman që lutet, sesa një i krishterë që nuk lutet”, - tha Don Aldo, prifti i qarkut. Me ndihmën e qytetit të Venedikut, ka më shumë se dy vite që punohet në projektin unik të “xhamisë lundruese”, e cila do të lundrojë në ujërat e qytetit të vjetër, kaq të bukur!

e hënë, 4 korrik 2011

Mosmarrëveshja, e vetmja rrugë e patriotizmit të ri të Kadaresë

E. Mërtiri

Sprova e fundit e shkrimtarit Ismail Kadare ”Mosmarrëveshja”, ashtu si çdo gjë që del prej tij, po shoqërohet me një jehonë të gjatë në shtypin shqiptar, gjë që të ofron edhe mundësinë të kryesh matje sociologjike, duke përllogaritur zgjerimin e shtratit të elitave sunduese, por edhe nivelin e radikalitetit që gjenerojnë. Gjithashtu, është bërë normale që jehona e qendrimeve të Kadaresë, të sjellë një klimë të pashëndetshme për një debat të pjekur e të arsyeshëm, ashtu siç ndodh në çdo vend të qytetëruar, por më tepër, qendrimet e tij tërheqin pas vetes një klimë tensioni në debatin pulik, që prodhon akuza e kundërakuza me të cilat palët sulmojnë njëra-tjetrën. Në fakt, pas çdo shkrimi, qendrimi apo fjalimi të tillë “programatik” të Gjeneralit të letrave shqipe, ofrohen gjithmonë kritere të reja për kategorizimin e armiqve të kombit, gjë që turbullon debatin duke egërsuar gjithnjë e më shumë klimën e përjashtimit dhe linçimit publik ndaj një pjese të mirë të inteilgjencës. Prej këtej, dorë pas dore, rrethi i armiqve të kombit ka ardhur gjithmonë duke u zgjeruar, jo shumë për shkak të propagandës antikadareane, siç pretendojnë idhujtarët e tij, por më tepër për shkak të rritjes së radikalitetit të kritereve të vendosura prej vetë gjeneralit, të cilat kanë prirjen ta ngushtojnë gjithmonë e më shumë rrethin e atyre që meritojnë të përfshihen në drejtën e qytetarisë shqiptare.