e hënë, 29 gusht 2011

Bajram në Bulqizë


E-zani i nalte

Ajri i rëndë bëhet gjithnjë e më i fortë, sapo i afrohesh stacionit të pompave. 13 burra, të cilët për vite të tëra kanë gërmuar tokën në kërkim të kromit, dergjen në krevatë të improvizuar, pa dhënë shenja jete. I vetmi që arrin të flasë është kryetari i grevës, Baki Bajraktari, i cili me zë të mbytur tregon se gjendja e grevistëve është e rëndë dhe se nuk dihet se si do jetë në orët në vijim. I ofrojmë një cigare, por Bakiu refuzon. “Jam me Ramazan dhe nuk e prish agjërimin me ujë dhe cigare”, thotë ai.

1000 metra nën tokë, këtë muaj, në Bulqizë, Ramazani u takua me minatorët grevistë. Braktisja e ushqimit për hir të Zotit, për t’i treguar vetes se rrohet pa bukë, po jo pa Zot, u puq poshtë në galeritë e protestës me urinë për drejtësi dhe dinjitet.

e shtunë, 27 gusht 2011

Mbi histerinë anti-turke

Besnik Sinani

Nuk është mirëfilli e ditur se çfarë pikërisht i ka kërkuar ministri turk i arsimit homologut kosovar, por një kërkesë për rishikimin e teksteve të historisë për të riparë pasazhe fyese ndaj popullit turk ka ngjallur një reagim të gjerë që tejkalon kritikën ndaj kërkesës së ministrit turk dhe ka marë formën e një histerie anti-turke. Historianë dhe tifozë historie patën rastin të flasin për pandryshueshmërinë e historisë dhe kjo mori një formë betimi rezistence ndaj pushtuesit.

e mërkurë, 24 gusht 2011

Shkenca kundër Turqisë


E. Mërtiri

Një kërkesë e Ministrit turk të Arsimit për rishikimin e teksteve shkollore, të cilat, sipas tij, përmbajnë fyerje për Turqinë dhe Perandërinë Osmane ka ndezur reagime të ashpra tek historianë dhe politikanë të ndryshëm në Kosovë dhe Shqipëri. Reagimet nga bota akademike kanë qenë të shumta dhe nuk kanë munguar tonet e ndezura emocionale, gjë që përbën vërtetë një paradoks ku ia vlen të ndalesh.

e martë, 23 gusht 2011

Shpalljet e para


Martin Lings*

Jo shumë pas kësaj shenje të jashtme të autoritetit dhe misionit të tij, ai filloi të përjetonte shenja të brendshme të fuqishme, krahas atyre për të cilat kishte qenë i ndërgjegjshëm më parë. Kur pyetej rreth tyre, ai fliste për “vizione të vërteta” që i vinin në gjumë dhe thoshte se ishin “si dalja e dritës në agim.”

e diel, 21 gusht 2011

Streha e Antinacionalizmit


E. Mërtiri

Regjistrimi fesë dhe etnisë, por edhe probleme të shumta me minoritetin grek në jug të vendit, kanë sjellë një rrije të sensibilitetit shoqëror ndaj marrëdhënieve me fqinjët dhe si rrjedhim, edhe ndaj çështjes kombëtare. Kjo ka bërë që të ketë edhe një rritje të vëmendjes politike në grupime të vogla, të cilat i shohin sentimentet nacionaliste tek një pjese e popullsisë si një mjedis të përshtatshëm për të bërë elektorat. Në fakt kjo vjen më tepër nga përjashtimi që politika shqiptare i ka bërë çështjes kombëtare, duke bërë që interesat kombëtare të mbeten thuajse të papërfaqësuara në politikë.

e shtunë, 20 gusht 2011

Shpata e Islamit


René Guénon

Në botën perëndimore është e mdës që Islami të konsiderohet si një traditë thellësisht luftarake, dhe si rrjedhojë, kur kordha ose shpata (es-sejf) është e përfshirë, kjo është marrë vetëm në sensin e saj më literal, pa menduar se si kjo çështje është në realitet. Megjithëse, është e pakundërshtueshme që në Islam ka një aspekt të veçantë në lidhje me luftën, ai gjendet gjithashtu në tradita të tjera, duke përfshirë edhe Krishterimin.

e mërkurë, 17 gusht 2011

Shqiptarë dhe shqipfolës apo kryqëzata e rekonkuistas

Besnik Sinani

Në botime periferike online, kryesisht me ngjyrim nacionalist e katolik, ka vite që formulohet një përkufizim i ri i qënësisë shqiptare, i cili vendos një demarkim thelbësor midis kolektivit shqipfolës dhe “shqiptarëve të vërtetë”. Ky dallim ngrihet mbi pretendimin se, midis atyre që flasin shqip sot ka prej atyre që nuk janë shqiptarë në karakterin racor dhe etnik të tyre. Kësisoj, shqiptar nuk është detyrimisht ai që “bukës i thotë bukë…” (përcaktues gjuhësor ky), por ai që përveç të folurit shqip si gjuhë primare (gjuhë e nënës), gëzon dhe pastërtinë e duhur racore dhe etnike. Ky dallim, më shumë sesa artikulim i mirëfilltë karakteristikash racore të shqiptarit “të vërtetë”, shfaqet si përkufizim negativ që mëton të dallojë ata shqipfolës që janë “pasardhesit e ushtarakve e kolonve te sjellun nga Turqia, Egjypti, Arabia…”, shqipfolës “turko -arabë”. Si çdo doktrinë raciste, ky ligjërim mvishet me histori pesë groshësh, por dalluesi që shënon këta “pasardhës turko – arabë” cilësohet jo nga karekteristika racore, por nga identifikimi fetar me Islamin.

e shtunë, 13 gusht 2011

Çështja çame apo çështja e çamëve

Ergys Mërtiri

Zhvillimet më të fundit në Shqipëri tregojnë për një rritje të ndjenjës së nacionalizmit, të cilën e ndeshim gjithnjë e më shpesh në jetën publike e shoqërore. Ndërgjegjia kombëtare duket në rritje në një masë të konsiderueshme, pavarësisht se, duke mos qenë e pjekur intelektualisht, dhe duke mos qenë e kultivuar siç duhet nga elitat, ajo mbetet ende e mjegullt dhe e pa artikuluar në termat e duhur, si dhe e pa adresuar në problematikën e nevojshme. Në këtë linjë, duket se edhe çështja çame po gjen gjithnjë e më shumë sensibilitet në Shqipëri, duke tërhequr vëmendjen e opinionit.

e enjte, 11 gusht 2011

Qartësimi i Pamjes


Hoxha Sabaudin Jashari.

Transmeton Ibn Mesudi (r.a) se Profeti (a.s) ka thënë: “ Ai që unifikon shqetësimet e tij ( ka shqetësim vetëm Allahun), Allahu ia merr përsipër të gjitha shqetësimet e tjera. Ndërsa ai që i shkapërderdh shqetësimet e veta nëpër dynja, Allahut nuk i intereson se në cilën luginë prej luginave të dunjasë humbet ky njeri.”


Ibn Kajimi thotë: “Nëse robi , sa herë gdhihet dhe ngryset, nuk ka shqetësim tjetër veç Allahut, Allahu ia merr për sipër të gjitha nevojat dhe shqetësimet e tij, zemrën ia vë në punë vetëm për dashurinë e Allahut, gjuhën vetëm për kujtimin e Tij, dhe gjymtyrët vetëm për bindje ndaj Tij. E nëse sa herë gdhihet dhe ngryset nuk ka shqetësim tjetër veç dynjasë, Allahu ia ngarkon të gjitha hallet e dynjasë, shqetësimet e saj dhe lodhjet e saj dhe nuk i lë mbështetje tjetër veç vetes së tij. Sakaq zemrën ia devijon nga dashuria e Allahut për tek dashuria e krijesave, gjuhën nga kujtimi i Allahut për tek kujtimi i tyre dhe gjymtyrët e tij ja devijon për tek shërbimi i njerëzve. Kështu që robi mundohet si egërsira në shërbim të tjetërkujt apo si puna e farkëtarit që fryn fort barkun e tij dhe shtrydh brinjët e tij për t’i fryrë tjetërgjëje.”


Koncepti i teuhidit te selefët ( brezat e parë të muslimanëve) e ndershëm të umetit musliman, ka qenë shumë më thelbësor se sa ai skolastik, i mëvonshëm.

e mërkurë, 10 gusht 2011

Muslimani nuk mund ta fyejë Nënë Terezën


Imam Neki Kaloshi

Me Emrin e Zotit Më të Mëshirshmit, Mëshirbërësit

Gjithë Falenderimi i takojn Zotit të Madhërishëm, paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të dashurin tonë, Profetin Muhamed a.s. .

Padia e ngritur kundra Imam Shqefqet Krasniqit kasjellë një valë mbështetjeje në mesin e besimtarëve, gjë që tregon bindjen e bashkësisë së besimtarëve në të gjitha trevat shqiptare se kjo padi është sa absurde po aq dhe keqdashëse. Të tilla ngjarje që me të drejtë perceptohen si sulme jo vetëm ndaj imamit të nderuar, por ndaj gjithë bashkësisë, ngjallin shpesh pasione të cilat gjithsesi nuk duhet të mjegullojnë mendimin dhe etikën tonë fetare.

e hënë, 8 gusht 2011

Islami dhe Ndryshimet Politike në Botën Arabe


Toni Xhonson

20 Korrik, 2011

Protestat pro-demokracisë në Lindjen e Mesme kanë ngritur pyetjen se çfarë roli do luajë Islami politik në qeveritë e reja në Tunizi dhe Egjipt, apo në qeveri të tjera që mund të lindin si pasojë e trazirave të vazhdueshme. Ebrahim Musa, profesor i fesë dhe studimeve Islamike në Duke University (Karolina e Veriut, ShBA), thotë se, ndërsa Islami do jetë një faktor në qeveritë e pritshme, njerëzit do të kenë kujdes që të mos lejojnë një mjegullim të tepërt të kufijve mes politikës dhe fesë. “Njerëzit janë të zbutur e të bërë esëll nga eksperiencat e të tjerëve,” thotë Musa, duke vënë në dukje atë që ai e quan dështim të shteteve Islamike si Irani dhe Sudani. Musa thotë që ndërsa qeveria e Turqisë nën AKP (Partia e Drejtësisë) po shihet si model, nuk është e qartë se si do përkthehet kjo eksperiencë në kontekste të veçanta kombëtare. Ai gjithashtu thotë se Shtetet e Bashkuara akoma operojnë nën një defiçit të madh kredibiliteti ne rrajon dhe nuk i kanë përdorur siç duhet burimet e mëdha të njohurisë mbi Islamin që posedojnë.

e diel, 7 gusht 2011

Shqiptarë Me Bisht!


E-Zani

Kapitulli i katërt i librit Wild Europe: The Balkans in the Gaze of Western Travellers (kohët e fundit i botuar dhe në shqip) i antropologut slloven Bozidar Jezernik, titullohet “Men with tails” (Burra me bisht). Libri shqyrton perceptimet e udhëtarëve dhe ekspertëve evropiano – perëndimorë rreth ballkanasve, përfshi përshkrimet e tyre se në Ballkan kishin ndeshur në “njerëz me bisht.”


Shumë popuj janë etiketuar me të tilla njolla raciste e shoviniste në histori, sigurisht më së shumti popujt afrikanë por edhe vetë anglezët. Në Ballkan, ama, shqiptarët duket të kenë qenë shënuar vecanërisht nga etiketimet e racistëve perëndimorë si njerëz me bisht dhe prej tyre kjo retorikë u përftua dhe u përdor nga politikanë serbë. Serbët kërkonin të paraqisnin shqiptarët si primitivë të pa aftë për të drejtuar një shtet dhe duke mohuar të drejtat shtetformuese të shqiptarëve, serbët kërkonin të plotësonin ambicjen e tyre për të patur dalje në det. Për të këtë arsye ata botuan libra në disa gjuhë duke përhapur të tilla ‘argumente’ të huazuara kryesisht nga autorë austro-hungarezë, midis të cilave dhe se shqiptarët janë “njerëz me bisht.”


Ky lloj etiketimi është rikthyer në parlorin shqiptar i risjellë në shkrimet e autorëve të njohur si kontribues të ligjërimit nacionalist katolik, përfshi dhe në gjuhën e ndonjë kleriku katolik. Ky etiketim ka vënë në shenjestër shqiptarë muslimanë të cilët këta autorë i quajnë: shqiptarë me bisht.

e shtunë, 6 gusht 2011

Nudizëm mediatik në mungesë lajmesh


E. Mërtiri

Një ngjarje fare banale, pa pikë rëndësie në të vërtetë për shoqërinë shqiptare, po shqetëson opinionin publik, duke ngritur një debat që do të ishte mirë të ishte kursyer pasi ngre më shumë keqkuptime sesa receta të dobishme për shoqërinë. Disa gdhendje nudo në dru, të ekspozuara në shkallët e xhamisë, në një mjedis të cilin Myftinia e Durrësit ia ka lënë në përdorim Bashkisë, për ta përdorur si galeri arti, u penguan të shfaqen për shkak se paska pasur një marrëveshje që i jep Bashkisë të drejtën e shfrytëzimit të mjediseve të xhamisë, me kusht që të mos ekspozojë vepra që janë në kundërshtim me etikën fetare. Gazeta Tema, ka dy ditë që synon ta ngrejë këtë cështje si një precedent të rrezikshëm për shoqërinë shqiptare, ku klerikët i imponojnë vlerat shoqërisë duke censuruar artin. Një shkrim i Mero Bazes, por edhe disa intervista të marra nga disa artistë, ofruan një gjuhë indinjate ndaj Komunitetit Mysliman, i cili sipas tyre, po shfaq një mentalitet të prapambetur dhe të dëmshëm për shoqërinë shqiptare.

Myftinia e Durrësit dhe Ekspozita e Artit.


B. Sinani

Në shumë organe të shtypit është njoftuar këto ditë ankesa e Myftinisë së Durrësit me rastin e hapjes së një ekspozite në hapsirat e saj në të njëjtën ndërtesë ku gjendet xhamia e madhe e Durrësit, hapsirë që manxhohet nga Bashkia e qytetit. Përvec argumentit etik sipas të cilit ekspozimi i figurave nudo është në kundërshti të etikës fetare, Myftiu Redi Quku ka sjellë në vëmendjen e medias edhe faktin se ka një kontratë ligjore sipas të cilës përcaktohen kufizimet në natyrën e ekspozimeve në këtë ambjent.

e premte, 5 gusht 2011

Rreziku i një shoqërie homogjene II


E tashmja: “Koha për t’u rrëfyer dhe për të kërkuar pendesë”

Xhodi Hysa

Pjesa e dytë

Sikundër e përmenda më sipër një valë e re oksidentalizmi e cila induktohej nga vetë politikat qeveritare erdhi në vendin tonë, gjithçka vendosej në shërbim të kësaj politike qeveritare madje dhe intelektualët që duhet të përçonin mendimin e tyre apo paradigmat e tyre nisur nga vëzhgimi që i bënin fenomeneve (në fakt këtë nënkupton liria e të shprehurit) filluan të mirëpresin këto paradigma dhe politika qeveritare pa i kritikuar ato, kështu nisi ajo që mund të quhet apologji e jona për të shkuarën tonë. Të robëruar nga Lindja që personifikon të keqen neve sërishmi si kemi harruar rrënjët tona Evropiane sepse gjuha jonë është e tillë, sepse ne jemi të vetmit pasardhës të ilirëve, sepse kemi një gjak të pastër që na lidh me individë me peshë historike si Skënderbeu, sepse vetë Pali i kishës së hershme të apostujve të Krishtit kaloj sëkëndejmi e kështu me radhë. Shkrimtari Ismail Kadare ka botuar në formën e një sprove me titullin “Identiteti Evropian i Shqiptareve” në hyrje të cilit gjendet dy paragrafë të tillë:

e mërkurë, 3 gusht 2011

Leximi i Kurani për hatër te agjërimit apo agjërimi për hatër të Kuranit?


Hoxha Sabaudin Jashari

Pyetja se cili është zbritur, në Ramazan, për hatër të tjetrit, Kurani për hatër të agjërimit apo agjërimi për hatër të Kuranit, në aspektin formal nuk ka shumë rëndësi por me rëndësi është të dihet se ç’raporte kanë me njëri-tjetrin këta dy element shumë të dalluar të muajit të bekuar të ramazanit.

Allahu I Madhëruar thotë: “ … zemrat e tyre janë pushtuar nga veprat ( e këqija ) që bëjnë” Mutafifin 14.

Transmeton Imam Ahmedi ( Allahu e mëshiroftë ) nga Ebu Hurejra se Profeti (a.s) ka thënë: “ Nëse shejtanët nuk do të hidhnin valle mbi zemrat e bijve të Ademit, bijtë e Ademit do të kishin soditur mbretërinë e qiejve."

e martë, 2 gusht 2011

Prijësat vdesin dhe popujt jetojnë


Hoxhë Sabaudin Jashari.

Nëse nuk do ishin disa kushte historike të caktuara të përjetuara nga muslimanët, në periudha të caktuara, nuk do të kishte pasur kush arsye të trajtonte temën e institucionit të prijësit të myslimanëve, “El Imame”, në kuadrin e akides islame.

e hënë, 1 gusht 2011

Xhamitë e Tiranës reagojnë ndaj zgjedhjeve në KMSH


Xhamitë e Tiranës kanë reaguar me një letër ndaj Komunitetit Mysliman, duke denoncuar shpërfilljen e zgjedhjeve të bërë nga Myftinia e Tiranës. Në një letër drejtuar KMSH-së, të cilën ia dërgojnë për dijeni edhe Ministrit të Kulturës Aldo Bumçi si dhe Kryetarit të Komunitetit të Kulteve Rasim Hasanaj, imamët, së bashku me përfaqësuesit e xhamive të Tiranës, e konsiderojnë aktin e Myftinisë së Tiranës një shkelje të rëndë, të qëllimshme statutore, e cila bëhet në kundërshtim me frymën e bashkëpunimit dhe të gjithpërfshirjes së bashkësisë muslimane në Shqipëri. Përfaqësuesit e xhamive dhe imamët, në letrën e tyre i kanë kërkuar Kryesisë së KMSH-së të shpallë të pavlefshme mbledhjen e zhvilluar nga Myftinia, prej së cilës janë zjedhur edhe anëtarët (sipas xhamive, të paligjshëm) të Këshillit të Përgjithshëm.