
E-Zani
Kapitulli i katërt i librit Wild Europe: The Balkans in the Gaze of Western Travellers (kohët e fundit i botuar dhe në shqip) i antropologut slloven Bozidar Jezernik, titullohet “Men with tails” (Burra me bisht). Libri shqyrton perceptimet e udhëtarëve dhe ekspertëve evropiano – perëndimorë rreth ballkanasve, përfshi përshkrimet e tyre se në Ballkan kishin ndeshur në “njerëz me bisht.”
Shumë popuj janë etiketuar me të tilla njolla raciste e shoviniste në histori, sigurisht më së shumti popujt afrikanë por edhe vetë anglezët. Në Ballkan, ama, shqiptarët duket të kenë qenë shënuar vecanërisht nga etiketimet e racistëve perëndimorë si njerëz me bisht dhe prej tyre kjo retorikë u përftua dhe u përdor nga politikanë serbë. Serbët kërkonin të paraqisnin shqiptarët si primitivë të pa aftë për të drejtuar një shtet dhe duke mohuar të drejtat shtetformuese të shqiptarëve, serbët kërkonin të plotësonin ambicjen e tyre për të patur dalje në det. Për të këtë arsye ata botuan libra në disa gjuhë duke përhapur të tilla ‘argumente’ të huazuara kryesisht nga autorë austro-hungarezë, midis të cilave dhe se shqiptarët janë “njerëz me bisht.”
Ky lloj etiketimi është rikthyer në parlorin shqiptar i risjellë në shkrimet e autorëve të njohur si kontribues të ligjërimit nacionalist katolik, përfshi dhe në gjuhën e ndonjë kleriku katolik. Ky etiketim ka vënë në shenjestër shqiptarë muslimanë të cilët këta autorë i quajnë: shqiptarë me bisht.