
Anjeza Xhaferraj*
Pasi dëgjuam gjatë gjithë fushatës se vota e zgjedhjeve lokale nuk na qenkësh politike, tashmë dëgjojmë se kjo e bekuar votë na qenkërka në dy versione: popullore/ politike dhe diçka tjetër e papërcaktuar, që, ndonëse nuk artikulohet, i bie të jetë si jopopullore ose jopolitike. Me këtë lloj logjike i bie që qytetarët në ditën e votimit janë paraqitur si njerëz politikë dhe jo politikë në të njëjtën kohë. Pra, pasi kanë dëshmuar vullnetin e tyre politik kur kanë votuar për këshilltarët bashkiakë, janë zhveshur nga ky vullnet dhe kanë votuar për kryetarin e bashkisë, ose anasjelltas, pra kanë qenë të zhveshur fillimisht dhe më pas kanë hedhur petkun politik, gjithmonë në varësi të operacioneve fletë-plotësuese që kanë kryer më parë. Mbetet mister, megjithatë, se pse njëra votë na fut në politikë dhe tjetra na nxjerr prej saj. Dhe për të plotësuar kuadrin (dhe për t’u argëtuar disi) konstatojmë se vota politike është hedhur pikërisht për krahun që bëri një fushatë jo politike, por për “qytetarin”, dhe vota tjetër, ajo jo-politikja, u hodh për atë krah që nuk reshti së bërtituri për rëndësinë politike të këtyre zgjedhjeve.