e mërkurë, 4 maj 2011

Reagim ndaj politizimit të Institucioneve fetare muslimane


Forumi E-Zani i Naltë po ndjek me shqetësim zhvillimet që ka marrë fushata elektorale për zgjedhjet vendore në Shqipëri, dhe politizimin e fesë nga të dyja forcat kryesore duke përfshirë edhe instrumentalizimin politik të Komunitetit Musliman Shqiptar (KMSH). Ne vërejmë me shqetësim se Xhamia e re, për ndërtimin e së cilës forcat politike janë vënë në garë, po kthehet në një objekt përplasjesh të pakuptimta politike për përfitime elektorale. Të gjitha këto janë të tepërta dhe jashtë qëllimeve për të cilat ngrihet një objekt kulti.


Xhamia është një vend adhurimi, paqeje dhe prehjeje dhe trajtimi i saj si një karrem elektoral, e aq më keq, si një objekt që krijon konfliktualitet politik, përbën një përdhosje të shenjtërisë, fisnikërisë dhe pastërtisë që bartin objekte të tilla, si dhe parimeve të shenjta të cilave ato u shërbejnë. Një gjë e tillë cënon dinjitetin e besimtarëve muslimanë të cilët ndjehen të shfrytëzuar në funksion të interesave që nuk i përkasin, shumë herë më inferiore sesa parimet universale që feja islame mbron dhe transmeton.

Forumi dënon nënshtrimin e KMSH-së ndaj politikës dhe mosreagimin në mënyrë të ekuilibruar ndaj përdorimit që të dyja forcat politike po i bëjnë ndërtimit të një objekti kulti. Vendimi për projektin e xhamisë është diçka që i takon besimtarëve dhe KMSH-së dhe jo politikës. Pushteti qendror dhe ai vendor kanë për detyrë vetëm të sigurojnë që kuadri ligjor dhe ai urbanistik të jenë respektuar në projektin që duhet të serviret i plotë nga ana e KMSH-së.

Ndërtimi i Xhamisë së re është një e drejtë legjitime e bashkësisë muslimane dhe asnjë prej perfaqësuesve të këtyre dy pushteteve nuk mund të pretendojë favore elektorale nga besimtarët muslimanë për çuarjen në vend të kësaj të drejte. Përkundrazi, ne besojmë se besimtarët ndihen të lënduar dhe të fyer nga kjo përpjekje e pushtetit qendror dhe vendor për të marrë mbi vete atributet e ndërtuesit të kësaj xhamie, i cili është tashmë një premtim 18 vjeçar, i mbetur vetëm në fjalë.

Besimtarët ndjehen gjithashtu të lënduar që politika nuk adreson nevojat e vërteta të besimtarëve, siç është frenimi me ligj i diskriminimit të së drejtës për arsimim dhe punësim, në nivel qendror dhe vendor, te besimtareve me shami.

Ne dënojmë mungesën e angazhimit të KMSH-së në përmbushjen e këtyre nevojave nga politika, mungesë e cila është shoqëruar me një përfshirje të pahijshme nga ana e këtij institucioni në këtë fushatë elektorale. Këshilli i Përgjithshëm i KMSH-së, me një gjuhë të ashpër, aspak në përputhje me etikën e duhur për një institucion fetar, shprehu kundërshtimin e tij për projektin e Bashkisë së Tiranës pasi ai kishte javë që promovohej, ndërkohë që KMSH-ja nuk shprehu asnjë lloj rezerve ndaj ofertës tjetër nga Qeveria për ndërtimin e Xhamisë në truallin e Namazgjasë, megjithëse ky propozim, i ardhur në kulmin e fushatës elektorale, nuk mbështetej nga kurrfarë projekti.

Ne mendojmë se ky institucion ka nevojë të heqë dorë nga angazhime të tilla, të huaja për misionin e tij, shumë herë më të lartë e më fisnik, duke shfaqur hapur asnjanësinë e vet, duke respektuar palët dhe qytetarët, e duke mos shfrytëzuar besimin fetar për orientimin e votës në zgjedhje. Komuniteti Musliman i Shqipërisë, ka mjaft detyra të tjera për të kryer në këtë vend, për t’i qendruar pranë problemeve të kësaj shoqërie, ndaj nuk është politika fusha e duhur e ushtrimit të autoritetit fetar, në funksion të faktorizimit të fesë në zhvillime pozitive për shoqërinë.

Si konkluzion, do të ishte në dinjitetin e politikës së të dyja krahëve të largojë duart nga ndërhyrja në punët e brendshme të fesë, duke ndikuar në zhvillimet në KMSH në funksion të interesave të saj, si dhe do të ishte në dinjitetin e KMSH-së të tërhiqej nga pozicionet e deritanishme, duke shfaqur asnjanësinë e duhur. Ka nevojë që institucionet fetare të përfshihen në një sërë fushash të tjera me natyrë kulturore, shoqërore, për të cilat ato janë shumë më të dobishme në shoqëri. Shpresojmë që palët do gjejnë kthjelltësinë për të reflektuar ndaj dukurive të tilla që krijojnë polarizime mjaft sensitive dhe të dëmshme për mjedisin shoqëror në vend, duke reaguar me maturi e urtësi, e duke parë përtej interesave të vogla të momentit, në funksion të nevojave më të përgjithshme të shoqërisë shqiptare.

Nuk ka komente:

Posto një koment