Po shfaqen postimet me emërtimin ese. Shfaq të gjitha postimet
Po shfaqen postimet me emërtimin ese. Shfaq të gjitha postimet

e shtunë, 20 gusht 2011

Shpata e Islamit


René Guénon

Në botën perëndimore është e mdës që Islami të konsiderohet si një traditë thellësisht luftarake, dhe si rrjedhojë, kur kordha ose shpata (es-sejf) është e përfshirë, kjo është marrë vetëm në sensin e saj më literal, pa menduar se si kjo çështje është në realitet. Megjithëse, është e pakundërshtueshme që në Islam ka një aspekt të veçantë në lidhje me luftën, ai gjendet gjithashtu në tradita të tjera, duke përfshirë edhe Krishterimin.

e premte, 15 korrik 2011

Na robëroni, vetëm na ushqeni!


E. Mërtiri

Në vitin 1953 Robert Nisbet, mendimtari më i rëndësishëm i konservatorizmit modern të pasluftës së dytë, ngrinte alarmin se bota perëndimore kërcënohej nga një formë e re totalitarizmi, në dukje më human, por jo më pak imponues. E veçanta ishte se totalitarizmi perëndimor i pasluftës ishte i fshehtë dhe i padallueshëm. Ai sundon shoqëritë moderne duke kushtëzuar marrëdhëniet njerëzore, deri në indet më intime të ndërveprimit njerëzor. Një prej mënyrave të shfaqjes së tij mund të gjendej në atë pjesë të mendimit politik të gjysmës së dytë të shek. XX që artikulon një nevojë mjaft thelbësore për modernitetin, nevojën për bashkësi.

e shtunë, 2 prill 2011

Burgosja e leximit dhe debati publik në Shqipëri


E. Mërtiri

Kriza e mendimit mund të thuhet se përbën faktorin kryesor që pengon zhvillimin e shoqërisë shqiptare. Vlerat shoqërore dhe orientimet kulturore burojnë në një masë të madhe prej mendimit, dhe paaftësia intelektuale e një shoqërie për t’iu përgjigjur realiteteve me të cilat përballet, do të rëndojë së tepërmi në kompleksitetin e problemeve shoqërore. Si rrjedhim, duhet thënë se rrënjët e krizës së sotme shoqërore do të duhet ti kërkojmë pikërisht tek mendimi dhe raporti i tij me proceset e zhvillimit shoqëror.

e shtunë, 13 nëntor 2010

Influenca e civilizimit islamik në Perëndim*


René Guénon

Shumë europian nuk e kanë vlerësuar saktësisht rëndësinë e kontributeve që civilizimi islam i ka bërë civilizimit të tyre, as që nuk e kanë kuptuar natyrën e marrjes hua të tyre nga ky civilizim në të kaluarën, disa shkojnë aq larg sa mos të marrin parasysh totalisht gjithë ç’ka është e lidhur me të. Kjo ka ndodhur sepse historia që ju është treguar fsheh faktet dhe duket se ka shqyer me qëllim një numër të madh pikash. Me të vërtetë, kjo histori shkon në ekstrem duke u mburrur me respektin e vogël që ka për civilizimin islam, meritat e të cilit zakonisht ç’vlerëson sa herë të paraqitet rasti. Është e rëndësishme për të treguar që mësimi i historisë në universitetet europiane nuk i vë rëndësi influencës në fjalë. Për kundër, të vërtetave që duhet të tregohen në këtë subjekt, qoftë përmes mësimit ose shkrimit, janë sistematikisht të lëna mënjanë, veçanërisht përsa i përket ngjarjeve më të rëndësishme.

e diel, 7 nëntor 2010

Maket



Ervin Hatibi




23 vjet pasi kishin marrë në dorë krejt pushtetin tokësor, më 1967, “komunistët” shqiptarë vendosën ta shtrijnë këtë pushtet formalisht edhe gjetkë, duke filluar kështu aksionin e madh për zhdukjen e fesë, përmes mbylljes e prishjes së tempujve e institucioneve fetare, kriminalizimit e ndalimit të shfaqjeve të besimit. 23 vjet më pas kësaj, erdhi viti ’90 dhe pushteti i diktaturës mori fund - pushteti tokësor të paktën, ai i kohshmi. Ka shumë mundësi, ndërkaq, që në një përmasë të pamatshme, pushteti i mëtuar simbolikisht më 1967, ai nga përbrenda, të mos ketë marrë fund ende.


e premte, 3 shtator 2010

Islami im Shqiptar


Armir Taraj*

"Selam Alejqum he burra" - "We Alejqum Selam"

RIZA NELA - ky nuk eshte emri i nje patrioti mysliman shqiptar te harruar, por thjesht emri i gjyshit tim nga nena. Njeriu me frymezues per femijen qe isha une dikur, shembulli im i burrerise, nderit, tradites, e imanit.

I lindur ne vitin 1921 ne Selite te Malit, gati 2 ore prapa Dajtit, i zbritur ne Yzberish te Tiranes me 1957, ai ishte babai i 7 djemve e 2 vajzave, e gjyshi i shum niperve e mbesave, nga te cilet nipi i pare isha une.

Gjysh Zai tregonte shum histori te vjetra, te koheve te monarkise, te luftes e te komunizmit. Ai i shte nje tregimtar i vertete, mbartes i afte i atij zakoni te lashte malesor shqiptar, i "dhenies muhabet" miqve nepermjet tregimtarise se holle mjeshterore te ngjarjeve gjysem shekulli te vjetra. Kishte shume tregime te vjetra ne kujtesen e tij. Shume prej tyre, ato me terheqeset per mua, kishin te benin me hasmeri, me pusi, me pushke e fjale burrash. Isha gjithmone i magjepsur prej ketyre tregimeve, gjithmone kureshtar. Por ajo qe me kujtohet me fort eshte hyrja e disa prej ketyre tregimeve te cilat fillonin me nje rreth burrash malesore te mbledhur ne nje ode te madhe me mure te bardha e me pushke ne mur, qe kuvendonin duke thithur duhan e duke dredhur mustaqet. Nje apo disa malesore te porsaardhur hynin nderkohe ne dhome e pershendesnin te pranishmit me nje ze te forte e kumbues "Selam Alejqum he burra", dhe pergjigja e tyre ne nje ze ishte "Ve Alejqum Selam, bujrum e mirse keni ardh".

Nuk di pse por mbaj mend se qe i vogel ky shkembim pershendetjesh me bente shume pershtypje. Noshta ishte pesha e ketyre fjaleve te vjetra turke qe tingellonin kaq serioze e burrerore, apo ndoshta ishte thejsht "e huaja" tek keto fjale qe nuk i degjoja vec se ne tregimet e gjyshit dhe qe po ti perseritja me shoket e mi kur i takoja, do me dukej vetja qesharak.

Kane kaluar shume kohe qe nga ato dite dhe tashme fjalet "Eselamu alejkum" kane shume me teper kuptim per mua. Jane fjale paqjeje dhe urim paqjeje. Jane fjale identifikimi me besimin tim Islam, fjale te shenjta, profetike. Edhe pse jane pjese e fjalorit tim te perditshem, ato perseri mbeten te dyzuara mes antikitetit dhe te tashmes. Ne takime me vellezer e motra myslimane, jane fjale vellazerore qe dhurojne shume buzeqeshje te sinqerta, por ne takime me pjesen tjeter te shoqerise shqiptare jane fjale te lashta, te harruara, e perseri mbeten..."qesharake".

Njehere, ne nje kafe te Nju Jorkut, teksa po bisedoja me nje studente shqiptare katolike, me bie zilja e celularit dhe bej nje bisede te shkurter me nje shokun tim mysliman shkodran. Ne mbarim te bisedes, shoku im me pershendet me "Selamu Alejkum" dhe une, me nje fare hezitimi te pavetedijshem, ja kthej "Alejkum Selam" dhe mbyll telefonin. Menjehere shoqja ime katolike buzeqesh haptazi e me nje shikim si te cuditur e dyshues me pyet "Cfare ishte ajo shprehje arabe qe perdore?" I shpjegoj se eshte pershendetja Islame ne gjuhen arabe qe do te thote "Paqja Qofte mbi Ty". Ajo perseri me pyet "Po pse e ben tenden kete shprehje te huaj?" Atehere, si i zene ne faj dhe i prekur ne ndjenjen time te shqiptarizmit, i shpjegoj se kjo eshte nje pershendetje universale e perdorur nga myslimane te cdo rrace e ne cdo gjuhe, e si e tille na perket edhe ne myslimaneve shqiptare.

Fakti qe me bezdisi me teper nga ky incident, nuk ishte injoranca e nje shqiptareje katolike (apo e cfaredo feje qofte) ndaj Islamit, sepse kjo injorance eshte boll e njohur per te gjithe myslimanet shqiptare, por fakti se kjo studente kishte vite qe studjonte ne NYC dhe jam me se i sigurt qe ne klasat e saj ka pasur te beje me studente myslimane te rracave te ndryshme qe e pershendesin njeri-tjetrin me "Selamu Alejkum". E megjithate. prania e ketij pluralizmi fetar e shprehimor ne kontekstin shqiptar asaj ju duk i "cuditshem"...

*Armir Taraj punon si inxhinjer civil ne qytetin e New Yorkut dhe korrespondent examiner.com

e diel, 15 gusht 2010

Xhumaja dhe shkolla.


Armir Taraj*

Vrapojme te dy me canten e librave ne shpine qe na tundet majtas-djathtas. Une e Meti, shoku im i vetem besimtar i klases, nxitojme per te kapur autobuzin e Tiranes se Re tek Libri Universitar, autobuz i cili na shpie per pak minuta te bukura permes bulevardit te gjere mu perballe xhamise se tejmbushur te Ethem Beut ne qender te Tiranes. Eshte dita e xhuma dhe si gjithmone jemi vone per ceremonine e se premtes, apo faljen e xhumase. Dalim nga autobuzi me vrull e duke ngarendur kapercejme shkallet e gurta te xhamise. Futemi brenda duke u ngjeshur pas besimtareve te tjere te porsaardhur, e pasi gjejme nje vend te sigurte per cantat e kepucet tona, hedhim syte per nje pale nallane te drunjta me te cilat te mund te shkojme poshte ne hamam per te marre abdesin. Nallanet e xhamise jane mjeti me interesant per te ecur, eshte veshtire ta percaktosh qellimin e tyre: te renda, te zhrumshme, e teper te ngatheta, duket sikur jane shpikur pikerisht per te ndalur vrullin e botes se jashtme, sikur duan te paraprijne nevojen per ngadalesim, perkujdesje, e vrojtim te detajeve brenda shtepise se Zotit, xhamise.

Bejme si bejme e zbresim poshte ne hamam duke kercitur nallanet fort neper shkalle, vihemi ne rradhe pas cezmave te uleta e presim me padurim qe paraprijesit tane te perfundojne ritualin e abdesit: e lau fytyren, ja dhe krahet deri ne berryl, hmmm... forme e mire e derdhjes se ujit nga dora e bere luge poshte drejt berrylit, ja dhe ferkimi i kokes me doren e djathe, veshet, qafa me te mbrapmen e duarve, oh sa mire dhe kembet i kane ngalur, mos, po i lan gabim, po i lan me te djathten..., duhet ti lante me doren e majte. Hajde s’ka gje vella, laji shpejt se na iku hytbja.
Ulemi ne stolat e formuar ne cimento, marrim abdesin shpejt e shpejt e ngrihemi me duart qe na pikojne uje e rrobat e lagura e shtyjme rrethimin e besimtareve te vonuar per tu ngjitur lart. Me ne fund dalim siper e gjejme nje vend te ngushte per tu falur mes atyre qe kane kohe qe jane ulur. Menjehere na mbeshtjell qetesia e asaj qe po bejme. Edhe pse eshte vape dhe mes besimtareve te shumte ka dhe nga ata qe s’e kane qef deodorantin, nje freski e lehte na qeteson ballin akoma te njome nga uji i abdesit. Pasi hedh njehere syte rreth e rrotull mos njoh dike, ul shikim ne ngjyrat e format e qilimave shtroje dhe fokusohem ne fjalet e hatibit. Mundohem te kap fillin e fjalimit, apo hutbes se dites, degjoj nje ajet Kurani, disa hadithe (thenie te Profetit) dhe fjalet e hoxhes i cili jep shembuj te njepasnjeshem te virtyteve te nje besimtari te mire. Duke qene se e konsideroj veten teper te virtytshem, me duket sikur keto gjera i di e i kam degjuar me pare e keshtu vemendja me shkeputet paksa. Hedh syte ne muret e vjetra shumengjyreshe te xhamise e menjehere terhiqem nga peisazhet teper idilike te pikturuara ne to. Vej re selvite e gjata dhe elegante, ujerat blu qe rrjedhin gjithandej ne qetesi, format e bukura florale qe zbkurojne sfondin dhe kornizen, kodrat e vogla qe duket se ngrihen diku tutje, xhamite me minare te drejta e urat, por kur arrij tek pjesa me e late e panorames, aty nga gjysma e murit, shoh ca inkursione te lehta furcash gelqereje qe dikush ka leshuar me pakujdesi ne kufi te peisazhit te poshtem e gjysmes se bardhe qe sundon pjesen e siperme te murit. “Hmm..., mendoj, i paskan ra shkurt. Ja paskan kercit gelqere.“

Nderkohe degjoj ezanin (apo ndoshta ikametin) qe thirret e besimtaret e renduar nga ulja e zgjajtur ngrihen rremujshem ne kembe e drejtohen ne rreshta te njepasnjeshem (safe) per te kryer me ne fund namazin e xhumase. Namazi i shkurter dy-rekatesh perfundon shpejt e sebashku me nje pjese te mire te besimtareve turremi drejt deres per te mbathur kepucet e per te dale jashte ne punet tona. Disa nga besimtaret qe mbesin na shikojne venger teksa kalojme rradhet e tyre ndersa ata qendrojne per te falur edhe rekatet ekstra, apo synetet, qe per ta duket se jane po aq te rendesishme sa ato kryesoret qe sapo u falen.

Kur dalim nga xhamia na pret nje tufe me femije e gra rome qe lypin me te madhe “o cuni bo sevap, na fal noj lek“, “o xhaxhi bo seavp, na fal iqind lek“. Si cuna te rinj qe jemi e dine qe nuk kemi lek ne xhep e nuk na e varin shume. E kalojme dhe kete gardh, qellojme qe pershendetemi me ndonje xhaje te njohur, e marrim rrugen ngadale bulevardit, kete here ne kembe.

Ecim me Metin nen diellin qe anon nga pasditja e bisedojme rreth ceshtjeve te shkolles. Jam shume mirenjohes qe e kam Metin shok klase. Kur u transferova ne shkollen 8-vjecare “Deshmoret e Lirise“ ne fillim te klases se tete, e ndjeja dyfish barren e te qenit nxenesi i ri i klases. Jo vetem qe e pata te veshtire te pranohesha ne kete shkolle per shkak se per 3 vjet pata bere Rusisht si gjuhe te huaj e ketu behej Anglisht, por te vish ne nje shkolle te re ku nuk njeh njeri ne fillim te klases se 8-te, kur te gjithe nxenesit e njohin njeri-tjetrin prej vitesh, eshte tamam te ndihesh i huaj. Ky presion ne vetvete eshte i mjaftueshem per mendjen e nje 13-vjecari, por mbi kete isha gati i sigurt so do isha nxenesi i vetem besimtar ne klase. Mendoja se nuk do kisha se me ke te diskutoja dicka rreth Islamit, apo te shkoja e te falja xhumane me te. Isha i bindur se feja do behej, nga halli, nje pjese gati gjysem sekrete e jetes sime ne ate vit shkollor. Kur disa jave pasi kishte filluar semestri e une akoma vazhdoja te ndihesha si i huaj, shoku im i bankes Meti rastesisht thote se agjeron Ramazanin e di te falet, syte e mi u hapen me habi e nje vale gezimi e lehtesimi me pushtoi. Mu duk ne moment sikur gjeta nje vella te humbur e sikur te qenit i huaj u zhduk menjehere nga mendja ime. Ishte e pabesueshme shpejtesia dhe ngushtesia me te cilen une e Meti u beme shoke te mire. Edhe tek ai vura re nje lehtesim qe kish gjetur nje shok besimtar e nuk ishte me i vetmi me kete “ves“ ne klase.

Pasi krahasuam se sa sure dinim e i treguam njeri-tjetrit historine tone personale me njohjen e Islamit, filluam te mendojme se si mund ta rregullonim qe te falnim xhumane te premteve. Klasa e fundit e se premtes ishte fiskultura. Po te merrnim leje per gjysmen e dyte te klases e llogaritem se xhumane e kapnim, po te vraponim sigurisht. Keshtu beme e i kerkuam leje profesorit te fiskultures, nje burre i muhabetit i cili kishte qef te ishte shok me studentet e tij. Pasi na degjoi na tha se po te na jepte leje “presori“ kujdestar, me te ishim ne rregull. Shkuam e u paraqitem para profesorit tone kujdestar, mesuesi i fizikes, nje burre i thinjur por i mbajtur i cili na ngjallte respekt. Pasi ja shpjeguam “hallin“ tone, ai na kqyri njehere me vemendje e filloi te na bente pyetje reth fese. Na beri pershtypje kjo gje e ju pergjigjem si me hezitim, por ai u kenaq shpejt, u bind se e kishim seriozisht e na tha se nga ana e tij nuk kishte problem. Ne kete menyre filluan eskursionet tona te premteve per ne xhamine e Ethem Beut. Aq mire ndiheshim qe na u dha ky shans sa qe na u be si dita e preferuar e javes.

Mbaj mend qe nje te premte te tille, ndersa po rrinim me ca shoke te klases para palestres ne pritje te ores kur mund te shkonim per xhami, na pyet njeri nga “te fortit“ e klases: “Po ju ku shkoni qe ikni heret?“ Une e Meti pame njeri-tjetrin me hezitim, s’kishim qene ndonjehere rehat me biseda rreth religjozitetit tone. “Shkojme ne xhami – i thash une, - si dite e xhuma qe eshte”. “Ou, - ja beri ai, - ne xhami e? Po pse shkoni ne xhami?” Prap une e Meti pame njeri-tjetrin me pa-rehati, “Po per tu falur“ i thash prap une. “Aaa, - tha garipi i klases duke ngritur koken e duke na veshtruar me sy gati te mbyllur, - e mora vesh… ju pagujn arabet me shku ne xhami”. “Hahahah” desha te qesh. Mu duk gjeja me qesharake qe pata degjuar ndonjehere, por edhe me e habitshmja. Si mund te me paguante dikush per te bere dicka qe jo vetem e shihja si obligim shpirteror, por me falte kaq kenaqesi. Pastaj c’do fitonin arabet me kete pagese? Nese do kishin qellim te mbushnin xhamite e Tiranes, kjo ishte a panevojshme, ato ishin te tejmbushura, bile shpesh vrisja mendjen pse ka kaq pak xhami ne Tirane e si nuk e kane ndertuar nje ne Tirane te Re te pakten. “Jo mor vlla, - ja ktheva, - s’na pagun kush. Shkojme per veten tone sepse besojme.“ “Ik ere se e di un – kembenguli shoku yne cub me vendosmeri te palekundur, - ju pagujn ju prandaj shkoni. Po sa ju pagujn? Jo japin noj lek te mir a jo?“ “Eh c’na gjeti – mendova me vete, - hajde mbushja mendjen ketij qe s’na pagujn me shku ne xhami.“ ”Ore, ku ta gjejme me na pagujt, po s’na pagun kush, a merr vesh? Mos ja fut kot.“ Nejse, s’e mbaj mend tamam si u mbyll ajo bisede por e di qe vajti a nja dy-tri here fjala sa andej ketej, ju pagujn, s’na pagujn.
Me Metin kam kohe qe i kam humbur lidhjet. Heren e fundit qe e takova krejt rastesisht para 5-6 vjetesh, ishte duke kaluar me nje VW te vogel e me tha se ishte duke cuar furnizimet ne nje restorant te familjes se tij. Kur e pyeta se ne cilen xhami shkonte, me tha si i zene ne faj se kishte kohe qe nuk shkonte me. “S’te lejne hallet“ me tha. U ndjeva keq.

Gjithsesi e falenderoj Allahun qe ne te gjitha fazat e jetes sime me ka sjelle prane shoke te mire besimtare me te cilet kemi ndare klasat e mesimet, kohen pas shkolle e agjerimet, e mbi te gjitha udhetimet e shkurtra per te falur xhumane ne xhamite e bukura te Tiranes, e me pas Amerikes...


*Armir Taraj punon si inxhinjer civil ne qytetin e New York-ut dhe korespondent per evente fetare te komunitetit musliman te New York-ut per www.examiner.com

e premte, 13 gusht 2010

Ramazan: Hurmat janë begati e uji është pastërti


Besnik Sinani

Në mes të gushtit, me fillimin e muajit hënor të Ramazanit, gjendem i ftuar në qendrën Islame shqiptaro - amerikane në Garfield, New Jersey, për darkën e iftarit kur besimtarët myslimanë pas një dite agjërimi që zgjat nga agu në perëndim të diellit, mblidhen për të ngrënë së bashku.


Eksperienca e emigracionit shoqërohet shpesh me përpjekjen për të transplantuar rite, zakone e kujtime në vendin e emigrimit dhe qendra të tilla bëhen më shumë se thjesht tempuj për lutje. Ato kthehen në qendra komunitare, që sigurojnë vazhdimësi kulturore dhe mundësojnë eksperiencën kolektive të riteve fetare.


Takon këtu emigrantë të moshuar dibranë, pogradecarë e korçarë që së pari ngritën këtë qendër, emigrantë të një prurje të mëvonshme nga Kosova e Maqedonia, si dhe studentë të ardhur vitet e fundit për të studiuar në universitetet amerikane nga Vlora, Puka, Struga, Prishtina, Durrësi e Tirana.


Sipas disa burimeve, në vitin 1905, emigrantët shqiptarë kanë hapur të parën xhami në SHBA. Edhe pse kjo është e debatueshme, është më se e njohur se emigrantët shqiptarë kanë hapur të parën xhami në shtetin e Connecticut, nga të parat në New York dhe sot gjinden 13 xhami shqiptare në Amerikën e Veriut.


Darka e iftarit pasohet me ligjërata fetare nga Imam Rifat Alili nga Shkupi, ku shembujt e profetëve thirren për të shërbyer si modele të jetës së virtytshme në realizimin e projektit hyjnor të Zotit në jetën e çdo individi.


Ligjëratat pasohen me lutjet (namazet) e teravive ku lexohen pasazhe të gjata nga Kurani dhe mes lutjeve, sipas traditës osmane të praktikuar nga shqiptarët, këndohen litani e himne për Zotin dhe lajmëtarin e mesazhit hyjnor, Muhamedin.


Agjërimi në muajin e Ramazanit është mirëfilli event global. Gati një e katërta e popullsisë së botës marrin pjesë në këtë rit masiv kolektiv për një muaj të tërë, që kurorëzohet në ditën e Bajramit.


E megjithatë agjërimi nuk është praktikë unike e Islamit. Krishtërimi, Hebraizmi, Budizmi e fe të tjera kanë forma të ndryshme agjërimi. Traditat fetare duket sikur thërrasin në kahjen e kundërt të prirjes së jetës tonë. Nëse pjesa më e madhe e jetës tonë angazhohet në akumulimin material për të ngritur cilësinë tonë të jetesës, traditat fetare, qoftë për një periudhë të shkurtër, na kërkojnë të heqim dorë, të abstenojmë nga orekset tona.


Cilësia e jetesës, në fakt e lirisë tonë, na kumtojnë traditat fetare, varet nga aftësia njerëzore për të kontrolluar orekset e vetes, epshet njerëzore, pjesën tonë shtazore.


Buda arrin Nirvanën pas abstenimit në pyllin e Uruvellës, profetët biblikë dhe kuranorë kalojnë kohë izolimi e meditimi në shkretëtirë, Krishti mposht djallin gjithashtu në shkretëtirë dhe Muhamedi merr shpalljen e parë hyjnore kur shkon për të medituar në shpellën Hera. Prandaj agjërimi nuk është vetëm përpjekje diete por synim i arritjes së një stadi shpirtëror që përpiqet të përkthehet në rol social.


Në Kuran Zoti u thotë besimtarëve se synimi i agjërimit, ashtu siç ishte dhe për popujt e më përparshëm - ku Kurani ka kryesisht parasysh Hebrenjtë dhe të Krishterët - është arritja e ndërgjegjshmit për prezencën e Zotit në jetën e njeriut, që njeriu të jetojë me Zotin, në marrëdhënie të vazhdueshme me të.


Profeti Muhamed, në një numër thëniesh u kumtonte dishepujve të vet se agjërimi i stomakut nuk ka asnjë vlerë nëse nuk shoqërohet me largimin nga vrazhdësia, mashtrimi, dhe e liga.


Agjërimi i Ramazanit shënon një nga pesë praktikat thelbësore të Islamit së bashku me deklarimin e besimit (shehadeti), lutjet (namazet), dhënien e 2.5 % të pasurisë së akumuluar të vitit për nevojtarët (zekatit) dhe kryerjen e pelegrinazhit në qytetin e Mekës (haxhi), ku tradita Islame thotë se tempulli i parë për adhurimin e Zotit u ndërtua nga profeti Ibrahim, patriarku i të tre feve monoteiste, Hebraizmit, Krishtërimit dhe Islamit.


Ramazani është gjithashtu muaji kur myslimanët besojnë se fjala e Zotit, Kurani, u zbrit në dimensionin njerëzor dhe për shkak të domethënies së lartë, ky muaj është bekuar nga Zoti.


Në të gjendet dhe Nata e Kadrit, besuar të jetë në natën e 27 të muajit Ramazan, ku besimtarët në të tërë botën intensifikojnë aktet e adhurimit duke besuar se shpërblimi hyjnor në këtë natë shumfishohet për të shënuar domethënien e rëndësisë së kësaj nate dhe të këtij muaji.


Sipas traditës Islame, në këtë natë Zoti zbriti Kuranin, është nata kur zbresin në rrafshin tokësor engjëjt dhe Shpirti, dhe kjo sjellë paqen hyjnore gjer në agim.


Edhe pse Islami normativ kundërshton murgërinë, gjatë Ramazanit mund të shohim formën e kufizuar të murgërisë, itikafin. Për ata që kanë mundësi, dhjetë ditët e fundit të Ramazanit mund të mbyllen në xhami, ku madje është e këshilluar që as mos kalohet shumë kohë bisede qoftë me besimtarë të tjerë të xhamisë, pasi supozohet të jetë periudhë meditimi, studimi, e adhurimi. Besimtari që mbyllet në itikaf kalon shumë kohë duke studiuar librin e Zotit, Kuranin, kalon kohë në lutje e meditim si dhe në dhikr.


Dhikri është praktika e përkujtimit të Zotit duke recituar litani që lartësojnë emrin e tij. Besimtari që gjendet në itikaf kalon pjesët më të vona të natës, para agut, duke ngritur duart nga qielli e duke ju lutur Zotit për falje e për mirësi për veten e të dashurit e tij.


Edhe pse këto tema kuptimore janë të përbashkëta për myslimanët në tërë botën, praktikat dhe traditat që shënojnë Ramazanin variojnë nga vendi në vend.


Kajro, në Egjipt, është i famshëm për llambat karakteristike që dekorojnë qytetin gjatë Ramazanit, Damasku në Siri dhe Fezi në Marok janë të njohur për rrethet e mistikëve - sufive, që kalojnë netët e Ramazanit duke kënduar himne për Zotin, ndërsa Medina - qyteti i Profetit në Arabinë Saudite - kthehet në vend vizite e pelegrinazhi për myslimanë nga e tërë bota.


Duke qenë se tradita Islame i kushton shumë vlerë të ushqyerit të agjëruesit, në qytetin e Medinës është traditë që fëmijët dërgohen nga prindërit të kërkojnë rrugëve për pelegrinë e t'i ftojnë të hanë darkën e iftarit me ta.


Mes shqiptarëve Ramazani shënohet qoftë me çfarë antropologët cilësojnë si forma të religjionit popullor, si ndezja e qirinjve në varreza gjatë Natës së Kadrit, apo me forma adhurimi që i afrohen më shumë praktikave normative të fesë.


Ndalimi i fesë qysh nga viti 1967 ka ulur masivitetin dhe domethënien e praktikave dhe festimeve fetare në përgjithësi. Për besimtarët, shpesh, agjërimi dhe ritet e tjera që shoqërojnë Ramazanin nuk janë evente familjare, tradita fetare nuk tejçohet vertikalisht nga një gjeneratë në tjetrën, por është më shumë rezultat i eksplorimeve individuale. E megjithatë, ka mjaft raste të mbijetesës së traditës.


Në vitin 1995, gjatë një vizite në Kalanë e Dosës, në rrethin e Dibrës, vija re me habi se agjërimi ishte event kolektiv i tërë zonës. Vetëm pesë vjet pas rrëzimit të regjimit komunist, një rajon i tërë agjëronte dhe formësonte aktivitetet e ditës, marrëdhëniet sociale dhe jetën tregtare në bazë të regjimit të agjërimit.


Siç tregonin banorët, duke qenë se ky ishte rajon kufitar, regjimi kish mbyllur një sy ndaj praktikave fetare si agjërimi, operacioni i të bërit synet, e madje dhe praktikave të tjera fetare si lutjet e individëve të caktuar, për të mos shtuar acarimin e popullsisë.


Në këtë vend ku edhe ish anëtarë partie agjëronin, banorët në ato vite kundërshtuan dhe ndihmat e shoqatave të huaja që ofruan të rindërtojnë xhamitë dhe morën përsipër t'i ndërtojnë vetë.


Agjërimi dhe muaji i Ramazanit ka dhe politikat e veta. Fillimi i Ramazanit shënohet nga shfaqja e hënës së re, por në vitet e fundit janë shtuar debatet rreth përcaktimit të fillimit të muajit dhe është kthyer në çështje politike që reflekton divergjencat e vendeve të ndryshme me shumicë myslimane. Kjo mund të shihet edhe ne debate që shfaqen herë pas here dhe në xhamitë shqiptare rreth "fillimit të agjërimit sipas Turqisë, Arabisë Saudite, apo Egjiptit."


Dijetarët më me autoritet në bashkësinë globale të myslimanëve janë përpjekur të gjejnë mënyrat për të dalë mbi këto debate politike. Së pari, bazuar në një thënie të profetit Muhamed sipas së cilës "Opinionet e ndryshme brenda bashkësisë sime janë mëshirë," janë përpjekur që këto divergjenca mos kthehen në çështje përçarjeje.


Ata kanë bërë thirrje, që me gjithë dallimet, besimtarët të fokusohen tek shpirti dhe mesazhi i agjërimit dhe jo tek detajet teknike. Së dyti, janë ngritur institucione si Këshilli Evropian për Fetua dhe Kërkim, që veprojnë jashtë kufijve dhe kontrollit të regjimeve të Lindjes së Mesme, në mënyrë që vendimi për këto çështje mos mbetet nën presionet politike por të reflektojë traditën e fesë me ndihmën e kalkulimeve satelitore.


Megjithatë, rritja e ndikimit të organizatave turke në vitet e fundit në Shqipëri, pritet të ndikojë dhe qëndrimin zyrtar të Komuniteti Mysliman në deklarimin e fillimit të muajit të Ramazanit.

Debati për fillimin e muajit të Ramazanit është i gjallë edhe mes besimtarëve shqiptarë në New Jersey. Edhe pse myslimanët në SHBA kanë ngritur institucione që marrin vendime fetare që evitojnë debatet politike në Lindjen e Mesme, imami i xhamisë sqaron se për besimtarët e komunitetit ku ai shërben është e rëndësishme të fillojnë agjërimin në akordim me fillimin në Prishtinë, Shkup e Tiranë.


Duke qeshur ai pranon se këto konsiderata nuk kanë të bëjnë me debatet rreth përdorimit të kalkulimit satelitor apo ndryshimit gjeografik, por se për komunitetin e tij, agjërimi është një event që i lidh me agjërimin e familjarëve të tyre në vendet nga vinë.


Duke qenë se gjatë Ramazanit shtohet edhe aktiviteti altruist i besimtarëve, imami tregon se ka kërkuar që bashkësia të jetë më e përfshirë në ndihmën ndaj të varfërve këtu ku ata jetojnë, duke i shërbyer komunitetit vendas.


Megjithatë, thotë ai, ka pasur rezistencë nga anëtarët e komunitetit që ngulin këmbë që ndihmat të dërgohen në vendet e origjinës. Të ardhurat që mblidhen për Kurbanet gjatë Kurban Bajramit apo tani gjatë Ramazanit, thotë ai, dërgohen në Shqipëri, Mal të Zi, Kosovë e Maqedoni.

Pas bisedës me të, dhe në mbarim të lutjeve të kësaj nate, besimtarët ulen për të pirë çaj e duhanxhinjtë që kanë rezistuar tërë ditën pa pirë duhan, duket të përpiqen të marrin gjithë nikotinën që nuk kanë mundur të marrin gjatë ditës.


Duke pirë çaj i drejtohen imamit me pyetje për teknikalitetet e agjërimit. Me çfarë duhet nisur iftari, pyet dikush. Hurma dhe ujë, përgjigjet imami, hurmat simbolizojnë begati e uji pastërti.

e mërkurë, 28 korrik 2010

INSTITUCIONI FETAR, MODERNIZMI DHE KRIZA KULTUROLOGJIKE E FESË


Ismail BARDHI




Pasha kohën! Njeriu me siguri është humbje Përveç atyre të cilët besojnë dhe bëjnë vepra të mira, dhe të cilët porosisin për drejtësi dhe i rekomandojnë njeri-tjetrit durim. (El-Asr, 1-3)


Hyrje

Nëse hedhim një vështrim kritik mbi ne dhe mbi kohën tonë, mbi kufijtë shpirtërorë dhe përcaktimet e botës së nesërme, do të gjendemi para një panorame të gjerë të aktivizmit prakticist, ku është vështirë të vërehen përcaktimet e forta dhe konstantat e qarta, të cilat do të ishin themel dhe mbështetje e së nesërmes. Çdo gjë bëhet dhe zhvillohet “nga dita në ditë”, nga rasti në rast, nga situata në situatë. Në të vërtetë dëgjohen edhe zëra më seriozë, ceken parime konstante, përmenden drejtësia, përparimi dhe siguria, mirëpo jeta rrjedh sikur nuk ka asgjë nga këto; përkundrazi, sikur kjo të mos jetë as e nevojshme. Veprimi kompenson çdo gjë: i mbulon dhe fsheh gjithë ato mangësi dhe lëshime të prakticizmit bashkëkohor dhe të relativizmit jetësor. E kështu nuk është vetëm në sferën e jashtme, shoqërore-politike; e njëjta gjë ndodh edhe në rrjedhat e mendimit bashkëkohor, në fe, në art, në filozofi, në shkencë dhe kulturë. Mungojnë fryma dhe shpirti, themele dhe parime vlerësuese të cilat do ta jepnin vulën e përhershmërisë dhe të vlerës. Kështu, më së shpeshti çdo gjë jeton nga dita në ditë, pa ambicie dhe aftësi më të mëdha për t’u imponuar, për të qëndruar ose, më mirë, që vërtet të vlejë. Përkundrazi, relativizmi dhe prakticizmi sikur e fshijnë stabilitetin, atyre u intereson efekti i çastit dhe i situatës.
Kjo, si duket, dalë ngadalë ka kaluar në gjendje të përgjithshme, në vetëdijen dhe mentalitetin e njeriut të sotëm, kështu që ai as nuk e vëren se është kështu, respektivisht se mund të jetë edhe ndryshe. Ose, më saktësisht, edhe kur e vëren, konsideron se kjo është normale dhe se ashtu duhet të jetë. Koha dhe “moda”, e të mos i përmendim jehonat e çfarëdolloj mendimesh dhe filozofishë që kanë sjellë deri te koha dhe “moda” e këtillë, e bëjnë të veten, ato lënë gjurmë të thella mbi vetëdijen dhe jetën.

Institucioni fetare dhe modernizmi

Ata që më për së afërmi e ndjekin problematikën e raportit të fesë islame dhe botës bashkëkohore, me siguri e kanë parasysh thënien “... angazhojeni veten me punë të mëdha...” (hadith). Duke u bazuar në këtë, intelektualët muslimanë e kanë vërejtur plasaritjen midis Kur’anit dhe kulturës, dhe atë e kanë quajtur dramë e kohës sonë. Sot, ky konstatim nuk është më pak aktual dhe paraqet sfidë akoma më të madhe. Vështirësitë e mëdha, të cilat i përjetojnë për momentin bashkësitë fetare islame, sidomos në trojet shqiptare, për shkak të turbullirave të fuqishme shoqërore, janë shumë më të ndërlikuara se deri më tani, dhe pothuajse nuk kanë pandan në periudhat e kaluara kohore. E gjithë kjo na bën të pyetemi: Si të “mbijetojë” feja, ose, siç ka pyetur Shekib Arsllan: “Përse muslimanët janë të prapambetur...?”. Kjo pyetje nuk është vetëm e natyrës retorike. Një nga përfundimet e saj është se perspektivat e muslimanëve nuk duken aspak optimiste. Sa kemi mundësi ta vërejmë, në dimensionin horizontal, feja islame pas fillimit të suksesshëm u vu nën shenjën e diskutimit/mohimit dhe “nuk” duket se ka ndonjë perspektivë për “sukses” në këtë botë. Kjo vlen sidomos për kohën tonë. Në shikim të parë e pafuqishme nga bota, ajo mbështetet përjetësisht në ndihmën hyjnore. Në të vërtetë, duhet ditur gjithashtu se në historinë e Islamit kanë ndodhur shpeshherë ringjallje dhe përtëritje, kështu që në këtë duhet llogaritur edhe në të ardhmen. Sociologët e fesë dhe teologët tregojnë në shenjat e tilla të zgjimit, kur flasin për kthimin e qetë dhe të pavërejtur të fesë për shkak të krizës së modernitetit të sotëm. Vetë fakti që, ja, sërish paraqitet interesimi i shtuar për çështjet e fesë, nuk e pakëson seriozitetin e krizës ekzistuese të saj, e as që na çliron nga detyra e përhershme për të përsiatur për gjendjen e tashme dhe për të kërkuar përgjigjen e duhur të fesë, duke qenë gjithmonë të gatshëm për përgjigje çdokujt që do të kërkojë nga ne arsyetimin për shpresën që kemi në vete. Sepse një gjë është shqetësimi i zemrës së njeriut, që shprehet në forma të ndryshme të kërkimit njerëzor të Hyjnisë apo Zotit, e që nuk mund ta quajmë ende fe, ose që shpesh na len përshtypje si indiferencë në lidhje me pyetjet themelore për ekzistimin tonë. Ky lloj i fetarisë, në kuptimin më të gjerë, thjesht buron nga vetë qenia njerëzore dhe orientimi i tij nga Krijuesi, kështu që në mënyrë të sigurt është pak a shumë i pranishëm përhershëm në njeriun, edhe pse, sidomos në kohën tonë, shpeshherë shprehet në mënyrë të paqartë dhe të pacaktuar. Tjetër është akti i fesë si dorëzim i vetëdijshëm, personal, i lirë dhe i tërësishëm ndaj Zotit dhe pranimi i të Dërguarit si shembull, që shprehet dhe praktikohet midis besimtarëve. Duket se feja e tillë është në masë të madhe në krizë edhe shkaku i kësaj, ngase për shkak të mosmarrëveshjeve kulturologjike të dekadave të fundit, tashmë moti është vënë në pikëpyetje mënyra e deritanishme e të vetë-kuptuarit fetar dhe komunikimit me kulturën moderne. Kjo është arsyeja përse nismat dhe përpjekjet në sferat e ndryshme të veprimit fetar, sado të dëshiruara dhe të dobishme në vete qofshin, nuk janë në gjendje t’i përgjigjen pyetjes themelore: në çfarë forme dhe me cilat gjasa feja ka ardhmëri?
Porosia fetare ka në vete gjithsesi thelbin dhe potencialin që është rezistues ndaj modernitetit dhe që mund të përtërihet vazhdimisht. Por, është e qartë që për kapërcimin e plasaritjes dramatike midis “fesë” (ose thënë më mirë: institucionit fetar) dhe kulturës moderne duhet që, në kushtet e sotme kulturologjike e tërë Fjala e Zotit të ri-thuhet në një sintezë gjithëpërfshirëse, në përputhje me kërkesat e kohës, që t’i ndihmojë kohës, ta shpëtojë atë nga mundimi dhe ethet që e kanë pushtuar. Këtu parashtrohet një pyetje me kuptim të përhershëm: a thua teologjia dhe teologët e sotëm, e sidomos institucioni fetar është në gjendje ta bëjë këtë?
Në zgjidhjen e këtij problemi shumë të ndërlikuar mund të na ndihmojë deri-diku edhe shikimi në histori, por natyrisht me një vështrim kritik. Kriza kulturologjike në kalimin nga shekulli i nëntëmbëdhjetë në atë të njëzetë, sipas konstelacioneve të veta ideore dhe ballafaqimit të tyre, nuk është pa një ngjashmëri të caktuar dhe ndërlidhje me problemet e sotme, pra në fillim të shekullit njëzetenjë, në bashkësinë fetare. Edhe në fetë e tjera ka qenë kjo një periudhë krize dhe e kërkimeve të përgjithshme pas së resë, por në Islam u bë një polemikë rreth pozicionimit shpirtëror-fetar në kulturën moderne, që po shfaqej në horizont. Fjala ishte për të ashtuquajturën krizë të modernizmit, në një periudhë të turbullt, fillimin e së cilës e shënuan lëvizjet e ndryshme reformiste. Prirjet e reja, shumë të ndryshme dhe të llojllojshme kulturore e ideore në shoqëri, në bashkësinë fetare dhe në teologji, që atyre viteve arritën kulmin e tyre, u quajtën modernizëm. Problematik është edhe vetë nocioni i kundërshtuar, e pastaj edhe i anatemuar i modernizmit, sepse i përfshinte kërkesat e arsyeshme për përtëritje dhe ndryshime në kuptimin e përgjithshëm. Me këtë nisi fushata kundër “modernizmit”, me ndalimin e shkrimit, përjashtimin nga shërbimi, e në disa raste edhe syrgjynosje (rasti i teologëve të shumtë shqiptarë). Rastet e tilla edhe shumë të tjera nga ajo kohë, më pak të njohura, me kundërshtimin e rreptë dhe dënimin e së resë dhe të ndryshmes në polemikën rreth modernes, në mënyrë afatgjatë e shënuan një epokë të tërë të historisë së zhvillimit institucional fetar, pasojat e së cilës pjesërisht arrijnë edhe deri më sot.
Fakti që nuk ka pasur përkufizim të saktë dhe nocion të qartë të modernizmit, u pasqyrua në mënyrë shkatërrimtare mbi të gjithë ata që ishin të dyshuar se i mbështesnin qëndrimet moderniste, sepse vështirë mund të mbroheshin nga akuzat e tilla, ndërsa duhej të llogarisnin për pasojat më të ashpra.
Është fakt se në shoqërinë muslimane nuk kemi pasur ndonjë marrëveshje konsensuale për ta luftuar modernizmin. Por, në të njëjtën kohë, nuk kemi dëshmi historike që dëshmojnë se në mënyrë institucionale është mbrojtur modernizmi, përpos lëvizjeve të ndryshme nëpër vende të ndryshme të hapësirës me shumicë muslimane. E njëjta lëvizje është vërejtur edhe në hapësirën tonë muslimane shqiptare, ku me fuqi të madhe është pranuar dhe përkrahur modernizmi.
Në terminologjinë e re teologjike, modernizmi përshkruhet si shenjë përmbledhëse për shumë prirje dhe tentime të ndryshme në fillim të shekullit të njëzetë, me dëshirë të justifikuar që bashkëkohësve në mënyrë të kuptueshme t’u përcillen përmbajtjet e fesë, si dhe të kërkohet dialog me shkencat dhe botëkuptimet moderne Disa nga temat praktike të atëhershme dhe disa nga propozimet që përkrahin, për shembull, demokratizimin e shoqërisë muslimane, rol më të madh të laikëve, arsimim më të mirë të hoxhallarëve, reformimin dhe kundërshtimin e centralizmit institucional fetar, sot na duken si shumë të njohura dhe të pranuara përgjithësisht. Temat e tjera të ngjashme dhe përpjekjet e njohura që më parë, përmbanin në një masë më të madhe elemente polemike: kjo ka të bëjë me hulumtimin historik-kritik të Fjalës së Zotit dhe të dogmës, theksimin e përgjegjësisë subjektive nën parësinë e arsyes, braktisjen e teologjisë neoskolastike në dobi të përvojës së theksuar të fesë. Kritika sidomos të ashpra shkaktuan tri tezat e atëhershme teologjike për natyrën dhe prejardhjen e fesë, pastaj për rolin e Shpalljes së Zotit, si dhe për modelin e zhvillimit të dogmave. Përkundër disa teprimeve të qarta dhe njëanshmërive të historizmit liberal, përpjekjet e përmendura, siç u pa më vonë, ishin në thelb pozitive dhe dhanë kontribut të madh për njohjen dhe përparimin teologjik, sidomos në tre drejtime: në raport me historiken, d.m.th. hulumtimi kritik i burimit të fesë dhe i historisë së dogmave; në lidhje me vlerësimin më të madh të subjektivitetit dhe përgjegjshmërisë, ndërgjegjes, pjekurisë dhe bashkësisë fetare si vend të përvojës së fesë; dhe në raport me theksimin e Ummetit si bashkësi.
Nuk ka dyshim që në detyrat e mësuesisë bie edhe ruajtja me kujdes dhe interpretimi autentik i shpalljes së Zotit, të përmbajtura në Shkrimin e Shenjtë dhe në traditë. Kjo gjithsesi përfshin edhe gjykimin e kuptimeve teologjike, orientimin e hulumtimit dhe në fund, sipas nevojës, sjelljen e gjykimit autoritativ në çështjet e diskutueshme të fesë. Mirëpo, problemi kryesor i qëndrimit anti-modernist megjithatë shkon më thellë. Ai ka të bëjë me raportin parimor të porosisë shpëtimtare, që sipas natyrës i është dedikuar mbarë njerëzimit, që në takimin me kulturën e caktuar të rishqiptohet në mënyrë kreative-kritike dhe si të thuash të mishërohet, pa e humbur gjatë kësaj identitetin e vet.
Nëse ndryshojnë rrënjësisht sfidat dhe çështjet e një periudhe, edhe përgjigjja e fesë ndaj tyre duhet të jetë e re. Nuk është ky vetëm një thellim, pasurim i asaj që qysh më parë është ditur dhe përmbajtur në Librin e Shenjtë, por një aktualizim dhe lexim i ri i Shkrimit dhe i mësimit të gjithëmbarshëm të fesë në dritën e sfidave aktuale të kohës së caktuar.
Sot, në kohën e krizës së kulturës dhe të llojllojshmërisë së kontekstit kulturologjik, do të ishte gjithsesi e nevojshme një sintezë krijuese e re e tërësisë së fesë islame dhe jetës në dritën e pyetjeve të reja. Nuk do të ishte mirë të realizohet vërejtja se problemet midis institucionit fetar dhe modernes shpesh nuk zgjidhen, por vetëm lihen për më vonë. Shoqëria muslimane, për shembull, që moti e ka pranuar faktin e zhvillimit të dogmave dhe përparimit në të kuptuarit e të vërtetave të traditës dhe atyre të shpallura. Me këtë, në fakt, përgjithmonë e ka flakur anti-modernizmin.

Kriza kulturologjike e fesë

Tradita fetare thotë se në fillim ishte Fjala. Edhe pse ajo Fjalë u materializua dhe erdhi mes nesh, ajo është megjithatë Fjalë dhe gjendet e depozituar në librin e shenjtë të Islamit: në Kur’an. Qysh atëherë Islami në mënyrë të parevokueshme u lidh me alfabetin dhe me shkrim-leximin. Ai fillimisht në rend të parë përhapej me fjalë dhe porosi, por duhej që edhe të shënohej dhe të ruhej. Nga Kur’ani doli teologjia, ndërsa nga ajo shumë degë të tjera shkencore. Pikërisht mbi këtë shkrim kur’anor shtrihet e gjithë kultura dhe qytetërimi njerëzor. Kush dëshiron që sot të mbetet besimtar i arsimuar dhe i udhëzuar, duhet jo vetëm ta njohë Shkrimin e shenjtë dhe teologjinë, por edhe gjithë atë që ka dalë dhe që është rritur nga ajo në bashkëkohësi.
Në botën e shkencës kulmore dhe diturive të shumanshme, ndërsa e tillë është pikërisht ajo perëndimorja, thuajse as nuk mund të imagjinohen besimtarë analfabetë apo gjysmanalfabetë, dhe nëse ka të tillë kjo nuk do të duhej të kishte ndonjë lidhje me shpëtimin e tyre personal, por me siguri me shpëtimin e të afërmve të tyre, të cilët mosbesimin e tyre e mbështesin shpesh mbi interpretimin shkencës dhe të diturisë. Bashkëbisedimi me botën është i mundur me të folur dhe shkrim, ndaj ai që heq dorë nga kjo, dënohet paraprakisht me heshtje dhe mbyllje. Feja, e cila në të shprehurit e saj nuk do të shkonte të paktën në hap me kohën moderne, do ta kishte të vështirë që njerëzve të asaj kohe t’u thoshte apo porosiste diçka të rëndësishme dhe koherente. Prej këtu rrjedhin mosmarrëveshjet e shumta dhe nevoja urgjente që feja të kalojë në të folurin e njeriut të sotëm. Në të kundërtën, flitet bosh dhe nuk arrihet kurrë në jehonë tek ata, të cilëve u drejtohet fjala. Prandaj, besimtarët e kulturës perëndimore sot e kanë kuptuar deri në fund domethënien e madhe dhe të pakapërcyeshme të mendimit njerëzor dhe formave të të shprehurit të tij. Në epokën tonë të modernitetit dhe post-modernitetit, feja “analfabete” apo gjysmanalfabete jo vetëm që i turpëron bartësit e saj, por ata i ven në një pozitë të prapambetjes historike dhe në teprim të madh kulturologjik. Të folurit që kuptohet pak është në rend të parë të folur që nga njerëzit nuk pranohet dhe refuzohet.
Përkundër asaj se për fenë mirësia vepruese është dëshmi e parë dhe e pazëvendësueshme e besimit, për të nuk është më pak i rëndësishëm edhe dëshmimi i Fjalës së Zotit, e cila me anë të kulturës u është përcjellë njerëzve të çdo kohe dhe të çdo hapësire. Fatkeqësisht, në rrethanat tona kjo e folur e veçantë kulturologjike ka rënë në një krizë të rëndë dhe gati pa rrugëdalje. Arsye për këtë ka më tepër, edhe pse të gjitha mund të reduktohen në vetëm një: mbizotërimi i të folurit politik mbi të tjerët. Njëzet vitet e fundit tek ne aq shumë është forcuar mënyra politike e të menduarit dhe të shprehurit sa që i ka shkyçur tërësisht të tjerat, madje edhe atë tipik fetar. Çdo gjë vlerësohet dhe vlen nga këndvështrimi politik dhe prandaj ka aq vlerë sa ka politikaní në të. Kultura, e drejta, arti, kujdesi shoqëror, shkenca, ekonomia dhe feja në të vërtetë janë njësoj të dënuara në margjinalizim dhe humbje të rëndësisë. Asgjë jashtë saj nuk ekziston mirëfilli dhe vështirë se ka diçka që mund të mbijetojë pa ndihmën e politikës, që nga ana tjetër në mënyrë agresive i ngjan ish rendit komunist, ku, po ashtu, politika ishte profesioni kryesor dhe më fitimprurës i njeriut. Nëse çdo gjë reduktohet në politikë dhe politikaní, pa humor dhe me përjashtime militante ideologjike, atëherë e tillë bëhet edhe gjithë jeta njerëzore. Prandaj, bota detyrimisht do të mbushet me armiq, ndërsa urrejtja do të futet në çdo ndjenjë njerëzore. Është e kotë të shkruhet mbi teologjinë, historinë, filozofinë, sociologjinë ose psikologjinë, kur pas çdo thënieje fshihet gjithmonë përkatësia ideologjike, e jo dëshira për objektivitet. Për një çast duket sikur çdo gjë tek ne është e rrejshme, e padobishme, mashtruese dhe boshe – përveç politikës. Në sfondin e tillë shoqëror edhe e folura për Zotin dhe e folura e Zotit bëhen njësoj të nënshtruar ndaj vlerësimit politik të dobisë, e jo të ofrimit për lirinë e njeriut për shpëtim. Kush nuk flet politikisht, i harxhon kot fjalët. Ky nënshtrim i kuptimit të fjalës është realizuar në mënyrë të veçantë në përditshmërinë tonë mas-mediatike, e cila e ka përthithur në vete tërë kulturën e popullit, duke e varfëruar atë deri në frazë dhe skandal. Çdo gjë që ndodh në shoqëri e ka gjetur shprehjen e vet më të shkurtër pikërisht nëpër gazeta dhe televizion.
Meqenëse në shoqërinë tonë ndodh vetëm poetika, nuk është për t’u çuditur që tek ne të gjitha mjetet e informimit janë të mbushura me politikë. E edhe kur shkruhet për diçka tjetër, kjo ndodh gjithmonë në funksion të interesit politik. Kështu kemi fituar politikën, thënë më mirë politikanínë dy herë të kulluar. Fillimisht me reduktimin e çdo gjëje në politikë, e pastaj me reduktimin e asaj politike në gazetari sensacionale politike. Thjeshtësim më të madh besoj se nuk ka.
Çdo gjë është e qartë deri në fund: vetëm duhet radhitur në mënyrë fanatike dhe çdo gjë tjetër do të shtohet lehtë dhe shpejt. Nga ana tjetër, njerëzve gjithnjë e më shumë u interesojnë vetëm lajmet politike të kufizuara në shkurtësinë dhe përmbledhjen gazetareske. Prandaj të gjithë jemi bërë të çmendur dhe konsumues maniakë të gazetave dhe fotografive televizive. Natyrisht që midis suksesit të gazetarisë së lirë politike dhe kërkesës së madhe për këtë lloj gazetarie ka një raport i ndërsjellë shkakor. Njëra ushqehet dhe nxitet nga tjetra. Prej aty njohja shqetësuese se tek ne lexohen gjithnjë e më pak libra seriozë dhe revista profesionale. Ky është tekefundit shkaku që kultura dhe shkenca shqiptare gjatë viteve të fundit kanë rënë në degët më të ulëta të mundshme të kiçit, vetë-lavdërimit, afisheve, parullave, dënimeve të tërbuara dhe urrejtjes së hapur. Helmet më të rrezikshme nga qërimi i hesapeve politike janë zgjeruar edhe në sferat e tjera të veprimtarisë njerëzore. Më tepër çmohen ata që bëjnë zhurmë, që i dënojnë të tjerët pa pretekst dhe që përhapin mosdurim, sesa ata që mendojnë, që i kërkojnë shkaqet e ngjarjeve dhe që i qetësojnë epshet politike njerëzore. Gjysmanalfabetizmi shkencor dhe mungesa e kulturës janë rrezik i madh për shoqërinë tonë, pasojat e të cilave do t’i ndjejmë me siguri në të ardhmen e afërt. Një popull që i ka reduktuar shkencën dhe kulturën në politikë, vështirë mund të presë një të nesërme më të mirë, aq më tepër që në të kaluarën shumë shpesh vetëm në sajë të kulturës dhe shkencës i ka fituar betejat politike.
Kjo mendësi e sëmurë dhe vrastare e politikanísë dhe nevojës së njëkohshme për kulturë të ulët gazetareske është futur edhe institucionin fetar dhe është përhapur midis anëtarëve të tij. Edhe besimtarët, si dhe të tjerët, lexojnë gazeta dhe i nënshtrohen të njëjtës psikozë të sensacionalizmit politik dhe radhitjes gnostike. Kështu, në fenë tonë është futur mendimi i thjeshtësuar dhe i gabuar se e gjithë e liga është tek të tjerët, ndërsa e mira vetëm tek ne, ndaj nëse i shkatërrojmë të tjerët, në shoqëri kinse do të mbretërojë lumturi e madhe dhe mirëqenie e bollshme. Është kjo e njëjta matricë klasore e komunizmit e zbatuar mbi besimtarët. Që këtu edhe kërkimi me padurim i kundërshtarëve dhe eliminimi luftarak i tyre, në vend të gjetjes me durim të përkrahësve dhe nxitjes së tyre për të mirë. E pikërisht këtu diku edhe radhitet interpretimi politik i fesë si aleate e dobishme në garat krejtësisht të përbotshme dhe ideologjike, qëndrim ky për të cilin nuk ka kurrfarë mbështetje në porosinë burimore fetare. Nëse besimtarët nuk mund të jenë gjithmonë të mirë si shenjtorët, sepse kjo vërtet nuk është e lehtë, ata megjithatë mund të bëhen të paktën të arsyeshëm dhe njohës të mirë të kulturës dhe shkencës, të vetës dhe të huajës. Është më mirë të jesh gjysmak në vlerat, sesa t’ia shesësh shpirtin demonëve të urrejtjes politike, gjë nga e cila, për fat të keq, nuk janë të kursyer as shumë gazetarë “fetarë”. Ndërsa kriza e përmendur kulturologjike e komunitetit fetar në masë të madhe ua hap dyert rezultateve të tilla të pavolitshme. Prandaj, duhet që besimtarët sa më shpejt t’i kthehen kulturës së të folurit, kulturës së shkrimit dhe kulturës së të menduarit. Sipërfaqësia mund të na shpie vetëm në cektësi, kodrina dhe rrugë pa rrugë të mëtejme, ku gjendemi sot. Duke u mbështetur në thëniet profetike, mund të themi në fund se çdokush që merret vetëm me politikë, me siguri do të vdesë nga ajo. Kjo u realizua qartë në lëvizjen komuniste në të kaluarën jo shumë të largët. Duhet pasur kujdes që besimtarët të mos bie pré e cytjes së njëjtë dhe të mos i përsërisin të njëjtat mëkate të përjashtimit politik dhe fanatizmit ideologjik në të tashmen, gjë që, për fat të keq, u ndodhte shpesh në të kaluarën.
Në vend që të bëhen dëshmitarë të së mirës dhe drejtësisë, ata për një kohë të gjatë mbetën udhëheqës të brengosur të konflikteve të përbotshme politike. Është koha ta rishqyrtojmë vendin tonë në kulturë dhe politikë, por edhe të punojmë në atë se si të bëhet politika pak më kulturologjike sesa ideologjike. Për këtë kthim me siguri do të gjejmë frymëzim në Fjalën e Zotit.

Përfundim

Kush dëshiron ta njohë të vërtetën jo vetëm brenda shkencës së scientifizuar, që paraqet sistemin qendror nervor të mbarë modernes, të vetë qytetërimit, duhet që në mënyrë kritike ta hulumtojë karikaturën e saj në lëvizjen bashkëkohore historike. Sepse, në të vërtetë, kjo më nuk është bota në të cilën mund të banohet si etos. Nuk bëhet më fjalë për mënyrën e punës ose vlerën epistemologjike të asaj që sot e quajmë “realitet”. Në mënyrë paradoksale, ajo që del nga “realiteti” modern, si mitos, si alternativë, gjykohet akoma në nocionet e vjetra, sipas skemës mik-armik. Mungojnë masa të reja, e gjithë ajo që në këtë apo atë mënyrë e përgatit një përvojë të re themelore dhe përjetim të botës. Vërtet, ka mjaft arsye të mira që në mendim të pyetemi për ndërthurjen epokale, për atë që në fund të fundit vendos për mundësinë dhe realitetin e apokalipsit teknologjik dhe ekologjik, për atë që lejohet në kulturat të shprehet në mënyrë simbolike apo të çorganizohet.

e hënë, 10 maj 2010

Antiklerikalizmi i Enver Hoxhës


Doan Dani

Ajo që i bën fenomenet pjesë të realitetit është funksioni i tyre si sistem dhe jo si elementë të veçantë. Saussure shpjegonte “strukturalizmin gjuhësor” me shembullin e lojës së shahut. Oficeri vlen shumë, jo sepse mund të japë shah, por në një moment të caktuar është në gjendje ta bëjë këtë, pasi figurat e tjera në loje janë sistemuar në atë mënyrë që oficeri të bëhet themelor; por pas lëvizjes së kundërshtarit, e njëjta figurë nuk e ka më vlerën e një çasti të mëparshëm: kjo sepse gurët e shahut, në kompleks, kanë ndryshuar situatën. Brenda kësaj loje çdo element është pjesë e sistemit dhe i aftë për të ndikuar lojën, pasi elementë të tjera ia lejojnë. Ky quhet sistem apo kontekst dhe është i kuptueshëm vetëm kur të gjithë elementët përbërës ndërveprojnë. Sinkronia i shqyrton këto lidhje dhe shfaqe në një kontekst të caktuar, kundrejt diakronisë, që ndjek evolucionin kohor të sekuencave sinkronike.

Përjashtojmë monizmin gjithëfushor të enverizmit, njëzet vitet që pasuan janë të mangëta në studime të plota dhe objektive. Të shtyrë nga interesa materiale ose emocionale, historianë dhe imitues të këtij “profesioni” pasqyrojnë enverizmin (e jo vetëm atë) si sekuencë sinkronike gjysmake. Sistemit i mënjanohen shumë elementë duke i hequr kështu logjiken e kontekstit, vetëm për të krijuar mite dhe paradigma të reja. Pjesë të neomitologjisë do të konsideroja disa reflektime - ose thjesht formula të përcjella edhe pa i njohur domethënien - që marrin përsipër jo të shpjegojnë, por të etiketojnë agresivitetin e enverizmit ndaj klerit katolik. Them “të etiketojnë”, pasi shpjegimi ka nevojë për studim metodologjik të kontekstit dhe objektivizëm. Këto dy pjesë të së njëjtës rrugë janë ende të pashkelura në Shqipërinë pluraliste e do mbesin të tilla derisa kriteret e gjykimit të jenë militantizmat e formave të ndryshme.

Si motive të vendimeve të Enver Hoxhës paraqiten dhe përcillen dituria e këtij kleri-viktimë, përballë injorantit-persektues, dhe antikomunizmi i këtij kleri, përballë ithtarit të asaj feje laike që ishte komunizmi. Sinkronia e kontekstit – e dy aktorëve në fjalë, enverizmi dhe kleri - paraqitet me dy raporte: dituri/antidituri dhe antikomunizëm/komunizëm. Situata politiko-sociale e brendshme, plani totalitar i Enver Hoxhës me të gjitha detajet kundërshtuese ose mbështetëse, situata e jashtme politike, bipolarizmi i globit, kleri si vartës i një shteti jo shqiptar dhe shumë faktorë të tjerë, thjeshtohen me paraqitjen e një filmi të bazuar në “kapriçot” e enverizmit nga njëra anë dhe “fatkeqësisë” së klerit katolik, që ishte i ditur dhe nuk i pëlqente komunizmi, nga ana tjetër. Ndërkohë që politika ka rrjedhë racionale, aspak të rastësishme, me objektiv pushtetin.

Patologjitë e diktatorëve, shpesh herë të përdorura si shpjegime maskuese, ngjyrosin metodat politike, ndërsa objektivi mbetet gjithmonë i njëjtë. Informacioni, kontrolli, imponimi i modeleve dhe ndëshkimi, kanë për qëllim sundimin, e sa më mirë të kombinohen, aq më i qëndrueshëm do të jetë objektivi. Enver Hoxha me sforcimin e madh për alfabetizimin e plotë të shqiptarëve, pjesërisht të realizuar, kishte kuptuar se dituria ishte mjet i domosdoshëm në organizimin e shtetit modern dhe kontrolli i saj përbënte çelësin e pushtetit jetëgjatë. Nuk ishte teori enveriste pasi aplikohej nga regjime bashkëkohëse ne Lindje dhe Perëndim, madje kultura dhe dituria, si armë e pushtetit, njihen nga Antikiteti. Për të dhëne një shembull historik që tregon se injoranca e sundimtarit nuk shkon në një kah me eliminimin fizik te individëve të “ditur” – siç na serviret - është me interes veprimtaria e Karlit të Madh. Analfabetizmi i tij nuk e pengoi të themelonte madje Schola Palatina, të mësonte më vonë, gjatë viteve të mbretërimit latinisht, retorikë, astronomi etj, me synim imitimin e perandorëve të Romës në ata elementë që i dhanë mundësi atyre të sundonin aq lavdishëm.

Këta dy personazhë, kaq të largët në kohë (diakroni), i bashkon ideja (sinkroni) i krijimit të një organizimi politiko-administrativ sa më të qëndrueshëm, ndryshe nga hordhitë plaçkitëse - për shembull mongole - të paafta për një organizim të tillë: sikur enverizmi të eliminonte diturinë, nuk do të shkonte më larg se plaçkitjet mongole. Ndërtimi i një shteti të shkatërruar nga Lufta e Dytë Botërore dhe ajo Civile, në gjendje të funksionojë për gjysmë shekulli - dhe sikur të mos ishte faktori i jashtëm mund të zgjaste edhe më tepër - kërkon domosdoshmërisht njohuri dhe staf për t’i jetësuar. Dituria duhej kontrolluar dhe jo eliminuar, por një “maniak”, siç ngjyroset Enver Hoxha, duhej ta zhdukte dhe jo ta kultivonte. Pjesa më e madhe e atyre që barazojnë Enver Hoxhën me injorantin, mbështesin etiketën të nisur nga mungesa e diplomës universitare të udhëheqësit të PKSh-së. Diplomë, Kulturë, dhe Njohuri nuk rrugëtojnë gjithmonë në një drejtim. Sikur të ishte një lidhje e detyrueshme, analistët që popullojnë televizionet në shumë programe, shpesh zëvendësues ose rrallë herë përkrah historianëve, sociologëve, psikologëve, teologëve, filozofëve, ekonomistëve, diplomatëve, artistëve, etj, çfarë diplome kanë për të mbuluar gjithë këto fusha njëkohësisht? Masat agresive të enverizmit ndaj një pjese të klerit katolik, janë reflektime të politikës së kontrollit absolut dhe papërputhshmërisë, gjithmonë politike, mes dy shteteve, Shqipërisë dhe Vatikanit. Ky i fundit, sinonim i institucionit Kishë.

Për sa i përket kontrollit mbi strukturat fetare, është një fenomen i njohur nga Egjipti faraonik dhe në vazhdimësi, i realizuar në formën e bashkëpunimit të fesë me politiken, ose nënshtrimi. Me Kostandinin e Madh merr formë të plotë çezaropapizmi i themeluar nga Augusti, kur ky i fundit ishte njëkohësisht Perandor dhe Pontifex Maximus, por jo i të gjitha kulteve ekzistuese në perandori. Nëse në pjesën lindore të Perandorisë Romake çezaropapizmi forcohet dhe është i pranishëm në shekujt në vazhdim, në perëndimin e mbetur pa një pushtet perandorak të fortë merr jete gjithnjë e më shumë autoriteti i tre qendrave fetare, me një supremaci vetëm morale për momentin, të ipeshkvit të Romës - Papës. Ky rol do të fuqizohet me kalimin e kohës për të ardhur deri tek momenti i famshëm i konfliktit mes perandorit Enriku IV dhe papës Gregor VII, në “luftën për investiturë” të viteve 1075-1122. Enriku IV sigurisht nuk ishte injorant, pasi u shkollua në nivelet më të larta të kohës, së bashku me klerin elitar gjerman, dhe as nuk kishte ndonjë mllef me burime patologjike, por arsye të thjeshta politike. Shkak i konfliktit është tentativa e Perandorit për të emëruar ipeshkvit dhe kundërshtimi i vendosur i Gregorit VII, i shprehur në 27 pikat e Dictatus Papae, ku përcaktohet autoriteti i Papës si i vetmi i legjitimuar në emërimin dhe shkarkimin e ipeshkëve. Konflikti shkon drejt zgjidhjes në vitin 1122 me konkordatin e Worms-it: vetëm në mbretërinë gjermane perandori mund të përligjë ipeshkvin – të zgjedhur më parë sipas të drejtës kanonike, pra nga Kisha.

Në fakt, do të duhet ende shumë kohë përpara konsolidimit përfundimtar të supremacisë së pushtetit papnor. Koncili i Trentos (1545-‘63) i mbledhur si përgjigje ndaj Reformës - i hyre në histori si Kundërreforma – sanksionon rolin parësor të Kishës së Romës dhe figurës së Papës. Merr formë definitive një hierarki piramidale e përforcuar, dhe madje e evoluar më tej, në Koncilin I të Vatikanit të vitit 1870. Tek ky i fundit hartohet edhe e famshmja “Pagabueshmëria e Papës”, De Romani Pontificis Infallibilitate, që i njeh atij të drejtën e ligjërimit ndaj klerit dhe besimtarëve: ishte i pagabueshëm “në bazë të vetvetes dhe jo në baze të konsensusit të Kishës” dhe doktrina e tij rreth fesë dhe moralit duhej të pranohej nga e gjithë Kisha. Kështu strukturohet ende më shumë një formë absolutizmi brenda institucionit fetar dhe çdo tentativë për ta kundërshtuar, ndonëse nuk shpie në turrën e druve siç ndodhte me përpara, ishte e papranueshme ose e ndëshkueshme me largim nga rolet drejtuese.

Filippo Maria Guidi, i vetmi kardinal që pohoi se kjo “doktrinë” duhej të burojë nga konsensusi ipeshkvnor dhe nga tradita e Kishës, u qortua ashpërsisht dhe Vincenzo Tizzani shkruan në ditarin e tij fjalët e papës Pio i IX drejtuar Guidi-t: “Tradita jam unë”. Në Codex Iuris Canonici të vitit 1917, neni (canon) 218 përcakton se papa zotëron “si mëkëmbës i Shën Pjetrit, pushtetin juridik më të larte dhe të plotë mbi Kishën universale” dhe ky pushtet i tipit “ipeshkvnor, është i menjëhershëm mbi të gjitha kishat, klerikët dhe besimtarët”. Autoriteti i plotë papnor rrjedh nga “e drejta hyjnore” - përcakton neni pasardhës. Enciklika Mystici Corporis Christi (29 qershor 1943) e dekretuar nga papa Pio i XII, i bashkëngjitet idesë së nënshtrimit të Kishës ndaj autoritetit papnor, ide e krijuar gjatë Rilindjes. Sipas enciklikës pjesëtaret e klerit duhet të veprojnë duke respektuar nivelet hierarkike.

Për të formalizuar këtë situate do të përpilohet edhe një “betim besnikërie”: ne vitin 1870 parashikohet betimi mbi ndjekjen e mësimeve të Koncilit të Trentos; në vitin 1910 i shtohet edhe një “betim antimodernist”, që më vone do të thjeshtohet në Koncilin II të Vatikanit (1962-‘65), por do gjykohet i mangët nga Gjon Pali i II dhe kardinali Ratzinger, i ardhshmi papa Benedikti i XVI. Këta të dy janë hartuesit e Codex Iuris Canonici të vitit 1983. Sipas R. Lill, aty paraqitet “detyrimi për të pranuar të gjithë doktrinën “origjinale” të papës dhe të kolegjit ipeshkvnor, pra edhe enciklikat, ndonëse këto nuk janë të përcaktuara si të “pagabueshme” [...]. Vendimeve të hierarkisë i kushtohet “bindja kristiane””, dhe veprimtaria duhet të jetë plotësisht e përbashkët me Kishën. Gazeta La Repubblica botonte më 12.02.2010 fjalimin e kardinalit Tarcisio Bertone, sekretarit të shtetit të Vatikanit, të mbajtur në universitetin polak të Wroclaw. Ndër të tjera, sipas gazetës, Bertone pohon se “Kisha nuk qeveriset si demokraci [...] Raporti strukturor [...] mes hierarkisë dhe popullit të Zotit [kleri/besimtarët], nuk mund të baraspeshohet në ndarjen e pushtetit”. Kështu që vendimet merren gjithmonë nga lartësia e piramidës dhe jo detyrimisht duhet të jenë produkt i konsensusit të rangjeve të mëposhtme.

Ishte i nevojshëm ky pasqyrim për të treguar evolucionin e pushtetit papnor nga viti 1075 tek kulmimi në një pushtet autoritar dhe hierarkik, ku çdo nivel i bindet një eprori, deri tek zëvendësi i Shën Pjetrit në tokë. Liria individuale në veprime doktrinare e veçanërisht politike, nuk lejohet. Si mund të bashkëjetonin në Shqipëri, dhe jashtë saj, dy absolutizma kaq të centralizuara si ai i Selisë së Shenjtë dhe diktaturës komuniste? Enver Hoxha, për të realizuar planin e tij të “gardhimit” të Shqipërisë e ka të pamundur kontrollin absolut ndaj një institucioni dhe kleri të pavarur nga shteti Shqiptar: mbetej kritik kontrolli ndaj klerit të varur nga normat e përmbledhura në citimin mësipërm të Lill-it. Prandaj diktatori shqiptar zgjedh metodën e aplikuar në Bashkimin Sovjetik nga linja staliniste.

Persekutimi stalinist fillon në fundin e viteve ’20 dhe merr përmasa të jashtëzakonshme në vitet ’30. Stalini deklaronte, më 15 maj 1932, se do të shkatërronte plotësisht fenë, por shënimi i 57% të popullsisë si besimtarë në regjistrimin e 1937 dhe lufta e dytë botërore, të para nga pragmatizmi stalinist, e motivuan udhëheqësin të ngadalësonte ritmet e persekutimit, që faktikisht nuk morën fund. Edhe pse ekzistonte marrëveshja e quajtur “Deklarata e besnikërisë” mes shtetit dhe Kishës, firmosur në 1927, kjo nuk e pengoi Stalinin të eliminonte rreth 110.700 anëtarë të klerit ortodoks. Tashmë ai kishte lëkundur dhe vënë nen kontroll pushtetin rival të Kishës ortodokse. Vallë kishte frikë nga dituria e këtij kleri? Stalini kërkonte të ndërtonte një superfuqi me injorantë?

Duke u nisur nga pohimi se “Enver Hoxha persekutoi klerin katolik sepse ky ishte i ditur” – i dëgjuar nga disa zëra – mund të paramendojmë se të njëjtën arsye duhet të ketë pasur edhe Stalini, babai shpirtëror i E. Hoxhës. Por Stalini nuk ishte persekutuesi i vetëm njërit prej klereve dhe komuniteteve – në fakt nuk ishte as Enver Hoxha edhe pse tentohet të prezantohet kështu – pasi me po aq “zell” persekutoi klerin katolik dhe atë musliman. Mes viteve 1925 – ’30 u shtetëzuan të gjitha pronat e vakëfit; në 1927 u mbyllen të gjitha gjykatat tradicionale islame. Përpara revolucionit të Tetorit numëroheshin rreth 26.000 xhami dhe 46.000 klerikë, në 1942 ekzistojnë vetëm 1.312 xhami dhe numri i tyre vazhdon të reduktohet edhe pas vdekjes së Stalinit, derisa në një moment arrin në vetëm 400 xhami dhe 2 medrese. Fundi i viteve ’70 regjistron 700 xhami për një popullsi muslimane prej 45–50 milion individësh, nga të cilët 20% deklarohen ateistë. Pa harruar këtu spastrimin etnikofetar të Krimesë, nga ku internohen të gjithë muslimanët tartarë (25% e popullsisë), spastrimi i jugut të Gjeorgjisë nga popullsia muslimane dhe 1 milion të internuar nga Kaukazi pas luftës së dytë botërore. Sipas logjikës së persekutimit të motivuar nga “dituria e klerit”, në Bashkimin Sovjetik rezulton të jetë përqendruar kleri më i shkolluar i globit dhe 2 milion fshatarë po aq të arsimuar (!).

Analogji vërehen edhe në rastin jugosllav. Janë përllogaritur rreth 250.000 të vrarë nga regjimi titist gjatë viteve të menjëhershme të pas Luftës së Dytë Botërore. Kësaj shifre i përkasin edhe persekutimet ndaj elitave fetare. Kisha katolike u trajtua me ashpërsi për kolaboracionizmin e një pjese të klerit me ustashia-t në Kroaci dhe Bosnjë. Për sa i përket muslimanëve “Të gjithë kundërshtarët e mundshëm u ekzekutuan pa gjyq dhe pa hetime” shkruan Poulton. U miratuan norma që ndalonin mbulesën, shkollat fillore fetare dhe prej 1952 ishte krim mësimi në xhamia; u mbyllën të gjitha sektet e dervishëve; shoqëritë kulturore dhe edukative (Gajret, Narodna Uzdanica) u mbyllën me përjashtim të një shoqate të kontrolluar, ashtu si edhe e vetmja medrese e lejuar, gjithashtu u mbyllën edhe fondacione humanitare, si Gazi Husrev Beg – themeluar në 1530; deri në 1964 u mbyll shtypshkronja dhe u ndaluan botimet e teksteve fetare islame. Shume prona të vakëfit i kaluan shtetit; 756 xhami në Bosnjë ishin dëmtuar gjatë luftës së dytë botërore, 200 të tjera nuk përdoreshin sepse ishin transformuar në stalla, magazina, muze etj.

Në fundin e viteve ’50 dhe në vitet ’60, me krijimin e “bllokut” të Vendeve të Paangazhuara, Komuniteti i muslimanëve do t’i shërbente Titos si mjet në politikën e jashtme. Do të jetë gjithashtu Tito organizator i të ashtuquajturit “Koncili i Ohrit” i vitit 1967, që i dhuroi autoqefalinë kishës ortodokse maqedone. Ky transformim nuk është gjest dashurie, fetarizmi, adhurimi ndaj një feje apo institucioni përkatës, ashtu siç nuk është kapriço, inat, zili, patologji, persekutimi i të njëjtit komunitet dhe institucion. Një afrim me Kishën ortodokse kishte ndërmarrë edhe Stalini pas sulmit gjerman të 1941 sepse i nevojitej mbështetja popullore. Pas luftës, në Bashkimin Sovjetik rikthehen në funksion 20.000 kisha dhe manastire në 73 dioqeza, me 30.000 priftërinj dhe 10.000 murgj – institucionet dhe kleret e tjera vazhdojnë gjendjen e mëparshme të persekutimit dhe klandestinitetit. Pas një kontrolli të rreptë dhe lidershipi të padiskutueshëm, Partia mundi të pranonte rolin social të Kishës ortodokse, gjithmonë brenda kornizave të caktuara nga shteti.

Motivi i represionit nuk mund të reduktohet vetëm tek kontrolli i klerit sepse, pa dyshim, linja politike e zgjedhur nga piramida papnore e këtij kleri shfaqet në konflikt të hapur me sistemet e vendeve komuniste.

Që në fillim, fashizmi në Itali kishte pasur konsensusin e Kishës. “Disa nga motivet e vlerësimit nga ana e hierarkisë katolike ishin: eliminimi i konfliktit social, korporativizmi [...], mbizotërimi i qëllimeve kolektive mbi ato individualiste”. Në këtë mënyrë, “Kisha gjente tek fashizmi një aleat në betejën e saj të vjetër kundër dy kundërshtarëve të përbashkët: liberalizmit dhe socializmit”. Këto arsye, të kombinuara me interesin e Kishës për rregullimin e “çështjes romane”, sollën Konkordatin e vitit 1929. Pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë zgjedhjeve të 1948, kur Italia rrezikonte të drejtohej majtas, “Kisha katolike renditet me të gjitha forcat në favor të DC [partisë demokristiane]”. G. L. Bravo shtimin e pazakontë të numrit të statujave lotuese të Maries nga jugu në veri të Italisë e lidh me fushatën parazgjedhore: Kisha realizoi një fushatë aktive kundër majtizmit italian. Në Spanjë, shkruan historiani P. Viola, Kisha “ishte plotësisht e bashkuar me të djathtën, me pronarët e mëdhenj të tokave. Qendra e moderuar e borgjezisë urbane ishte e dobët dhe Kisha ishte ende mjeti i një qeverisjeje shtypëse”.

Si reagim i qëndrimit politik të Kishës, përkrah të djathtës ekstremiste, në fillim me diktaturën e Primo de Rivera-s e më vonë me Fransico Franco-n, në zonat e kontrolluara nga republikanët gjatë luftës civile u vranë shumë anëtarë të Kishës dhe u shkatërruan disa objekte kulti. “Pas luftës, regjimi fashist i Franco-s mbështetej në një kastë teknokratësh të anëtarësuar në një shoqëri katolike të fuqishme, të pasur, të mbyllur dhe ekskluzive: Opus Dei”, përfundon Viola. E pamohueshme është mbështetja ndaj Hitlerit, të paktën në dekadën e parë, kur u arrit edhe një Konkordat dypalësh. Në brutalitetin e regjimit Ustashia, në Kroaci, u shquan mjaft jezuitë dhe françeskanë. Pas luftës së dytë botërore nuk mungojnë mbështetja dhe përfaqësitë diplomatike në vendet me regjime diktatoriale të djathta: Argjentine, Haiti etj. E nëse këto janë aktivitete jashtë vendeve komuniste, nuk mungojnë ndërhyrjet direkte kundër rrëgjimit në një vend komunist (të paktën në rastin polak). P. Carpi rrëfen se L. Gelli kishte derdhur në arkat e Vatikanit rreth $50 milion për çështjen polake dhe për Gelli-n “Walesa do të kthehej në hije sepse do të ketë përmbushur detyrën e tij: atë të vendosjes përballë për arritur në një marrëveshje, një Kishë të fortë dhe një Shtet të fortë”. C. De Benedetti, zëvendës-drejtori i Banco Amborsiano, do të deklarojë më vonë se “Marcinkus [drejtori i IOR- e ashtuquajtura “Banka e Vatikanit”] mblidhte fonde për Poloninë”.

Në Divini Redemptoris Promissio të vitit 1937, Pio XI kishte dënuar ateizmin dhe luftën antikatolike. Disa vite më vonë, më 1 qershor 1949, papa Pio XII, nëpërmjet një dekreti të lëshuar nga Sant’Uffizio “shkishëron” komunizmin. Neni i parë përmban pikat: a) nuk është i lejueshëm regjistrimi në partitë komuniste dhe mbështetja e tyre sepse komunizmi është materialist dhe antikristian; b) është e ndaluar përhapja e librave dhe gazetave që mbështesin doktrinën e komunizmit materialist dhe ateist; c) besimtarët që ndërmarrim me vetëdije të plotë këto veprime të ndaluara nuk mund të marrin sakramentet [pagëzimi, kungimi, martesa, etj]; d) të pagëzuarit që shpallin, përhapin, propagandojnë me vetëdije doktrinën komuniste bien për këtë arsye në shkishërim [...] si apostatë [të dalë] nga feja katolike.

Arsyet e persekutimit nuk duhen kërkuar tek qëndrimet apo patologjitë individuale të tre liderëve. Armiqësia e hapur ndaj komunizmit dhe socializmit, aleancat me forcat e djathta dhe kundërshtimi i së majtës, ndërhyrjet në mbështetje të lëvizjeve kundër rrëgjimit komunist, prania e një strukture administrative dhe politike të centralizuar dhe pamundësia e komunizmit shqiptar për ta kontrolluar, vendimet e imponuara njësive të poshtme të klerit nga maja e piramidës e ndodhur jashtë Shqipërisë, kërcënimi me shkishërim i besimtarëve që i afrohen komunizmit, janë disa nga faktorët që, të kombinuar me afërsinë territoriale të Shqipërisë me Selinë e Shenjtë, izolacionizmin e vendit dhe memorien historike, vunë në lëvizje persekutimin enverist.

Ndryshimet në rangjet e klerit ortodoks të diktuara nga Enver Hoxha, edhe pse nuk u pranuan nga Patriarkana greke, u njohën zyrtarisht nga ajo e Moskës, përderisa Shqipëria ishte satelit i BS. Hoxha e kishte më të thjeshtë përforcimin e kontrollit të brendshëm të klerit ortodoks, i mbështetur edhe nga faktori i jashtëm: Patriarkana e Moskës kishte humbur pavarësinë (për t’i shpëtuar zhdukjes) ndërsa ajo Greke ishte e pafuqishme për te krijuar probleme në Shqipërinë komuniste. Ky kontroll, në Shqipëri, do të jetë rezultat i një dhune njerëzore (ndëshkimet) dhe institucionale (shkatërrimet) gjithmonë i kushtëzuar nga Bashkimi Sovjetik, ku po rikuperohej ortodoksia, jo se komunizmi po ortodoksizohej, por sepse i shërbente shtetit si mjet. Kjo është arsyeja e dytë që ndikoi në politikën enveriste përballë Kishës ortodokse shqiptare.

Ndaj klerit musliman, diktatori mundi të vepronte shumë më lirisht, i ndihmuar nga fakti se institucioni drejtues i muslimanëve ishte brenda getos shqiptare dhe asnjë institucion ndërkombëtar apo shtet i huaj nuk ndërhynte dot në mbështetje të Komunitetit në fjalë. Në lidhje me institucionet islame, Enver Hoxha kopjoi masat titiste të zbatuara në Jugosllavi edhe pse shumica e popullit tonë i përkiste kësaj feje. Pas vendosjes nën kontroll, siç kishte ndodhur në Bashkimin Sovjetik dhe Jugosllavi (dhe në të gjithë Evropën komuniste), diktatori Hoxha shfaq një anomali me precedentët sovjetikë dhe jugosllavë. Tito kishte riafruar pas persekutimit komunitetin islam dhe rolin e Reis ul-Ulema në rrugën e re të politikës së jashtme pas 1955, kurse Stalini kishte ndërmarrë një hap të tillë ndaj Kishës ortodokse sepse përfaqësonte traditën e shumicës, sidomos të popullit dominues rus. Është e qartë se Enver Hoxha duke u vetëizoluar nuk do të ndiqte shembullin titist, jo vetëm ndaj një komuniteti por ndaj të gjithëve.

Përse nuk ndoqi shembullin e Stalinit të cilin e kishte edhe “baba shpirtëror”? Përgjigja është e mangët nëse shpjegohet vetëm me arsyet e politikës së jashtme ose të brendshme. Duke parë etiketat, mitet e përhapura nga sistemi edukativ enverist, të cilat e konsiderojnë këtë fe të prapambetur – të njëjtat metoda janë përdorur nga bolshevizmi dhe titizmi – dhe derivat i pushtuesit, pra relikt i dhunës, nuk mohohet refuzimi përçmues i doktrinës islame nga nomenklatura enveriste. Stalini, me afrimin ndaj ortodoksisë, i kishte dhëne ngjyra nacionaliste ruse komunizmit. Enver Hoxha ndoqi të njëjtën linjë devijuese, pa u afruar me asnjërën nga fetë tradicionale, por duke nxitur një bastardim të nacionalizmit ku jo Kombi, por Partia (Lideri) dhe Shteti ishin Zot, të ngjyrosur me kombëtarizëm. Ky lloj pseudonacionalizmi, që ka mbushur historinë dhe botëkuptimin tonë me mite, lindi në vitet e para pas prishjes me Jugosllavinë, u përforcua pas prishjes me Bashkimin Sovjetik, për të kulmuar në vitet ’80.

Enver Hoxha indoktrinoi kështu (arsyen tjetër) një fe laike të ndjekur nga një masë besimtarësh që nuk kishte nevojë për fe tradicionale. Këta besimtarë të rinj jetonin përkrah besimtarëve tradicionalë të pafuqishëm, klandestinë, plotësisht të kontrolluar dhe pa asnjë mbështetje. Partia komuniste, si Hyjni e fesë së saj, kontrollonte masat pa nevojën e mbështetjes të një feje tjetër. Enver Hoxha mund ta rikuperonte traditën e shumicës pas represionit fillestar, që iu nevojit për kontrollin dhe eliminimin e rivalitetit, ashtu siç bëri Stalini, por nuk e realizoi sepse nuk i nevojitej si mjet kontrolli, të cilin e kishte arritur dhe mbi të gjitha, nuk kishte në plan ta konsideronte këtë fe si vlerë ose thjesht si karakteristikë të popullit shqiptar.

Dy motivet që ndikuan në raportin e mëvonshëm “pozitiv” të Titos me besimet tradicionale, ekuilibri etnik dhe favorizimi i politikës së jashtme, nuk vlejnë për rastin shqiptar: Shqipëria nuk rrezikohej nga nacionalizmat e “fjetur” dhe politika e jashtme nuk krahasohej me fluiditetin e politikës jugosllave. Kontrolli i brendshëm i jepte sistemit garancitë e mjaftueshme; mënyra se si e përcaktoi politikën e jashtme regjimi nuk do ta afronte - sepse përbënte rrezikshmëri, sipas linjës se Partisë - me Kishën e Romës, për arsyet e mësipërme, dhe nuk mund ta afronte as me Kishën ortodokse, pas prishjes me Moskën, por afrimi me këto dy qendra zbehej edhe nga arsyeja se ato përfaqësonin pakicën e shqiptareve, gjë e cila mund të rrezikonte ekuilibrin social. Afrimi me institucionet fetare të shumicës nuk i sillte sistemit probleme nga jashtë, veçanërisht pas prishjes me Moskën, por as nuk përfitonte, sepse ashtu e strukturoi politikën e jashtme Enver Hoxha. Edhe pse ky rikuperim do të ishte më pak traumatik në planin e brendshëm dhe aspak problematik në planin e jashtëm, u përjashtua si mundësi nga enverizmi: kjo dëshmon që në asnjë çast nuk u pasqyrua simbioza mes enverizmit dhe fesë Islame të shqiptarëve; përkundrazi institucionet e këtij komuniteti u shkatërruan më tepër, në një masë të atillë sa sot ende nuk kanë arritur nivelin e para 1967-ës, ndonëse dy komunitetet e tjera, në nivel objektesh, e kanë tejkaluar atë.

Meriton reflektim të shkurtër edhe një pikëpamje e lindur ose e ndihmuar nga keqtrajtimi i persekutimit. Fjala është për idenë se komunizmi enverist ishte antikatolicizëm: më lart pasqyrohet një antikishtarizëm ose antiklerikalizëm i motivuar nga faktorë specifikë, ndërsa antikatolicizmi doktrinar kalon në plan dytësor, por sidoqoftë për asnjë çast nuk është më shumë se antifetarizëm në tërësi – antiortodoksizëm, antislamizëm, anti çdo fe tjetër tradicionale hyjnore. Ideja e “antikatolicizmit më shumë se antifetarizmit” është anakronike për dy arsye kryesore. E para, sepse enverizmi i përket një ideologjie (gjithmonë komuniste) që nuk pranon rivalë në pushtetin socio-politik dhe profetizon një parajsë tokësore të arritshme nga besimi tek “feja e shoqërisë”, siç e quan Dowson, ku kulti i Zotit zëvendësohet nga ai i Partisë, Shtetit, apo edhe Kombit e Racës, pra shpall armik çdo besim tjetër rival në këtë sferë – dhe katolicizmi nuk është i vetmi sfidues. E dyta, kjo logjikë, që konsideron enverizmin si antikatolicizëm, bazohet në hipotezën se “katolicizmi dhe komunizmi bashkëjetojnë si uji me zjarrin”. Në këtë mënyrë zhvlerësohen besimet e tjera dhe në disa raste ekstreme ndërtohet hipoteza që tenton të gjejë pika takimi mes komunizmit dhe këtyre besimeve apo thjesht një dashamirësi të diktaturës, me qëllim fajësimin ose diskriminimin e këtyre feve.

Fenomeni i fajësimit të “Tjetrit” është fatkeqësi standarde për Ballkanin edhe në çështje historiko-politike, ku vetëm “Ne” ishim të përndjekurit, të izoluarit, të grabiturit, të gjymtuarit, viktimat, dhe vetëm “Ne” nuk u prekëm nga e “Keqja”, vetëm “Ne” i rezistuam: modeli tipik i nacionalizmit serb, kroat, malazez, grek, shqiptar, etj. Ky model projektohet edhe në çështje që lidhen me besimin për të fajësuar dhe për t’u vetvlerësuar njëkohësisht. Gjetja e pikave të takimit mes disa ideologjive, në pamje të parë shumë të largëta, janë të pamjaftueshme për të arritur në konkluzionin se këto ideologji janë të ngjashme, identike ose njëra buron nga tjetra. Problemi nuk qëndron tek ekzistenca e pikave të takimit por tek fajësimi i “Tjetrit” për problematika që bartim edhe “Ne”.

Realisht është e pamundur të mos evidentohen pika takimi mes komunizmit dhe secilit nga derivatet kryesorë të Krishterimit, përfshi edhe katolicizmin. Që të dy doktrinat prezantohen si universale, sheshuese të konflikteve sociale, lëvruese të solidaritetit. Filozofi rus Nikolaj Berdjaev, në 1933, mbronte idenë se komunizmi sovjetik ishte kombinim i mesianizmit materialist marksist dhe mesianizmit të krishterë rus, që kishte prodhuar në universalizmin proletar një “karikature të universalizmit të krishterë dhe të Kishës”. Madje një autor tjetër, Lewis, e konsideron “Krishtin e ri me një Proletariat që ngrihet, populli i Zotit që nge krye”, e nëse Kisha nuk e adhuron “do të hidhet në errësirë”: këtu Lewis evidenton edhe fatin e institucionit Kishë në vendet ku do të triumfojë komunizmi. Është i njëjti profesor që tenton të afrojë krishterimin socialist me komunizmin bolshevik: Lewis shikon tek nazizmi dhe fashizmi (“forcat e të Keqes”) figurën e Antikrishtit, ndërsa komunizmi i pastruar nga ateizmi, mund të bënte pjesë tek “forcat e të Mirës”. “Besimi i bolshevikëve tek librat e Marksit, Leninit dhe Stalinit është identik me varësinë e puritanëve [protestantë] nga citimet e Librave të Shenjtë”, vërente Laski. Besimi që janë të përzgjedhurit, besimi në triumfin përfundimtar, bindja në vërtetësinë e padiskutueshme të doktrinës, rendi i ri botëror dhe përhapja e tij në formën misionariste, dobësia dhe gabimi, të krahasuara me mëkatin dhe herezinë, përveç mënyrës së organizmit, janë disa nga ngjashmëritë.