
Aktor, regjisor dhe spektator
Emri i Srebrenicës tashmë është rrënjosur në histori si arketipi përmbledhës i ngjarjeve më tragjike ballkanike të fundshekullit të kaluar, i rishfaqjes së fantazmave të ideologjisë më primitive të zhdukjes së Tjetrit, një ideologji që pothuajse të gjithë evropianët e përfytyronin të varrosur ose të paktën të zëvendësuar nga “harmonia” e sforcuar si prodhim i komunizmave lindorë dhe nga kujtesa perëndimore e pasojave të Luftës së Dytë Botërore. Ai mes korriku i 1995 fatkeqësisht dëshmoi se një gjysmë shekulli nga gjyqi i Nurembergut, në qoshen jo edhe aq të humbur të një kontinenti me pretendimin e parësisë territoriale dhe kohore të civilizimit, u konsumuan krime akoma më të llahtarshme, e gjithashtu vërtetoi se zgjidhjet në tryezën e Fuqive të Mëdha në të vërtetë kishin qenë shtyrje e kasaphanës nga fillimi i shekullit të XX në epilogun e tij.
