Natasha Kandic*
Beograd, Serbi.
Arrestimi i Ratko Mladic më 26 Maj më gjeti të papërgatitur. Nuk mund ta besoja. Shtrëngova grushtet duke u përpjekur ta mbërtheja me duart e mia. Së fundi mora frymë e lehtësuar.
Por më pas dëgjova fjalimin e presidentit serb, Boris Tadic. Për të, arrestimi i z. Mladic përfaqson mbylljen e një kapitulli të errët në historinë tonë dhe heqjen e një njolle turpi që ka njollosur popullin serb prej dy dekadash. Por nuk u zunë në gojë kaq fajtorë të tjerë të gjenocidit gjatë viteve 1990 apo përgjegjsia që shteti serb mban për ato krime. Edhe një herë tjetër, me sa duket, ne humbëm një mundësi për të hapur një debat të dhimbshëm por të nevojshëm për të kaluarën tonë.
Para pak kohësh, për një kohë të shkurtër, dukej sikur Serbia do anonte me viktimat “e huaja” kundra fajtorëve “të vet.” Kjo ishte në vitin 2005 kur sëbashku me kolegët e mi zbuluam dhe publikuam një video të vitit 1995 që tregonte egzekutimin e gjashtë burrave muslimanë nga qyteti boshnjak i Sebrenicës. Për herë të parë, publiku serb pa evidencë të padiskutueshme të përfshirjes së shtetit në masakrimin e 7000 muslimanëve atje.
Qeveria nxitoi të përgjigjej duke distancuar shtetin nga masakrat. Gjatë natës policia arrestoi pesë burra dhe më pas i deklaroi si grupin kriminal, duke mohuar cfarëdolloj lidhjeje që grupi mund të ketë patur me institucione shtetrore. Gjatë gjyqit, gjykata serbe refuzoi dëshmitë e nënave dhe fëmive të gjashtë muslimanëve të ekzekutuar. Gjyqi konkludoi se nuk kishte evidencë se robërit ishin nga Sebrenica. Vendimi ishte një njollë turpi për të tërë ne. Dhe ne nuk mund ta lajmë duke dërguar z. Mladic në gjykatën e krimeve të luftës në Jugosllavi në Hagë.
Arrestimi i z. Mladic solli ngushëllim për viktimat e familjeve të viktimave. I dha gjykatës së Hagës reputacionin e një agjenti të suksesshëm të drejtësisë ndërkombëtare. I dha Serbisë perspektivën e shumë-kërkuar për antarësim në Bashkimin Evropian. Qeveria serbe ka arritur të bindë botën se vlerëson një të ardhme evropiane më shumë se heronjtë kriminelë të së shkuarës.
Por nuk jam e sigurtë që Serbia ka hequr dorë nga z. Mladic dhe kolegët e tij gjeneralë që kryen një luftë gjenocidi në Bosnje. Simpatia që zyrtarët e shtetit dhe media shprehu për z. Mladic javën e kaluar është një tjetër njollë turpi për të tërë ne. Zëvendës prokurori i ofroi atij luleshtrydhe. Dëshira e tij që të vizitohej nga Ministri i Shëndetsisë dhe kreu i Parlamentit u plotësuar, ashtu si dhe kërkesa e tij për të vizituar varrin e të bijës. Publiku serb u informua në mënyrë të rregullt për dietën e tij në burg dhe të tërë mësuam se z. Mladic kishte veshur kur udhëtoi për në Hagë kostumin që kishte veshur në dasmën e të birit. U trajtua si yll.
Të tilla nderime për vrasës janë të rrezikshme në një rajon ku plagët e luftës nuk janë shëruar ende. Nacionalizmi është ende i fuqishëm në Bosnje, Kroaci, Kosovë dhe Mal të Zi e nganjëherë edhe më i fuqishëm se sa ishte gjatë luftrave që copëtuan Jugosllavinë ne vitet ’90.
Kohët e fundit në Kroaci, politikanë, shtypi, kisha dhe grupe nga shoqëria civile protestuan vendimin e gjykatës së Hagës se dy gjeneralë kroatë ishin fajtorë për krime lufte, një vendim që sfidoi interpretimin kroat të luftës. Ata të tërë pranojnë se u bënë disa vrasje ne vitin 1995, por ata mohojnë që shteti dhe udhëheqës të së kaluarës si Franxho Tuxhman, në atë kohë president i Kroacisë, ishin përgjegjës për planifikimin e pastrimit etnik të serbve.
Në sytë e establishmentit politik boshnjak dhe familjeve të viktimave, drejtësia për viktimat e gjenocidit dhe pastrimit etnik do vinte vetëm nëse Serbia dhe udhëheqsit serb të Bosnjes pranojnë rolin e tyre në gjenocid. E megjithatë, udhëheqsit serb të Bosnjes mohojnë se ka ndodhur gjenocid dhe kërkojnë që më shumë boshnjakë muslimanë të dalin përpara gjykatës për krime lufte.
Në mënyrë të ngjashme, pak ka ndryshuar në Kosovë, ku publiku kundërshton gjykimin e komandantëve të ish Ushtrisë Clirimtare të Kosovës. Në Mal të Zi, një gjykatë vendosi se policët që i dorëzuan refugjatët muslimanë serbëve të Bosnjes në Maj të vitit 1992 nuk ishin fajtorë për krime lufte – një shuplakë fytyrës kjo për familjarët e viktimave.
Rajoni detyrimisht ka nevojë për një debat të ndershëm rreth të kaluarës. Është e vetmja mënyrë që të njihen të gjitha viktimat dhe të ndalohen gënjeshtrat që themi për veten dhe për të tjerët. Familjet e viktimave, 1600 organizata joqeveritare, veteranë dhe klerikë kanë firmosur një iniciativë për themelimin e një komisioni rajonal që do përpilonte një regjistër të plotë të viktimave, përfshi ushtarë të vdekur, policë, vullnetarë dhe ata që ishin shenjestra të pastrimit etnik.
Në fund të këtij muaji, një kërkesë për themelimin e këtij komisioni do i dorëzohet udhëheqësve të të gjitha shteteve që dolën nga ish Jugosllavia. Nëse pranohet, do i jepte fund praktikës së vjetër ballkanike i lënies së viktimave pa emër. Ne vetëm mund të shpresojmë se eventualisht do pastrojmë njollën e të kaluarës një herë e përgjithmonë.
*Natasha Kandic është drejtore ekzekutive e Qendrës Ligjore Humanitare në Serbi. Artikulli u mor nga The New York Times.
Nuk ka komente:
Posto një koment