Doan Dani
Ka qenë një shembull interesant në shkollën fillore të viteve ’80 ku, për të shpjeguar rregullën drejtshkrimore të fillimit të fjalisë me germë të madhe, përdorej rasti i një nxënësi që e fillonte fjalinë me germë të vogël, sepse fjala e parë kishte lidhje me ‘fashizmin’, aq shumë i urryer nga ky vogëlush sa nuk meritonte as respektimin e normave gjuhësore. Me një vizion të këtillë, për rregulla jo më gjuhësore, por shkencore historike, Drejtori i Bibliotekës Kombëtare i shton dëshirës gjykuese – në fakt, historiani duhet të jetë rrëfyes – edhe dëshirën e rrëzimit të hipotezave të ngritura nga ata që ai, në faqen 190 të Skënderbeu: një histori politike, i cilëson ‹‹takëm “historianësh” [...] me osmanllëkun të trashëguar në vena – që rreken deri të numërojnë “privilegjet pa fund” që paskësh gëzuar “rajaja e krishtere”›› dhe që përsërit me patos në faqet 819-824: edhe pse mungojnë adresat, është e lexueshme nga koordinatat që kritika i drejtohet librit Skicë e mendimit politik shqiptar të Hysamedin Feraj, por dëshira dhe argumenti shkencor janë dy paralele të papërputhshme. Ato çka nuk mungojnë janë etiketat e “analizës së gjakut” të kundërshtarit, fenomen i trashëguar nga i racizmi kulturor dhe përjashtimi enverist: të paktën për lidhjen e gjakut me kombësinë duhet të heshtë Plasari. Nga përkthyesi i pilotuar në drejtor nuk mungon gjithashtu as kritika përçmuese ndaj historianëve profesionistë të cilët janë një referim i detyrueshëm për të gjithë studiuesit perëndimorë të historisë së gadishullit ballkanik.
Le t’i kthemi të vetmit argument: renditja e taksave të fshatarit raja në faqen 190, me synim faktimin e gjendjes së rënduar nga zgjedha osmane, është një listë e gjatë me paqartësi dhe stereotipa përgjithësues. Cila është metoda? E thjeshtë fare. Shpiket një pseudostandard ‹‹privilegjesh të pafund››, pasi disa armiq gjakprishur e paskan hedhur në treg, për t’u përballur në vijim me sistemin tatimor osman qëllimisht të përshkruar negativisht dhe si e vetmja e vërtetë ekzistuese, në mënyre që të krijohet tek lexuesi shija e hidhur, paragjykimi dhe urrejtja: pra, nga ekstremi në ekstrem, por që të dy polet i krijon vetë Plasari. Në një listë vetëm me taksa osmane të krijohet përshtypja se më përpara shqiptarët jetonin në një parajsë fiskale. Ky është argumentimi? Përveç kësaj, që kur mjafton vetëm sistemi tatimor për të përcaktuar statusin social? A nuk përbëhet ai edhe nga të drejta e detyrime juridike dhe politike? I mirëpresim tek ribotimi i librit. Deri atëherë duhet gjetur ndonjë “mizori” e re, sepse xhizja – 46 akçe ose 40 kg grurë në vit (shek. XV), të paguara vetëm nga meshkujt në gjendje pune – nuk është më “emocionuese”. E trajtuar në mënyrën e Plasarit kjo përcjell trashëgiminë e historiografisë ideologjike: në të gjithë librin përshkrimi institucional i sundimit osman krahasohet me këto taksa, në notat e fundfaqes 190, dhe me betejat.
Sigurisht që metoda krahasuese në raste të tilla, për shkak të hapësirës territoriale dhe kohore, është terren i minuar dhe përfundimet, kur pretendohet një gjykim përgjithësues, janë të brishta, por të paktën mund dhe duhet të përjashtohet subjektivizmi. Do të ishte mjaft thjeshtësuese, për shembull, konsiderata e përshkrimeve pozitive të Noel Malcolm ndaj sundimit osman në Kosovë gjatë periudhës fillestare nëse kjo nuk do të shoqërohej nga sqarime përkatëse: edhe pse mund të përshkruhen ekstremet, përgjithësimi nuk ndërtohet me dhjetë taksa e disa beteja – do të kemi mundësi t’i shikojmë në një moment tjetër edhe ekzagjerimet hollivudiane në lidhje me shifrat dhe katastrofizmin e pretenduar nga Plasari.
Kolegët e rajasë
Fillimisht duhet konsideruar sistemi fiskal bizantin i cili është edhe më i ngarkuar, sidomos në tre periudha kritike që përkojnë me rimëkëmbjen perandorake dhe agoninë e saj. Vetëm taksat bizantine shtesë të vendosura nga Aleksi I Komneni arrijnë në 23% të vlerës së përgjithshme të taksave. Lista e taksave të kërkuara nga Venediku në Arbërinë veriore fillon me detyrimet standarde mbi tokën dhe vazhdon me taksën e kullotave, barit, mullirit, ullinjve, peshkimit, të prodhimeve të ndryshme bujqësore dhe blegtorale, taksat e lidhura me tregjet dhe doganat, monopolet mbi grurin dhe kripën. Nuk duhet harruar trashëgimia e taksave serbe si p.sh obroku, që Venediku dhe zotërinjtë shqiptarë mbajtën në fuqi.
Po kështu, në pjesën perëndimore të Evropës taksat i takojnë një liste mjaft të gjatë. Duby, një nga medievistët më të njohur të shek. XX, në veprën monumentale L’economia rurale nell’Europa medievale, ndriçon realitetin ekonomik të fshatarësisë mesjetare perëndimore. Kështu, ‹‹bujtimi, ashtu si corveé [angaritë] ose taksa e xhandarmërisë [ruajtësit e rendit], shfaqen që në shekullin e XI si vjelje të rregullta taksash vjetore››. Duke qëndruar në ambientin e preferuar të Plasarit, Duby vazhdon me taksën e veçantë të trashëgimisë: për të zotëruar pronën e prindërve, pasardhësve u nevojitet një sasi që ‹‹në abacinë e angleze të Ramsey arrinte në shumën e larte prej 5 soldash, dhe nëse trashëgimtarët nuk e paguanin, toka mund›› t’u merrej. Gjithmonë në Angli, në zotërimet e kishës së Ely, weekworks ose angaritë javore u rritën me 10% brenda 30 viteve. Me angari dhe taksa ishte organizuar edhe prona e kishave gjithandej në Arbëri. Sa ishte e thjeshtë të shtohej numri ose përqindja e taksave e vërteton më së miri libri i Plasarit kur dëshmon se Papati i kishte imponuar fshatarësisë një ‹‹të dhjetë›› shtesë kundër turqve: me këto të holla do të financohej rezistenca e Skënderbeut, por, siç e shpjegon hollësisht autori në kapitujt e fundit, Heroi mori disa thërrime si lypës – i tillë përshkruhet nga Plasari – që vërdallej mes Romës, Napolit dhe zotërimeve të Venedikut.
Taksat e lidhura me tokën, një normalitet evropian
Ispenxheja ose resmi ispençi nuk ka të bëjë aspak me marrjen ‹‹përdhunshëm e fëmijëve më të mirë, nga 1-12 vjeç, për të mbushur radhët e jeniçerëve››. Vetë autori ka paqartësi, pasi në faqen 840 e shpjegon si një ‹‹nga taksat osmane që u merrej qytetarëve të rritur jomyslimanë; u vendos fillimisht në Serbi [...], më vonë në Arbëri, si dhe në Anadoll etj.; nuk duhet ngatërruar, siç ndodh, me penxhikun››. Mbase shpjegimi (gabimi) i faqes 190 është pasojë e nxitimit.
Sidoqoftë, Resmi ispençe për të krishterët, dhe çift resmi për muslimanët, janë taksa të lidhura me tokën, të fiksuara nga 20 deri ne 25 akçe në vit dhe në këtë masë kanë mbetur për një kohë të gjatë: i kanë shtjelluar gjerësisht Inalcik, Shaw, Sugar, Cahen etj. Këtë shifër e ka pranuar edhe Selami Pulaha në Defteri i regjistrimit të sanxhakut të Shkodrës i vitit 1485. Madje, për zonën jugore të Shkodrës, vazhdon përsëri Pulaha, kemi ‹‹vetëm një ndërrim të kryezotit feudal si dhe një zëvendësim të proniarëve me spahijtë, pa shkaktuar gjatë kësaj faze fillestare ndonjë ndryshim thelbësor përsa i përket rentës, në krahasim me gjendjen e para pushtimit [...] Në të vërtetë sistemi i hinnesë dhe hëntasë nuk është tjetër veçse vazhdimi i sistemit të dukatit dhe modit, që ishte aty në zbatim në periudhën para pushtimit››. Hënta ishte e barasvlershme me një “barrë grurë” ose me mod-in venedikas, ndërsa Hinneja ishte rreth 52 akçe për familje.
Ciftlik-u, sipas Braudel në The Mediterranean and the mediterranean world in the age of Philip II, korrespondon me taksen bizantine të njohur si zeugarion, e përllogaritur në bazë të tokës së plugueshme: është e ngjashme me ispenxhen, me taksën gjermane morghen ose joch, me taksën franceze jour ose journal. Shpjegimi që Plasari i ka dhënë ispenxhes në fakt i takon devshirmesë, asaj që shpesh në historiografinë tonë quhet emocionalisht "haraç i gjakut", mirëpo mënyra e shpjegimit, përveç boshllëqeve historike, ndjek vijueshmërinë e linjës së përshkrimit letrar të osmanëve, larg përshkrimit shkencor racional. Mund të themi që është një taksë normale për të gjithë fshatarësinë evropiane, me ndryshime në pagesë, në formë dhe emërtim.
Ndër të tjera, një mundësi karriere
Devshirmeja – fëmijët meshkuj të krishterë të mbledhur nga Porta nëpër Ballkan – normalisht interesonte çdo shtatë vite një individ për çdo dyzet shtëpi, me përjashtim të periudhave të veçanta. Sugar, në Southeastern Europe under ottoman rule, 1354-1805, pajtohet me llogaritjen e rreth 200.000 kapikullarive, si rezultat i devshirmesë në ato dy shekuj kur ky sistem veproi; që nuk duhet të kenë qenë shifër e lartë e dëshmojnë defterët e fund shekullit të XVI, ku jeniçerët ishin rreth 10.000 – shumë larg hiperbolave të Plasarit –, në një shumë prej rreth 12.000 kapikullarish – ndër te tjera, kjo tregon se jo të gjithë ndiqnin karrierën ushtarake; defterët e momentit të ardhjes në pushtet të sulltan Sulejmanit sjellin shifrën e rreth 30.000 jeniçerëve; që nuk duhet të këtë qenë aq traumatike e dëshmon leja e vitit 1515 e marrë prej Portës nga boshnjakët, për të dërguar 1.000 fëmijë çdo vit, madje, sipas Sugar, arrinin deri në atë pikë sa të korruptonin nëpunësit e ngarkuar në përzgjedhje; është gjithashtu e dokumentuar që pjesa më e madhe e këtyre të rinjve vinte nga rajoni i Bosnjës, çka nënkupton se trojet shqiptare, ashtu si edhe trojet e popujve të tjerë ballkanik, janë të prekura indirekt dhe përkohësisht nga devshirmeja. Taksa konsiderohej nga të taksuarit si mundësi karriere për fëmijët e tyre dhe duhet shtjelluar në atë kontekst territorial e kohor, jashtë implikimeve emocionale nacionaliste të shek. XIX dhe XX ose fetaro-klerikale, apo qoftë edhe personazheve që nuk i vizituan kurrë territoret osmane, por vazhdojnë të jenë rrëfime bazë në favor të kritikës së kësaj takse. Roli i saj duhet gjykuar pozitivisht në realitetin boshnjak dhe duhet reduktuar në realitetin shqiptar.
Angaria në Ballkanin paraosman
Taksën e angarisë, fenomen tipik perëndimorë, Perandoria Osmane e trashëgoi nga Bizanti. Jo rastësisht Jeniçeri nga Ostrovica, në Cronaca turca: ovvero memorie di un giannizzero, një burim i përdorur nga Plasari në disa momente, shkruan që popullsia e krishterë ballkanase nuk i detyrohet ‹‹asnjë corveé [angari], as perandorit [sulltanit], as zotërinjve [spahinjve]››. Nga e gjithë lista e taksave që duhej të paguante fshatari raja as Plasari nuk arrin t’i gjejë termit ‘angari’ emërtimin osman, kjo sepse është tërësisht importim, madje edhe në formën e shlyerjes: territori shqiptar ishte i familjarizuar që përpara ardhjes së osmaneve me detyrimet në angari nga bizantinët, serbët, bullgarët dhe frymëzimi i përtej Adriatikut, pa harruar vetë krerët shqiptar që natyrshëm përfitonin nga ky taksim i popullsisë, ashtu siç përfitonte çdo feudal evropian. Për Fine Jr., në The late medieval Balkans: a critical survey from the late twelfth century, angaria sipas Kodit të Stefan Dushanit është e aplikueshme si në pronat e manastireve – veçanërisht në pronat kosovare të manastirit serb të Hilandarit, ku ka dhënë kontributin e vet familja e Kastriotëve – ashtu edhe në zotërimet feudale, pra edhe nga ato feudal shqiptar që i shërbenin Dushanit. Zakoniku i Dushanit parashikonte punë angarie për ‹‹dy ditë në javë››, e përveç këtyre edhe ‹‹disa ditë punë në momente të veçanta gjatë vitit›› si: vjelja, mirëmbajtja e urave, e mureve, e rrugëve, etj. Regjistrimi venedikas i zonës së Shkodrës, i vitit 1416-1417, përcakton ato kategori fshatarësh që, ndër të tjera, ishin të detyruar me punë angarie, me origjine nga periudha bizantine ose serbe, dhe këto angari shfrytëzoheshin nga të gjithë zotëruesit e tokave sipas sistemit të pronjës: do të thotë që sundimi i homologëve të Skënderbeut mbi fshatarësinë shqiptare nënkuptonte edhe angarinë mbi këtë pjesë të popullsisë, madje mund të shtojmë që zotëruesit, si p.sh Balshajt, rekrutonin ushtarët nëpërmjet projnarëve të tyre, të cilët ishin të detyruar të mblidhnin taksat dhe të paraqiteshin me ushtarë-fshatarë, përveç taksave që mbanin për vete.
Angaria në Perëndim
Në të njëjtën kohë, në Evropën perëndimore angaria e njohur si corveé aplikohej në masë të ndryshme në varësi të rajoneve, mbi fshatarin e “lirë”. Për një tablo më të qartë na ndihmon Toubert, ku vetëm në abacinë e Bobbio-s, në Italinë veriore, ka regjistruar 350 familje që jepnin 20 deri 30.000 ditë në vit angari. Situata nuk ndryshon edhe në shekujt pas mesjetës: në vitin 1840, Vincenz’ Ercole Emiliani vërente që Italia nuk ishte plot me servus glebae – ata që në historiografinë tonë, me ngjyresa marksiste, njihen si bujkrobër, term që ka përfunduar të identifikojë të gjithë fshatarësinë mesjetaro-moderne pa asnjë dallim, së bashku me fshatarësinë e lirë –, por, vazhdon Emiliani, ‹‹pak ishin ato feudale që nuk kishin një numër të larte nën varësinë e tyre››. Akoma në fillim të shekullit të XIX kjo lloj “skllavërie” ekzistonte në Spanjë, Portugali, territoret gjermane, etj. Vetëm në 1848, pas lëvizjes revolucionare, perandoria Austro-Hungareze do ta abrogojë me ligj, ndërsa fshatarësisë ruse i duhet të presë vitin 1861 dhe përfundimisht revolucionin e 1917. Sikur fshatarët shqiptarë të mos e njihnin angarinë dhe sikur kjo të ishte e huaj edhe për fshatarët evropianë, atëherë mund të merrte ndonjë vlerë përshkrimi i Plasarit.
Dallimin e bën piramida e pushtetit
Siç vërehet, ndryshimi nuk qëndron tek sistemi tatimor, ku në disa aspekte janë të regjistruara përmirësime në krahasim me situatën paraardhëse apo përtej Adriatikut, por qëndron tek gjendja juridike e fshatarit. Për shembull, edhe pse një imtësi: në disa raste Zakoniku i Dushanit parashikonte gjobitje të dyfishtë për shqiptarët dhe vllahët, ndërsa Kodi i Sulejmanit, sipas Studies in the old ottoman criminal law të Heyd, dyfishonte gjobat ndaj muslimanëve.
Në linja të përgjithshme, me edictum de beneficiis (1037) dhe vijimin drejt feudalizmit të plotë të shoqërisë nga shekulli i XIII, fshatari perëndimor, krahas “skllevërve” – që nuk ndodheshin në pozitat e skllavit romak –, i nënshtrohet tashmë plotësisht zotëruesit të tokës, majës së piramidës që fshatari mund të shikoje në horizont. Spahinjtë e Perandorisë Osmane të shek. XV, zotëruesit e tokës, përveç të drejtave fiskale nuk gëzojnë të tjera thelbësore, sepse nuk kanë pushtet feudal: ja përse nevojitet institucioni i kadiut, i projektuar në burokracinë e Stambollit dhe jo të spahiut. Këtu ndodhet thelbi i ndryshimit dhe fshatari osman i secilës fe mund të jetë teorikisht në kushte më të favorshme. O. J. Schmitt në Arbëria Venedike (1392-1479) e përshkruan pronjarin e emëruar nga ‹‹mbreti/cari serb/; dinastia e Balshajve; Republika e Venedikut››, si mëkëmbës të pushtetit “qendror” në ato fshatra ku ‹‹sundimtari faktikisht e humbiste kontrollin mbi zonën përkatëse [...], humbiste ndikimin politik››. Pronjari në sundimet e Balshajve dhe të Venedikut kishte mbi fshatarin të drejta që spahinjtë osman nuk i kishin dhe ‹‹fshatarët e pronjave ishin, në krahasim me fshatrat që vareshin prej një kryetari [nuk duhen konsideruar fshatra të lira], në gjendje me të keqe, pasi mbi ta rendonte një peshë shumë më e madhe detyrimesh dhe punësh angari››, thekson Schmitt. Fshatrat e zonave malore zakonisht i nënshtroheshin Balshajve ose Venedikut nëpërmjet një kryetari dhe detyrimet ishin të reduktuara: nga ana tjetër, 159 familjet e Kelmendit, të vitit 1485, i detyroheshin sundimtarëve osmanë një shumë vjetore prej 2000 akçesh, ku xhizja ishte rreth 7 akçe për familje, në një kohe që në pjesën tjetër të perandorisë ishte 46 akçe për person.
Shembull domethënës mbi perceptimin e imponimit të një realiteti perëndimor është ai i Kretës pas kalimit nën sundimin venedikas. Në këtë ishull situata e fshatarësisë përkeqësohet më tej në aspektin juridik: fshatari paroikoi afrohet me gjendjen e “skllavit” bizantin deri në atë masë sa të mos flitet më për diferencë mes fshatarit të lirë dhe “skllavit”, siç vëren Gallina në Conflitti e coesistenza nel Mediterraneo medievale: mondo bizantino e Occidente latino. Edhe pse Venedikut i mungonte roli parësor i një ekonomie me tipologji të theksuar feudale është i dukshëm ndryshimi i statusit të fshatarit mes sundimit bizantin dhe atij venedikas.
Është i lehtë spekulimi me gjendjen ekonomike apo me të drejtat e njeriut në mesjetë, duke e krahasuar me fshatarësinë e shek. të XX. Në rastin konkret mungon ekuivalenca e krahasimeve reale, dhe më e rëndësishmja është se mungon vullneti për një qasje argumentuese, e kur mungon vullneti sigurisht edhe pikënisjet ngelet të prezantohen si shtysa tifozerie. Të dhënat e mësipërme tek Defteri i regjistrimit të sanxhakut të Shkodrës Selami Pulaha i ka shqipëruar nga veprat burimore të Halil Inalcik dhe Ömer L. Barkan, nga ata historianë që Plasari kritikon (!), e nga ana tjetër nuk heziton të përvetësojë përkthimet e Selami Pulahës, mbase me pretekstin që ky i fundit i përket historiografisë tonë, por duke harruar që Pulaha ka përpunuar Inalcik-un dhe Barkan-in. Historiografia është pasion, por dëshira nuk mund të zëvendësojë shkencën.
* Ky shkrim është vazhdim i atij të botuar disa ditë më parë tek E-zani i Naltë me titullin "Skënderbe i ri me paragjykime të vjetra dhe mesazhe të reja". Këto shkrime janë botuar fillimisht në një variant më të shkurtuar në revistën "Shenja".
Doan, komplimente!
PërgjigjuFshijeWe are prowd of you, pa tifozeri por me argumente cilesore :)
E imagjinoj si liber kete kritike ndaj Plasarit.
mashAllah & suksese te me tejshme