e hënë, 2 maj 2011

Vritet Bin Laden

Organizatat më të mëdha myslimane në ShBA mirëpresin lajmin e vrasjes së Osama Bin Laden dhe e përshëndetën si akt drejtësie për viktimat e 11 Shatorit.


Për mëse një dekadë Bin Laden pretendoi të ishte mbrojtësi i myslimanëve kundra agresionit të Perëndimit, por mijëra myslimanë në të katër anët e botës kanë qenë viktima të dhunës së operacioneve të organizatës së tij, përfshi edhe në sulmin e 11 Shtatorit.


Vdekja e tij vjen në një kohë kur por i vjen fundi dhe botës që e krijoi atë politikisht. Bin Laden fitoi prominencë në kulmin e luftës së ftohtë në luftë kundra pushtimit sovjetik të Afghanistanit, por ktheu energjitë e tij kundra regjimeve të Lindjes së Mesme dhe aleatëve që i mbështesnin ata në Perëndim. Sot diktatorët e Lindjes së Mesme po bien jo si përgjigje e thirjes së tij të militantizmit, por nga protesta masive popullore.


Fill pas sulmeve të 11 Shtatorit pati analistë që thanë se sulmet ishin përpjekja e tij për të vazhduar për të qenë relevant në një kohë kur mendohej se ai nuk kishte – sic kishte shpresuar – të galvanizonte lëvizje massive militante në Lindjen e Mesme. Teksa deklaronte luftë kundra superfuqisë së botës, ai kish dështuar qoftë edhe në luftë kundra diktaturave të urryer nga popujt e vet në Lindjen e Mesme si në Egjipt. Studiues si Feisal Devji i Universitetit të Oxford-it vunë në dukje se Afghanistani kishte qenë përherë destinacioni i dështakëve politikë. Ai nuk arriti të merte rolin qendror në Lindjen e Mesme dhe përfundoi për vite i fshehur në zonën midis Pakistanit dhe Afghanistanit. U mendua që lufta në Irak mund t’i jepte pak më shumë jetëgjatësi dhe relevancë politike, por ishte e qartë se vizioni i tij politik kishte dështuar në kapjen e imagjinatës politike të Lindjes së Mesme.


Shpresojme që vrasja e tij të sjellë ngushëllim në zemrat e atyre që kanë humbur të dashurit e tyre në sulmet e organizuara nga AL-Kaida. Theksojmë, gjithashtu, se lufta kundra terrorizmit nuk duhet të mjaftohet me vrasjen e një njeriu, por duhet të adresojë arsyet që krijuan kushtet për përhapjen e ideologjisë dhe militantizmit që ai promovoi.

1 koment:

  1. Vrane alibine qe vet e kishin ngritur. Eshte deshperuese qe ne kohet e sotme faktorizimi dhe perfundimi apo eliminimi te serviret si show biz... apo, telenovela alla CNN apo FOX NEWS.

    PërgjigjuFshije