e diel, 15 maj 2011

Xhamia e re e Tiranës: çoroditje elektorale


Nga: Klodjana Malushaj

Shpërfytyrimi ligjërimor e banalizimi që po i ndodh sot politikes nga partitë politike shqiptare, brenda të cilave shtresëzohen masivisht virusi i klientelizmit, më imponon të shpreh qartë qysh në fillimin distancim e mospërkatësi në totalitet karshi çdo kahje partiake që mëton ta kthejë bërjen e politikës në shesh pazari, ku unë të jap kaq e ti më jep aq; unë të bëj këtë favor dhe ti më bën atë favor; unë të premtoj kaq ndërtime rrugësh, ujësjellësash, kishash apo xhamiash, e ti më premton kaq numër votash elektorati. Pasi, nëse do qëndrojmë në këtë stad “bërje politike”, nuk kemi bërë gjë tjetër veçse, e kemi zhveshur dhe zhbërë subjektit politik integral të Popullit në popull, nga një subjekt politik esencialisht cilësor, në një objekt partiak sasior, i cili nuk rresht së shënjuari brenda kategorisë së numrit, duke humbur kësisoj çdo tipar cilësor të të qenurit politik, për të përfunduar tragjikisht në formë pa përmbajtje të subjektit, sikurse dhe pashmangshmërisht në tëhuajësimin e politikes.


Andaj, lipset të theksohet se qëllimi i vetëm i ekzistencës së tij nuk duhet të jetë kënaqja në boshësinë/vakuumin e të qenurit thjesht numër dhe si i tillë lehtësisht i instrumentalizueshëm dhe i manipulueshëm në duart e partive politike për legjitimimin e aksh marrësi të pushtetit. Qëllimi i tij imperativ duhet të jetë kapërcimi i frikës, dalja nga stadi i foshnjërisë dhe marrja e forcës së guximit e të përgjegjësisë, duke e shpërfaqësh veten si subjekt cilësor politik.

* * *

Përvijimi i parashtruar konceptual nuk lindi nga hiçi e as nga pavetëdija, përkundrazi i stimuluar si kundërpërgjigje ndaj realitetit opak “politik” që na u shpërfaq në fushatën e sapo mbyllur elektorale, e cila ngërtheu në vete plane mjaft dëshpëruese e shqetësuese. Një ndër këto shqetësime, të cilit i kushtoj edhe këtë shkrim, lidhet, në fakt, me mënyrën e shtrimit, artikulimit apo servirjes së çështjes së ndërtimit të Xhamisë së re të Tiranës nga të dy kahet partiake.


Të mobilizuar seriozisht për fitoren e “betejës së numrave”, e të ndërgjegjesuar për sasinë numerike të konsiderueshme që komuniteti musliman posedon, të dyja palët filluan lojën e mbrapshtë, gjithsesi të mirëpërllogaritur paraprakisht, ku qëllimi final është vetëm futja në vorbullën e përthithjes së numrit dhe jo të përgjeshmërisë së zgjidhjes cilësore të çështjes. Po, po vetëm kaq, sasia mjafton; cilësia element i parëndësishëm a për më tepër i rrezikshëm. Prandaj, sa më i gjatë qëndrimi në foshnjëri i elektoratit, mundësisht në përhershmëri, avantazh madhor për jetëgjatësinë manipuluese prej liderave tanë partiakë.


Kësisoj, axhendat partiake matëse të shkëlqyera deri në detaje të kosto-përfitimeve, gjithmonë në kurriz të popullit numerik dhe gjithmonë e më tepër në rritjen e figurës autoritare të pushtetit të liderve, e përzgjodhën, jo rastësisht, përfshirjen në axhendat e tyre elektorale çështjen e Xhamisë së re.


Gjithsesi, shumë kush me të drejtë do shtronte pyetjen: “A vetëm problemi i Xhamisë së re u kishte mbetur pa zgjidhur muslimanëve prej qeverisjes vendore dhe lokale?!” Ndërsa si de jure dhe de fakto vajzat dhe gratë muslimane me shami vuajnë pasojat e refuzimit dhe të injorimit persistent, për t’u pranuar në institucionet publike qoftë kjo për punësim apo arsimim, e pa përmendur një mori problemesh e barrierash të tjerash që komuniteti musliman përballet përditë. Andaj, natyrshëm lind pyetja përse vallë u përzgjodh pikërisht çështja e ndërtimit të Xhamisë?

* * *

Xhamia quintesencë e të tubuarit kah Zoti, ku besimtarët/ret bashkohen nën strehën e publikes e të unitetit komunitar për të trashenduar në botën e përtejme. Xhamia vendi që lidh dy botët, banesa ku mishërohen dhe ngërthehen në formën më të harmonishme gjithë dimensionet e Islamit, nën vulën e manifestimit të artit dhe tipologjisë së arkitekturës islame. Andaj, jo pa qëllim, manifestimi i artit islam konsiderohet si ndërmjetësues për te e Shenjta, par excellence, pasi ai mbetet fryt estetik vetëm i atyre që i njohin, përjetojnë e manifestojnë sinqerisht parimet e Islamit. Xhamia është banesa që mendohet, ndërtohet dhe banohet vetëm prej besimtarëve. Me pak fjalë, xhamia mbetet vendi më i dashur e më i rëndësishëm për cilindo besimtar/e musliman/e, e megjithatë nuk mund të thuhet e njëjta gjë për cilindo tjetër (gjithmonë parë në spektrin e rëndësisë cilësore).


Si mundet aherë partitë politike, të cilat në situata të caktuara, kur bëhet fjalë për pjesëmarrje aktive publike, qytetare nga ana e muslimanëve, ngrehin barrierat përjashtimore nën preteksin e laicitetit, të ndarjes së shtetit nga feja, ndërkohë, krejt papritur vërejmë të demostrohet një zell e rivalitet “i pashpjegueshëm” për të marrë ekskluzivitetin e ndërtimit të Xhamisë, objektin më përfaqësues të fetares!? Nga një këndvështrim krejt naiv të fenomenit, për pak do mendonim se politikanët tanë kanë hequr dorë nga asnjëanësia e sistemit laik të të qeverisurit dhe i janë kthyer sistemit islamik të qeverisjes, ku fetarja bashkëjeton e ndërlidhur me shtetit. Ama, opinioni publik që i njeh mirë truket manipuluese të politikanëve, po ashtu e di se një hamendësim i tillë, mund të rroket vetëm nga një mendësi naive, e asesi nga mendjet me një fill inteligjence, nuk e shqetëson fare ky fakt. Se e di që loja e joshjes “dashurore” të politikanëve karshi Islamit dhe besimtarëve të tij në kohë fushatash, do të përfundojë me lënien e tyre nën efektin e çoroditjes dhe të pezulltisë.


Gjithsesi, të specializuar tashmë në fushata pompoze fasadash publicitare elektorale, të dy kahet politike ia arritën që nën zhurmën kakofonike të tragjedi-komedisë elektorale të ndiznin sensacionalizimin dhe çoroditjen e rradhës. Njëri kah, na ofroi projekte xhamiash, ku përpos emrit, besimtari/ja nuk mundi të gjente tjetër veç zbrazëtisë dhe zymtisë shpirtërore, që mund t’i fali kundrimi i kësi pseudoprojektesh. E si për të mos u mjaftuar me fyerjen në mospërfaqësim, kryetari i Bashkisë i mbivendos çështjes në fjalë edhe një plan tjetër mjaft të debatueshëm, duke e projektuar ndërtimin e xhamisë në një truall me një mori problemesh të pazgjidhura çpronësimi. Ndërsa krahu tjetër, duke mos lejuar t’i shkasë situata nga dora, iu desh të kryente edhe ai zhurmën e vet opozitare (pavarësisht se është në maxhorancë), duke i premtuar KMSH-së me fraza boshe, të cilat jemi mësuar t’i shohim ndryshe të institucionalizuara (kinse për të rritur “besueshmërinë”) me lëshimin e një VKM-je, (pa marrë parasysh, që realizimi i këtij projekti duhet të marri edhe miratimin e planit urbanistik të Bashkisë) se ndërtimi i xhamisë do të bëhet te Namasgjaja. Një pretim ky në fakt i kahershëm nga maxhoranca, që zgjohet përherë në kohë fushatash.


Së fundmi, mund të themi se muslimanët janë rregjur tashmë me vajin iluzor e me idhtësinë e uthullës reale të falur nga “politika” e klaneve shqiptare në çdo fushatë elektorale, ku zhgënjimi i projektit të Xhamisë së re ripohoi mbivendosjen e zhgënjimeve të shumta që ky komunitet ka marrë deri tani, e do të marrë derisa vetë komuniteti musliman të ndërgjegjësohet për kapërcimin e stadit foshnjor, brenda të cilit vetëm numërohet, e të ngrihet në stadin e maturisë cilësore. Vetëm atëherë do mund të flisnim për sfidim dhe përballje dinjitoze të muslimanëve nga goditjet çoroditëse dhe instrumentalizuese të politikës klienteliste partiake shqiptare.

1 koment:

  1. Mendoj se shkrimi eshte shume cilesor. Personalisht te falenderoj per illustrimin e tille te problematikes ne fjale.
    Uroj qe te tjera çeshtje te na paraqiten ne menyre kaq te bukur, dhe kjo te ndodhe ne vazhdimesi.
    Urime dhe komplimente te sinqerta.
    V.

    PërgjigjuFshije