e premte, 6 maj 2011

Muslimanët përtej ofertës elektorale


E. Mërtiri

Sa herë që afrohen zgjedhjet, shohim sesi politika shfaq afrim të pazakontë ndaj muslimanëve. Politikanë të shumtë nxitojnë të takojnë njerëz nga xhemati, imame, aktivistë, besimtarë të thjeshtë, në të cilat nuk mungojnë shfaqjet e simpatisë së së tyre ndaj fesë. Një gjysh që është falur dikur, i rinxjerrë në kujtesë duke shkundur pluhurin e harresës, një klerik në trungun gjenetik që ekspozohet befas, pas shumë kohësh i fshehur si njollë biografike, një vakëf i dhuruar nga dokush prej paraardhësve, të cilit ndoshta mund t’ia shohim sadopak hajrin megjithë keqardhjen që s’e trashëguam dot, janë jorrallëherë urat e ndërlidhjes së tyre me besimtarët, nëpërmjet të cilave synonet trafikimi i votave që, ndryshe nga c’ndodh rëndomë, nuk peshkohen me premtime elektorale për vepra të mëdha publike, por me ekspozita lidhjesh te fshehta shpirtërore që rreken të krijojnë simpati tek kjo pjese e veçantë elektorati. Pa dashur të merremi me skutat e zemrave, vlen të vemë në dukje se komunikimi i politikës me xhematet ka një raport krejt të ndryshëm, iracional, që nuk përkon me atë që ndodh në përgjithësi në politikën shqiptare, por që nuk përkon as me atë që po ndodh vërtetë në raport me sjelljen reale të politikës me muslimanët. Teksa për katër vjet, muslimanët janë gjithmonë grupi social më i diskriminuar dhe i përjashtuar në Shqipëri, për një muaj ata bëhen bashkësia më e simpatizuar e kandidatëve për postet drejtuese elektorale.


Në fakt, problemi nuk qendron shumë tek politikanët. Sigurisht që fushata është pikërisht për këtë qëllim, për tu prishur mendjen zgjedhësve. Ajo që vlen të diskutohet, për të mos mbetur më thjesht një lagunë që shfrytëzohet vetëm për gjah elektoral, është sjellja jonë ndaj ofertave pa bereqet që na vijnë nga të katër anët. Takimet e herëpashershme të disa prej drejtuesve fetarë me kandidatë të ndryshëm në zgjedhje, por edhe me drejtues të lartë të shtetit shqiptar, deri tani kanë rezultuar një dështim. Politika ka vijuar të jetë diskriminuese për ne, megjithëse gjithmonë e më tepër i mbushim vetes mendjen se jemi një faktor i madh zgjedhor. Shumë nga drejtuesit tanë fetarë nuk ngurrojnë ti bien lapsit dhe të kalkulojnë vlerat tona statistikore që, sipas tyre tregojnë peshën, gjithmonë në rritje që ne si komunitet kemi në orientimet politike në vend. Një gjë e tillë është artikuluar edhe në hutbet e disa prej xhamive të kryeqytetit, gjë që tregon që oreksi ynë në këtë ankand votash është shtuar, duke kërkuar tashmë oferta më të mëdha. Në fakt, këto kalkulime dalin gjithmonë të gabuara.

Së pari, xhemati nuk është dele, që ta orientojë votën gjithmonë në funksion të ngjyrës së rradhës së semaforit imamnor. Natyrisht, një pjesë e madhe e muslimanëve, ashtu si çdo komunitet tjetër, kanë bindjet e tyre individuale, të pandikueshme nga ixhtihadi politik i drejtuesve, të cilët dukshëm shfaqen të painformuar dhe të paaftë për të gjykuar për shumë prej problemeve që marrin përsipër të zgjidhin. Në këtë mënyrë, çdo kush e kupton se sfera e influencës së tyre reduktohet vetëm në një përqindje të vogël brenda xhematit, e cila është e lëkundur ndaj partive, por edhe e bindur ndaj imamëve.

Së dyti, kjo kategori drejtuesish fetarë nuk kupton se përfshirja në këto oferta tavolinash informale, dëmton kredibilitetin e tyre, gjë që rezulton me një kosoto të ndjeshme të autoritetit fetar në xhemat, por edhe më gjerë, në opinionin publik, për aq sa ky angazhim i ekspozohet publikut.

Këtu nuk po flasim për shpërfillje të politikës. Njeriu është i detyruar të anagzhohet në shoqëri, dhe për rrjedhim, politika është shpesh e pashmangshme. Ndoshta, nëse do të ishim një komunitet i pjekur, i ndërtuar mirë institucionalisht dhe të integruar në shumë fusha në shoqëri, do të mund të ishim shfaqur si një komunitet me peshë në vendimmarrje. Por, çdokush e kupton që jemi shumë larg kësaj, dhe as që mund të bëjmë fjalë për gjëra të tilla. Në këto kushte, çdo angazhim i tillë, në nivele primitive të ligjësisë së kërkes-ofertës, rezulton një pazar i keq. Aktualisht, vërejmë se, megjithëse kërkesa jonë është rritur, sjellja e politikës ndaj nesh nuk ka ndryshuar aspak. Ne vijojmë të mbetemi komuniteti më i margjinalizuar në Shqipëri. Duke u përfshirë në ofertat e tyre, asgjë nuk bëhet në dobi përmirësimit të gjendjes së muslimanëve, dhe në funksion të eleminimit të barrierave të ngritura nga institucionet shtetërore. Ne vazhdojmë të ndeshemi me diskriminim, përjashtim, harresë dhe pengesa nga shteti ynë.

Nga e gjithë kjo, vlen të kuptojmë se kemi nevojë të distancohemi nga kjo kulturë komunikimi me politikanët, e cila nuk i shkon për shtat natyrës një komuniteti fetar. Qasjet tona në zgjedhje duhet të ngrihen mbi parime dhe kurrsesi mbi pazare tryezash informale që nuk ofrojnë kurrfarë garancie. Kemi nevojë të shfaqim hapur depolitizimin tonë, dhe distancimin prej këtij realiteti politik që po u shkakton vetëm halle shqiptarëve. Ne edhe mund të zgjedhim të keqen më të vogël, midis dy të këqijave (i vetmi kusht, që mendoj se duhet të na nxjerrë në votime), por nuk mund të bëhemi mbështetës të saj, nuk mund të rrjeshtohemi në krah te saj, e aq më keq, nuk mund te përdorim autoritetin fetar për këtë. Për më tepër, këtë nuk mund ta bëjnë njerëz të veshur me petk fetar, aq më pak në mënyrë publike, e aq më pak gjatë ligjëratave fetare. Kemi nevojë t’i lemë njerëzit të zgjedhin vetë, në bazë të perceptimeve të tyre mbi realitetin ku jetojnë. Njerëzit e ndjejnë vetë nëse politikat shtetërore, qofshin këto vendore apo lokale, kanë qenë favorizuese apo diskriminuese për ne dhe janë vetë besimtarët që do të duhet të gjykojnë se cili prej tyre është më i disfavorshëm. Nëse një forcë politike, në pushtetin qendror apo vendor, na ka me sy të mirë, kjo vlen të dëshmohet në sjelljen e saj përgjatë katër viteve qeverisje dhe jo në simpatitë e shprehura përgjatë një muaji fushatë çdo katër vjet. Për këtë arsye, mendoj se nuk e ka askush tagrin dhe përgjegjësinë që të flasë në emër të votuesve muslimanë. Askush nuk ka të drejtë te negociojë me forcat politike, duke premtuar votat e muslimanëve në këmbim të favoreve prej politikës. Askush nuk ka të drejtë të përdorë autoritetin fetar për këtë. Gjithsekush e ndjen vetë kamzhikun apo përkëdheljen e një force politike apo një tjetre, ndaj sot, më shumë se kurrë, duhet të flasë vetë individi me zgjedhjen e vet.

Nuk ka komente:

Posto një koment