e shtunë, 7 maj 2011

Xhamitë e Tiranës


Elton Hatibi

Teksa prisja rradhën për t’u shërbyer tek berberhana e lagjes, poshtë grumbullit me gazeta bastesh sportive që sajdisin klientët zakonisht, me kapi dora nje revistë te pazakontë për të tilla ambjente, e titulluar “Ide për qytetin”, botim i forumit “Iniciativa për Tiranën”. Ndërsa kopertina lart punuar me teknika kompiuterike ofronte një imazh të një Tirane historike, poshtë ishin renditur emrat e disa dhjetëra njerëzve me kontribute në jeten publike bashkëkohore kryeqytetase. Idetë dhe sugjerimet mbi të ardhmen e qytetit, të cilat nuk i degjuam qartë prej pjesmarrësve në fillim të herës si pasojë e kakofonisë elektorale, organizatoret i kishin renditur në format të shtypur për t’i mundesuar publikut të njihej më afër me to.


Nga titujt e shkrimeve, pjesëmarrësit në këtë forum, profesionistë nga fusha të nryshme kishin trajtuar tema që përkonin me formimet e tyre profesionale, duke pasur si shqetësim qendror zhvillimin shumplanësh të jetës urbane në Tiranë. Ndërkohë faqet e revistës ishin të ilustruara me imazhe të Tiranës së vjetër, me disa perjashtime fotosh nga koha e diktatures. Personalisht më intrigoi kjo perzgjedhje e ikonografise se botimit, pasi aty ndodheshin jo pak, por 13 imazhe te xhamive tashmë të rrënuara të Tiranës së vjetër, sëbashku me atë në rrënim e sipër, xhaminë e Ethem beut.

Mendja me shkoi vetvetiu se ndonjë individ syresh nga shoqeria civile, megjithëse përgjithsisht skajshmerisht laike, do të ketë reflektuar në mendimet tashmë të botuara një revizionim mbi të kaluarën religjoze të qytetit, me konkretisht mbi ridimensionimin e ndonjë hapësire religjoze islame në Tiranë, nxitur kjo dhe nga gara e ethshme e politikës, për të ofruar variantet e veta mbi këtë çështje.

Por më kot u lodha të gjeja në rreshtat e shkrimeve ndonjë qasje të tillë, perkundrazi, në të gjithë revistën përkundër numrit të lartë të imazheve të rrënuara islamike nuk gjendej as edhe një herë të vetme fjala xhami.Çuditerisht flitej për restaurime objektesh historike dhe rindërtimin e të ndonjërit të rrënuar, por, ritheksoj, nuk gjeta në tekste asnjëhere fjalën xhami. Ideuesit e të ardhmes së qytetit ofrojnë lloj-lloj variantesh për pasurimin shpirtëror të qytetit në të ardhmen, por këto nuk përkonin fare me dimensionin origjinal të këtij termi, atë të lidhjes ndermjet humanes dhe Hyjnores, por sipas tyre ky pasurim përkthehej në defrime, zbavitje, eksperimentime rinore, muzeume grashë dhe luftërash a të tjera dokumentime profane.

Interesante në tekst ishte reagimi i një piktori, ish i persekutuar i rregjimit komunist, i cili ndihej i dhunuar nga banaliteti i ofruar përditshmerisht nga bashkeqytetarët, dhe e kerkonte të bukurën tek pastërtia, rregulli dhe sherbimet komunale, njesoj siç ndodhnin këto në periudhën diktatoriale. Neglizhimi naiv i dimensionit real shpirtëror në trasformimin urban nga ana e pjesëmarrësve të forumit është i pafalshëm, mjafton të përmëndim se ky rrënim qytetar në të cilin ndodhemi, erdhi si pasojë e dehumanizimit shoqëror në komunizëm, paçka se diktatura i mëshonte fort zhvillimit të gjithanshëm urban, atë që forumi me një qasje të re, pashmangshëm politike, po e kërkon me ngulm të ndodhë 20 e kusur vite më pas.

Përtej politikës, e vetmja strukturë e cila mund të kerkojë një rizgjim të vlerave shpirtërore pas traumës 50 vjeçare ateiste, është shoqëria civile, merak te cilin ajo nuk e ka ne vizionet e saj për ta promovuar. Vakumin e lënë bosh nga kjo shtresë e rëndësishme e shoqërisë e plotëson vrazhdësisht politika.Tema e nxehtë e privatizimit të ndërtimit të xhamisë së re në kryeqytet, që karakterizoi fushatën elektorale me përplasje dhe “ekskomunikime fetare” të ndërsjellta, rrezikon ta mbysë ne djep këtë krijesë të re të shumëpritur. Lufta e xhamive rivale politike mund të perfundojë si ne historinë biblike te bijve te Adamit ku “fitimtari”, ai që përgjaku dorën me vellanë, u perjashtua nga mëshira e Zotit, perkthyer kjo me një skizëm shpirtërore të besimtareve të Tiranes ndaj ofertës së projektit elektoralisht fitimtar. Për cinikët dhe naivët mund të ofrojmë dhe nje narrativë tjetër të ndodhive me vllavrasje, atë të Remit dhe Romulit, nga përleshja gjakatare e të cilëve lindi një qytetërim triumfalist dhe i lavdishëm. Rroftë mbreti. Historia vazhdon…

Nuk ka komente:

Posto një koment