e shtunë, 7 maj 2011

Mbi Projektin e Bashkisë për Xhaminë e Tiranës.


E-Zani

Duke klikuar këtu mund të shihni nëpërmjet VIMEO planin për xhaminë e re të Tiranës që u pranua nga Bashkia. Ky blog ka botuar më parë një artikull nga Elton Hatibi në të cilin ai shkruan:


Tempulli është një vend ku kryhet komunikimi me transhendenten, ndaj besimtarët duhet të jenë eskluzivisht të vetmit të cilët duhet të ideojnë dhe materializojnë një projekt të tillë. Me suksesin ose jo të projekteve të tilla varet pritshmëria e përjetimit shpirtëror të anëtarëve të një bashkësie religjoze dhe kohezioni i identitetit kulturor që e karakterizon bashkësinë. Sa larg është projekti i nxitur nga autoritetet, i një ngrehine religjoze me zyra, parkingje, dhe më tragjikja, me kate që frekuentuesve u pamundësojnë kontaktin fizik dhe vizual ndërmjet tyre, me atë që sipas Eliades, duhet të përfaqësojë një Tempull: “… mundësinë që njeriu religjioz të gjejë periodikisht Kozmosin, ashtu siç ishte në gjenezë, në momentin mitik të Krijimit”. Ky përkufizim i tij është mbi natyrën universale të tempullit në të gjitha religjionet, ndërsa më specifikisht, tempullin semit ai e kategorizon si “arketip qiellor”. Jo rastësisht arkitektura e krishterë (sidomos ajo lindore) dhe ajo islamike ( jo magrebine) në ndërtimin e tempujve e kanë zhvilluar përgjatë shekujve kupolën, si një element arkitektonik që mishëron qellin, kozmosin, përjetësinë. Nuk duhet të harrojmë se në qytetin tonë kemi një shembull të tillë plotësisht origjinal, Xhaminë e Et’hem Beut, e cila frekuentohet si nga besimtarët që prehen “fetarisht” aty, ashtu dhe nga vizitorë që mrekullohen nga veçantia e saj. Ndërkaq Eliade, si një ndër historianët me të njohur të religjoneve, thekson se ndërtimi i tempullit lind si nevojë për të veçuar të shenjtën nga korrupsioni i kudondodhur njerëzor. Në rastin tonë jemi larg nga ky konstatim, kur kemi parasysh terminologjinë e përdorur, e ngjashme kjo si në ndërtimin e çfarëdolloj objekti, si dhe përfytyrimin popullor mbi virgjërinë morale të aktorëve të përfshirë në projekt.


Kujtojmë se ky artikull është shkruar përpara se të sillej ky projekt, por është e rëndësishme të rivizitohet tashmë që bashkia ka shpallur projektin fitues. Jo vetëm elementët që kërkojnë të lidhin besimtarin me trashendentet në kuptimin e traditës dhe botës së simboleve të shenjta me të cilat besimtari identifikohet nuk gjenden në këtë projekt, por nuk mund të lëmë pa vënë re arrogancën e një akti të imponuar mbi besimtarët të cilët duhet të ishin ata që vendosin mbi projektin e ndërtimit të një xhamie.


Ky blog ka kritikuar qëndrimin e Komunitetit Musliman dhe kundërshtimin për tu impenjuar në këtë projekt si të motivuar politikisht. KMSH ka shpjeguar objeksionet e veta si të motivuara nga tensioni që egziston në lidhje me pronarët e truallit ku KMSH është vetëm një nga pronarët. Ky blog ka kritikuar, gjithashtu, sjelljen e debatit mbi xhaminë nga pozita dhe opozita në mes të një fushate të tensionuar zgjedhore.


Duam të kujtojmë, gjithsesi, se debati mbi arkitekturën e xhamive nuk është i ri në debatin publik shqiptar. Por ato figura të shoqërisë civile, si z. Piro Misha, që vazhdimisht kanë ngritur zërin kundra ndërhyerjeve të huaja në arkitekturën e xhamive dhe në mbrojtje të traditës osmane kanë heshtur për ngrehinën që bashkia po ofron për xhami. Ky blog bashkohet me preukopimin për ruajtjen e traditës osmane, por vëmë re që xhamitë e debatuara më parë, si ajo e Fierit, janë gjithsesi të dallueshme si xhami, por nuk ka burrë nëne të të mbushë mendjen se qoftë ajo struktura e projektit të bashkisë që përngjan me lapidar të luftës së dytë botërore, është… minare.


Vëmë re që tempujt e mëdhenj të dy komuniteteve të krishtera të ngritura në qendër, asnjë nuk është ndërtuar në tokë në pronësi të këtyre komuniteteve, asnjë prej tyre nuk është imponuar si projekt apo arkitekturë nga politika. Debati mbi xhaminë, fobia e atyre që kundërshtojnë një xhami në qendër si “jo evropiane” në një qytet që ka nisur jetën me ndërtimin e një xhamie, debati për pronën dhe imponimi i këtij projekti janë tregues i diferencimit në qëndrimin ndaj muslimanëve në Shqipëri, diferencim që është në thelb diskriminues. Këto ndërhyrje dhe imponime poltike mbi jetën fetare janë në kundërshtim me lirinë fetare dhe shprehjen e lirë të besimit të garantuar nga kushtetuta e këtij vendi dhe muslimanët duhet të rimarin kontroll mbi jetën e tyre fetare si komunitet dhe ti tregojnë kufirin te thana politikës.

Nuk ka komente:

Posto një koment