e martë, 31 maj 2011

Tarik Ramadan, reformatori i Islamit bashkëkohor viziton Tiranën.


Besnik Sinani

Shpesh pyetet ku janë reformatorët e Islamit, shkruan studiuesi francez Olivier Roy në librin e tij Globalized Islam. Nuk është se nuk ka reformatorë të Islamit sot, përgjigjet Roy, duke përmendur intelektualë si Abdul Karim Sorush, Ibrahim Musa, apo Muhamed Arkun, por për idetë e tyre nuk ka treg. Përndryshe, Dr. Tarik Ramadan, i cili po viziton Tiranën ditën e mërkurë si pjesë e një turneu në vende të Ballkanit dhe i ftuar nga Shoqata Ardhmëria në Tiranë, është prej atyre zërave reformatorë të Islamit bashkëkohor, idetë e të cilit lexohen e pasohen nga mijëra muslimanë, vecanërisht në Perëndim.


Në vitin 2004, revista Time e shpalli një nga 100 personalitetet më me influencë në botë. Qysh nga refuzimi për të hyrë e dhënë mësim në një universitet në ShBA gjatë administratës së presidentit Bush, për shkak të kritikës ndaj politikës amerikane ndaj Palestinës, Tarik Ramadan ka qenë profesor i studimeve bashkohore të Islamit në Universitetin e Oxfordit. Me ardhjen e Obamës në Shtëpinë e Bardhë, Ramadan është ftuar në ShBA dhe ka këshilluar Departamentin e Shtetit, ndërkohë që shërben dhe si konsulent pranë Bashkimit Evropian për cështje të Islamit.


Tarik Ramadan u bë fillimisht i njohur në promovimin e një Islami evropian dhe një identiteti për muslimanët e Perëndimit që, teksa i qëndron besnik parimeve të fesë, zbraz ngarkesën kulturore nga vendet e origjinës së prindërve emigrantë. Ramadan sqaron se nuk bën thirrje për një reformë adaptuese por angazhuese ku Islami dhe fetë e tjera bëhen kontributorë në formësimin e një moderniteti ku vlerat e fesë balancojnë forcat e tregut dhe teknologjisë.


Thelbi i argumentit të tij në librin Radical Reform ka të bëjë me autoritetin fetar në Islam. Sfidat dhe pyetjet që ngre moderniteti, thotë Ramadan, kërkojnë një zhvendosje të gravitetit të autoritetit fetar nga të qendit ekskluzivisht në duar të klerikëve të fesë në të qenit produkt i një dialogu midis klerikëve me specialistë të fushave të ndryshme. Dilemat etike të inxhinierisë biomjekësore, kriza ambientaliste, marrëdhëniet ndërfetare, varfëria, drejtësia sociale apo ekonomia globale, kërkojnë që specialistë të dijeve fetare dhe specialistët e këtyre fushave të mblidhen për të prodhuar ide dhe qëndrime që reflektojnë konsideratat etike dhe morale fetare në sfidat bashkohore. Vetëm në këtë mënyrë, shkruan Ramadan, feja do të mund të vazhdojë të jetë relevante dhe të plotësojë rolin e vet në realitetet bashkohore.


Ramadan ka qenë shpesh objekt i kritikave si në qarqe perendimore ashtu nga qarqe më konservatore muslimane. Disa perendimorë e akuzojnë se është shpesh oportunist dhe muslimanë konservatorë e akuzojnë se qëndrimet e tij janë larg qëndrimeve korrekte të Islamit sic i kuptojnë ata. Por mes këtyre qëndrimeve, Ramadan është bërë ndoshta emri më i rëndësishem reformator në Islamin bashkëkohor.

6 komente:

  1. Kam pasur kenaqesine te jem ne nje ligjerate te tij dhe menyra e tij e te arsyetuarit varion me amplituda te theksuara midis konvertimit te zemres dhe zakoneve te vogla qe duhet te kemi ne jeten e perditshme. Kam pershtypjen se per shkak te ligjerimeve te shpeshta dhe intensive ndonjehere bie ne gracken e perseritjes, porse arrin ta sjelle te njejtin mendim ne forma te fresketa. Kush ka mundesi, sugjeroj qe ta ndjeke ligjeraten qe ai do te mbaje neser.

    PërgjigjuFshije
  2. nuk ka reformatore feja islame .Allahu e ka plotesuar fene e Tij.nuk duhet ti pershtatet feja nje populli por popujt duhet ti kryejne me perpikmeri ligjet dhe rregullat e islamit te cilet jane te pandryshueshem si ne popujt arab dhe joarab.

    PërgjigjuFshije
  3. Një vëretje në lidhje me epitetin "reformator i Islamit". Mënyra e artikulimit edhe pse kuptohet qëllimi i artikullshkruesit nuk duhet të shprehet në këtë mënyrë sepse duket sikur Islami është një subjekt që mund të reformohet apo pranon reformimin! Islami është feja e Allahut dhe si e tillë ajo është shpallaje hyjnore që nuk preket nga reformimi, as vjetërimi dhe rinovimi, ajo çka rinovohet apo reformohet është mënyra sesi e perceptojnë muslimanët në kohë dhe hapsira të ndryshme fenë e tyre, por kurrsesi vetë feja e tyre. Është e rëndësishme që të shprehemi në mënyrë të tillë për të mos lënë të kuptojmë te të tjerët se Islami si fe dhe shpallje hyjnore ka nevojë për reforma njerëzore, njëlloj siç ka ndohur me fe të tjera, ku roli njerëzor ka ndërhyrë edhe në shpalljen hyjnore në thelbin e saj, pra përtej intepretimit njerëzor që në fund të fundit nuk është shpallje. Ideologjitë njerzore janë ato që reformohen në thelbin e tyre, ndërsa zbulesa hyjnore e Zotit nuk reformohet.
    Kërkoj mirkuptimin tuaj për vëretjen e më sipërme dhe ndryshimin e titullit në përputhje me konceptin e mësipërm islam.

    PërgjigjuFshije
  4. Ky me duket nje keqkuptim per te cilin dhe debati po behet me i gjate sec duhet. Nje koment i shpejte ne lidhje me cfare thuhet se Islami eshte shpallja e Zotit dhe si i tille nuk mund te kete reformim. Ne fakt cdo hoxhe e di se Kurani eshte shpallja e Zotit dhe suneti eshte urtesia e shpallur Profetit, a.s, por nese pyetetet kush jane burimet legjislative ne Islam kemi dhe analogjine dhe konsensusin, te dyja keto burime njerzore leximi te teksteve, detyrimisht interpretative dhe detyrimisht me shume interpretime. Kush ka lexuar imam Shafin e di se qendrimi i ehli sunetit eshte se ka qene vendimi dhe urtesia e Zotit qe te jete keshtu e detyrimisht ne ate cfare dime nga feja, nje pjese e saj eshte kontributi i dijetareve neper shekuj, pra kontribut njerzor ne perpjekje per te kuptuar fjalen e Zotit. Nese nuk do ishim perhere kaq te ngushtuar ne kuptimin qe i japim termave, bisedave e debateve tona, do kuptonim qe artikulli i mesiperm ka vendosur paraqitjen e shkurter te ideve te Dr. Ramadanit ne kontekstin e debateve mbi mendimin e ri ne islam, apo mendimi reformator. Nje nga pikat e mendimit te Dr. Ramadan dhe ai nuk eshte i vetmi ne kete qendrim eshte zgjerimi i atyre qe quhen makasid apo objektivat e shpalljes. Ne artikull gjenden edhe disa nga fushat ku ai propozon se duhet nje mendim i ri:biomjekesi, ekonomi globale etj, etj. Nese vjen dikush e me thote se ne sahihun e Buhariut flitet per keto gjera, bujrum, por cfare synohet ketu eshte qe ne baze te parimeve te Islamit te formulohet nje qendrim islam mbi sfida bashkohore. Mua keto me duken te qarta ne artikull dhe me duket sikur me zor duam te kapemi e gricemi pas termave.

    PërgjigjuFshije
  5. Kisha kenaqesine te degjoja sot ligjeraten e tij.Me pelqeu shume menyra se si ai arsyetonte dhe si i parashtronte ceshtjet. Sipas tij "reformimi fillon nga vetja jone ,nga te kuptuarit dhe te vepruarit te drejte te Islamit" Nje pike tjeter e rendesishme ishte dhe fakti qe myslimanet nuk duhet te qendrojne nen hije,por te dalin ne pah me te gjitha vlerat dhe aftesite e tyre ne cdo fushe.Mbi te gjitha me pelqeu theksi qe ai vendosi mbi "gjykimin" qe japin myslimanet per njeri tjetrin,gje qe po i con drejt percarjes.Ne duhet ta duam njeri tjetrin ,e jo ta gjykojme njeri tjetrin.keshtu u shpreh ai.

    PërgjigjuFshije
  6. Besoj se tashme u binden disa skeptike, se megjithese Dr. Ramadani nuk qenka nga ata qe vjen nje here ne 100 vjet, te pakten te kuptojne se eshte nje nga a ta qe na viziton nje here ne 100 vjet. Duhet te kuptojme me shpejtesi se ne c'fare bataku mendore gjendemi, qe te kemi shanse rikuperimi. Selam

    PërgjigjuFshije