e premte, 29 prill 2011

Aty ku nuk e gjeta veten

Sabaudin Jashari

Sot unë jam i barabartë me: dy rrugë, tre shkolla, një maternitet, një rubinet uji, tre pemë në lagje, një llambë drite… etj.

Këtë ndjesi më kanë krijuar reklamat e fushatave elektorale.


E hap televizorin në darkë dhe kur shoh ato turma të mëdha njerëzish duke thirrur me të madhe, apo kur shoh disa burra të rëndësishëm të shoqëruar po prapë nga turma njerëzish të rëndësishëm fillimisht-i ndikuar nga pamjet- të krijohet përshtypja se gjithë këta burra do jenë mbledhur për gjëra me shumë rëndësi. Të paktën kështu thotë tradita jonë e dashur shqiptare.


Në fshatin tonë, kur ndodhte ndonjë problem serioz mes njerëzve apo edhe mes familjeve, lindje, vdekje, sëmundje, dasma, grindje serioze … e shumë ngjarje të tjera si këto, mblidheshin burrat më të mençur të fshatit dhe me urtësi e drejtësi u jepnin drejtim gjërave. Sapo i shikoje, ashtu të mbledhur, e kuptoje menjëherë se diçka e madhe kishte ndodhur e duhej rregulluar.


Këtë përshtypje më sollën përsëri në kujtesë edhe fushatat e kësaj radhe me grupimet e njerëzve të rëndësishëm… e të parëndësishëm…, reklamat, zhurmat, mitingjet, intervistat dhe shamatat e tyre, por tashmë kureshtja ime është shuar nga një zhgënjim shumë i madh….


Thuajse çdo natë lexoj listën e premtimeve elektorale. Gjej në të gjithçka përveç vetes sime. Unë nuk ndodhem aty. E rilexoj, me dyshimin se mos më ka kaluar, por prapë i njëjti konkluzion. Fle me shpresën se të nesërmen do i jem shtuar kësaj liste, por u bënë thuajse tre javë dhe përsëri lista e premtimeve elektorale vazhdon të më përjashtojë.


Tashmë kam filluar të debatoj me listën, duke e kundërshtuar në disa pika, të cilat m`i ka nxitur dhe vazhdon të m`i nxisë irritimi, që më shkakton fakti, se - me dashje apo pa dashje, nuk e di - lista më ka thjeshtuar me: kaq rrugë, kaq fusha futbolli, kaq maternitete, kaq kinema, kaq rubineta uji, kaq pemë… etj. Pra, në listë, itinerari i jetës sime fillon tek sahani e mbaron tek hamami.


Pata lexuar para disa kohësh, se njëri nga kandidatët për guvernator në një nga shtetet e zhvilluara fitoi zgjedhjet, sepse u dha homoseksualëve të drejta më shumë sesa kandidati tjetër.


Në lidhje me këtë që kam lexuar, ka të bëjë një nga kundërshtimet e mia ndaj listës. Pra, me çfarë i bie të më joshë mua lista pas realizimit të premtimeve të shkruara në të?!


Kjo pyetje më lind natyrshëm, kur mendoj se të gjitha rrugët e Tiranës një ditë do jenë të asfaltuara e të rregulluara, rubinetat do rrjedhin ujë sa herë t`i hapësh, llambat elektrike do ndriçojnë sa herë të shtypen çelësat … ose të paktën këto lloj nevojash nuk do jenë më problematike.


Konsumimi është një nga pasojat, që rrjedhin nga sa më sipër. Filozofia aktuale që konsiston në drejtimin e çdo fjalimi vetëm tek nevojat e njeriut, ka tendencë të vazhdueshme për të hapur fusha të reja nevojash. Sakaq të nevojshmen e kalon në gradën e domosdoshmërisë, plotësuesen apo dytësoren e kalon në nivelin e të nevojshmes. E kështu pambarimisht shpik e shpik nevoja, duke i thurur komplote dhe duke ledhatuar dhe joshur atë, që tek njeriu quhet epsh.


Mbrëmë bashkë me bashkëshorten time konstatuam, se çanta e librave të djalit tonë ishte bërë e papërdorshme. Bashkëshortja e zgjidhi menjëherë problemin, duke nxjerrë një çantë rezervë që e kishte ruajtur prej disa kohësh. Djali e mori çantën dhe me një buzëqeshje të lehtë, shprehu gëzimin e tij për çantën e re, pastaj e vendosi diku në qoshe të dhomës, që ta kishte të lehtë për ta marrë të nesërmen e për të vazhduar të njëjtin rrugëtim, që kishte bërë me çantën e vjetër. Ajo që më bëri përshtypje, nga sjellja e djalit, ishte fakti se çanta e re dhe moderne nuk përbënte ndonjë surprizë… !


Realisht pa ekzagjerim them, se kjo është sfida më e rrezikshme e këtij brezi.

Në atë atmosferë mosbesimi apo ateizmi, në të cilën roli i besimit u dënua me vdekje dhe në të cilin lindi dhe u rrit brezi ynë, mendoj se dy gjëra kryesore, pa anashkaluar familjen, kanë ndikuar në mbrojtjen e këtij brezi nga devijimet e egra: tavani i ulët i nevojave dhe shtypja e madhe diktatoriale. Për ndryshe imagjino, sikur asaj atmosfere kundër Zotit t`i ishte shtuar edhe karakteristika e lartpërmendur e atmosferës aktuale.


Filozofia aktuale i bie që të mos ketë asnjë lloj ndryshimi nga ajo para njëzet viteve. I vetmi ndryshim konsiston, se që të dyja janë në ekstreme të kundërta. Filozofia e para njëzet viteve e bëri njeriun skllav të nevojës ekstreme, kurse e tashmja tenton ta bëjë njeriun skllav të nevojave të panevojshme dhe domosdoshmërive jo të domosdoshme, madje atyre plotësueseve që nuk janë plotësuese.


Gjithmonë kur e analizoj veten nën hijen e kësaj filozofie që vazhdimisht ma sjellin ndërmend këto lloj fushatash, realisht më duket vetja si puna e një personi, që ka vjedhur dhe ka gëlltitur një diamant shumë të çmuar e që kirurgu i spitalit të burgut me shumë vëmendje po e skanon, për të përcaktuar se në cilin vend të zorrës së hollë apo të trashë ndodhet diamanti. E sapo të verifikohet vendndodhja, duke më ledhatuar me serumin mbytës, do më vënë në gjumë e pasi të më dalë gjumi, do e shoh barkun diku të çarë e të qepur….


Madje sfida e brezit të ri aktual është akoma dhe më e rrezikshme. Nëse robëria e kaluar e kishte një tavan dhe rrallë kalonte mbi tavanin e domosdoshmërive, robëria aktuale thuajse nuk ka tavan fare. Madje këtë mund ta thuash pa frikë, kur sheh se nevojat e tua të panevojshme shtohen pafundësisht dhe kur sheh se edhe burrat më të mëdhenj e më të rëndësishëm vendosin si rrugë miqësie me ty sahanin tënd dhe hamamin tënd. E habitshme, tamam siç ndodh me Pinokun, i cili në botën e çuditshme të lodrave, u kthye nga një copë druri në një gomar.


Frikën ma shton edhe më tepër fakti, që përmend i nderuari profeti Muhamed (a.s), kur thotë se: “Nëse njeriu do kishte një luginë me flori, do kishte dashur të kishte dy. Nëse do kishte pasur dy, do kishte dashur të tretën, pavarësisht faktit se barkun e njeriut nuk mund ta mbushi gjë tjetër përveç dheut… .


Mbase do duket e habitshme, po të lexosh se edhe profeti Muhamed (a.s) ka bërë fushatë. Si është e mundur… ?


Profeti (a.s) ka bërë fushatë, madje për 23 vjet rresht. Jo vetëm kaq, por ka porositur edhe pasuesit e tij, që kjo fushatë të mos ndërpritet deri në shkatërrimin e botës!


Kur më vijnë ndërmend një miliard e disa qindra milionë njerëz, që janë anëtarësuar në partinë e tij, natyrshëm lind pyetja, se çfarë ishte ajo që i tërhoqi kaq shumë këta njerëz tek programi i profetit Muhamed (a.s).


Amar Ibnu Jasiri u kthye në shtëpinë e tij natën vonë. Ai sapo kishte ardhur nga takimi elektoral, që kishte pasur me profetin Muhamed (a.s). “Ne jemi të barabartë me Umeje Ibnu Halefin, me Ebu Sufjanin dhe Ebu Xhehlin”, - i tha babait të tij Jasirit. “Ndërsa ti nënë je e barabartë me Hindin gruan e Ebu Sufjanit”, - i tha nënës së tij Sumejes. “Njerëzit të gjithë janë krijesat e Allahut, burri dhe gruaja janë njësoj para Zotit. Varrosja e foshnjave femra është një krim i madh, që nuk e do Allahu e duhet të hiqet dorë njëherë e përgjithmonë nga kjo gjë. Për këtë ju ftoj t`i bashkoheni Muhamedit (a.s)”, – u tha prindërve të tij Amar Ibnu Jasiri, duke e mbyllur fjalën e tij.


Sapo e dëgjoi të birin, Sumeja filloi të qante me ngashërim. Menjëherë iu kujtua ngjarja e babait të saj. Kur Sumeja, fëmija i tretë, lindi, babai i saj filloi të qante e të ulëriste me të madhe, jo thjesht se edhe fëmija i tretë ishte vajzë, por sepse nuk donte të vepronte me të ashtu siç kishte vepruar me dy vajzat e tij para Sumejes. Zakoni makabër impononte varrosjen e foshnjave femra. As kësaj radhe ai nuk donte të bënte të njëjtën gjë, por zakoni e kishte tundimin shumë të fuqishëm. Sumeja tmerrohej sa herë që i shkonte ndërmend, se mund të kishte pasur të njëjtin fat me motrat para saj.


Jasiri dhe Sumeja, që e kishin trashëguar idhtësinë e zakonit dhe hierarkisë së egër shoqërore nga brezat para tyre, nuk mund të mos e vlerësonin drejtësinë dhe barazinë shoqërore, që tashmë kishte sjellë Islami hyjnor.


Nexhashiu, i mahnitur nga sakrifica e madhe që kishte bërë delegacioni i myslimanëve të ardhur nga Meka në Abisini, kërkoi të dinte se çfarë i kishte tërhequr realisht myslimanët tek programi i Muhamedit (a.s).


“Ç`është ajo gjë, që ju ka shtyrë të bëni tërë këto sakrifica e të duroni tërë këto sprova”, - i pyeti Nexhashi myslimanët?


“Ishim popull, që jetonim në injorancë: adhuronim idhujt, hanim ngordhësirat, silleshim brutalisht me komshiun, shkelnim farefisin, i forti hante të dobëtin. Vazhduam të ishim të tillë, derisa doli një burrë nga mesi ynë, që ia njohim prejardhjen e tij, besnikërinë, sinqeritetin dhe çiltërsinë e tij. Ai na urdhëroi që: të mos gënjejmë, ta çojmë amanetin në vend, të ruajmë lidhjet farefisnore e të sillemi njerëzisht me komshiun. Na ndaloi nga amoraliteti, gënjeshtra dhe dëshmia e rreme, ngrënia e ngordhësirave dhe ngrënia e pasurisë së jetimit”.


Kjo ishte ajo që i kishte tërhequr këta njerëz tek programi i Muhamedit (a.s).

“Po në Abisini ç’ju bëri të vini…”, - do kishte pyetur natyrshëm Nexhashiu, nëse nuk do e kishte përmendur Xhaferri?


Xhaferri ia shuajti edhe këtë kureshtje: “ Pasi ne u anëtarësuam tek Muhamedi (a.s), populli ynë na dhunoi, poshtëroi dhe na ngushtoi. Profeti (a.s) na tha: “Shkoni në Abisini, se atje drejton një mbret, tek i cili nuk mund t`i bëhet kujt padrejtësi”.


Kjo është ajo që vlerësoi profeti Muhamed (a.s) tek Nexhashiu, sepse nëse mbreti është i drejtë, gjërat e tjera do të vijnë natyrshëm. Këtë kishte për qëllim t`iu thoshte profeti (a.s) shokëve të tij, me specifikimin që i bëri përshkrimit të Nexhashiut.


Imagjino sikur profeti Muhamed (a.s) t`i kishte thënë po, kërkesës së kryetarit të njërit prej fiseve më të mëdha arabe, për të qenë mbret pas Muhamedit (a.s), si kusht për ta besuar e për ta pasuar!


Profeti (a.s) kurrsesi nuk mund të kishte një program, që i zhyt njerëzit pambarimisht thellë në tokë.

“Mbretëria është e Zotit dhe Ai ia jep kujt të dojë. Premtimi im është xheneti i amshueshëm”, - i tha profeti (a.s) kryetarit pragmatik të fisit.

“Kënaqësia e pafundme e Zotit përmes rrugës së realizimit të peshores në tokë” ishte slogani i Profetit (a.s)

Pazar shumë i lartë, tregti shumë fisnike, garë shumë e gjatë, e fortë por shumë e bukur dhe me fitore të garantuar.

Mesazhi ishte shumë i qartë: zbritja nga shkalla e ideve dhe vlerave tek shkalla e personave e më pas tek shkalla e gjërave është zbritje drejt kaosit, sepse përmbysja është në vetvete kaos.

Një dijetar i mençur thotë: “Sado i përsosur të jetë një ligj, ai është i pavlerë, nëse bie në dorë të gjykatësit të padrejtë, ndërsa gjykatësi i drejtë është në gjendje të vendosë drejtësi, edhe nëse ligji ka boshllëqe.

Realisht jam çuditur shumë, kur pedagogu i të drejtës publike na tha, se kushtetuta shqiptare është nga kushtetutat më të sakta në Europë.

Edhe pse shkolla, ku mësojnë fëmijët e lagjes sime, është nga shkollat më të bukura në Tiranë, dikush më tha, se porosia e parë që kishin marrë fëmijët dhe veçanërisht të vegjlit që ditën e parë të shkollës, ishte që të mos shkonin në banjë….

Për shumë prindër shqiptarë, shtatë marsi është kthyer në një stres të vërtetë, veçanërisht për ata, që kanë më shumë se një fëmijë në shkollë….

Dijetarët kanë thënë për liderët dhe mendimtarët: “Nëse prishen dy kategori njerëzish, bashkë me ta prishet e gjithë njerëzia e nëse rregullohen, gjithë njerëzia rregullohet me ta.


Një nga faktorët, që ma ka bërë shumë të dashur figurën e një prej strategëve të mëdhenj historik mysliman, ishte aktori që luante këtë figurë në një nga filmat kushtuar atij. Aq bukur e luante, saqë më dukej sikur është vetë strategu. Por nëse nuk do e kisha njohur në forma të tjera këtë figurë historike, do e kisha urryer dhe do e kisha humbur si model, në momentin kur pashë aktorin të luante një rol tjetër, në një film tjetër….


Dikush i tregoi profetit Muhamed (a.s) për gjynahet e vazhdueshme që bënte, si: amoralitet, vjedhje, grindje, por edhe gënjeshtër.


“Bëji të gjitha, - i tha profeti (a.s) - përveç gënjeshtrës”.

Personi fillimisht e konsideroi si diçka shumë të lehtë, por kur filloi të mendojë, se si do i përgjigjej profetit (a.s), nëse të nesërmen do ta pyeste se si i ka punët me vjedhjen, amoralitetin...etj, nuk gjeti zgjidhje tjetër veçse të hiqte dorë përfundimisht prej të gjithave, sepse s’mund ta gënjente profetin Muhamed (a.s).


Allahu e ndërgjegjësoftë mbarë njerëzimin, për të bërë një program, që fillon e mbaron tek njeriu.

1 koment: