e diel, 10 prill 2011

Islami dhe / në Perëndim.


Ekmeleddin İhsanoğlu*

Xhedah – Revolucionet në Tunizi dhe Egjipt ofrojnë shembuj tranzicionesh paqësor pushteti pas dekadash sundimi të vazhdueshëm autoritar.


E megjithatë ndryshimet në këto vende si dhe vende të tjera arabe duket ta kenë zënë botën të papërgatitur.


Media perëndimore dhe debatet politike prej muajsh janë dominuar nga biseda për “Pranverën Arabe.” Shumë myslimanë që jetojnë në Perëndim, gjithashtu po vëzhgojnë ngjarjet në këto treva me vëmendje duke shpresuar se bashkëfetarët e tyre së shpejti do gëzojnë më shumë të drejta, liri dhe mbrojtje ligjore të llojit që ata vetë kanë gëzuar prej dekadash.


Por nuk ka garanci se të tilla tranzicione do kenë rezultate paqësore. Në të vërtetë, situata aktuale në Libi, Bahrein dhe Jemen janë tejet shqetësuese dhe do jetë një sfidë e vështirë për botën myslimane si dhe për Perëndimin e gjithë komunitetin ndërkombëtar që të gjinden zgjidhje funksionale politike në këto vende.


Do ishte gjithashtu e gabuar që të përcaktoheshin marëdhëniet midis botës Islame dhe Perëndimit vetëm në dritën e lëvizjeve të sotme në botën arabe. Ka një tjetër aspekt të kësaj marëdhënieje: Islami në Perëndim – pra cështje që kanë të bëjnë me myslimanët që jetojnë në shoqëritë perëndimore, vecanërisht në Evropë.


Një raport i publikuar në Maj 2010 nga Këshilli i Evropës titulluar “Islami, Islamizmi dhe Islamofobia në Evropë,” pranon se Evropa është bërë atdhe për shumë myslimanë prej disa shekujsh dhe njohu kontributin e civilizimit Islam në kulturën evropiane. E megjithatë, sic vërehet në raport, myslimanët në Evropë ndjehen sot të përjashtuar nga shoqëria, të stigmatizuar dhe të diskriminuar. Me të vërtetë, ata janë bërë viktima të stereotipeve për shkak të fesë dhe traditave të tyre kutlturore.


Retorika islamofobe.


Rritja e valës së retorikës islamofobe mund të shihet në median mainstream të Evropës dhe tek partitë e saj – fjala vjen, Partia Popullore Daneze, Partia Hollandeze e Lirisë, Fronti Kombëtar Francez, Partia Popullore Sviceriane, Liga Angleze e Mbrojtjes, Liga e Veriut e Italisë dhe Partia Austriake e Lirisë. Parti të ngjashme egzistojnë ose po dalin edhe në vende të tjera të Evropës.


Kjo gjendje vetëm vlen për të na kujtuar për njohuritë inadekuate që shumë evropianë kanë për rrënjët e përbashkëta dhe lidhjet historike që bashkojnë botën islame dhe Perëndimin. Është gjithashtu indikative e nevojës për marëdhënie të reja të bazuara në mirëkuptim, tolerancë dhe respekt për diversitetin kulturor.


Sipas raportit të Shtatorit 2010 të Forumit të Fondacionit Pew mbi Fenë dhe Jetën Publike, popullsia myslimane e Evropës është më shumë se 17 milionë. Në vende si Austria, Belgjika, Franca, Gjermania, Hollanda, Suedia dhe Svicra myslimanët përbëjnë 5% ose më shumë të popullsisë. Ata duhet të mbështeten dhe inkurajuar që të luajnë një rol të plotë në komunitetet e tyre dhe jetën publike.


Si organizata e dytë më e madhe ndërqeveritare në botë, Organizata e Konferencës Islamike (OKI) është e dedikuar për bashkpunim me komunitetin ndërkombëtar për të promovuar dhe konsoliduar paqen globale, stabilitetin, harmonisë, sigurinë dhe zhvillimin. Sic kam theksuar në shumë raste, OKI udhëhiqet nga principet e moderimit dhe modernizimit. Dokumenti bazë i OKI-së ashtu si dhe Programi i Veprimit 10-vjecar dhe Charter – i saj i ri, ofrojnë një plan vizionar për të adresuar sfidat me të cilat përballet Islami në shekullin e 21të.


Kulturat diverse duhet të balancojnë dhe pasurojnë njëra – tjetrën. Toleranca, stabiliteti dhe prosperiteti ushqehen vetëm kur komunitetet dhe kulturat komunikojnë dhe respektojnë njëra tjetrën. Të flasësh kundra islamofobisë nuk do të thotë të mohosh egzistencën e urrejtjes kundra feve të tjera dhe ne myslimanët duhet të shtrimë dorën e bashkpunimit për të luftuar anti-semitizmin, kristianofobinë dhe perceptimet e gabuara ndaj kulturës perëndimore.


Ne nuk duhet të jemi pengje të ekstremiteteve tona. Teksa gjithë komuniteti ndërkombëtar po lufton radikalizimin dhe terrorizmin, ne besojmë se kjo përpjekje duhet të jetë pjesë e një angazhimi të përgjithshëm që synon ndërtimin e një bote më të mirë të bazuar në diversitetin kulturor ku dinjiteti njerëzor, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të respektohen mirëfilli.


Kur Barack Obama u bë president i Shteteve të Bashkuara, ai premtoi një kapitull të ri në marëdhëniet midis botës islame dhe Perëndimit. Gjatë vizitës së tij të parë jashtë vendit si president, ai foli në parlamentin turk dhe tha: “Shtetet e Bashkuara nuk është dhe nuk do të jetë kurrë në luftë me Islamin… Marëdhëniet e Amerikës me komunitetin mysliman, me botën myslimane nuk mund dhe nuk do të bazohen vetëm në opozitën ndaj terrorizmit. Ne kërkojmë angazhim më të gjerë bazuar në interesa dhe respekt të përbashkët. Ne do të dëgjojmë me kujdes dhe do ndërtojmë ura mbi keqkuptimet dhe do kërkojmë te përbashktat.


Edhe pse ka patur shumë pengesa në rrugën drejt marëdhënieve të mira, ky vit mund të ofrojë një mundësi unike për të ngjizur një diskurs të ri të tolerancës dhe mirëkuptimit midis popujve të botës islame dhe Perëndimit. Mund të shohim komunitetet myslimane në shoqëritë perëndimore për të na udhëhequr në këtë rrugë në të ardhmen. Më shumë mundësi për njohje të ndërsjelltë midis myslimanëve dhe jo-myslimanëve duhen zhvilluar dhe mbështetur si në nivelin personal ashtu dhe në atë institucional. Në dritën e potencialit për një klimë të re hapjeje politike në vendet me shumicë myslimane, këto mundësi njohjeje mund të bëhen më të mundshme se asnjëherë tjetër.


Më e rëndësishmja, organizata dhe individë të dedikuar duhet të bashkohen dhe të mobilizohen për të izoluar ekstremistët dhe duhet të jenë të bashkuar në punën për zhvillimin e kulturës së tolerancës dhe respektit të duhur për realizimin e plotë të të drejtave tona. Kjo është e vetmja rrugë përpara për botën islame dhe Perëndimin – dhe për Islamin në Perëndim.


*Ekmeleddin İhsanoğlu është sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Konferencës Islamike.

Marre nga TodaysZaman

Nuk ka komente:

Posto një koment