e premte, 8 prill 2011

Llogorja e burkas ideologjike.


Besnik Sinani

Në një shkrim mbi një shkrim mbi burkan, pra një debat mbi burkan i futur në burka filtrash gazetarësh, M. Nano, nis të debatojë tre argumentat e Timothy Garton Ash në kundërshti të ligjit francez që ndalon veshjen e burkas – një mbulesë komplete e trupit që lë vetëm sytë zbuluar. Ka shumëcka që mund të debatohet nga ky shkrim dhe pyetjet që ngre z. Nano si kundër-argument i artikullit të Gorton Ash, duken si gola të bëra në pozicjon jashtë – loje. Por vëmendje të vecantë më tërhoqi nocioni i agjensisë personale që përdor z. Nano. Ai shkruan:


“Por ka gra që e veshin burqa-n me plot dëshirë”, mund të thuhet. Në fakt, edhe kjo nuk mund të vihet në dyshim, por mua do më dukej çudi të mos binim dakord, se dëshira të tilla grave nuk u dalin nga rropullitë, por u lindin në kontekstin socio-kulturor ku kanë lindur e ku janë rritur. Kështu që rasti i atyre 30 grave myslimane (ndër 32) të përmendura në shkrim, që janë shprehur, teksa janë anketuar, se “ato janë gratë e para të familjeve të tyre që veshin një burqa, se burqa ka qënë një zgjedhje personale, dhe se shumica e tyre e kanë bërë këtë zgjedhje duke mundur rezistencën e burrave, baballarëve e nënave të tyre” nuk shpjegon ndonjë gjë kushedi se çfarë. Ah, nëse nga ky anketim do të dilte se këto 30 gra kishin patur përvoja të ndryshme në jetë, dhe se ishin të arsimuara e të diplomuara në ndonjë universitet, diskutimi do ish ndryshe. Në këto rrethana po, mund të flitej për një zgjedhje të tyren individuale që e kish burimin, në mos tek rropullitë, të paktën tek formimi, kultura e përvojat e ndryshme. “Sidoqë të jetë, janë ato që zgjedhin”, mund të thuhet prapë. Po, dakord, edhe kjo është zgjedhje individuale, them unë, por nuk është kjo një zgjedhje për t’u sublimuar e shenjtëruar. Këto gra nuk më duken shumë të ndryshme nga ata burra shqiptarë, që “zgjedhin vetë” të bëjnë gjakmarrje. Dhe është e sigurtë që edhe këta të fundit “zgjedhin vetë”; është e sigurtë, për sa kohë që ne të tjerët harrojmë se në kontekste socio-kulturore të prapambetura çdo zgjedhje individuale nuk është asnjë çikë individuale.


Në pasazhin e mësipërm z. Nano ngre idenë e habitshme se agjensia personale – apo sipas fjalëve të tij – aftësia për të bërë zgjedhje vërtet të lirë, varet nga fakti nëse këto gra kanë “përvoja të ndryshme në jetë, dhe se ishin të arsimuara e të diplomuara në ndonjë universitet,” atëherë, thotë z. Nano, diskutimi do ishte ndryshe. “Në këto rrethana po, mund të flitej për një zgjedhje të tyren individuale që e kish burimin, në mos tek rropullitë, të paktën tek formimi, kultura e përvojat e ndryshme.”


Por dhe nëse do ishte kështu, z. Nano nuk vonon të kriminalizojë një praktikë fetare që sipas tij nuk është shumë ndryshe nga zgjedhja e atyre “burra[ve] shqiptarë, që “zgjedhin vetë” të bëjnë gjakmarrje!!!” Pas kriminalizimit e përgjakjes së veshjes së burkas (z. Nano me gjithë përpjekjet për të mënjanuar fjalët e huaja, nuk e ka kthyer “q-në” e fjalës në anglisht në shqiptimin e duhur në shqip me “k”), z. Nano asgjëson fare mundësinë e agjensisë personale të grave që veshin burka me arsyetimin se “në kontekste socio-kulturore të prapambetura çdo zgjedhje individuale nuk është asnjë çikë individuale!!!”


Për fat të mirë, një nga veprat më interesante që është shkruar vitet e fundit rreth agjensisë personale, është shkruar në një punim antropologjik që ka si objekt studimi atë që është bërë e njohur si lëvizja e grave në xhami në Egjipt, me autore antropologen e Universitetit të Kalifornisë në Berkley, Saba Mahmoud.


Është interesante të vihet në dukje se për vetë Mahmoud, puna kërkimore ka qenë një sfidë personale. Ajo vjen nga angazhimi politik në Pakistan si aktiviste e lëvizjes progresiste e feministe e cila betejat më të ashpra i ka patur me fondamentalistë që ngulin këmbë në imponimin e kodeve morale në shoqëri ku modestia femërore e përcuar nëpërmjet segregimit të sekseve zë një vend qëndror. Sic pranon dhe ajo vetë, në themel të këtyre qëndrimeve politike qëndron një epistimologji marksiste e cila ka ndikuar në literaturën feministe e në punën e antropologëve pararendës. Kjo epistimologji ka ndikuar në shikimin e shamisë e sigurisht dhe burkas, si kontribut të vetë-robërisë personale për gruan myslimane, edhe kur ajo deklaron se ka përqafuar këtë praktikë me zgjedhje të lirë. Në thelbin e vet, ky qëndrim nuk ndryshon nga cfarë thotë z. Nano më sipër, pra me fjalë të tjera, se zgjedhja nuk është mirëfilli zgjedhje. Ky është nocioni që Mahmoud konkludon të rrëzojë duke sfiduar pikësëpari konceptin e agjensisë si rezistencë: Zgjedhja është e lirë vetëm kur ajo bëhet në opozitë të autoritetit.


Duke përdorur mënyrën se si Michel Foucault ka artikuluar konceptin Aristotelian të etikës, në studimin prej dy vjetësh të një grupi grashë të devotshme nga Kajro, Mahmoud na sjellë një nga pamjet më të gjalla nga një nga kategoritë më të keqkuptuara në diskursin bashkohor mbi fenë dhe agjensinë individuale.

Duke studiuar diskurset dhe aktivitetin e tyre, Mahmoud jo vetëm që sfidon skepitcizmin mbi zgjedhjen individuale të grave aktivitetin e të cilave ka studiuar, por formulon një koncept të ri mbi motivet, sensitivitetet, dhe mënyrat e përfaqsimit të këtyre motiveve dhe sensitiviteteve. Këto praktika devocioni, vëren Mahmoud, synojnë krijimin e një etike të caktuar, e bërjes së vetes etike.


Mbi cfarë konsideratash do vendosnim se koha e kaluar në institucione si universitetet përbën kriterin mbi të cilin pranojmë apo mohojmë agjensinë personale? Në c’mënyrë mund të imagjinojmë një person statik dhe në dallim nga një njeri me “përvoja të ndryshme?”


Të tilla supozime nuk ngrihen në zbrazëti ideologjike, sensitivitetesh, perceptimesh e vlerash. Konceptet e lirisë apo qoftë edhe sekularizmit si projekt politik janë produkt zhvillimesh komplekse historike. Z. Nano qartëson këtë sfond mbi të cilin ngre gjykimet e veta mbi zgjedhjen e lirë dhe agjensinë personale, kur flet për kontekste socio – kulturore të prapambetura. Cilat janë këto kontekste dhe mbi cfarë kriteresh përballë ekranit të kompjuterit të vet në Shqipërinë post-komuniste z. Nano vë metrin mbi “kontekstet socio-kulturore” burka-prodhuese? Nuk duhet të jetë e habitshme, atëherë, që z. Nano përfundon duke krahasuar zgjedhjen e lirë në veshjen e burkas, një praktikë fetare, me zgjedhjen e lirë të një akti vrasjeje. Z. Nano me këtë rast na zbulon burkan e vet personale.


Por z. Nano duket të harrojë se konteksti për të cilin ky debat po bëhet është Franca e sotme. Një sërë të dhënash sociologjike na tregojnë se forma devocioni si burka janë refleksione të një forme religjioziteti që ndeshet më së shumti në Perëndim tek bashkësitë e të konvertuarve ose tek gjenerata e dytë që gjithnjë e më tepër po demonstron një religjiozitet më të dallueshëm dhe të ndryshëm nga ajo e gjeneratave të prindërve të tyre.


Por le të kujtojmë, gjithashtu, se ideja e zgjedhjes së lirë të formave që kufizojnë lirinë është e njohur tek të gjitha religjionet ku agjërimi në gati në të gjitha fetë, apo manastiret dhe murgëria që nga ato në krishtërim apo budizëm janë më të njohurat. Në gati të gjitha traditat fetare tradicionale, arritja e lirisë, në një sens ndoshta të panjohur dhe të pakuptueshëm për sensitivitetet tona moderne, kërkon kufizimin e një dimensioni tjetër lirie. Konsensusi për ata që pranojnë premisat bazë të projektit politik sekular qëndron në skepticizmin ndaj mbivendosjes dhe imponimit të mënyrave dominante të nocioneve fluideve si liria. Dhe kjo që mos imponojmë një formë të re ortodoksie jo ndryshe nga fundamentalizmat fetare të të gjitha ngjyrave.

1 koment:

  1. Pare ne nje kuptim te pare, duket se z. Nano ka te drejte. Natyrisht njeriu i ndikuar nga imponimet kulturore, propagandistike, ne kushtet e pamundesise per tu thelluar ne zgjedhjet e tua nuk mund te jete i lire. Por ne lidhje me temen ne fjale, z. Nano gabohet kur e shikon mungesen e lirise tek privimi qe grate me burka apo edhe shami kane ne lidhje me shume gjera ne jeten e tyre. Nuk dua te mbroj burkan. Eshte diskutim tjeter ne fakt, nese eshte apo jo e drejte kjo zgjedhje, por nuk e shoh ate te lidhur me lirine. Mbi te gjitha i njejti arsyetim behet edhe per shamine, arsyetim qe ne thelb, buron nga nje keqkuptim mbi lirine.
    Qe prej filozofeve te antikitetit (qe prej Platonit) dime se liria lidhet doemos me privimin. Liria ne thelb eshte zgjedhje, dhe cdo zgjedhje do te thote privim, perderisa zgjedhim disa gjera kundrejt disa te tjerave. Per kete arsye liria eshte e kundert me ate qe mendojne sot shume njerez, te cilet e lidhin ate me mundesite per te shtuar gamen e realizimit te deshirave.
    Perkundrazi, liria eshte kultivim i vullnetit, dhe si e tille, ajo eshte ne thelb shprehje e aftesise se njeriut per te vendosur ekuiliber brenda vetes se tij. Ti bindesh pasionit, deshirave, nuk shihet si ushtrim i lirise. Perkundrazi, kjo eshte pare gjithmone si roberi. Liria eshte shprehje e fuqise se njeriut per tu ngritur mbi to dhe per te triumfuar ndaj tyre.

    PërgjigjuFshije