e premte, 1 prill 2011

Kush e bëri Revolucionin?

Besnik Sinani

një artikull të kohëve të fundit në gazetën Shqip, Edon Qesari, shkruan:

Nëse është e nevojshme të kuptojmë se ku i ka rrënjët ky dimër i pranverosur kryengritjesh arabe, s'mund ta gjejmë kurrsesi te Tunizia. Edhe ky vend, i pari që vërshoi në rrugë e sheshe për të kërkuar reforma e përmbysje, zanafillën e vet e pat diku tjetër. Kryeministri izraelit Netanjahu, deklaroi se fillimi i vërtetë i furtunës arabe duhej kërkuar në zgjedhjet e manipuluara iraniane të 2009-s dhe te demonstratat që ato zgjuan. Por do të ishte më saktë të prireshim drejt një vështrimi më të thellë në kohë. Në fakt, gjatë një vizite në Kajro (2005), ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Condi Rise, bëri një deklaratë të pazakontë për normat klasike të diplomacisë amerikane në Lindjen e Mesme. "Për rreth 60 vjet", theksoi Rice, “vendi im, Shtetet e Bashkuara, parapëlqyen qëndrueshmërinë (stability) e rajonit të Lindjes së Mesme, në këmbim të demokracisë. Por s'arritëm asnjërën prej tyre. Tani, ne po zgjedhim një tjetër rruge: do të mbështesim pra zellin demokratik të të gjithë popujve".


Megjithatë, këmbimi i këtij kursi diplomatik nuk mund të kryhet brenda ditë-natës, ndaj sot mund të ftojmë intelektualisht një rivlerësim të presidencës Bush. Siç la të nënkuptohej më sipër Rice, Uashingtoni nuk do të kërkonte më një ndryshim rendi (regime's change) me detyrim ushtarak si në Irak, ndonëse do të vazhdonte të ushqente çdo kërkesë të shkallëzuar demokratizimi. Kuptimi ishte i qartë pra dhe kthjelltësish iu përcoll Obamës. Trajtesa e këtij të fundit ndoqi këtë zanafillë dhe anashkaloi çdo prirje për të egërsuar zërin e Amerikës në mbështetje të masave që mbushën sheshet e Teheranit, Tunizit, Kajros, Bengazit e deri në Jemen e Bahrejn. Mund të themi madje se ishte zë i matur, me qasje shpesh të ndrojtur, por asnjëherë kërcënues për ndërhyrje ushtarake.

Qysh nga fillimi i protestave në vendet arabe, mediat amerikane u përfshinë në një garë akreditimi të meritës për nxitjen e revolucioneve arabe. Ndryshe nga Qesari, mediat amerikane, në varësi në anësimit politik, ja dedikuan meritën qoftë fjalimit të cituar më siper të ish sekretares së shtetit amerikan, Condoleezza Rice, apo fjalimit të Obamës po në Universitetin e Kajros në 2009. Këto pretendime u haruan shpejt po jo para se të bëhen objekt humori. Drejtuesi i emisionit Daily Show, Jon Stewart shpotiti edhe pretendimet e tjera paternalizuese që i atribuan meritën Face Book –ut. Nëse diktatorët rrëzohen nëpërmjet Face Book, pyeti Stewart, “why don’t we just poke them?”

Por në shpjegimin e revolucioneve arabe si një reflektim i një mega-strategjie amerikane, autori anashkalon disa zhvillime të rëndësishme midis periudhës së fjalimeve të përmendura, periudhë që nuk ka qenë pa ngjarje.

Pak kohë pas fjalimit të znj. Rice, Lëvizja islamiste e rezistencës palestineze, Hamas, fitoi zgjedhjet. Në Egjipt, nga gati 100 kandidatë të Vëllazërisë Muslimane që u lejuan të marin pjesë në zgjedhje, për zgjedhjet parlamentare me mbi 400 anëtarë, Vëllazëria, me kandidatë të paraqitur si të pavarur, pasi lëvizja ka qenë e paligjshme, 85 fituan. ShBA shpejto harroi premtimin e znj. Rice se vendi i saj do mbështeste aspiratat demokratike të popujve të Lindjes së Mesme.

Ndërkohë, fjalimi i saj nuk shënonte dedikimin e qeverisë amerikane të hiqte dorë nga ndryshimi i qeverive të rajonit me forcë, sic thotë Qesari, sepse sic ka raportuar gazetari amerikan, Seymour Hersh, i cili bëri publike planet amerikane për të pushtuar Irakun shumë kohë përpara se të shpalleshin nga qeveria amerikane, administrata e Bushit gjer në periudhën e vet të fundit po konsideronte seriozisht të sulmonte Iranin.

Prandaj, cdo analist që ka shkruar për fjalimin e Obamës në Kajro, ndryshe nga Qesari, e ka parë atë si një hap që kërkonte të siguronte botën arabe se Amerika nuk do vazhdonte politikat agresive si ato të Bushit. Dy libra kujtimesh nga krerë të asaj administrate, prej vetë Bushit dhe sekretarit të tij të mbrojtjes, Donald Rumsfeld, nuk sjellin asgjë që do motivonin thirjen e Qesarit që “të ftojmë intelektualisht një rivlerësim të presidencës Bush.”

Por t’i kthehemi pyetjes se kush i bëri revolucionet në botën arabe. Në numrin e fundit të revistës The New Yorker, fituesi i cmimit Pulitzer, Steve Coll, shkruan një artikull nga rrugët, fshatrat, tendat e Tunizisë ku vazhdon lufta revolucionare për të siguruar që fitorja e rrëzimit të Ben Alit mos manipulohen nga trashigimtarët e tij politikë.

Një fakt interesant që vë në dukje Coll, është se kish patur përpara vetë-djegjes së Muhamed Buazizit të tjera akte të tilla proteste, por këtë rradhë ndodhi në një qytezë ku gati secili banor ishte kushëri më të, dhe shpejto u kthye në një protestë përpara zyrave qeveritare. Shpejto pati sindikata të rëndësishme që u përfshinë nga Tripoli, bloggers që shpërndanë lajmin, intelektualë sekularë e islamistë në azil politik në Evropë filluan të shkruajnë në web site të njohura. Por ajo që është e rëndësishme në këtë mes, është se u pasua nga një përfshirje e organizatave të majta, komunistë, grupe feministe, islamistë, grupe rinore, repistë, fshatarë, studentë, sindikata.

Avokatë të rinj e studentë të juridikut organizojnë grupe që vizitojnë tendat e protestuesve që t’i edukojnë rreth hapave që duhen ndërmarë për të krijuar një asamble kushtetuese, flasin për të drejtat civile që duhet të kërkohen. Të tjerë studentë shkruajnë graffiti, mbartin parrulla, ndjekin njoftimet mediatike për të vendosur për hapat që duhen marrë në ditët që pasojnë.

Islamistë që kanë qenë në azil prej shumë kohësh, si Rachid Ghonushi, kreu i Ennahda, që analistët thonë se mund të fitojë gjer në cerekun e elektoratit, flet për rolin e ri politik të islamistëve, ndërkohë që sekularistë thonë që prezenca e tyre do jetë pjesë e demokracisë tuniziane.

Ndër njerëzit që Coll interviston, përshembull, është Moncef Marzouki, kryetar i Ligës për të Drejtat e Njeriut, që tashmë ka organizuar një parti të re politike. Në rini, shrkuan Coll, Marzouki kish vizituar Indinë për të studiuar metodat e protestave të Mahatma Gandhi, e në vitet ‘90 kish shkuar në Afrikën e Jugut për të parë periudhën e tranzicionit nga regjimi i aparteidit. Kur Ben Ali kish organizuar gjyqe të stisura dhe ekzekutimet e disa islamistëve, Marzouki kish protestuar dhe regjimi e kish detyruar të largohej në azil politik.

Pra, më shumë se nga një fjalim i njërit apo tjetrit politikan amerikan, ishin përpjekjet e gjithë atyre njerëzve në botën arabe, shumë prej tyre luftëtarë prej dekadash në luftë kundra diktaturave arabe si Moncef Mazouki, që luftuan diktaturat, njerëz të thjeshtë e të rinj, studentë e fshatarë, gra e burra, myslimanë e të krishterë, nga Tunizia në Siri, Bahrein, Egjipt, e Jordani që e dinin se në përballjen e tyre me tiranët mund të humbisnin dhe jetën.

Këto lëvizje masive nuk mund të paketohen brenda një pakete mega-strategjie amerikane, sic bën autori, kjo dhe për faktin se sic vë në dukje Thomas Friedman i The New York Times (30 Mars, 2011), realpolitik – a dikton që teksa trupat amerikane mund të ndihmojnë rrëzimin e një diktatori si Ghaddafi, të njëjtat trupa janë pjesë e mbrojtjes së regjimeve si ai i Bahreinit.


Nuk ka komente:

Posto një koment