E. Mërtiri
Fushata elektorale për zgjedhjet vendore është ndezur tashmë me të gjithë arsenalin e vet dhe duket se dy forcat kryesore janë angazhuar egërsisht duke përdorur çdo mjet për të tërhequr, çdo votë nga kundërshtarët. Natyrisht, gara për Tiranën do të jetë beteja më e rëndësishme në këto zgjedhje, e cila parashikohet të jetë në rezultate shumë të ngushta, gjë që ka bërë që forcat ti kushtojnë rëndësi cdo kategorie dhe grupi shoqëror gjatë fushates. Në këto kushte, edhe muslimanët nuk mud të mbeteshin jashtë betejës, duke zgjuar interesin e të dyja palëve të cilat janë angazhuar fort në garën për të marrë votat e tyre. Në fakt, një gjë e tillë duket se po përsëritet tashmë në çdo fushatë, por kurrë në këtë intensitet. Tashmë kemi edhe një precedent qendror në betejën për votat e muslimanëve, “Xhamia e re”, e cila duket se është bërë karremi kryesor në rrjetat elektorale të të dy kampeve. Të dyja palët u premtojnë muslimanëve ndërtiminin e kësaj xhamie, e inaguruar për të filluar punimet që në 1992-shin, por e mbetur ende e panisur.
E gjithë kjo është një lojë e shëmtuar mes partive, të cilat qartazi nuk e kanë seriozisht atë që thonë. Teksa projekti i Ramës, megjithë pompozitetin e paraqitur (në fakt studiot arkitekturore të kontraktuara ishin vërtetë serioze), bën fjalë për një ndërtesë jo fort dinjitoze në krahasim me atë që kërkojnë muslimanët, Berisha hedh në lojë namazgjanë, një ofertë që ka 19 vjet që ekspozon çdo ditë për kalimtarët vetëm gurin cinik të themelit të pangritur. Në fakt, pokaq cinik mbetet edhe fakti që teza e namazgjasë ofrohet nga të djathtët pas gjashtë vjetësh qeverisje (pa llogaritur ato të mëparshmet), vetëm menjëherë pas ofertës së Ramës. E gjithë kjo sherrnajë, e ngritur befas, kush e kush të ndërtojë këtë xhami, të ngjall krupë. Duket se politika shqiptare bart në thelb një fatalitet metafizik që, si një Rozafat, prodhon veç shkatërrim.
Aktualisht, politika shqiptare po përpiqet ti përdorë nevojat e muslimanëve në funksion të interesave të saj, dhe këtë po e bën në mënyrën më të paskrupullt. Xhamia e re, e cila presupozohet të jetë një objekt adhurimi, prehjeje dhe pastrimi shpirtëror, po trajtohet si një llokmë, për të cilën pushtetet po përleshen kush e kush të na e ofrojë, për të na prishur mendjen që tu japim votën, me të cilën të mund të mbajnë pushtetin e tyre, që të mund të vazhdojnë të ujdisin pazaret e veta. Të dyja palët, po e trajtojnë projektin e kësaj xhamie, pa kurrfarë respekti e shenjtërie, por vetëm ashtu siç dinë ti trajtojnë punët e tyre të interesave të përditshme, me dreqni. Muslimanët mbeten në këtë mes të nëpërkëmbur e të fyer në dinjitetin e tyre në mënyrën më barbare, pavarësisht nëse shumë prej tyre nuk e kuptojnë këtë.
KMSH-ja në shërbim të politikës
Shqetësuese në këtë realitet nuk është thjesht fakti që politika po na përdor në mënyrë aspak dinjitoze, por fakti që institucioni përfaqësues i muslimanëve, KMSH-ja, si dhe shumë aktorë të jetës fetare, po pranojnë të përdoren pa princip, gjë që e shëmton edhe më shumë skenën që po paraqesim. KMSH-ja po shfaq politizim të skajshëm, në nivele të papranueshme për një institucion fetar, i cili presupozohet të ketë një mision shumë herë më të madh, më të lartë, e më fisnik se ai i politikës në përgjithësi, e aq më shumë të asaj shqiptare. Eshtë shumë e mjerueshme të vëresh sesi ky institucion që pretendon se i shërben Zotit të gjithësisë, zbret në nivele të tilla për ti shërbyer interesave të vockëla partiake të batakut politik shqiptar. Përfshirja absurde e KMSH-së në garën elektorale dëmton rëndë imazhin tonë dhe na kompromenton në sytë e publikut. Dalja e Selim Mucës në krah të Berishës menjëherë pas premtimit të Ramës për xhaminë, refuzimi i hapur dhe arrogant i këtij institucioni ndaj ofertës së Ramës, ndërkohë që pranon me dashamirësi një ofertë edhe më joserioze si ajo e Berishës, gjuha e politizuar me të cilën KMSH-ja reagoi pas vendimit të Këshillit të Përgjithshëm për të mospranuar këtë ofertë, abstenimi i vazhdueshëm i saj në takimet e Ramës për projektin e xhamisë, ku KMSH-ja ka dërguar gjithmonë (sa për të larë gojën) njerëz pa kurrfarë tagri dhe potenciali për të negociuar, inagurimi i Universitetit Bedër pikërisht në mes të fushatës, e së fundi, kremtimi i një mevludi publik me fjalime kryeministrore ndërkohë që opozitës nuk i janë bërë as ftesë, jane akte të papërgjegjshme të rrjeshtimit politik të institucionit më të madh fetar në vend, duke pranuar të përdoret për interesa të vogla elektorale. E gjithë kjo eshtë kompromentuese dhe na shndërron në zare të kësaj politike, së cilës çdo qenie me sadopak dinjitet do ti qendronte larg.
Përtej kësaj, kemi zhvillime avancuese në këtë drejtim. Grupi gylenist është afruar ndjeshëm me PD-në dhe po e përdor KMSH-në në funksion të interesave të tij, për të forcuar lobingun e vet. Gylenistët, jo vetëm kanë marrë konsencione nga shteti dhe qeveria, për të shtrirë ndikimin e tyre në KMSH duke dominuar jetën fetare, por kanë fituar përkrahjen shtetërore për të shtrirë aktivitetet e tyre në disa hapësira: në institucionet arsimore, financiare, si dhe në një sërë aktivitetesh kulturore. Rasti më i fundit ishte ai i Konferencës së zhvilluar nga shoqata Prizmi për tolerancën në ballkan dhe modelin e Fetullah Gylenit, e cila u zhvillua (siç kush mund ta besonte?!), nën përkujdesjen e Ministrisë së Kulturës. Madje nuk munguan as superlativat dhe elozhet e Ministrit për Gylenin, pavarësisht faktit se ai mbetet një figurë e panjohur në Shqipëri dhe askush, përfshirë edhe xhematin, nuk e ka idenë e aktivitetit të tij, përveç vetë gylenistëve. Kjo do të thotë që politika po e shndërron KMSH-në në një aneks elektoral, dhe nga ana tjeter, nurxhinjtë po e shfrytëzojnë këtë instrumentalizim politik të fesë për përfitimet e tyre, në funksion të orekseve kolonialiste që kanë në Shqipëri.
Dështimet e përsëritura
E keqja është se kjo dalldi elektorale ka përfshirë shumë prej muslimanëve. Kudo në facebook, por edhe në kontakte me njerez, vihet re një entuziazëm për fitoren e PD-së, e cila shihet si një betejë e rëndësishme për hapjen e rrugës për Islamin në këtë vend (dokrra hini). “Vëlla Luli” (Basha) ka ndezur shpresën e një pjese të madhe të muslimaneve për rregullimin e punëve të fese fill pas fitores. Por jo vetëm kaq, shumë prej njerëzve pranë imamëve, janë integruar në strukturat lokale të PD-së dhe janë angazhuar në fushatë. Të gjitha këto flasin për një realitet të ngarkuar ndjeshëm me politikë. Por jo me një përfshirje serioze në mënyrë të pjekur dhe asnjanëse. Përkundrazi, kemi të bëjmë me militantizëm të verbër, që vepron shumë, por mendon pak, e si rrjedhim derdh shumë kontribut, për hiçgjë. Mund të jetë e kuptueshme që një komunitet fetar edhe të mund të bëjë lobing për të mbrojtur hapësirën e vet shoqërore, të cilën politika nuk ta garanton po nuk luftove që ta ruash, por nuk ka fare kuptim që institucionet fetare apo njerëzit e fesë të angazhohen në punë militantësh në bazë e në struktura të partive, duke kontribuar në punët më të rëndomta të jetës partiake.
Megjithatë mpleksje të tilla të fesë me politikën, ndonëse jo në këtë nivel, ka pasur që më herët. Shfaqja publike e disa prej imamëve të Tiranës në krah të disa prej figurave nga më të përfolurat për korrupsion, kanë qenë precedentët e parë të instrumentalizimit politik të fesë në mënyrë publike. Një nga nismat e para në këtë drejtim, ka qenë tentativa e shoqatës Al Haramain (atë kohë drejtohej nga disa prej vëllezërve tanë shqiptarë që drejtonin edhe xhaminë e Dine Hoxhes), për tu afruar me Edi Ramën, duke ofruar ndihma për të përmbyturit e Tiranës së Re (për faj të Bashkisë kjo), me ç’rast Rama u mori paratë, pa ua vërshëllyer aspak. Kjo ka qenë edhe disfata e parë, pas së cilës kanë vijuar të tjerat, gjithmonë pa vënë mend. Disa nga rastet më kulmore, kanë qenë natyrisht iftaret e përbashkëta me krerë të lartë politikë, formalë e informalë, disa prej të cilëve, të akuzuar egërsisht nga media për korrupsion, e kanë shfrytëzuar këtë rast, duke përdorur pudrën fetare për të kuruar sadopak imazhin negativ. Natyrisht, këto tryeza iftaresh netëve të Ramazanit, më tepër se mesazh fetar kanë ofruar trukim mediatik për iftar-ngrënësit nga politika. Vlen të diskutohet nëse me këto iniciativa pastruam fytyrat e tyre apo nximë tonat.
Tashmë, mund të themi se këtë dukuri po e trashëgojnë nurxhinjtë, në mënyrë shumë më të institucionalizuar, por shumë më të kompromentuar dhe problematike.
Nevoja për distancim
Muslimanët janë aktualisht komuniteti më i përdorur politikisht, ndërkohë që janë edhe komuniteti më i diskriminuar nga politika. Pra ky raport i zhdrejtë mes angazhimit dhe pasojave tregon për dështimet tona në këtë drejtim. Jo vetëm që ende pas 19 vjetësh nuk është asgjë për ndërtimin e Xhamisë së re, por muslimanëve u duhet të ndeshen me ligje diskriminuese për ta (sic është Marrëveshja e shtetit me KMSH-në), me diskriminim në punësim e shkollim, sic është ai i vajzave me shami, me urdhëresa që Ministria e Arsimit nxjerr për të mos njohur asnjë diplomë nga vendet muslimane, me ndërhyrjet e paprecedenta të shtetit në KMSH për të mbrojtur Selim Mucën dhe të gjithë Selimët që e mbajnë peng institucionin tonë, etj, për të mos folur pastaj për flirtet e politikës shqiptare, nga të dyja krahët me dy komunitetet e tjera. Pra, ku shkoi fytyra jonë që u bë shollë?
E gjithë kjo dëmton rëndë kredibilitet publik të KMSH-së dhe muslimanëve. Në këtë mënyrë, ne japim shembull negativ, duke mos i shërbyer misionit tonë, por duke i ftohur njerëzit prej fesë sonë. Në këtë mënyrë ne u dëshmojmë njerëve se nuk jemi në këtë vend për të ofruar rrugë drejt shpirtit dhe moralit që mungon në këtë shoqëri, por për tu përfshirë në beteja banale politike, të cilat janë edhe shkaku pse ky vend është në këtë mjerim. Për rrjedhojë, në dëshmojmë se jemi si të gjithë të tjerët, në të njëjtin nivel morali, kulture, barbarie, militantizmi, të karakterizuar nga një mungesë e frikshme idealesh. Ndërkohë që feja është e vetmja rrugë që mund tu kujtojë njerëzve që ka një realitet përtej atij material, ne përfshihemi etshëm pikërisht në atë realitet, të cilin jemi të obliguar ta shpërfillim. Në këtë mënyrë, ne humbin mundësinë të bëhemi objekt që u kujton njerëzve Zotin dhe nevojat e tyre shpirtërore, por vetëm u legjitimojmë shterpësinë shpirtërore duke u i bërë të ndjehen në rregull, sepse edhe njerezit e Zotit po veprojnë si ata, duke u interesuar më shumë për ujdisjen e kësaj bote sesa për punët e shpirtit. Në këtë mënyrë, duke shpenzuar kaq shumë për punët e kësaj bote (me cfarëdo lloj nieti qoftë), ne po i ndihmojmë njerëzve të mos mendojnë për botën tjetër. Kësisoj ne nuk mund tu blejmë dot atyre shpirtërat, pasi i kemi shpenzuar të gjitha kreditet tona për të blerë llokmën tonë të kësaj bote, në tregun e fëlliqur të xhunglës sonë politike. Kjo është mënyra efikase për ta bërë të falimentuar misionin tonë.
Nuk ka komente:
Posto një koment