e enjte, 7 prill 2011

Shpërndahuni, po na numërojnë!

E. Mërtiri

Teksa në Shqipëri, opinioni publik është përfshirë prej kohësh në polemika për deklarimin fetar dhe etnik në regjistrimin e popullsisë, i njëjti debat ka përfshirë tashmë Kosovën. Komunitetet fetare si dhe aktorë të ndryshëm të jetës publike në Kosovë kanë shprehur shqetësimet e tyre për këtë, duke u frikësuar për mundësitë e prodhimit të rezultateve fiktive, si dhe për stimulimin e problemeve në interpretimin e të dhënave. Të dhëna të tilla krijojnë mundësitë për të hapur debate të dëmshme të ngritura mbi lojëra shifrash, të cilat ne ballkanasit i ushtrojmë prej shumë kohësh.


Prej kohësh, që prej fillimit të përpjekjeve për copëtimin e Perandorisë Osmane, statistikat etnike dhe fetare në rajon, të ofruara nga kancelari të ndryshme, kanë variuar në përmasa kontrastuale për çdo cep të rajonit, në varësi të interesave politike që i kanë përdorur këto statistika në funksion të argumenteve të tyre ideologjike. Lufta për numrat ka qenë një prej betejave më të preferuara të qarqeve intelektuale nacionaliste ballkanike, të cilat kanë ndërtuar legjitimitetin e politikave të tyre të mbrapshta që kanë ndezur zjarr në Ballkan pikërisht mbi ftohtësinë dehumanizuese të këtyre shifrave. Statistikat në këtë rajon asnjëherë nuk janë konstatuar objektivisht nga realiteti, por gjithmonë janë prodhuar politikisht, në funksion të interesave dhe orekseve politike e territoriale. Kjo është bërë në dy mënyra: ose nëpërmjet fiktivitetit të të dhënave, ose nëpërmjet veprimtarisë genocidale dhe spastrimeve etike, gjë që ka rezultuar me një kosto të tragjike mbi jetët dhe fatet e njerëzve, por edhe mbi destabilitetin që vazhdon të qendrojë pezull mbi qiellin ballkanik.

Aktualisht duket se ky sport vazhdon të jetë tërheqës për shumë aktorë politikë e grupe lobingjesh diplomatike, gjë që tregon se kjo mendësi ende nuk është shkulur prej trurit të mpirë që prodhon imagjinatën vrastare të popujve të këtij rajoni. Grekët vazhdojnë këmbëngulin për “dobitë” që do të sjellë regjistrimi i etnisë dhe fesë, dhe se sa mirë do ti realizojë standardet europiane regjistrimi në Shqipëri. Kjo bëhet, ndërkohë që teorikisht e kemi të vështirë të biem dakort mbi kuptimet që kanë termat kombësi, etni, shetësi etj. dhe ndërkohë që debatet e sotme mbi identitetin në shoqëritë moderne ofrojnë qasje të ndryshme përcaktimesh, e për më tepër për shoqëri të tilla në tranzicion si ajo shqiptare. Ndërkohë në Kosovë, ndonëse ka një diskutim të gjerë mbi shume prej dukurive fetare të shfaqura së fundi, qeveria mendon se politikat mund ti orjentojë nëpërmjet statistikave mbi fetë. Për rrjedhojë edhe reagimet shpesh mbeten në këtë qerthull diskutimi, pa e tejkaluar dot ping-pongun e argumenteve që, më shumë se bindjen për vlerën e kësaj nisme, ofrojnë mjete justifikuese që nuk na e thonë hapur se ku e kanë qëllimin e vërtetë.

Pas reagimit të komunitetit protestant në Kosovë (të cilët shqetësohen në thelb se shifrat mund të mos jenë favorizuese për ta), Forumi Musliman i Kosovës reagoi gjithashtu kundra një pike në pyetësorin që do të regjistrojë popullsinë. Reagimi nuk ishte kundër regjistrimit fetar në tërësi, por kundër opsionit për ta lënë pa përgjigjie pyetjen përkatëse mbi besimin, gjë që tek ata sjell shqetësimin se shumë njerëz, duke mos dashur të prononcohen, do të krijojnë mundësi për abuzim me shifrat. Për këtë arsye FMK-ja detyrohet tu bëjë thirrje njerëzve që të mos abstenojnë në përgjigje, por të deklarohen pa frikë për fenë e tyre. Pa i vënë faj FMK-së, e cila është e detyruar të menaxhojë një realitet që nuk e ka prodhuar vetë, ky reagim mbetet i sforcuar, i cili synon të zbusë sa më shumë kostot e një pune të mbrapshtë që në fillim. FMK po përpiqet ti motivojë njerëzit të deklarohen hapur për fenë e tyre, ndërkohë që më e udhës do të ishte që ata të mos kenë nevojë fare të vihen përballë opsionit për të zgjedhur.

Ajo që do të duhet të sqarohej nga ata që ndërmarrin insiciativa të tilla janë dobitë që do të kenë shqiptarët nga këto regjistrime, apo politikat zhvilluese që qeveritë presupozohet se kanë gati, me të marrë vesh të dhënat e sakta mbi shpërndarjen etnike dhe fetare në shoqëritë tona. Do të ishte e nevojshme të njiheshim me projektet që qeveritë synojnë të hartojnë mbi bazë të informacioneve që pritet të nxjerrin nga ky regjistrim, për të kuptuar më mirë dobitë që ka kjo nismë. Por me sa duket, e vetmja gjë që do të sjellë ky regjistrim, është gara idiote e grupeve të ndryshme sociale që i bazojnë angazhimet e tyre mbi principe të tilla dominimi, që i shohin “fitoret” vetëm si humbje të grupeve të tjera rivale.

Eshtë e çuditshme sesi një shtet që paraqet një model radikal laicizmi (siç është ai i paraqitur në Shqipëri dhe në Kosovë, që ndalon praninë e simboleve fetare të nxënësve në shkolla), të interesohet mbi nivelin e identifikimit të individëve me fetë. Çfarë nevoje ka për të deklaruar fenë, kur në principet e shtetit shqiptar, feja nuk merret para sysh në raportet mes individit dhe shtetit? Atëherë, ç’i duhet shtetit sesa është numri i muslimanëve dhe të krishterëve në këtë mes? Nëse të gjithë shtetasit janë të barabartë, pavarësisht nga feja atëherë çfarë interesi duhet të ketë ky shtet për besimin e tyre?

***

Në filmin “Dimri i fundit”, një prej produkteve tipike të një kinematografie intoksikuese propagandistike siç ishte ajo e Kino-laboratorit të “Shqipërisë së re”, të projektuar nga ideologjia komuniste shqiptare, ka një batutë që mund ti shkojë në mënyrë të përpiktë si slogan kësaj dialektike shifrash që zhvillohet sot në trevat shqitpare. Një tufë grash të një fshati malor, synojnë të çajnë rrethimin gjerman, për të kaluar disa gra partizane të veshura si fshatare, të cilat i kishin strehuar në fshat për tu mjekuar. Për të realizuar këtë, gratë kishin improvizuar një ekskursion të përbashkët në pyll, kinse po shkonin për të prerë dru, nga ku do të mund edhe të kalonin barrierën gjermane, por rrugës ndeshen me survejimin e vazhdueshëm të gjermanëve, të cilët i mbajnë gjatë gjithë kohës në vëmendje. Në një moment, kur dukej se situata po bëhej kritike dhe gjermanët po përpiqeshin të konstatonin nëse numri i grave në kthim ishte i barabartë me atë në nisje, një prej personazheve u bën thirrje të tjerave: “Shpërndahuni se po na numërojnë”!

Ndoshta e vetmja gjë për të cilën mund të ketë ndonjë vlerë sot kinematografia socio-realiste shqiptare, është mundësia për të gjetur batuta që mund të përthyejnë në mënyrë komike metaforën groteske të realitetit të sotëm. Jo më kot ky realitet i përgjigjet mekanizmit propagandistik të ushtruar për 50 vite me rradhe nga ideologjia zyrtare. Ka një lidhje gjenetike ndërmjet shqiptarit të ri sot, dhe atij të projektuar nga regjizura komuniste gjatë atyre viteve. Thirrjet e grupeve të ndryshme etnike dhe fetare për tu “shpërndarë” gjatë regjistrimit të popullsisë, gjejnë shpirtin e tyre binjak në epruvetat laboratorike të dikurshme të njeriut të ri, atëherë ende nën vëmendjen eskperimentale te ideologjisë zyrtare. Ajo që duket se po ndodh tashmë, është ndërrimi i ideologjive që po trashëgojnë këtë eksperimet dehumanizimi, duke bërë që “njeriu i ri” të kalojë nga fabrikat e dikurshme jorentabël të konunizmit në një mori kuzhinash të reja, që ofrojnë, secila për hesap të vet, recetat e tyre dietike për prodhimin artificial të shqiptarit të së nesërmes. Si rrjedhim, kjo edhe është arsyeja përse realiteti shqiptar është sot një çorbë e tillë të cilën në fakt nuk dihet sesa do të na duhet për ta vjellë.

Nuk ka komente:

Posto një koment