E-Zani
Në këtë prag zgjedhjesh për pushtetin lokal, në një periudhë të polarizuar politike, nuk kanë munguar dhe prononcimet e disa imamëve në hutbet e të premteve rreth zgjedhjeve të ardhshme. Janë dëgjuar celebrimet e “faktorizimit” politik të myslimanëve që sjell vëmendje të politikës ndaj kërkesave të tyre, ku shembulli i projektit të bashkisë për xhaminë e re dhe deklarata e qeverisë për dhënien e namazgjasë pas njëzet vjet zvarritje, anullime e mohime të së drejtës për të ndërtuar xhami për të plotësuar nevojat e besimtarëve, sillen si shembujt më të qartë të këtij “faktorizimi” politik të bashkësisë së myslimanëve.
Ky blog ka tërhequr vëmendje dhe më parë ndaj rrezikut të politizimit të institucioneve fetare dhe kthimin e tyre në shërbëtorë elektoralë të grupeve dhe segmenteve me pozita të paqëndrueshme morale dhe në implikimet që kjo sjell për institucionet që duhet të mbartin standartin e etikës dhe parimeve në një kohë kur këto janë kaq të munguara.
Por prononcimet nga hutbet e disa imamëve na tërheqin vëmendjen rreth një zhvillimi të rëndësishëm por të padiskutuar më parë brenda komuniteteve tona: imamët kanë kapërcyer rolin e tyre si drejtues fetarë të xhamive dhe kanë përftuar rolin e udhëheqësve komunitarë. Dallimi duket i parëndësishëm, por mbart implikime që duhet të tërheqin vëmendjen e të gjithë bashkësisë.
Imamët janë udhëheqës në lutje e namaze, këshillues në sfidat tona sociale e familjare në bazë të edukimit të tyre si udhëheqës fetarë, në bazë të dedikimit të tyre në mësimin e traditës fetare dhe përpjekjes që në mënyrë ideale të shërbejnë si shembuj praktikë të mbartjes së këtyre parimeve.
Por në bazë të cfarë funksioni, kredencialesh, pozite ata mund të negociojnë dhe përfaqsojnë interesat e bashkësisë në një shoqëri pluraliste, multi-fetare, të udhëhequr nga mekanizma socialë dhe politikë që efektojnë jetën e besimtarëve si individë, qytetarë dhe anëtarë të një bashkësie fetare? Në bazë të cilave kredenciale evidentohen nevojat dhe sfidat e bashkësisë në kontekstin e shoqërisë ku jetojmë?
Le të marim si shembull projektet e përfolura për ndërtimin e xhamisë. Atyre që kanë ngritur zërin kundra këtyre projekteve dhe që i kanë quajtur si të motivuara nga karshilëku ndaj kishave ortodokse dhe katolike u bëjmë thirrje të kalojnë pranë secilës xhami të kryeqytetit në mesditën e të premtes ku në kohë shiu e dimri, besimtarët prej vitesh detyrohen të falen jashtë pa dinjitetin, qetësinë dhe higjenën që kërkon tradita jonë fetare. Atyre që ngrejnë shqetësimet për hapsirat e gjelbërta, shqetësim që ne ndajme plotësisht, do duhet për hir të konseguencës ti pyesim për heshtjen e tyre për zënien e kaq e kaq hapsirave të gjelbërta në parqe të Tiranës, përfshi dhe parkun e madh.
Por ajo që duam të tërheqim vëmendje këtu është cfarë kemi shprehur dhe më parë në këtë blog, se njëzet vitet e mohimit të kërkesës për ndërtim xhamie janë indikues të një problematike më serioze se vetë mungesa e xhamisë, e statusit të margjinalizuar dhe të diskriminuar të bashkësisë së myslimanëve nga elitat politike dhe intelektualët që formulojnë qëndrimet e tyre, e pretendimit se besimi mysliman, vizibiliteti i xhamive të tyre dhe besimtarëve që mbartin forma të dukshme devocioni fetar janë kontradiktore me aspiratat politike të gjithë shqiptarëve, madje më tej, përbëjnë rrezik për këto aspirata. Këto qëndrime kanë rezultuar në diskriminime në punësim dhe shkollim, në prishjen e balancave midis komuniteteve fetare të nevojshëtm në një sistem sekular, në paraqitjen e traditës islame dhe besimtarëve myslimanë si entitet i huaj që nuk gëzojnë legjitimitet në shoqërinë shqiptare.
Ngritja e një apo dy xhamive, edhe nëse vërtet realizohen – e politikanët tanë kanë dhënë dhe më parë premtime, kanë vënë dhe gurë themeli ceremonial për ta mohuar më vonë - teksa adresojnë nevojat për hapsira lutjesh dhe që konsistojnë në një kërkesë të bazuar në garantimin e lirisë së fesë të garantuar nga kushtetuta e këtij vendi, nuk adresojnë problemet që qëndrojnë mbrapa mohimit njëzet vjecar të kërkesës për ndërtimin e xhamisë. Teksa vlerësojmë thënien e kryministrit Berisha, se i vetmi fundamentalizëm që ka egzistuar ndonjëherë në Shqipëri ka qenë ai komunist, teksa për vite myslimanët shqiptarë janë demonizuar për evente që s’kishin të bënin fare me to, është gjithsesi shumë pak kur dhe funksionarët dhe mediat e kryeministrit rëndomë përdorin leksikun islam si formë ofendimi politik.
Ti kthehemi rolit të imamëve si përfaqsues e liderë komunitarë, në bazë të cfarë kredencialesh kanë ngritur analizën e sfidave me të cilat përballet komuniteti që marin përsipër të përfaqsojnë?
Një imam shkoi aq larg sa të deklaronte se së shpejti “do marrim vendim” se cila palë do mbështetet dhe do u bëhet e ditur besimtarëve në hutben e ardhshme. Ky lloj ligjërimi krijon iluzionin sikur grigja e besimtarëve që shkojnë për të dëgjuar predikimin e të premtes janë një turmë pasive që pret direktiva nga udhëheqsi fetaro/politik. Po ofrojmë një këshillë falas për politikanë e imamë: njerëzit nuk janë aq kollaj të parashikueshëm.
Është gjithashtu iluzore por dhe etikisht problematike të mendosh se njeriu mbart vetëm interesa politike të ngjyrës fetare sic e artikulon imami i xhamisë që frekuenton, pa patur interesa të tjera për përmirësimin e jetës së qytetit, pa patur ndjeshmëri që mund të preken më shumë nga një mesazh politik se sa nga një tjetër.
Por mbi të gjitha, imamët tanë, që janë vllezër tanë në fe, Zoti i ruajtë nga marja përsipër e përfaqsimit në gama për të cilat nuk janë fusha e tyre e ekspertizës dhe shpresojmë që të jenë duke u këshilluar me njërëz që gëzojnë ekspertizën e duhur, gra e burra, përpara se të precipitojnë në qëndrime të hapura politike, se tek e fundit prej tyre pritet të na flasin për vlera që mbeten edhe pas përfundimit të fushatës, dhe pas zhgënjimit me politikanin e rradhës.
Nuk ka komente:
Posto një koment