Besnik Sinani
Duke biseduar me një të njohur për qyfyre shqiptarësh në You Tube, ai më përmend rastin e një të njohuri të përbashkët që paska disa postime në You Tube ku u përgjigjet pyetjeve fetare myslimane rreth cfarë anullon agjërimin, ritualet e larjes para faljes e cështje të tilla të ngjashme. Me një takie në kokë e rrobë të gjatë, me një emër llagapi arab, ulur para kameras në dhomën e tij, ai mer poza e intonacione si ndonjë “sheh,” por zanati i vetëm që kur ka mbaruar shkollën e mesme – të cilën ka pranuar vetë se mbi gjysmën e kohës nuk e frekuentonte – ka qenë të përgatiste pizza. Kush flet për teologjinë, praktikat, ritualet, spiritualitetin islam?
Librat tradicionalë, vecanërisht në cështje të së drejtës islame që përfshijnë ritualet, rreshtojnë një sërë kredencialesh të nevojshme për dikë që mund të japë përgjigje, fetua, për cështje fetare ku përmenden njohje e thellë gjuhësore e arabishtes (që të kuptohen ambiguitetet sintaksore që mund të përmbajë një tekst), njohja e nevojshme dhe e thellë e disa teksteve themeltare, që janë në disa volume, tekstet e abroguara e gjer tek reputacioni e integriteti i personit të kualifikuar. Këto kredenciale, tradicionalisht, kanë qenë pjesë e kushteve të pranimit në zejen e ulemave, të cilat kanë ruajtur ekskluzivitetin e dijes fetare, të organizuar në autoritetin ligjor të mbartur tek shkollat tradicionale të Islamit suni, Hanefizmit, Malikizmit, Shafizmit dhe Hanbelizmit.
Në kohët moderne, sic vë në dukje profesori i historisë dhe të drejtës islame në Univeritetin Princeton, Muhamed Qasim Zaman, aftësia për të shkruar dhe lexuar e një numri gjithnjë e më të madh, teknologjia e re dhe mjetet e komunikimit kanë sjellë një sfidë të rëndësishme ndaj autoritetit tradicional të ulemave. Pjesë e kësaj sfide është drejtuar ndaj autoritetit të shkollave tradicionale, të cilat shpesh përshkruhen si të ngurta apo si të larguara nga fryma e mirëfilltë e traditës profetike.
Selefizmi ka qenë një nga sfidat më të rëndësishme, por jo të vetme, ndaj autoritetit të shkollave tradicionale, medhhebeve. Figura të njohura të selefizmit si sheh Muhamed Sulltan el-Haxhnadi, besonin se kushdo mund të marrë kanonet e teksteve të hadithit dhe të deduktojë për vete mësimet fetare. Ngjashmëria me premisën bazë të protestanizmit në Krishtërim është e dukshëme.
Opozita e Selefizmit ndaj medhhebeve nuk drejtohet vetëm ndaj autoritetit të tyre por edhe ndaj konceptit të multi – vokalitetit tradicional islam, që konsideron qëndrimet e ndryshme brenda këtyre shkollave si gjithsesi të vlefshme brenda kornizës të Islamit suni, ide që ka siguruar një sens të unitetit brenda diversitetit. Një nga figurat më të njohura të selefizmi, si sheh el – Albani, konsideronte se edhe në cështjen e diferencës së opinioneve të dishepujve të Profetit Muhamed a.s. sahabëve, vetëm një qendrim syresh mund të jetë i drejtë.
Por edhe vetë Albani nuk ishte për anarki në autoritetin fetar. Sic vë në dukje Jonathan Brown i Universitetit Goergetown në ShBA, në librin e tij The Canonization of al-Bukhari and Muslim, edhe për Albanin dedudktimi i rregullave fetare nga tekstet primare ishte cështje që u përket atyre “të paktëve” që kanë dije, që do të thotë që janë trajnuar dhe kanë studiuar traditën.
Ulematë në Arabinë Saudite, në një fetua firmosur nga disa nga figurat më të njohura fetare në atë vend, si el Feuzani, bin Baz e të tjerë, kanë konfirmuar autoritetin e shkollave tradicionale dhe “urtësinë dhe bekimin hyjnor” mbartur në diferencat e opinioneve brenda shkollave.
Profesori i të drejtës islame në Universitetin Columbia në ShBA, Wael Hallaq, ka vënë në dukje në librin e tij, A History of Islamic Legal Theory, se autoriteti i medhhebeve ka qenë thelbësor për efikasitetin dhe mbijetesën e strukturës legale në periudhën para moderne. Duke qenë se ulematë kanë mbajtur institucionin e dhënies së opinionit fetar, fetuas, të shkëputur dhe larg shtetit, institucioni i fetuas (ifta) ishte në rezik që gjithkush mund të pretendonte të ishte pjesë e tij dhe të jepte opinion fetar duke sjellë rezikun e kaosit.
Sistemi i medhhebeve funksiononte, në një farë mënyre, si institucioni që jepte licensën e juristit për atë që kishte kredencialet e juristit të njohura nga ulematë. Cdo shkollë zhvilloi, shkruan Hallaq, “një kriter të vetë-imponuar rreth llojit të doktrinës legale që do konsiderohej e pranueshme.” Ata pranuan një numër tekstesh që fituan statusin e kanonizuar dhe kjo i shërbeu përjashtimit të mundësisë që një person i pakualifikuar të jepte fetua në cështje legale që ishin inkonsistente me sistemin e së drejtës fetare “sic operohej në mënyrë normative dhe në konsensus.”
Për tradicionalistët myslimanë, diktumi në Kuran “Pyesni njerëzit që dinë nëse nuk dini,” është vargu kryesor që shënon një sistem hierarkik të dijes së shenjtë. Por opinione si ato të el – Haxhnadit janë bërë tejet të përhapura në një kohë kur volume të teksteve të kanonizuara gjenden të përmbledhura në CD. Sigurisht, këto CD nuk vinë me volume komentarësh që kanë krijuar një sistem të tërë që specifikojnë kur një hadith, për shembull, merret si indikues për një aplikim të përgjithshëm apo unik, specifik; a pranohet një tekst i transmetuar nga një burim i vetëm transmetimi në vendosjen e doktrinës teologjike apo jo; si veprohet me hadithe që në pamje të parë mund të duken si kontradiktore me njëra-tjerën etj.
Barazia e opinioneve të ngjizura në network-e sociale si Facebook, apo mundësitë e njëjta të aksesit në diseminimin e ideve si në You Tube, sfidojnë vetë nocionin e hierarkisë të mbartur në konstruktet tradicionale të autoritetit fetar. Përvec sensit të barazisë që kjo sjell dhe sfidës ndaj formave të autoritetit tradicional, ato krijojnë dhe një anarki të mendimit fetar që ka qenë shpesh dhe një nga shënuesit kryesorë të disa prej tendencave ekstremiste në kohët moderne.
Këto janë kushtet që mundësojnë dikë që ka ekspertizë vetëm në bërjen e pizzas që të predikojë dhe flasë në autoritetin e qindra viteve skolastikë.
E përgëzojë autorin e këtij artikulli apo ndryshe këtij artikulimi shumë të saktë, rreth një të vërtete të zymtë e cila për fat të keqë po ndodh në ditët tona dhe në meset tona. Allahu e shpërbleft nga të mirat e Tij të shumta!
PërgjigjuFshijePropozimi im është; që ky artikull të ribotohet në shtypin islam shqiptar (në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, Mal të Zi dhe Kosovë Lindore)po pse jo edhe në diasporë. We selamullahi alejkum xhemian!