e martë, 4 tetor 2011

E-zani ofron nje faqe te re


Të nderuar lexues! Duke synuar të rrisim dhe përmirësojmë mundësitë e komunikimit me ju, kemi krijuar një blog tjetër, më të avancuar dhe me rifreskime më të shpeshta, duke qenë më të vëmendshëm ndaj ngjarjeve dhe zhvillimeve të aktualitetit. Kjo faqe e re do të jetë më interaktive dhe do të ofrojë mundësi më të mira që ju të merrni pjesë me komentet tuaja. Blogu i ri do të mund të gjendet në adresën www.e-zani.com. Shpresojmë të kemi realizuar sa më mirë atë për të cilën të gjithë së bashku kemi më shumë nevoje.

Ju faleminderit për mirekuptimin dhe kontributin tuaj!

e-Zani

e enjte, 29 shtator 2011

KMSH legjitimon vjedhjen e mandateve në KPD

Komuniteti Musliman ka thërritur mbajtjen e seancës së parë të Këshillit të Përgjithshëm Drejtues të dalë pas zgjedhjeve të kontestuara që u mbajtën në verën e këtij viti. Mbledhja do të zhvillohet ditën e djelë dhe do të ketë për rend dite, fillimisht konstituimin e këtij këshilli, duke i dhënë mandatin për vitet në vazhdim, miratimin e të gjitha vendimeve të Kryesisë së KMSH-së të mbajtura që nga mbledhja e fundit e Këshillit të Përgjithshëm, si dhe disa çshtje të tjera, të cilat në shkresën përkatëse të Kryesisë së Këshillit nuk bëhen të ditura.

e martë, 27 shtator 2011

Folklor shkencor


Doan Dani

Përpara disa javësh zjarri shkrumboi vegjetacionin modest në malin e Taraboshit dhe vendi i dytë në Evropë për ritmet e rritjes ekonomike, sipas një legjende qeveritare, e përballoi sfidën natyrore në pritje të ndërmjetësimit hyjnor. Dëmi ekonomik dhe ekologjik si gjithmonë nuk shqetëson autoritetet përkatëse dhe as masën, e deri këtu nuk kemi përse të skandalizohemi. Mirëpo, kur vëren se Mali i Zi, një shtet demografikisht më i vogël se Tirana, pa rritjen ekonomike të Shqipërisë, madje i banuar tërësisht nga “malokët” – duke huazuar një etiketë standarde –, zotëron avionë të posaçëm në shuarjen e zjarreve, nuk mund të mos argëtohesh nga pretendimet e flirteve nacionaliste mbi superioritetin tonë etnik, që aktualisht gumëzhijnë nëpër media, e gjithashtu nuk mund të mos trishtohesh nga memoria e paraardhësve tanë të cilët luftuan përgjatë ngjarjeve historike të konsumuara në urën kohore mes shekujve XIX dhe XX, që ato shkrepa të ishin shqiptare. Ne e djegim pasurinë kombëtare dhe njëkohësisht bëjmë sehir. Sidoqoftë, ironia qëndron diku tjetër. Ndërsa zjarri përparonte i patrazuar, mediat kryesore fokusoheshin parësisht tek votimet në zonën e Dukagjinit, ku njëzet vitet e fundit zgjedhjet nuk zhvillohen asnjëherë në afatin dhe mënyrën e konsideruar normale. Kjo dëshmon qartësisht se kasta politike zotëron hapësirat kryesore në jetën kolektive të shqiptarëve televiktima, në atë interval kohorë ditorë ku mungojnë “kopshti antropologjik” i Big Brother, telenovelat etj. Akoma më problematik prezantohet fakti se kasta është shndërruar në njësi matëse dhe me pretendime interpretuese, që në rastin e politikës nënkupton monopole partiake.

NYTimes: Vendosja e Artit Islam në një piedestal të ri.


“Përgjatë tre viteve të fundit,” shkruan Randy Kennedy në një artikull të The New York Times, “në dhoma galerish të fshehura nga sytë e publikut në katin e dytë të Muzeut Metropolitan të Artit [në New York]… rrëfenjat për pasuritë nga e kaluara e Islamit po shpalosen…, thesaret, në këtë rast më shumë se njëmijë pjesë nga posedimet e mëdha të artit Islam në muze, ngadalë po popullojnë dhoma të ndërtuari rishtazi, që po zënë vend në vitrina të reja vezuelluese me mermer egjiptian nën këmbë dhe abazhurë xhamishë mbi kokë, midis gërgëllimës së shatërvaneve dhe harqeve të ngritura si korniza për pamjet e 13 shekujve histori arti.“

e hënë, 26 shtator 2011

Pamundësitë për rishkrimin e historisë


E. Mërtiri

Sociologu dhe politologu Fatos Tarifa u përfshi gjatë këtyre ditëve në debatin mbi rishkrimin e historisë me një replikë ndaj historianit të mesjetës Ferid Duka, në të cilën paraqiteshin kontestimet e tij mbi mënyrën sesi z. Duka e koncepton këtë proces. Tarifa përpiqet të kundërshtojë konceptimin e Dukës, për atë çfarë duhet rishikuar në periudhën osmane të historisë shqiptare. Ai replikon ndaj një tij, duke shprehur kundërshtim të ashpër ndaj një pasazhi të shprehur nga Prof. Duka: Shqipëria u pushtua nga osmanët në shekujt XV-XVI, por pas këtij momenti ne nuk mund të flasim vetëm për pushtim, por edhe për zhvillim ekonomik, shoqëror, kulturor të popullit [shqiptar] në kuadër të Perandorisë Osmane, ashtu siç duhet të flasim edhe për rolin që luajtën shqiptarët në historinë e kësaj perandorie [dhe] mënyrat e integrimit në sistemin osman”.

e shtunë, 17 shtator 2011

Shqipëria, Palestina dhe Kosova

Arber Fetiu

Vitin që shkoi, politika e jashtme Kanadeze, krahas sprovave të ndryshme në agjendën e saj ndërkombëtare qe vendosur edhe para një testi të rëndësishëm për prestigjin dhe për vet politiken e jashtme kanadeze. Në Këshillin e Sigurimit, organin më të lartë të OKB-së, Kanadaja ishte vënë në garë karshi Gjermanisë dhe Portugalisë, për okupimin e njërës nga dy ulëset jo-permanente të Këshillit të Sigurimit, që do i jepte Kanadasë një eko më te rëndësishme për dy vitet që do vinin në këtë mekanizëm të diplomacisë ndërkombëtare. Parashikimi sillte në horizont Gjermaninë si fituese të pakontestueshme të njërës nga ulëset, ndërkaq ulësja e mbetur oshilonte mes Kanadasë dhe Portugalisë, shtet ky ndër më të varfrit në Bashkimin Evropian. Trofea u humb ! Kanadaja humbi ulësen jo-permanente në Këshillin e Sigurimit dhe kjo lojë për Kanadanë u shëndrrua në njërën nga disfatat më të turpshme të historisë se sajë diplomatike.

e premte, 16 shtator 2011

Shqipëria dhe Konferenca Islamike.*

Besnik Sinani

Për shumë vite, prezenca e Shqipërisë si anëtare e Organizatës së Kombeve Islamike (OKI) është komentuar si devijim nga orientimi pro-perëndimor i Shqipërisë apo si tregues i ngjyrasave pro-islamike të qeverisë shqiptare dhe vazhdimisht është bërë thirje për daljen nga kjo organizatë.


Kabllogramet e Ambasadës amerikane na tregojnë se jo vetëm krerë të diplomacisë shqiptare si z. Besnik Mustafaj dhe z. Lulzim Basha kanë diskutuar statusin e anëtarësisë së Shqipërisë në këtë konferencë me ambasadën amerikane, por kanë kërkuar edhe në mënyrë të drejtëpërdrejtë mendimin e kësaj ambasade në lidhje me vazhdimësine e anëtarësisë së Shqipërisë në OKI.