e premte, 16 shtator 2011

Shqipëria dhe Konferenca Islamike.*

Besnik Sinani

Për shumë vite, prezenca e Shqipërisë si anëtare e Organizatës së Kombeve Islamike (OKI) është komentuar si devijim nga orientimi pro-perëndimor i Shqipërisë apo si tregues i ngjyrasave pro-islamike të qeverisë shqiptare dhe vazhdimisht është bërë thirje për daljen nga kjo organizatë.


Kabllogramet e Ambasadës amerikane na tregojnë se jo vetëm krerë të diplomacisë shqiptare si z. Besnik Mustafaj dhe z. Lulzim Basha kanë diskutuar statusin e anëtarësisë së Shqipërisë në këtë konferencë me ambasadën amerikane, por kanë kërkuar edhe në mënyrë të drejtëpërdrejtë mendimin e kësaj ambasade në lidhje me vazhdimësine e anëtarësisë së Shqipërisë në OKI.


Z. Besnik Mustafaj ka kërkuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë mendimin e ambasadores amerikane nëse Shqipëria duhej të largohej nga kjo organizatë, gjë për të cilën ambasadorja u përgjigj se, ndonëse anëtarësimi në një organizatë ndërkombëtare është një vendim kombëtar, SHBA-ja e vlerëson si pozitiv faktin që OKI ka një anëtar të moderuar dhe të përgjegjshëm (Kabllogram 06TIRANA602).

Në kabllogramin e cituar më sipër, ambasadorja amerikane shton se: ““Ne kemi dëgjuar nga USUN se në të shkuarën, ambasadori i Shqipërisë ka dhënë informacione të vlefshme mbi aktivitetet e OKI. Ne duhet të shpresojmë që një lloj bashkëpunimi i tillë të vijojë”.


një artikull të paradokohshëm (Panorama 26.9.2010) z. Mustafaj ka treguar se prezenca e Shqipërisë është parë si e vlefshme për perëndimin edhe nga ish-Presidenti francez, Miteran:


“Unë vetë asokohe, në një takim me Presidentin Miteran, gjeta mundësinë t'ia drejtoja atë pyetje që shtrohej gjerësisht në Tiranë e ndaj të cilës edhe unë vetë kisha sigurisht ndjeshmërinë time. A do të përbënte anëtarësimi në Konferencën Islamike, pengesë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian? Presidenti Miteran kërkoi të dinte vetëm se me çfarë kushtesh kishim hyrë ne në këtë organizatë. Dhe kur unë i shpjegova se kushti i pakapërcyeshëm ishte respektimi i Kushtetutës tonë, ku sanksionohet se shteti shqiptar është laik dhe nuk ka asnjë fe zyrtare, ai mu përgjigj fare thjesht. Më tha se ishte mirëfilli në interesin e Europës, që sa më shumë vende si yni të kishin zë në gjirin e kësaj organizate, si një mundësi për t'u shprehur aty nga brenda jo vetëm filozofia europiane, por edhe vullneti i Europës për të bashkëpunuar me vendet myslimane, në emër të paqes e të prosperitetit të përbashkët. "Kjo do të jetë një vlerë e shtuar për ju kur të vini në Bashkimin Europian, e të bëheni pjesë e politikës së jashtme të përbashkët europiane", më tha Presidenti Miteran.”


Prezenca e Shqipërisë në OKI, pra, nuk është tregues i ndonjë orientimi islamofil të elitave politike shqiptare. Në të kundërt, kjo prezencë ka patur dhe vazhdon të ketë nxitjen e vendeve perëndimore si ShBA dhe Franca dhe se, së paku sipas një kabllogrami, prezenca e Shqipërisë në OKI ka siguruar informacione të vlefshme për ambasadën e ShBA në Tiranë. Duke cituar ish-Presidentin Miteran, z. Mustafaj na tregon se, kjo prezencë e Shqipërisë në OKI, është “vlerë e shtuar për ju kur të vini në Bashkimin Evropian…”


Në Konferencë për Kosovën.


Argumenti kryesor për prezencën e Shqipërisë në OKI duket të jetë lobimi për njohjen e Kosovës. Por duket, gjithashtu, sikur egziston një keqkuptim serioz në publik mbi natyrën dhe përbërjen e kësaj organizate. Së pari flitet për mosnjohjen e disa vendeve me popullsi muslimane të Kosovës në terma fetarë dhe përsëritet mosnjohja e Kosovës nga vendet muslimane. Do ishte njëlloj të thuhej se vendet e krishtera nuk e kanë njohur Kosovën meqënëse Vatikani dhe Rusia, Spanja apo Greqia nuk e kanë njohur Kosovën. Kjo lloj logjike sugjeron se vendet anëtare të OKI - së gjykojnë politikën e tyre të jashtme në bazë të përkatësisë fetare.


Feja po bëhet gjithnjë e më tepër një element i rëndësishëm në politikën globale dhe vende si Arabia Saudite, Katari apo Jordania, kanë përmendur dimensionin e solidaritetit fetar kur kanë deklaruar njohjen e Kosovës, por është naive të besohet se njohja apo mos-njohja e Kosovës nga vende të OKI - së apo çfarëdo vendi tjetër, varet ekskluzivisht nga sensitivitete fetare.

Diktatorë si Bashar el Asad apo Ghadafi, që bombardojnë xhamitë e vendeve të tyre, duhet të na bënin të qartë se sensitiviteti fetar nuk është element determinues as në politikat e brendshme, e jo më të jashtme. Regjimet që janë udhëhequr prej vitesh nga ideologji nacionaliste dhe sekulare do duhej të kishin qartësuar ata që mendojnë se vendet e OKI - së kanë Kuranin për kushtetutë.


Revolucionet e pranverës arabe kanë sjellë mundësinë e ritjes së dimensionit fetar në politikë-bërjen e vendeve si Egjipti, Tunizia e Libia, më parë vende me kontakte të ngushta me Serbinë, e cila ka monopolizuar aleancat e ish-Jugosllavisë dhe këto ndryshime mund të luajnë rol në favor të Kosovës. Është raportuar gjerësisht nga ente mediatike si BBC etj., se kur filluan bombardimet kundra Serbisë, që të ndalej pastrimi etnik në Kosovë, qeveria e Mubarakut në Egjipt ishte e pakënaqur, teksa sentimenti i popullsisë, në të kundërt me qeverinë, ka qenë në mënyrë të palëkundur pro-kosovar. Por edhe me prezencën e partive islamiste në qeveritë e ardhshme të Egjiptit, Libisë apo Tunizisë, studiuesit e lëvizjeve islamiste në këto vende na tregojnë se, pavarësisht nga sentimentet fetare islamike, janë interesat nacionale që marin rol primar. Indonezia dhe Maroku kanë shprehur simpati për aspiratat kosovare, por problemet separatiste në teritoret e tyre do zënë pozicione primare në konsideratat e këtyre vendeve.

Antarsimi i Shqipërisë në OKI është komentuar shpesh në media si një ngërç politik që na mban mbrapa, na mban të ndarë nga perëndimi dhe na vonon hyrjen në Bashkimin Evropian. Por Evropa dhe ShBA duken mos jenë aspak hatërmbetur nga kjo antarsi dhe në të kundërt janë inkurajues. Qartazi e ardhmja e Shqpërisë e ndoshta dhe e Kosovës në këtë organizatë nuk do ketë asgjë mistike në vetvete, por do motivohet nga qëndrime krejtësisht pragmatiste.


Kabllograme të tjera citojnë z. Basha të sugjerojë se Shqipëria po konsideron largimin nga kjo organizatë, pjesërisht e zhgënjyer që nuk ka patur aq mbështetje për Kosovën sa pritej. Në anën tjetër, vende të rëndësishme anëtare të kësaj organizate janë kthyer në disa nga kredi – dhënësit më prominentë në botë dhe Shqipëria vështirë se do e injorojë këtë fakt. Por prezenca e saj apo largimi në të ardhmen, siç bëhet e qartë edhe nga kabllogramet, do gjykohet në terma pragmatistë të politikës së jashtme dhe jo sipas orientimesh të supozuara orientale.


*Marre nga ResPublica.al

Nuk ka komente:

Posto një koment