Besnik Sinani
Në të dalë të qytetit minator të Bulqizës, në një nga peizazhet më të zymta e të ashpra të Shqipërisë, gjendet një teqe bektashiane në faqen ballore të së cilës gjendet një murale modeste e cila për nga naiviteti e nga koloriti përngjan me ilustrime nga revistat për fëmijë. Në atë murale është kapur drama e momentit kur Profeti Ibrahim (apo Abrahami biblik), është në pragun e plotësimit të urdhrit të Zotit për të sakrifikuar të birin, kur Zoti dërgon një engjëll për t'i ndaluar dorën: Ibrahimi kish treguar bindjen dhe devocionin e tij, sakrifica e të birit është e panevojshme dhe engjëlli sjell një dash që shërben si kurban duke nisur kështu traditën që pasohet gjer ditët e sotme.
Ky tregim gjendet në të tre fetë monoteiste, tek Hebraizmi, Krishtërimi dhe Islami të cilat shohin tek Ibrahimi fillesën e gjenealogjisë së popujve hebre dhe arabë, edhe të aktit të shpalljes hyjnore. Prej shekujsh, kjo ngjarje komentohet, analizohet, ngjall debate e qëmtohet në kërkim të kuptimeve të asaj që ka ndodhur thellë në një histori përtej datave.
Filozofi danez Soren Kierkergard e pa tërë këtë ngjarje si "suspendim të etikës." Dallimi për Kierkergardin qëndron midis Heroit Tragjik për të cilin etika e sakrificës ka shpjegim racional dhe Kalorësit të Fesë, apo Abrahami, për të cilin marrëdhënia me Zotin, me Absolutin lejon kapërcimin mbi atë që quhet etikë universale. Por, për shumicën e njerëzve të besimit, akti i Ibrahimit nuk është i zbrazur nga etika apo përtej etikës, por reflekton bindjen tek Mirësia Absolute e Zotit edhe kur ajo është e pakuptueshme nga njerëzit. Kalorësi i Fesë, për Kierkergardin, ka lidhje me Absoluten, ai është superior dhe qëndron mbi Heroin e etikës universale e cila është relative në qasje ndaj Absolutes, vetë Zotit.
Këto ditë, pelegrinët për në Haxh, rijetojnë një pjesë të rrugëtimit të Ibrahimit çfarë përbën një nga ritualet thelbësore të Islamit. Ata vizitojnë tempullin kubik të Mekës të ndërtuar nga Ibrahimi dhe i biri, gjuajnë me gurë në vendet kur Djalli u përpoq të tundojë Ibrahimin e ta largojë atë nga misioni i tij, përshkruajnë distancën nga kodrat e Maruas dhe Safasë në përkujtim të ankthit së gruas së Ibrahimit kur kërkonte ujë të shpëtonte foshnjën e saj apo udhëtarë të pinë ujë tek pusi i Zem-Zemit, pusi që u dhurua nga Zoti që djali i Ibrahimit, Ismaili të mbijetojë, dhe falen tek vendqëndrimi i Ibrahimit, vendi ku Ibrahimi ju lut Zotit pasi mbaroi ndërtimin e tempullit kubik të Kabës. Të gjithë pelegrinët mblidhen në një luginë, që sjell për të pranishmit skenën e gjyqit dhe takimit me Zotin.
Në këtë rrugëtim të ngritur mbi tregimin e jetës së babait të profetëve, Ibrahimit, çdo pelegrin jeton mëdyshjet personale, rrugëtimin personal, dilemat e fesë, agoninë e jetës. Ky rrugëtim ka shqetësuar filozofët ka dekoruar qoftë dhe tempuj të vegjël si teqja në Bulqizë, ku shoferë e udhëtarë shpesh ndalojnë në nderim, falen, dhurojnë të holla në kërkim të prezencës së Zotit në udhëtimin e tyre. Teksa pelegrinazhi i Haxhit kërkon të shërbejë si akti i përkujtimit, elementët e udhëtimit janë pjesë e udhëtimit të përhershëm të të gjithë njerëzve. Siç kanë vënë në dukje disa komentues hebrenj, jo të gjithëve na kërkohet të sakrifikojmë fëmijët tanë, por të gjithëve do na kërkohet të sakrifikojmë diçka, do ndeshim dilema e tundime teksa rendim mes agonisë së jetës dhe përpjekjes për të komunikuar me Zotin apo zbrazësinë e lënë nga mungesa e tij.
Nuk ka komente:
Posto një koment