e hënë, 10 maj 2010

Antiklerikalizmi i Enver Hoxhës


Doan Dani

Ajo që i bën fenomenet pjesë të realitetit është funksioni i tyre si sistem dhe jo si elementë të veçantë. Saussure shpjegonte “strukturalizmin gjuhësor” me shembullin e lojës së shahut. Oficeri vlen shumë, jo sepse mund të japë shah, por në një moment të caktuar është në gjendje ta bëjë këtë, pasi figurat e tjera në loje janë sistemuar në atë mënyrë që oficeri të bëhet themelor; por pas lëvizjes së kundërshtarit, e njëjta figurë nuk e ka më vlerën e një çasti të mëparshëm: kjo sepse gurët e shahut, në kompleks, kanë ndryshuar situatën. Brenda kësaj loje çdo element është pjesë e sistemit dhe i aftë për të ndikuar lojën, pasi elementë të tjera ia lejojnë. Ky quhet sistem apo kontekst dhe është i kuptueshëm vetëm kur të gjithë elementët përbërës ndërveprojnë. Sinkronia i shqyrton këto lidhje dhe shfaqe në një kontekst të caktuar, kundrejt diakronisë, që ndjek evolucionin kohor të sekuencave sinkronike.

Përjashtojmë monizmin gjithëfushor të enverizmit, njëzet vitet që pasuan janë të mangëta në studime të plota dhe objektive. Të shtyrë nga interesa materiale ose emocionale, historianë dhe imitues të këtij “profesioni” pasqyrojnë enverizmin (e jo vetëm atë) si sekuencë sinkronike gjysmake. Sistemit i mënjanohen shumë elementë duke i hequr kështu logjiken e kontekstit, vetëm për të krijuar mite dhe paradigma të reja. Pjesë të neomitologjisë do të konsideroja disa reflektime - ose thjesht formula të përcjella edhe pa i njohur domethënien - që marrin përsipër jo të shpjegojnë, por të etiketojnë agresivitetin e enverizmit ndaj klerit katolik. Them “të etiketojnë”, pasi shpjegimi ka nevojë për studim metodologjik të kontekstit dhe objektivizëm. Këto dy pjesë të së njëjtës rrugë janë ende të pashkelura në Shqipërinë pluraliste e do mbesin të tilla derisa kriteret e gjykimit të jenë militantizmat e formave të ndryshme.

Si motive të vendimeve të Enver Hoxhës paraqiten dhe përcillen dituria e këtij kleri-viktimë, përballë injorantit-persektues, dhe antikomunizmi i këtij kleri, përballë ithtarit të asaj feje laike që ishte komunizmi. Sinkronia e kontekstit – e dy aktorëve në fjalë, enverizmi dhe kleri - paraqitet me dy raporte: dituri/antidituri dhe antikomunizëm/komunizëm. Situata politiko-sociale e brendshme, plani totalitar i Enver Hoxhës me të gjitha detajet kundërshtuese ose mbështetëse, situata e jashtme politike, bipolarizmi i globit, kleri si vartës i një shteti jo shqiptar dhe shumë faktorë të tjerë, thjeshtohen me paraqitjen e një filmi të bazuar në “kapriçot” e enverizmit nga njëra anë dhe “fatkeqësisë” së klerit katolik, që ishte i ditur dhe nuk i pëlqente komunizmi, nga ana tjetër. Ndërkohë që politika ka rrjedhë racionale, aspak të rastësishme, me objektiv pushtetin.

Patologjitë e diktatorëve, shpesh herë të përdorura si shpjegime maskuese, ngjyrosin metodat politike, ndërsa objektivi mbetet gjithmonë i njëjtë. Informacioni, kontrolli, imponimi i modeleve dhe ndëshkimi, kanë për qëllim sundimin, e sa më mirë të kombinohen, aq më i qëndrueshëm do të jetë objektivi. Enver Hoxha me sforcimin e madh për alfabetizimin e plotë të shqiptarëve, pjesërisht të realizuar, kishte kuptuar se dituria ishte mjet i domosdoshëm në organizimin e shtetit modern dhe kontrolli i saj përbënte çelësin e pushtetit jetëgjatë. Nuk ishte teori enveriste pasi aplikohej nga regjime bashkëkohëse ne Lindje dhe Perëndim, madje kultura dhe dituria, si armë e pushtetit, njihen nga Antikiteti. Për të dhëne një shembull historik që tregon se injoranca e sundimtarit nuk shkon në një kah me eliminimin fizik te individëve të “ditur” – siç na serviret - është me interes veprimtaria e Karlit të Madh. Analfabetizmi i tij nuk e pengoi të themelonte madje Schola Palatina, të mësonte më vonë, gjatë viteve të mbretërimit latinisht, retorikë, astronomi etj, me synim imitimin e perandorëve të Romës në ata elementë që i dhanë mundësi atyre të sundonin aq lavdishëm.

Këta dy personazhë, kaq të largët në kohë (diakroni), i bashkon ideja (sinkroni) i krijimit të një organizimi politiko-administrativ sa më të qëndrueshëm, ndryshe nga hordhitë plaçkitëse - për shembull mongole - të paafta për një organizim të tillë: sikur enverizmi të eliminonte diturinë, nuk do të shkonte më larg se plaçkitjet mongole. Ndërtimi i një shteti të shkatërruar nga Lufta e Dytë Botërore dhe ajo Civile, në gjendje të funksionojë për gjysmë shekulli - dhe sikur të mos ishte faktori i jashtëm mund të zgjaste edhe më tepër - kërkon domosdoshmërisht njohuri dhe staf për t’i jetësuar. Dituria duhej kontrolluar dhe jo eliminuar, por një “maniak”, siç ngjyroset Enver Hoxha, duhej ta zhdukte dhe jo ta kultivonte. Pjesa më e madhe e atyre që barazojnë Enver Hoxhën me injorantin, mbështesin etiketën të nisur nga mungesa e diplomës universitare të udhëheqësit të PKSh-së. Diplomë, Kulturë, dhe Njohuri nuk rrugëtojnë gjithmonë në një drejtim. Sikur të ishte një lidhje e detyrueshme, analistët që popullojnë televizionet në shumë programe, shpesh zëvendësues ose rrallë herë përkrah historianëve, sociologëve, psikologëve, teologëve, filozofëve, ekonomistëve, diplomatëve, artistëve, etj, çfarë diplome kanë për të mbuluar gjithë këto fusha njëkohësisht? Masat agresive të enverizmit ndaj një pjese të klerit katolik, janë reflektime të politikës së kontrollit absolut dhe papërputhshmërisë, gjithmonë politike, mes dy shteteve, Shqipërisë dhe Vatikanit. Ky i fundit, sinonim i institucionit Kishë.

Për sa i përket kontrollit mbi strukturat fetare, është një fenomen i njohur nga Egjipti faraonik dhe në vazhdimësi, i realizuar në formën e bashkëpunimit të fesë me politiken, ose nënshtrimi. Me Kostandinin e Madh merr formë të plotë çezaropapizmi i themeluar nga Augusti, kur ky i fundit ishte njëkohësisht Perandor dhe Pontifex Maximus, por jo i të gjitha kulteve ekzistuese në perandori. Nëse në pjesën lindore të Perandorisë Romake çezaropapizmi forcohet dhe është i pranishëm në shekujt në vazhdim, në perëndimin e mbetur pa një pushtet perandorak të fortë merr jete gjithnjë e më shumë autoriteti i tre qendrave fetare, me një supremaci vetëm morale për momentin, të ipeshkvit të Romës - Papës. Ky rol do të fuqizohet me kalimin e kohës për të ardhur deri tek momenti i famshëm i konfliktit mes perandorit Enriku IV dhe papës Gregor VII, në “luftën për investiturë” të viteve 1075-1122. Enriku IV sigurisht nuk ishte injorant, pasi u shkollua në nivelet më të larta të kohës, së bashku me klerin elitar gjerman, dhe as nuk kishte ndonjë mllef me burime patologjike, por arsye të thjeshta politike. Shkak i konfliktit është tentativa e Perandorit për të emëruar ipeshkvit dhe kundërshtimi i vendosur i Gregorit VII, i shprehur në 27 pikat e Dictatus Papae, ku përcaktohet autoriteti i Papës si i vetmi i legjitimuar në emërimin dhe shkarkimin e ipeshkëve. Konflikti shkon drejt zgjidhjes në vitin 1122 me konkordatin e Worms-it: vetëm në mbretërinë gjermane perandori mund të përligjë ipeshkvin – të zgjedhur më parë sipas të drejtës kanonike, pra nga Kisha.

Në fakt, do të duhet ende shumë kohë përpara konsolidimit përfundimtar të supremacisë së pushtetit papnor. Koncili i Trentos (1545-‘63) i mbledhur si përgjigje ndaj Reformës - i hyre në histori si Kundërreforma – sanksionon rolin parësor të Kishës së Romës dhe figurës së Papës. Merr formë definitive një hierarki piramidale e përforcuar, dhe madje e evoluar më tej, në Koncilin I të Vatikanit të vitit 1870. Tek ky i fundit hartohet edhe e famshmja “Pagabueshmëria e Papës”, De Romani Pontificis Infallibilitate, që i njeh atij të drejtën e ligjërimit ndaj klerit dhe besimtarëve: ishte i pagabueshëm “në bazë të vetvetes dhe jo në baze të konsensusit të Kishës” dhe doktrina e tij rreth fesë dhe moralit duhej të pranohej nga e gjithë Kisha. Kështu strukturohet ende më shumë një formë absolutizmi brenda institucionit fetar dhe çdo tentativë për ta kundërshtuar, ndonëse nuk shpie në turrën e druve siç ndodhte me përpara, ishte e papranueshme ose e ndëshkueshme me largim nga rolet drejtuese.

Filippo Maria Guidi, i vetmi kardinal që pohoi se kjo “doktrinë” duhej të burojë nga konsensusi ipeshkvnor dhe nga tradita e Kishës, u qortua ashpërsisht dhe Vincenzo Tizzani shkruan në ditarin e tij fjalët e papës Pio i IX drejtuar Guidi-t: “Tradita jam unë”. Në Codex Iuris Canonici të vitit 1917, neni (canon) 218 përcakton se papa zotëron “si mëkëmbës i Shën Pjetrit, pushtetin juridik më të larte dhe të plotë mbi Kishën universale” dhe ky pushtet i tipit “ipeshkvnor, është i menjëhershëm mbi të gjitha kishat, klerikët dhe besimtarët”. Autoriteti i plotë papnor rrjedh nga “e drejta hyjnore” - përcakton neni pasardhës. Enciklika Mystici Corporis Christi (29 qershor 1943) e dekretuar nga papa Pio i XII, i bashkëngjitet idesë së nënshtrimit të Kishës ndaj autoritetit papnor, ide e krijuar gjatë Rilindjes. Sipas enciklikës pjesëtaret e klerit duhet të veprojnë duke respektuar nivelet hierarkike.

Për të formalizuar këtë situate do të përpilohet edhe një “betim besnikërie”: ne vitin 1870 parashikohet betimi mbi ndjekjen e mësimeve të Koncilit të Trentos; në vitin 1910 i shtohet edhe një “betim antimodernist”, që më vone do të thjeshtohet në Koncilin II të Vatikanit (1962-‘65), por do gjykohet i mangët nga Gjon Pali i II dhe kardinali Ratzinger, i ardhshmi papa Benedikti i XVI. Këta të dy janë hartuesit e Codex Iuris Canonici të vitit 1983. Sipas R. Lill, aty paraqitet “detyrimi për të pranuar të gjithë doktrinën “origjinale” të papës dhe të kolegjit ipeshkvnor, pra edhe enciklikat, ndonëse këto nuk janë të përcaktuara si të “pagabueshme” [...]. Vendimeve të hierarkisë i kushtohet “bindja kristiane””, dhe veprimtaria duhet të jetë plotësisht e përbashkët me Kishën. Gazeta La Repubblica botonte më 12.02.2010 fjalimin e kardinalit Tarcisio Bertone, sekretarit të shtetit të Vatikanit, të mbajtur në universitetin polak të Wroclaw. Ndër të tjera, sipas gazetës, Bertone pohon se “Kisha nuk qeveriset si demokraci [...] Raporti strukturor [...] mes hierarkisë dhe popullit të Zotit [kleri/besimtarët], nuk mund të baraspeshohet në ndarjen e pushtetit”. Kështu që vendimet merren gjithmonë nga lartësia e piramidës dhe jo detyrimisht duhet të jenë produkt i konsensusit të rangjeve të mëposhtme.

Ishte i nevojshëm ky pasqyrim për të treguar evolucionin e pushtetit papnor nga viti 1075 tek kulmimi në një pushtet autoritar dhe hierarkik, ku çdo nivel i bindet një eprori, deri tek zëvendësi i Shën Pjetrit në tokë. Liria individuale në veprime doktrinare e veçanërisht politike, nuk lejohet. Si mund të bashkëjetonin në Shqipëri, dhe jashtë saj, dy absolutizma kaq të centralizuara si ai i Selisë së Shenjtë dhe diktaturës komuniste? Enver Hoxha, për të realizuar planin e tij të “gardhimit” të Shqipërisë e ka të pamundur kontrollin absolut ndaj një institucioni dhe kleri të pavarur nga shteti Shqiptar: mbetej kritik kontrolli ndaj klerit të varur nga normat e përmbledhura në citimin mësipërm të Lill-it. Prandaj diktatori shqiptar zgjedh metodën e aplikuar në Bashkimin Sovjetik nga linja staliniste.

Persekutimi stalinist fillon në fundin e viteve ’20 dhe merr përmasa të jashtëzakonshme në vitet ’30. Stalini deklaronte, më 15 maj 1932, se do të shkatërronte plotësisht fenë, por shënimi i 57% të popullsisë si besimtarë në regjistrimin e 1937 dhe lufta e dytë botërore, të para nga pragmatizmi stalinist, e motivuan udhëheqësin të ngadalësonte ritmet e persekutimit, që faktikisht nuk morën fund. Edhe pse ekzistonte marrëveshja e quajtur “Deklarata e besnikërisë” mes shtetit dhe Kishës, firmosur në 1927, kjo nuk e pengoi Stalinin të eliminonte rreth 110.700 anëtarë të klerit ortodoks. Tashmë ai kishte lëkundur dhe vënë nen kontroll pushtetin rival të Kishës ortodokse. Vallë kishte frikë nga dituria e këtij kleri? Stalini kërkonte të ndërtonte një superfuqi me injorantë?

Duke u nisur nga pohimi se “Enver Hoxha persekutoi klerin katolik sepse ky ishte i ditur” – i dëgjuar nga disa zëra – mund të paramendojmë se të njëjtën arsye duhet të ketë pasur edhe Stalini, babai shpirtëror i E. Hoxhës. Por Stalini nuk ishte persekutuesi i vetëm njërit prej klereve dhe komuniteteve – në fakt nuk ishte as Enver Hoxha edhe pse tentohet të prezantohet kështu – pasi me po aq “zell” persekutoi klerin katolik dhe atë musliman. Mes viteve 1925 – ’30 u shtetëzuan të gjitha pronat e vakëfit; në 1927 u mbyllen të gjitha gjykatat tradicionale islame. Përpara revolucionit të Tetorit numëroheshin rreth 26.000 xhami dhe 46.000 klerikë, në 1942 ekzistojnë vetëm 1.312 xhami dhe numri i tyre vazhdon të reduktohet edhe pas vdekjes së Stalinit, derisa në një moment arrin në vetëm 400 xhami dhe 2 medrese. Fundi i viteve ’70 regjistron 700 xhami për një popullsi muslimane prej 45–50 milion individësh, nga të cilët 20% deklarohen ateistë. Pa harruar këtu spastrimin etnikofetar të Krimesë, nga ku internohen të gjithë muslimanët tartarë (25% e popullsisë), spastrimi i jugut të Gjeorgjisë nga popullsia muslimane dhe 1 milion të internuar nga Kaukazi pas luftës së dytë botërore. Sipas logjikës së persekutimit të motivuar nga “dituria e klerit”, në Bashkimin Sovjetik rezulton të jetë përqendruar kleri më i shkolluar i globit dhe 2 milion fshatarë po aq të arsimuar (!).

Analogji vërehen edhe në rastin jugosllav. Janë përllogaritur rreth 250.000 të vrarë nga regjimi titist gjatë viteve të menjëhershme të pas Luftës së Dytë Botërore. Kësaj shifre i përkasin edhe persekutimet ndaj elitave fetare. Kisha katolike u trajtua me ashpërsi për kolaboracionizmin e një pjese të klerit me ustashia-t në Kroaci dhe Bosnjë. Për sa i përket muslimanëve “Të gjithë kundërshtarët e mundshëm u ekzekutuan pa gjyq dhe pa hetime” shkruan Poulton. U miratuan norma që ndalonin mbulesën, shkollat fillore fetare dhe prej 1952 ishte krim mësimi në xhamia; u mbyllën të gjitha sektet e dervishëve; shoqëritë kulturore dhe edukative (Gajret, Narodna Uzdanica) u mbyllën me përjashtim të një shoqate të kontrolluar, ashtu si edhe e vetmja medrese e lejuar, gjithashtu u mbyllën edhe fondacione humanitare, si Gazi Husrev Beg – themeluar në 1530; deri në 1964 u mbyll shtypshkronja dhe u ndaluan botimet e teksteve fetare islame. Shume prona të vakëfit i kaluan shtetit; 756 xhami në Bosnjë ishin dëmtuar gjatë luftës së dytë botërore, 200 të tjera nuk përdoreshin sepse ishin transformuar në stalla, magazina, muze etj.

Në fundin e viteve ’50 dhe në vitet ’60, me krijimin e “bllokut” të Vendeve të Paangazhuara, Komuniteti i muslimanëve do t’i shërbente Titos si mjet në politikën e jashtme. Do të jetë gjithashtu Tito organizator i të ashtuquajturit “Koncili i Ohrit” i vitit 1967, që i dhuroi autoqefalinë kishës ortodokse maqedone. Ky transformim nuk është gjest dashurie, fetarizmi, adhurimi ndaj një feje apo institucioni përkatës, ashtu siç nuk është kapriço, inat, zili, patologji, persekutimi i të njëjtit komunitet dhe institucion. Një afrim me Kishën ortodokse kishte ndërmarrë edhe Stalini pas sulmit gjerman të 1941 sepse i nevojitej mbështetja popullore. Pas luftës, në Bashkimin Sovjetik rikthehen në funksion 20.000 kisha dhe manastire në 73 dioqeza, me 30.000 priftërinj dhe 10.000 murgj – institucionet dhe kleret e tjera vazhdojnë gjendjen e mëparshme të persekutimit dhe klandestinitetit. Pas një kontrolli të rreptë dhe lidershipi të padiskutueshëm, Partia mundi të pranonte rolin social të Kishës ortodokse, gjithmonë brenda kornizave të caktuara nga shteti.

Motivi i represionit nuk mund të reduktohet vetëm tek kontrolli i klerit sepse, pa dyshim, linja politike e zgjedhur nga piramida papnore e këtij kleri shfaqet në konflikt të hapur me sistemet e vendeve komuniste.

Që në fillim, fashizmi në Itali kishte pasur konsensusin e Kishës. “Disa nga motivet e vlerësimit nga ana e hierarkisë katolike ishin: eliminimi i konfliktit social, korporativizmi [...], mbizotërimi i qëllimeve kolektive mbi ato individualiste”. Në këtë mënyrë, “Kisha gjente tek fashizmi një aleat në betejën e saj të vjetër kundër dy kundërshtarëve të përbashkët: liberalizmit dhe socializmit”. Këto arsye, të kombinuara me interesin e Kishës për rregullimin e “çështjes romane”, sollën Konkordatin e vitit 1929. Pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë zgjedhjeve të 1948, kur Italia rrezikonte të drejtohej majtas, “Kisha katolike renditet me të gjitha forcat në favor të DC [partisë demokristiane]”. G. L. Bravo shtimin e pazakontë të numrit të statujave lotuese të Maries nga jugu në veri të Italisë e lidh me fushatën parazgjedhore: Kisha realizoi një fushatë aktive kundër majtizmit italian. Në Spanjë, shkruan historiani P. Viola, Kisha “ishte plotësisht e bashkuar me të djathtën, me pronarët e mëdhenj të tokave. Qendra e moderuar e borgjezisë urbane ishte e dobët dhe Kisha ishte ende mjeti i një qeverisjeje shtypëse”.

Si reagim i qëndrimit politik të Kishës, përkrah të djathtës ekstremiste, në fillim me diktaturën e Primo de Rivera-s e më vonë me Fransico Franco-n, në zonat e kontrolluara nga republikanët gjatë luftës civile u vranë shumë anëtarë të Kishës dhe u shkatërruan disa objekte kulti. “Pas luftës, regjimi fashist i Franco-s mbështetej në një kastë teknokratësh të anëtarësuar në një shoqëri katolike të fuqishme, të pasur, të mbyllur dhe ekskluzive: Opus Dei”, përfundon Viola. E pamohueshme është mbështetja ndaj Hitlerit, të paktën në dekadën e parë, kur u arrit edhe një Konkordat dypalësh. Në brutalitetin e regjimit Ustashia, në Kroaci, u shquan mjaft jezuitë dhe françeskanë. Pas luftës së dytë botërore nuk mungojnë mbështetja dhe përfaqësitë diplomatike në vendet me regjime diktatoriale të djathta: Argjentine, Haiti etj. E nëse këto janë aktivitete jashtë vendeve komuniste, nuk mungojnë ndërhyrjet direkte kundër rrëgjimit në një vend komunist (të paktën në rastin polak). P. Carpi rrëfen se L. Gelli kishte derdhur në arkat e Vatikanit rreth $50 milion për çështjen polake dhe për Gelli-n “Walesa do të kthehej në hije sepse do të ketë përmbushur detyrën e tij: atë të vendosjes përballë për arritur në një marrëveshje, një Kishë të fortë dhe një Shtet të fortë”. C. De Benedetti, zëvendës-drejtori i Banco Amborsiano, do të deklarojë më vonë se “Marcinkus [drejtori i IOR- e ashtuquajtura “Banka e Vatikanit”] mblidhte fonde për Poloninë”.

Në Divini Redemptoris Promissio të vitit 1937, Pio XI kishte dënuar ateizmin dhe luftën antikatolike. Disa vite më vonë, më 1 qershor 1949, papa Pio XII, nëpërmjet një dekreti të lëshuar nga Sant’Uffizio “shkishëron” komunizmin. Neni i parë përmban pikat: a) nuk është i lejueshëm regjistrimi në partitë komuniste dhe mbështetja e tyre sepse komunizmi është materialist dhe antikristian; b) është e ndaluar përhapja e librave dhe gazetave që mbështesin doktrinën e komunizmit materialist dhe ateist; c) besimtarët që ndërmarrim me vetëdije të plotë këto veprime të ndaluara nuk mund të marrin sakramentet [pagëzimi, kungimi, martesa, etj]; d) të pagëzuarit që shpallin, përhapin, propagandojnë me vetëdije doktrinën komuniste bien për këtë arsye në shkishërim [...] si apostatë [të dalë] nga feja katolike.

Arsyet e persekutimit nuk duhen kërkuar tek qëndrimet apo patologjitë individuale të tre liderëve. Armiqësia e hapur ndaj komunizmit dhe socializmit, aleancat me forcat e djathta dhe kundërshtimi i së majtës, ndërhyrjet në mbështetje të lëvizjeve kundër rrëgjimit komunist, prania e një strukture administrative dhe politike të centralizuar dhe pamundësia e komunizmit shqiptar për ta kontrolluar, vendimet e imponuara njësive të poshtme të klerit nga maja e piramidës e ndodhur jashtë Shqipërisë, kërcënimi me shkishërim i besimtarëve që i afrohen komunizmit, janë disa nga faktorët që, të kombinuar me afërsinë territoriale të Shqipërisë me Selinë e Shenjtë, izolacionizmin e vendit dhe memorien historike, vunë në lëvizje persekutimin enverist.

Ndryshimet në rangjet e klerit ortodoks të diktuara nga Enver Hoxha, edhe pse nuk u pranuan nga Patriarkana greke, u njohën zyrtarisht nga ajo e Moskës, përderisa Shqipëria ishte satelit i BS. Hoxha e kishte më të thjeshtë përforcimin e kontrollit të brendshëm të klerit ortodoks, i mbështetur edhe nga faktori i jashtëm: Patriarkana e Moskës kishte humbur pavarësinë (për t’i shpëtuar zhdukjes) ndërsa ajo Greke ishte e pafuqishme për te krijuar probleme në Shqipërinë komuniste. Ky kontroll, në Shqipëri, do të jetë rezultat i një dhune njerëzore (ndëshkimet) dhe institucionale (shkatërrimet) gjithmonë i kushtëzuar nga Bashkimi Sovjetik, ku po rikuperohej ortodoksia, jo se komunizmi po ortodoksizohej, por sepse i shërbente shtetit si mjet. Kjo është arsyeja e dytë që ndikoi në politikën enveriste përballë Kishës ortodokse shqiptare.

Ndaj klerit musliman, diktatori mundi të vepronte shumë më lirisht, i ndihmuar nga fakti se institucioni drejtues i muslimanëve ishte brenda getos shqiptare dhe asnjë institucion ndërkombëtar apo shtet i huaj nuk ndërhynte dot në mbështetje të Komunitetit në fjalë. Në lidhje me institucionet islame, Enver Hoxha kopjoi masat titiste të zbatuara në Jugosllavi edhe pse shumica e popullit tonë i përkiste kësaj feje. Pas vendosjes nën kontroll, siç kishte ndodhur në Bashkimin Sovjetik dhe Jugosllavi (dhe në të gjithë Evropën komuniste), diktatori Hoxha shfaq një anomali me precedentët sovjetikë dhe jugosllavë. Tito kishte riafruar pas persekutimit komunitetin islam dhe rolin e Reis ul-Ulema në rrugën e re të politikës së jashtme pas 1955, kurse Stalini kishte ndërmarrë një hap të tillë ndaj Kishës ortodokse sepse përfaqësonte traditën e shumicës, sidomos të popullit dominues rus. Është e qartë se Enver Hoxha duke u vetëizoluar nuk do të ndiqte shembullin titist, jo vetëm ndaj një komuniteti por ndaj të gjithëve.

Përse nuk ndoqi shembullin e Stalinit të cilin e kishte edhe “baba shpirtëror”? Përgjigja është e mangët nëse shpjegohet vetëm me arsyet e politikës së jashtme ose të brendshme. Duke parë etiketat, mitet e përhapura nga sistemi edukativ enverist, të cilat e konsiderojnë këtë fe të prapambetur – të njëjtat metoda janë përdorur nga bolshevizmi dhe titizmi – dhe derivat i pushtuesit, pra relikt i dhunës, nuk mohohet refuzimi përçmues i doktrinës islame nga nomenklatura enveriste. Stalini, me afrimin ndaj ortodoksisë, i kishte dhëne ngjyra nacionaliste ruse komunizmit. Enver Hoxha ndoqi të njëjtën linjë devijuese, pa u afruar me asnjërën nga fetë tradicionale, por duke nxitur një bastardim të nacionalizmit ku jo Kombi, por Partia (Lideri) dhe Shteti ishin Zot, të ngjyrosur me kombëtarizëm. Ky lloj pseudonacionalizmi, që ka mbushur historinë dhe botëkuptimin tonë me mite, lindi në vitet e para pas prishjes me Jugosllavinë, u përforcua pas prishjes me Bashkimin Sovjetik, për të kulmuar në vitet ’80.

Enver Hoxha indoktrinoi kështu (arsyen tjetër) një fe laike të ndjekur nga një masë besimtarësh që nuk kishte nevojë për fe tradicionale. Këta besimtarë të rinj jetonin përkrah besimtarëve tradicionalë të pafuqishëm, klandestinë, plotësisht të kontrolluar dhe pa asnjë mbështetje. Partia komuniste, si Hyjni e fesë së saj, kontrollonte masat pa nevojën e mbështetjes të një feje tjetër. Enver Hoxha mund ta rikuperonte traditën e shumicës pas represionit fillestar, që iu nevojit për kontrollin dhe eliminimin e rivalitetit, ashtu siç bëri Stalini, por nuk e realizoi sepse nuk i nevojitej si mjet kontrolli, të cilin e kishte arritur dhe mbi të gjitha, nuk kishte në plan ta konsideronte këtë fe si vlerë ose thjesht si karakteristikë të popullit shqiptar.

Dy motivet që ndikuan në raportin e mëvonshëm “pozitiv” të Titos me besimet tradicionale, ekuilibri etnik dhe favorizimi i politikës së jashtme, nuk vlejnë për rastin shqiptar: Shqipëria nuk rrezikohej nga nacionalizmat e “fjetur” dhe politika e jashtme nuk krahasohej me fluiditetin e politikës jugosllave. Kontrolli i brendshëm i jepte sistemit garancitë e mjaftueshme; mënyra se si e përcaktoi politikën e jashtme regjimi nuk do ta afronte - sepse përbënte rrezikshmëri, sipas linjës se Partisë - me Kishën e Romës, për arsyet e mësipërme, dhe nuk mund ta afronte as me Kishën ortodokse, pas prishjes me Moskën, por afrimi me këto dy qendra zbehej edhe nga arsyeja se ato përfaqësonin pakicën e shqiptareve, gjë e cila mund të rrezikonte ekuilibrin social. Afrimi me institucionet fetare të shumicës nuk i sillte sistemit probleme nga jashtë, veçanërisht pas prishjes me Moskën, por as nuk përfitonte, sepse ashtu e strukturoi politikën e jashtme Enver Hoxha. Edhe pse ky rikuperim do të ishte më pak traumatik në planin e brendshëm dhe aspak problematik në planin e jashtëm, u përjashtua si mundësi nga enverizmi: kjo dëshmon që në asnjë çast nuk u pasqyrua simbioza mes enverizmit dhe fesë Islame të shqiptarëve; përkundrazi institucionet e këtij komuniteti u shkatërruan më tepër, në një masë të atillë sa sot ende nuk kanë arritur nivelin e para 1967-ës, ndonëse dy komunitetet e tjera, në nivel objektesh, e kanë tejkaluar atë.

Meriton reflektim të shkurtër edhe një pikëpamje e lindur ose e ndihmuar nga keqtrajtimi i persekutimit. Fjala është për idenë se komunizmi enverist ishte antikatolicizëm: më lart pasqyrohet një antikishtarizëm ose antiklerikalizëm i motivuar nga faktorë specifikë, ndërsa antikatolicizmi doktrinar kalon në plan dytësor, por sidoqoftë për asnjë çast nuk është më shumë se antifetarizëm në tërësi – antiortodoksizëm, antislamizëm, anti çdo fe tjetër tradicionale hyjnore. Ideja e “antikatolicizmit më shumë se antifetarizmit” është anakronike për dy arsye kryesore. E para, sepse enverizmi i përket një ideologjie (gjithmonë komuniste) që nuk pranon rivalë në pushtetin socio-politik dhe profetizon një parajsë tokësore të arritshme nga besimi tek “feja e shoqërisë”, siç e quan Dowson, ku kulti i Zotit zëvendësohet nga ai i Partisë, Shtetit, apo edhe Kombit e Racës, pra shpall armik çdo besim tjetër rival në këtë sferë – dhe katolicizmi nuk është i vetmi sfidues. E dyta, kjo logjikë, që konsideron enverizmin si antikatolicizëm, bazohet në hipotezën se “katolicizmi dhe komunizmi bashkëjetojnë si uji me zjarrin”. Në këtë mënyrë zhvlerësohen besimet e tjera dhe në disa raste ekstreme ndërtohet hipoteza që tenton të gjejë pika takimi mes komunizmit dhe këtyre besimeve apo thjesht një dashamirësi të diktaturës, me qëllim fajësimin ose diskriminimin e këtyre feve.

Fenomeni i fajësimit të “Tjetrit” është fatkeqësi standarde për Ballkanin edhe në çështje historiko-politike, ku vetëm “Ne” ishim të përndjekurit, të izoluarit, të grabiturit, të gjymtuarit, viktimat, dhe vetëm “Ne” nuk u prekëm nga e “Keqja”, vetëm “Ne” i rezistuam: modeli tipik i nacionalizmit serb, kroat, malazez, grek, shqiptar, etj. Ky model projektohet edhe në çështje që lidhen me besimin për të fajësuar dhe për t’u vetvlerësuar njëkohësisht. Gjetja e pikave të takimit mes disa ideologjive, në pamje të parë shumë të largëta, janë të pamjaftueshme për të arritur në konkluzionin se këto ideologji janë të ngjashme, identike ose njëra buron nga tjetra. Problemi nuk qëndron tek ekzistenca e pikave të takimit por tek fajësimi i “Tjetrit” për problematika që bartim edhe “Ne”.

Realisht është e pamundur të mos evidentohen pika takimi mes komunizmit dhe secilit nga derivatet kryesorë të Krishterimit, përfshi edhe katolicizmin. Që të dy doktrinat prezantohen si universale, sheshuese të konflikteve sociale, lëvruese të solidaritetit. Filozofi rus Nikolaj Berdjaev, në 1933, mbronte idenë se komunizmi sovjetik ishte kombinim i mesianizmit materialist marksist dhe mesianizmit të krishterë rus, që kishte prodhuar në universalizmin proletar një “karikature të universalizmit të krishterë dhe të Kishës”. Madje një autor tjetër, Lewis, e konsideron “Krishtin e ri me një Proletariat që ngrihet, populli i Zotit që nge krye”, e nëse Kisha nuk e adhuron “do të hidhet në errësirë”: këtu Lewis evidenton edhe fatin e institucionit Kishë në vendet ku do të triumfojë komunizmi. Është i njëjti profesor që tenton të afrojë krishterimin socialist me komunizmin bolshevik: Lewis shikon tek nazizmi dhe fashizmi (“forcat e të Keqes”) figurën e Antikrishtit, ndërsa komunizmi i pastruar nga ateizmi, mund të bënte pjesë tek “forcat e të Mirës”. “Besimi i bolshevikëve tek librat e Marksit, Leninit dhe Stalinit është identik me varësinë e puritanëve [protestantë] nga citimet e Librave të Shenjtë”, vërente Laski. Besimi që janë të përzgjedhurit, besimi në triumfin përfundimtar, bindja në vërtetësinë e padiskutueshme të doktrinës, rendi i ri botëror dhe përhapja e tij në formën misionariste, dobësia dhe gabimi, të krahasuara me mëkatin dhe herezinë, përveç mënyrës së organizmit, janë disa nga ngjashmëritë.

e martë, 27 prill 2010

Evropa dhe Islami: Intervistë me Olivier Roy



Intervista me Olivier Roy është zhvilluar për të përditshmen zvicerane „Neue Zürcher Zeitung“ nga Eren Güvercin me titullin: "Wie hast du's mit der Religion, Europa?". Artikulli është marrë pa leje dhe përkthyer nga gjermanishtja për „Peshkun pa Ujë“, nga SMR. Titulli në shqip është i redaksisë së PPU.



***************************


Shumica e zgjedhësve zvicerane votoi para ca kohësh për një ndalim të minareve; në Francë dhe Belgjikë diskutohet për ndalimin e perçes (burkas); edhe në Gjermani, Islami është një temë e përhershme. Çfarë i irriton kaq shumë evropianët tek simbolet fetare apo fetë „e huaja“?

Këto 25 vitet e fundit, debati në Evropë është drejtuar nga tema e emigracionit tek ajo e Islamit. Kjo do të thotë që, bile, edhe kundërshtarët e emigracionit pranojnë ndërkohë që edhe brezi i dytë dhe i tretë i emigrantëve është ngulur këtu për te ndenjur për një kohë të gjatë dhe, si rrjedhim, Islami po hedh rrënjë edhe në Evropë. Ky diskutim ka marrë një kthesë të pazakontë: Ndërsa polemikat kundër emigracionit kanë ardhur kryesisht nga e djathta konservatore, Islami atakohet si nga e djathta ashtu edhe nga e majta, por secila me argumentime shumë të ndryshme. Për të djathtën, Evropa është kristiane dhe Islami, edhe pse duhet toleruar, duhet trajtuar si një fe inferiore. Pranohet – edhe pse kundër deshirës – se Islami për shkak të lirisë fesë, të garantuar në Kushtetutë, nuk mund të ndalohet, por po merret shumë seriozisht reduktimi i dukshmërisë së tij. Kështu p.sh., Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut nuk ka reaguar ndaj ndalimit të shamisë në Francë.

E majta, në të kundërtën, argumenton për sekularizëm të drejtat e gruas dhe kundër fundamentalizmit fetar: kritikon mbulimin jo sepse i përket Islamit, por sepse e konsideron në kundërshti me të drejtat e gruas. Prandaj, mbas debatit mbi Islamin fshihet një problematike më komplekse: Çështja e tipareve të një identiteti evropian dhe e rolit të fesë në Evropë. Edhe pse e djathta dhe e majta në këtë diskutim përfaqësojnë pozicione shumë të ndryshme, ne shohim sot lëvizje të reja popullore – si, p.sh. Partinë për Liri të Geert Wilders në Hollandë -, ku mpleksen të dyja pozicionet. Janë parti të cilat në thelb janë të djathta, por që përdorin argumentime të majta.



Në librin tuaj, shkruani se një fundamentalizëm si ai që përfaqëson al-Kaida, nuk ka asgjë të përbashkët me traditën islamike. Por në Evrope, ideologjia fundamentaliste konsiderohet si esenca e një të menduare tradicionaliste. Si e shpjegoni këtë kontradiktë?

Terrorizmi që praktikon al-Kaida është në historinë islamike po aq i panjohur sa edhe në atë kristiane. Ky është një fenomen i ri. Dhe, nëse do të shihnim se si manifestohet – atentate me vetëvrasje, me vrasje të pengjeve, me vrasje civilistësh -, atëherë do të vërenim se këto janë metoda që në kohët moderne i kanë përdorur paraprakisht të tjera organizata: Tigrat tamilezë, p.sh. kanë përdorur atentatet me vetëvrasje, të djathtët ekstremë italianë ishin përgjegjës për atentatet me bomba të gushtit 1980 në Bolonjë. Në regjistrimet e videove të ekzekutimit të pengjeve të huaja prej al-Kaidës në Irak „inskenimi“ i ngjan deri në detaje vrasjes së Aldo Moros prej Brigadave të Kuqe: në sfond flamur dhe stema të organizatës, pengu i lidhur dhe me sy të mbuluar, kryerja e një gjykimi prej „gjykatës“ së militantëve, deklarimi i „vendimit“ dhe ekzekutimi. Modus operandi dhe format e organizimit të al-Kaides, figura qëndrore e imperializmit amerikan si armik, si dhe praktikat e rekrutimi te drejtuara ndaj të rinjve, muslimane te edukuar në perëndim apo të konvertuar këta: të gjitha këto tregojnë se al-Kaida nuk është thjesht shprehje e një tradite, bile as e një fundamentalizmi islamik, por është shumë më tepër një variant i islamit të veshur me rrobat e ideologjive revolucionare perëndimore.



Si e shpjegoni suksesin e lëvizjeve apo ideologjive te tilla radikale? A ka lidhje me varfërinë dhe margjinalizimin?

Jo. Një sërë kërkimesh tregojnë se nuk ekziston një korrelacion midis varfërisë dhe radikalizimit: me aktivët në levizjet radikale islamike janë arabojugorët dhe jo bangalët – de facto nuk ka fare militantë nga Bangladeshi. Për mua, konflikti aktual është një vazhdim i konfrontimeve të vjetra të nisura nga lëvizjet antiimperialiste të Botës së tretë e që drejtohen kundër Perëndimit, në mënyrë të veçantë kundër USA. Në mënyrë të ngjashme, Bin Ladin flet shumë pak për fenë, por flet për Che Guevarën, për kolonializmin, për ndryshimet klimaterike ... Më tej, al-Kaida është qartësisht një lloj lëvizje të rinjsh – ajo realizohet nga të rinj, të cilët janë distancuar nga familjet apo rrethi shoqëror dhe që nuk shfaqin interes as për vendet e tyre të origjinës. Ka çuditërisht një numër shumë të madh të konvertuarish midis anëtarëve të al-Kaides. Ky është ndërkohë një fakt i njohur, por të cilit i kushtohet shumë pak vëmendje. Të konvertuarit janë rebelë pa qëllim dhe orientim e që, para 30 vjetesh, ndoshta do t'u ishin bashkangjitur RAF apo Brigadave të Kuqe: sot i bashkangjiten thjesht lëvizjes më të suksesshme në tregun antiimperialist. Ata janë megjithatë pjesë e traditës së një mijëvjeçari revolucionar, kryesisht perëndimor, që është larguar shumë nga utopia e një shoqërie të drejtë për të gjithë. Lëvizjet e reja janë shumë skeptike përkundrejt mundësisë së realizimit të një shoqërie ideale – prandaj dhe dimensioni vetëvrasës, i cili gjendej edhe tek RAF.



Disa evropianë janë të opinionit se në një Perëndim me themele kristiane çdo gjë islamike është problematike dhe e huaj. Ç’mendoni për këtë opinion?

Është një opinion që shprehet në një kohë kur, nga njëra anë Papa Benedikt XVI, ashtu si edhe paraardhësi i tij Johannes Paul II, ankohet se Evropa po humbet dhe injoron rrënjët e saj kristiane. Debati mbi lirinë seksuale, abortin, të drejtat e homoseksualeve nuk është konfrontim midis evropianëve dhe muslimanëve, por midis sekularistëve – të tillë ka edhe midis muslimanëve – dhe besimtarëve konservativë, qofshin këta muslimanë, katolikë apo ortodoksë - judaij. Evropa de facto paraqitet me opinione të ndryshme për vetë kulturën e saj. Sekularët shohin tek Iluminizmi dhe idealet e lidhura më të, -si të drejtat e njeriut, liria dhe demokracia, - momentin e lindjes së Evropës, ndërsa disa fraksione të orientuara nga kristianizmi janë të opinionit se edhe komunizmi, ateizmi dhe, bile, edhe nacionalsocializmi, janë rezultate direkte të Iluminizmit.



A ka rrezik që armiqësia ndaj Islamit të shndërrohet në një realitet evropian?

Edhe kjo çon tek pyetja se si e përkufizojmë nocionin. Ështe armiqësia, tek e fundit, një formë tjetër e racizmit që drejtohet në mënyrë specifike kundër njerëzve me emra myslimane, duke injoruar qëndrimin e tyre ndaj besimit? Apo është refuzim i një feje? Ka militantë antiraciste që janë kundër perçes, siç i gjejmë p.sh. midis feministeve; ka racistë të cilëve nuk u intereson fare perçja, sepse muslimanët për ta janë thelbësisht njerëz të tjerë. Kjo do të jetë për aq kohë delikate, derisa të dy këta faktorë - përkatësia etnike dhe besimi – si rregull nuk do të diferencohen qartë. Natyrisht, shumica e myslimanëve evropianë e kanë origjinën nga kultura të tjera, por lidhja midis origjinës së vendit dhe besimit fillon të zgjidhet: ka evropianë që konvertohen në myslimanë, ashtu siç ka myslimanë që konvertohen në kristianë, ka arabë dhe turq ateiste. Gjithnjë e më shumë myslimanë në Evrope duan që të konsiderohen pjesë e një komuniteti të caktuar fetar, por jo më pjesë e një origjine jashtë evropiane. Do të duhet të dallojmë midis tipareve të etnisë dhe besimit fetar, sepse ato janë fenomene të ndryshme, me të cilat duhet edhe të përballohemi në mënyra të ndryshme.



Si duhet të sillet politika përkundrejt këtyre besimeve „globale“, të larguara nga rrethi i tyre kulturor?

Mendoj se tamam këto besime – dhe jo institucione të etabluara si kisha katolike - janë tani për tani më të suksesshmet. Keshtu që nuk ka kuptim të luftosh kundër tyre, sidomos në vende ku liria e besimit është një e drejtë e ligjshme. Në të kundërtën, duhet të forcohet ndarja e shtetit nga feja, në mënyre që t'u garantohen të gjitha besimeve të drejta ligjore të barabarta. Kjo jo në kuptimin e një „multikulturalizmi“, por të kushteve që i mundesojnë një komuniteti fetar të ushtrojë të drejtat e tij – në një formë të lirisë fetare të përcaktuar mirë dhe neutrale brenda kufijve të ligjshmërise ekzistuese.



Në media flitet shpesh për dialektikën e Islamit „liberal“ kundër atij „radikal“. Çfarë duhet të mendojmë për këte terminologji dhe vlerësimet e lidhura me to?

Unë nuk besoj që një besimtar, për të qenë një qytetar i mirë, duhet të përqafojë një version „liberal“ të besimit të tij. Edhe kërkesa për një „reformim“ të Islamit nuk më bind. Njerëzit qe thërrasin per një „Luther musliman“, nuk e kane lexuar kurrë Luther-in. Ai nuk ka qenë fare liberal dhe, për më tepër, ka qenë një antisemit i deklaruar. Përshtatja e myslimanëve në kontekstin perëndimor nuk ka të bëjë me teologjinë, por shumë më tepër me praktikën jetësore dhe përpjekjet e çdo individi. Ata përpiqen të harmonizojnë praktikat e tyre me ambientin perëndimor dhe ky ambient u ofron edhe mundësitë reciproke – ata, p.sh., mund të mësojnë të mendojnë t'i rikonsiderojnë normat e tyre në kontekstin e vlerave moderne. Kjo mund të çojë, herët apo vonë, në një lloj reforme të mendimit teologjik, por në thelb më duket pa kuptim të barazosh modernitetin me teologjinë liberale. Të mendosh kështu do të thote ose të keqkuptosh historinë ose të zhytesh në një iluzion të pastër.

Përktheu dhe përgatiti për publikim SMR


Olivier Roy është profesor i orientalizmit dhe një nga ekspertët më të mirë perëndimorë të Islamit politik. Në librin e tij të fundit, „La sainte ignorance: Le temps de la religion sans culture", (Seuil, 275 fq, 19 €), Roy analizon krijimin dhe rritjen e formave të reja të besimit në botë. Analiza e detajuar, e përforcuar nga shifra dhe statistika, jep një peizazh interesant që jo rrallë bie ndesh me perceptimet tona, p.sh. që feja me rritjen më të shpejtë në botë nuk është Islami, por Protestantizmi fundamentalist. Sidomos Mormonët dhe lëvizja Pentecostal në SHBA dhe në tregjet në zhvillim (sidomos Brazil) shfaqin një rritje spektakolare. Edhe në botën Islame dinamikat fetare nuk karakterizohen nga një kthim në traditë, por nga levizje relativisht të reja, në thelb antitradicionaliste, postmoderne. Kufijte midis besimeve, vëren Roy, po bëhen gjithmonë e më pak të ravijëzuar: Sociologjia e besimit karakterizohet sot, mbi të gjitha, nga një rritje masive e konvertimeve.

e martë, 13 prill 2010

Peter Stockton, autori i librit “Përtej Jeruzalemit” mbërrin në Tiranë




Mbërriti dje në Tiranë autori i librit “Përtej Jeruzalemit” Peter Stockton. Me ftesë të Qendrës Studimore Fetare “Erasmus”, Stockton ishte i pranishëm në promovimin e librit të tij të botuar së fundmi në shqip nga kjo qendër. Autori pati një takim me një grup myslimanësh të përzgjedhur, të mbajtur në mjediset e Shoqatës “Ardhmëria”, në të cilin u diskutua në lidhje me raportet ndërfetare, të cilat janë edhe subjekt i librit. Gjithashtu, ai pati edhe një takim më të ngushtë në mjediset e kafe-librari E7E, ku u diskutua në përgjithësi për Islamin në Shqipëri dhe në Evropë.
Të shohësh përtej interesave të ngushta fetare, të ngrihesh mbi kurthet e polemikave për të shkuar në zemër të vlerave që mbron feja, kjo ishte thelbi i fjalës së mbajtur nga autori gjatë promovimit, gjë që, sipas tij, përbën fuqinë më të madhe që feja mban brenda saj. “Nuk ka rëndësi nëse ishte Ismaili apo Is’haku ai që duhej të sakrifikohej prej Ibrahimit, - u shpreh Stockton, - ajo që qëndron në thelb të sakrificës së kërkuar prej Zotit është flimimi i egos dhe jo kurbani në vetvete”. Konkretisht edhe dialogu ndërfetar nuk duhet të ngecë nëpër labirintet e polemikave që ngatërrohen në detaje, por duhet të orientohen drejt thelbit të përbashkët të parimeve të feve abrahamike.
Autori është në fakt një mishërim i vetë asaj që ka trajtuar në libër. I lindur në një familje me origjinë Hebreje të konvertuar në krishtërim, ai u rrit në një mjedis midis krishtërimit dhe judaizmit. Më pas, ai pranon Islamin dhe martohet me një grua palestineze, me të cilët ka dy vajza. Të gjitha këto ndërthuren natyrshëm tek i njëjti person, ashtu sic janë ndërthurur historikisht (ndryshe nga sot) në të njëjtin qytet, Jeruzalemin. Ai shprehet:
“Eshtë një e vërtetë e pamohueshme që Jeruzalemi është Qytet i Shenjtë për të treja fetë. Ndërkaq, unë synoj që duke iu përqasur historive të Profetëve, të cilët i brendashkruhen këtij Qyteti, t’i hedh një vështrim të freskët domethënies së Jeruzalemit për muslimanët. Kurani thotë se Islami është feja e mbarë njerëzimit dhe unë besoj se Jeruzalemi është celësi për të kuptuar vërtetësinë e këtij pohimi”.
Autori e ka lidhur fatin e vet me atë të Jeruzalemit që në rininë e tij të hershme. Lidhja e tij e natyrshme shpirtërore si besimtar me Tokën e Shenjtë, nis e bëhet gjithnjë e më materiale në një ndërmarrje të filluar në pozitat e një turisti të rastësishëm, ndërmarrje e cila e shpie pandalshëm autorin të marrë formë më tej si aktivist, arsimtar e bashkëshort, gjithnjë duke vazhduar të kërkojë nivele të reja në të vërtetat e kësaj Toke. Qasjet origjinale të autorit, bazuar fillimisht në përsosjen evolutive të dashurisë së tij mbi Jeruzalemin, nga përmasa biblike, më tej në atë kuranore, i japin përvojës së tij një ngjyrë sa persoanle, po aq universale, analizës së tij një ritëm poetik, më tepër se teologjik, duke na transportuar “përtej Jeruzalemit” literalist, tribal, politik, konfesional, drejt një Jeruzalemi të zemrave të paqtuara nën vullnetin e Zotit.


Ezani-news

e hënë, 5 prill 2010

Nje saktesim mbi inkurajimin e homoseksualitetit




Fitim Zekthi

Me arsyetime aq te keqija sa gjithmone, ne Shqiperi eshte celur nje debat mbi homoseksualitetin, ku zerat me shungullues gjakojne ta inkurajojne ate duke e cilesuar nje prirje seksuale te natyrshme, e cila duhet te respektohet. I eshte bere thirrje shoqerise te tregohet e ndricuar dhe te mos gjykoje nga erresira, madje nga erresira brenda shpelles. Ne krye duhet thene se askush nuk ka te drejte te trajtoje keq dike, per shkak te homoseksualitetit, qofte ky mjek, polic, gjyqtar, nepunes etj., pasi barazia e gjithkujt para ligjit eshte e drejte themelore, por inkurajimi i homoseksualitetit dhe arsyetimet e shtrembra nuk mund te jene nje e drejte e askujt. Ka nje keqkuptim te jashtezakonshem mbi homoseksualitetin ne paraqitjen e tij si nje sjellje te natyrshme. Shoqata qe parazitizmin e ka gjetur si mision ne vend te keqkuptimit ne kete bote, kerkojne respektimin e lirive te njeriut duke ngaterruar rende te drejtat e pernjemendta me ato abstrakte. Pa u keqardhur asfare per dijen dhe te verteten, dhe duke mbllacitur gjithfare tagjie iu del para, ne kete rast homoseksualiteti, keta drejtues shoqatash por edhe disa te tjere sociologe e psikologe kerkojne heqjen e tabuve... (vijojne disa klishe te tilla pakuptim)... respektimin e nje Shqiperie moderne. Ta tjetersojne ne te natyrshem madje edhe te shendetshem apo te drejte, sa heteroseksualiteti kete sjellje po gjakojne pa ndalur edhe gazetare, opinioniste e diplomate te ndryshem. Ne gazeten "Panorama" disa dite me pare, z. Kajsiu, shkruante se homoseksualiteti eshte i natyrshem dhe se ajo eshte hequr nga lista e semundjeve me kohe. Fakti qe tek kafshet ekziston nje sjellje e tille, metonte ai, tregon se ajo eshte e natyrshme. Shembujt ne histori nuk mungojne. Edhe shume te tjere kane shkruar gjera te ngjashme dhe duket se opinion ne vend, po dorezohet para nje fakti te tille. Natyra njerezore dhe ajo e kafsheve eshte krejt e ndryshme dhe eshte e pamundur te kuptosh se kur tek kafshet shfaqin nje sjellje seksuale te caktuar, ndonese atje jane verejtur rralle sjellje homoseksuale. Simon Le Vay, nje prej studiuesve me te njohur te neurologjise ne bote, profesor ne "Harvard medical Center", thote ne studimin e tij "Miti homoseksual tek kafshet", se ndonese jane verejtur sjellje homoseksuale eshte e pamundur qe kafshet te kene nje sjellje te tille kohegjate pa u perfshire ne sjellje heteroseksuale. Nje orientim homoseksual tek kafshet eshte nje gje gati e paqene. Ne anen tjeter dr. Antonio Pardo i Universitetit te Navarre-s, Spanje, shkruan: "Te flasim drejt, tek kafshet nuk ekziston homoseksualiteti. Per arsye te mbijeteses, instinkti i riprodhimit tek to eshte gjithnje i drejtuar tek seksi i kundert. Kur jane verejtur marredhenie me seks te njejte ka pasur te tjera instinkte qe kane nderhyre e kryesisht ato te dominimit qe jane shume te zhvilluara tek kafshet". Per ta pare ne nje kend tjeter tek kafshet verehet edhe kanibalizmi, por kjo nuk do te thote se ky eshte i natyrshem per njerezit. Argumenti ne mbrojtje te faktit qe homoseksualiteti duhet respektuar sepse ai eshte biologjik me shembull kafshet do te ishte fatkeq perpara ngrenies se te voglit nga i madhi tek felinet per shembull. Dr. Dean Hamer, nje prej gjenetisteve me te medhenj ne bote kerkues ne Qendren Kombetare kunder Kancerit, aktivist gay dhe vete gay, pas vite kerkimesh ne perpjekje per te gjetur nje gjen pergjegjes per sjelljen gay, thote ne revisten " The science of Desire P. Copeland dhe D. Hamer (1994): "Nuk mund te thuhet se ka nje gjen gay. Psikiatri me influence boterore Jeffrey Satinover, thote ne librin e tij "Homoseksulaieti dhe politika e se vertetes" (1996). Grand Rapids, MI: Baker Books. ): "Si cdo sjellje tjeter komplekse dhe si cdo gjendje mendore, homoseksulaiteti eshte ... as ekskluzivisht biologjik dhe as psikologjik por eshte rezultat i nje perzierje faktoresh ku predominojne rrethanat pas lindjes (te tilla si prinderit, sjellja e motrave dhe vellezerve dhe kultura e sjelljes), dhe nje teresi komplekse zgjedhjesh te detyrueshme te cilat marrin jete ne fazat kritike te zhvillimet si edhe faktore gjenetike. William Byne, psikiater me doktorature ne biologji dhe Bruce Parsons (1993) thone ne studimin e tyre "Orientimi seksual tek njerezit: Rivleresim i teorive biologjike". Arkivat e pergjithshem te psikiatrise fq.50 nr.3 se pasi analizuan me kujdes te gjitha studimet e rendesishme biologjike mbi homoseksualitetin nuk gjeten asgje qe te mbeshtese teorine e shkakut biologjik te homoseksualitetit. Shkencetaret psikiater Friedman dhe Downey shkruajne ne Journal of Neuropsychiatry, vol. 5, No. 2, Spring l993 se " nje model biopsikosocial" i shpjegon me mire shkaqet, me kombinacione te ndryshme te temperamentit dhe ambientit, ngjarje brenda ketij ambienti te cilat drejtojne drejt homoseksualitetit. Ata thone: "Pavaresisht se gjetjet e koheve te fundit neurobiologjike sugjerojne se homoseksualiteti eshte i percaktuar gjenetikisht dhe biologjikisht, nuk ka asnje prove shkencore per model biologjik te homoseksualitetit. " Steven Goldberg ish-drejtues i departamentit te sociologjise ne universitetin e Cikagos shkruan ne librin e tij, "Kur deshira zevendeson mendimin: Pse kaq shume ajo qe ti beson eshte e rreme", Buffalo, New York: Prometheus Books : "Qartesisht te gjitha faktet jane kunder argumentit se ka nje faktor percaktues fiziologjik si shkak dhe une nuk njoh asnje kerkues shkencor qe beson se faktore te tilla percaktues ekzistojne.. . faktore te tille mund te luajne nje rol ndihmes por jo nje rol vendimtar... Nuk njoh askend te fushes se kerkimeve shkencore ne gjenetike dhe biologji qe mbron tezen se homoseksualiteti mund te shpjegohet pa iu referuar shkaqeve shoqerore dhe te ambientit. "Lista e shkencetareve dhe e punimeve te tyre qe tregojne se homoseksualiteti nuk eshte i lindur, eshte shume e madhe dhe rreshtimi me tej thjesht do te sillte tepri. Aktivistet e ceshtjes gay jane perpjekur me mjeshteri ta zhvendosin vemendjen nga keto te verteta dhe te flasin per orientim seksual dhe jo per sjellje seksuale, duke e ditur mire qe pranueshmeria publike eshte shume e madhe kur thuhet se homoseksualiteti eshte i lindur. Me gazeten "Panorama" z. Kajsiu i referohet Michel Foucault kur kerkon te thote se homoseksualiteti eshte i lindur. Foucault megjithese nje mendimtar i madh dhe me ndikim ne bote ka qene filozof dhe jo gjenetist apo pasikiater. Nje shembull klasik i gabimit ne arsyetim qe perdoret ne logjike eshte: Armet atomike duhet te zhduken. Madje edhe Openheimer krijuesi i saj ka kerkuar kete gje. Armet atomike duhet te zhduken vertet, por jo pse e thote Openheimer, pasi eshte nuk eshte mjek, filozof moral apo klerik. Ana tjeter e debatit per homoseksualitetin ka te beje me ate qe perfaqeson kjo sjellje. Homoseksulaiteti eshte nje sjellje seksuale e pashendetshme dhe promovimi i saj publik nuk mund te jete nje gje e lavderueshme. Gazeta "San Francisco Cronicle" ne 15 janar te 2008 njoftoi se ne komunitetin gay te qytetit ishte shfaqur nje lloj stafilokoku rezistent ndaj cdo lloj antibiotiku. Revista "Annals of internal medicine" e konfirmoi kete gje dhe patologjistet thane se kjo ka ardhur vetem per shkak te marredhenieve seksuale te burrave me burra. Ende edhe sot nuk eshte gjetur antibiotiku per kete lloj bakteri vrases. Qendra kombetare per kontrollin dhe parandalimin e semundjeve ne SHBA, ne vitin 2003 raportoi se 63% e burrave te infektuar me SIDA nga kontaktet seksuale ishin homoseksuale. Ne vitin 1998 ishin vetem 44 % burrat e infektuar me SIDA nga marredheniet seksuale me burra. Nga 12 mije burra te semure me sifiliz, nje semundje shume e keqe qe transmetohet seksualisht, 65% e tyre ishin homoseksuale, thote Qendra Kombetare e Kontrollit dhe Parandalimit te Semundjeve ne SHBA per vitin 2007. Nje tjeter semundje e keqe seksuale Gonorrea sipas revistes "Semundjet Seksuale te Transmetueshme" shfaqet 6 here me shpesh tek homoseksualet se sa tek heteroseksualet. Keshtu Danimarka, Suedia, Uellsi dhe Holanda jane vendet ku Gonorrea ka kaluar nivelin e mbi 32 % te burrave homoseksuale. Amebiasis, nje tjeter semundje e transmetueshme seksualisht dhe shume e keqe sipas departamentit te shendetit te Kalifornise kap rreth 50 % te burrave qe kryejne marredhenie me burrat. Nje nga semundjet me te keqija qe ka prani te larte te tek njerezit me sjellje homoseksuale eshte kanceri carcinoma e zorres se trashe. Revista Kujdesi Klinik per Ameriken e Veriut, nje organ autoritar shkencor ben me dije ne qershor te 2004 se 65 per qind e njerezve me kancer nuk kane SIDA por pjesa e tyre derrmuese jane homoseksuale. Revista "Mjekimi ne Angline e Re" shkruan se nga 64 kontrolle, 57 ishin me kancer carcinoma dhe numri i homoseksualeve ishte i frikshem mes tyre. Eshte e tepert te thuash se perdorimi i droges nga homoseksualet eshte ne nivele deshperuese. Statistikat mbi kete do te tmerronin gjithkend. Eshte e qarte se homoseksualiteti eshte nje sjellje seksuale shume e keqe per njeriun dhe se promovimi i saj eshte nje gabim pavaresisht. Keto te verteta nuk mund te jene pengese per askend ne sjelljen e drejte ndaj homoseksualeve, ne trajtime tyre si qenie njerezore me te drejtat e veta, por inkurajimi dhe thirrjet per respekt, per respektim vlerash, per rrezim tabush, per largim nga e vjetra e etj marina nuk kane te bejne realisht me te miren. Sjellja homoseksuale nuk eshte thjesht nje dem per vete ata. Dhuna mes tyre dhe e shkaktuar nga ata eshte ne nivele me te larta se mes heteroseksualeve. Berndard Knight, profesor ne universitetin e Uellesit dhe ish-drejtori i sherbimit perandorak mjekesor i cili ka hetuar vrasje te famshme ne Angli dhe Kanada thote se krimet e heteroseksualeve kryhen duke shkaktuar trauma te pergjithshme, kryesisht me goditje ne koke ndersa krimet e homoseksualeve kane nje dhune vrastare qe nuk ka te ngjashme me heteroseksualet. (Knight's Forensic Pathology',( 3rd Ed) Saukko P. and B. Knight (2004) Arnold Publishers, London, page 428). Krimet sigurisht nuk jane monopol o homoseksualeve por me te dhunshmet kryhen nga ata. Kolegji i pediaterve amerikane ka publikuar te dhena shqetesuese ku thote se dhuna mes homoseksualeve eshte dy deri ne tre here me e madhe se sa ajo mes heteroseksualeve. Ne 6 nentor te vitit 200o gazeta "New York Times" shkruan se dhuna mes homoseksualeve eshte fshehur me force nga mbrojtesit e axhendes gay por ajo eshte vertet shume e madhe. Departamenti Amerikan i Drejtesise nepermjet zyres se tij te statistikave dhe qendra per kontrollin e semundjeve ( shih National Center for PTSD Fact Sheet) bejne me dije se burrat heteroseksuale te martuar jane 25 here me pak te dhunshem se sa ata homoseksuale qe kane nje lidhje mes tyre. Zyra i referohet dhunes se raportuar dhe shifrave te saj. Ish-komandanti i njesive se vrasjeve ne departamentin e policise se New York, Vernon Geberth, thote se vrasjet dhe dhuna mes homoseksualeve eshte e zakonshme dhe e ashper. Ne 24 1999 gazeta New York Times citonte dr. William Eckert, nje autoritet ne hetimin e vrasjeve i cili ka punuar per disa nga vrasjet me te medha ne SHBA, perfshire ate Robert Kenedit, i cili thote se : eshte i larte numri i vrasjeve per dyshime, xhelozi mes homoseksualeve dhe keto vrasje kryhen me nje dhune te shfrenuar, me sadizem. Kriminologe te panumert kane dhene statistika lebetitese per dhunen qe shfaqin homoseksualet, por nuk do te ishte nje gje me shume ne dobi te argument permendja e tyre. Eshte e kthjellet se homoseksualiteti eshte nje shqetesim dhe nuk mund te shihet si e drejte qe duhet inkurajuar. Axhenda gay, me kujdes dhe mbrapshti ne manualet e saj dhe ne manifestet e saj kerkon qe kundershtaret e homoseksualizmit te cilesohen si homofobike dhe te pa iluminuar. Ata nuk pranojne debate per te vertetat dhe statistikat por rreken t'i fshehin ato. Te vertetat jane te renda dhe e bejne kauzen e tyre te ngritur mbi nje genjeshter. Ne Shqiperi mungon krejtesisht kjo qasje dhe ky eshte nje fat i keq i ketij vendi. Te drejtat dhe lirite e individit jane te garantuara per te gjithe perfshi edhe ate te shprehjes, por nuk mund te merret nje problem, nje shtremberim per t'i dhene atij status te mbrojtur. Askush nuk ka te drejte te shperndaje te drejta te tilla. Shoqeria eshte duke pare si te keqe pirjen e duhanit dhe ka fushata kunder tij, pasi ai shkakton semundje e nderkohe te gjithe bien dakord te inkurajojne nje sjellje seksuale qe jo vetem shkakton semundje dhe infekton te tjere, por eshte e ngritur edhe mbi nje genjeshter. Arsyet e protestes ne Lezhe pak dite me pare jane krejtesisht te kota. Kjo nuk eshte ceshtje krahine apo etnie. Kjo nuk eshte ceshtje protestash por vetedijeje njerezore dhe shoqerore. Homoseksualiteti ka kuptim se ndodh nje akt, nuk eshte besim shpirteror, e as trashegohet kulturalisht. Keshtu eshte e turpshme ta kthesh ate ne nje lloj feje te cilen askush nuk duhet ta lendoje sepse ai ka lirine e tij dhe duhet lejuar ta shprehe dhe te ndjehet mire dhe i vleresuar per kete gje. Diskriminimi ka kuptim per ate qe je dhe jo per ate qe ben.

e martë, 30 mars 2010

Letër ambasadorit holandez



ERGYS MëRTIRI


http://www.gazetametropol.com/tekst.php?idt=64935

Zoti Van den Dol,

E lexova me vëmendje letrën tuaj dhe gjeta aty disa gjëra shqetësuese, të cilat mendoj se nuk mund të kalohen pa një përgjigje. Letrën tuaj e mora si shenjë të vullnetit të mirë për të ndihmuar shoqërinë tonë, ashtu siç e shihni ju të nevojshme. Por ajo çka vërejta në të është fakti se premisa nga e shihni kontributin tuaj është egocentriste. Ju doni të kontribuoni në ndryshimin e atyre fenomeneve që ju shqetësojnë ju dhe jo të atyre që shqetësojnë vërtet shoqërinë shqiptare. Ka një mori problemesh të tjera që janë vërtetë shqetësuese, ku kontributi juaj do të ishte vërtet i vyer dhe i mirëpritur.

Zoti ambasador,

Ju vlerësoj si përfaqësues i një vendi anëtar i një familjeje së cilës populli im aspiron t’i bashkëngjitet, dhe në këtë drejtim mendoj se çdo këshillë e ardhur nga bashkëfamiljarë të tillë do të ishte me vlerë. Por në rastin konkret pikëpamjet që ju shprehni në këshillën tuaj nuk u përkasin vlerave të përbashkëta të kësaj familjeje, por thjesht një veçantie të vendit tuaj. Vetëm pak vende perëndimore përkrahin pikëpamjet tuaja, dhe ato nuk mund të na ofrohen si evropiane për sa kohë edhe më shumë evropianë kanë pikëpamje të tjera, të kundërta me to.

Ju na ofroni përvojën holandeze, por duhet të jeni i vetëdijshëm se përpara se ta sillni në Shqipëri kjo përvojë duhet të bindë më parë vetë shoqërinë evropiane. Por, nga sa shohim, përvoja juaj do të vijojë ende për shumë kohë të mbetet një eksperiment i refuzuar për shumicën e vendeve të tjera në Evropë, ndaj ky eksperiment nuk ka sesi të gjejë strehë në një vend si Shqipëria. Mendoj se është e pavolitshme t’i ofroni një vendi që sapo ka hedhur hapat e parë të lirisë përvojën e një vendi ultraliberal. Historia e kohëve moderne ka dëshmuar shumë raste për pasojat dramatike që mbartin në vetvete eksperimentet sociale, dhe kapërcime të tilla kulturore si këto që ju propozoni janë vërtet të rrezikshme.

Për më tepër, nëse më lejoni, mund t’ju them se shoqëria holandeze nuk duket se vlen shumë për t’u marrë si shembull në lidhje me zhvillimet shoqërore. Sipas të dhënave statistikore më të fundit, ju jeni një ndër pesë vendet e para në botë me nivelin më të lartë të kriminalitetit. Gjithashtu jeni një ndër vendet me nivelin më të lartë të problemeve shoqërore, duke përfshirë divorcin, prostitucionin, narkomaninë, vetëvrasjet, ç’rregullimet psikologjike etj. Nga ky këndvështrim, mund të them me bindje se qytetarët shqiptarë, përfshirë edhe homoseksualët e fshehtë, me gjithë kushtet e vështira ekonomike ku ndodhen, janë shumë herë më të lumtur sesa ata holandezë.

Zoti ambasador,

Me gjithë mirëdashjen për ta marrë letrën tuaj si një shprehje të thellë të sinqeritetit dhe dëshirës suaj që ky vend të ndryshojë, mendoj se roli juaj në Shqipëri është diplomatik dhe nuk ka të bëjë shumë me emancipimin e shoqërisë sonë. Shqiptarët janë një popull me historinë, kulturën, vlerat dhe integritetin e tyre. Natyrisht që ata ndodhen sot në një proces ndryshimi për shkak të kushteve të reja që ka sjellë moderniteti, dhe kjo ka bërë që sot të kalojmë në një tranzicion jo të lehtë për t’u përballuar. Por, natyrisht, disa prej vlerave tona nuk mund dhe nuk ka përse të ndryshojnë. Duhet të kuptoni se ne kemi vlerat tona, të ndryshme nga tuajat, dhe ruajtja e tyre nuk mund të jetë mungesë emancipimi, siç shpreheni ju në letrën tuaj.

Ne nuk e pranojmë homoseksualitetin, pasi nuk bën pjesë në kulturën tonë, në vlerat tona. Trashëgimia jonë kulturore, ashtu siç na transmetohet në çdo dëshmi historike, ka në qendër të vëmendjes së saj familjen, dhe kjo është një prej vlerave më të mëdha që ne ruajmë dhe trashëgojmë prej së kaluarës sonë, pavarësisht se sot, si pasojë e fenomeneve të reja, ku futet edhe fenomeni që po diskutojmë, ajo ka filluar të tronditet. Por ne duam ta ruajmë familjen, ta mbrojmë atë, dhe kjo mund të realizohet vetëm duke krijuar një klimë të shëndetshme. Ashtu si dhe shumë studiues në zë në Perëndim, ne mendojmë se përhapja masive e homoseksualitetit dëmton dhe kërcënon seriozisht familjen. Premisa jonë në këtë diskutim vendos fëmijën në qendër të vëmendjes, ndërsa juaja seksin. Ne mendojmë se e drejta e fëmijëve tanë për një mjedis të tillë të shëndetshëm është më e rëndësishme sesa e drejta apo nevoja e një minoriteti maxhorenësh për ta shfaqur hapur seksualitetin e tyre.

Natyrisht, me këtë nuk dua të mbështes persekutimin apo diskriminimin e homoseksualëve, por refuzoj ftesën tuaj të çuditshme për të përqafuar homoseksualitetin apo për t’u hapur ndaj tij. Të refuzosh homoseksualitetin, të mos jesh dakord me të, të shprehesh hapur bindjen tënde se sjellja homoseksuale është diçka jo e mirë dhe e dëmshme për shoqërinë dhe individin, është një e drejtë më se njerëzore. Ne e dimë se homoseksualët kanë probleme në Shqipëri (në fakt, kjo ndodh në të gjithë botën, përfshirë edhe atë perëndimore), por kjo nuk do të thotë të promovojmë diçka që e konsiderojmë si negative vetëm e vetëm që të frenojmë diskriminimin e atyre që e mbartin atë.

Së fundi do t’ju thosha se marrëdhënia seksuale mes një çifti me gjini të njëjtë nuk mund të jetë kurrë po aq “reale dhe e admirueshme” sa ajo e një burri dhe një gruaje, siç shpreheni ju në letrën tuaj. Nga vetë fizionomia, proceset biologjike, psikologjike, shoqërore, burrat janë krijuar për gratë dhe gratë për burrat, dhe kjo ka funksionuar kështu për mrekulli, për mijëra, vjet në të gjithë botën. Aparatet seksuale të mashkullit dhe femrës në mënyrë të natyrshme janë bërë për njëri-tjetrin, gjë që nuk mund ta thuash kurrë në rastin e marrëdhënieve homoseksuale. Mbi të gjitha, marrëdhënia homoseksuale nuk mund të bekohet me fëmijë, gjë që e privon nga sublimimi më i madh që ka një marrëdhënie në çift. Marrëdhënia homoseksuale nuk sjell fryt dhe nuk e trashëgon jetën. Mjafton kjo për të kuptuar dallimin midis vlerës së njërës apo tjetrës.

Duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj, po e mbyll duke uruar që të gjejmë te ju një mbështetje të fortë në çështje të tjera më të rëndësime, për të cilat ky vend ka mjaft nevojë.

Me respekt

Ergys Mërtiri, admirues i vlerave historike dhe kulturore të vendit tuaj

e diel, 28 mars 2010

Fundamentalizëm për të gjithë!

Besnik Sinani

Artikulli i z. Arben Kallamata (Panorama, 14/3/2010) me titull “Fondamentalizmi real kundra atij imagjinar” risolli në vëmëndjen e lexuesit debatin midis znj. Mirela Bogdani në njërën anë, dhe z. Olsi Jazexhi e Forumit Musliman Shqiptar në anën tjetër. Edhe pse besoj se idetë në qendër të këtij debati janë të rëndësishme, nuk po shkruaj këtu për të kontribuar me ndonjë ide më tepër në këtë ndeshje fatkeqe. Them fatkeqe sepse besoj se si znj. Bogdani ashtu edhe Forumi Musliman i shërbyen keq kauzës që pretenduan se mbronin.

Në njërën anë, Forumi Musliman u mjaftua me “fitoren” e korrur në Angli dhe me etiketimin e znj. Bogdani si islamofobe (një formë e urrejtjes së tjetrit, ngjashëm me racizmin), por nuk e përdori këtë debat për të angazhuar publikun, për ta informuar atë se pse beson se qendrimet e znj. Bogdani janë sipas Forumit Musliman islamofobe. Në anën tjetër, duke personalizuar tej mase debatin me Forumin Musliman, znj. Bogdani humbi mundësinë për ta parashtruar problematikën që ngre në një shkallë më të lartë se ajo e një afere private. Znj. Bogdani nuk arriti të tejçojë bindshëm, për mendimin tim, se pse beson se forma e protestës së Forumit Musliman ndaj deklarimeve të saj përbën një ilustrim të fundamentalizmit islamik. Po ashtu sulmi ad hoc i z. Jazexhiu ndaj Kadaresë, Mishës, Bogdanit e Blushit në një shkrim të komentuar prej z. Kallamata, cilësimi i të gjithë këtyre thjesht si “fundamentalistë laikë” ose “fundamentalistë të krishterë”, neglizhon kompleksitetin e qëndrimeve të këtyre shkrimtarëve, intelektualëve e aktivistëve politikë.

Çka më shtyn të komentoj rreth shkrimit të z. Kallamata, janë dy qëndrime ku ai duket se mbështet krejt procedimin e tij. Së pari, z. Kallamata vë në dukje se koncepti i “fundamentalizmit laik”, përdorur nga Jazexhiu, është logjikisht i pamundur dhe se fundamentalizmi është monopol i feve. Edhe e kundërta, thotë ai, “sekularizmi fetar”, është konceptualisht i palogjikshëm. Së dyti, z. Kallamata paraqet një qasje sa përjashtuese po aq sa dhe kundërshtuese midis asaj që ai quan vetëdije kombëtare dhe asaj fetare, njëra si vetëdija “jonë” e tjetra si vetëdije e huaj, njëra e përfaqësuar nga Bogdani (etj.) dhe e dyta e përfaqësuar nga Jazexhiu.


Do duhej shpresuar se në një vend si Shqipëria, ku shumica e popullsisë ka jetuar nën diktaturën që e ndaloi fenë në 1967, nuk do duhej sqaruar se ekzistojnë fundamentalistët laikë. Duhet kujtuar se, edhe pse unik në intensitetin e luftës kundra fesë, regjimi i Enver Hoxhës kishte paralele të shumta ideologjike në një sërë vendesh, ku Kina dhe Bashkimi Sovjetik janë vetëm më të njohurit. E rëndësishme për t’u evidentuar është gjeneologjia ideologjike e luftës së komunizmit ndaj fesë tek Revolucioni Francez, i cili ngriti tempullin e laicizmit mbi priftërinjtë e varur në portat e kishave. Sipas kuptimit francez të laicitetit, shteti është mbrojtës i qytetarit nga kthetrat e fesë. I çuar në ekstremin e tij, ky qëndrim prodhon luftën totale ndaj fesë, kurorëzuar në Shqipëri më 1967. Ky pretendim për prezencën e fundamentalizmit laik nuk është thjesht historik. Ligjërimi politik aktual i Le Pen-it në Francë, apo i hollandezit Geert Wilders janë vetëm dy raste që vlejnë si ilustrime të fundamentalizmit laik bashkohor. Së fundi, për të konkluduar me këtë pikë, vlen të përmendim librin e korrespondentit veteran të The New York Times, intelektuali provokativ Chris Hedges, “I Don’t Believe in Atheists”, ku thotë se fundamentalistët ateistë janë shpesh po aq të rrezikshëm sa fundamentalistët fetarë.

Në Lindjen e Mesme, siç është vënë në dukje prej shumë studiuesish, fundamentalizmi islamik është në një pjesë të madhe – por jo tërësisht – reagim ndaj fundamentalizmit laik të regjimeve nacionaliste sekulare e diktatoriale të Naserit në Egjipt, Hafiz el-Asadit në Siri, apo Shahut të Iranit. Kjo kuptohet më mirë nëse kemi parasysh dy gjëra. E para se laicizmi nuk mund të ekzistojë pa prezencën e fesë, pikërisht sepse nuk mund të flitet për ndarje të fesë nga shteti pa ekzistuar feja. Kjo ndërlidhje prodhon forma kundërshtie shpesh të ngjashme nga të dyja palët. Për të zëvendësuar fenë, regjimet laiciste prodhojnë modelin e tyre “fetar” me ritualet e tempujt përkatës, të cilët sociologët i quajnë pjesë e religjionit civil. (Mozaiku i mirënjohur në ballë të Muzeut Historik Kombëtar është shembull tipik i një “ikonostasi” të religjionit civil, me vlera tejartistike, që receptohen “fetarisht” edhe sot.) Së dyti, “ambiguiteti” i fundamentalizmit mund të kuptohet më qartë nëse përkufizojmë fundamentalistin si subjekt që nuk jeton dot me tjetrin që është i ndryshëm: i ndryshëm në besim fetar, në ngjyrë të lëkurës apo në idetë në të cilat beson; ai që kërkon ta asgjësojë politikisht, shoqërisht apo edhe fizikisht tjetrin etnik, tjetrin me ose pa shami muslimane, me ose pa kipa hebraike.

Në këtë mënyrë mund ta kuptojmë laicizmin, siç bën z. Kallamata, si anti-fetarizëm. Por ai gabon kur thotë se, laicizmi është e njëjta gjë me sekularizmin dhe se këto janë anti-fetarizëm. Laicizmi është vetëm një formë e sekularizmit, përfaqësuar nga modeli francez, produkt i Revolucionit Francez. Për këtë arsye studiuesit dallojnë midis laicizmit francez dhe sekularizmit anglo-sakson, ku një nga dallimet e tyre kryesore është qëndrimi i ndryshëm ndaj fesë. Në rastin amerikan, sekularizmi është produkt fetar, i lindur nga shqetësimi i grupeve fetare se, nëse shteti do mbështeste një fe të caktuar, kjo do rezultonte në dëm të feve të tjera, apo dhe sekteve të tjera brenda së njëjtës fe. Prandaj z. Kallamata gabon kur thotë se është e pamundur ekzistenca e organizmave pro-fetare sekulare, të tilla siç deklaron të jetë edhe Forumi Musliman Shqiptar. Grupe të panumërta fetare në botë, militojnë për sekularizmin, pikërisht që të ndihmojnë shtetin të mos shkelë në sfera që nuk përkasin, apo që të garantojë barazinë e komuniteteve të ndryshme fetare para ligjit.

Në një kohë kur është pranuar gjerësisht ideja se njerëzit kanë identitete të shtresëzuara, dhe se këto nuk janë detyrimisht kundërshtuese me njëra-tjetrën, z. Kallamata vë ballë për ballë atë që ai e quan vetëdije kombëtare e përfaqësuar nga Bogdani (etj.) dhe të kundërtën e saj, vetëdijen fetare, të cilën Jazexhiu, sipas z. Kallamata kërkon ta mbi-theksojë. Po cilët janë kufijtë identitarë kombëtarë e jokombëtarë, antikombëtarë apo fetarë të theksuar në masën e duhur apo të mbitheksuar, e cili i përcakton ato?

Kallamata përgjigjet se për shqiptarët feja është diçka personale, vetjake, e cila nuk duhet ngatërruar me politikën. Është e tepërt të thuhet se ky qendrim ndaj fesë nuk është ekskluzivisht shqiptar e as nuk ka qenë përherë tipik për shqiptarët, siç pretendohet shpesh. Por çfarë është më e rëndësishme të vihet në dukje është se, ky kuptim mbi fenë si çështje vetëm personale është duke u sfiduar dita-ditës në rang botëror. Disa nga sociologët më të njohur të religjionit si Jose Casanova apo Peter Berger kanë vënë në dukje se globalisht feja, qysh nga fillimi i viteve ’80 është çprivatizuar dhe ka hyrë në sferën publike. Shumë studiues sot, duke komentuar për fenë në shoqërinë civile, thonë se jemi në fazën post-sekulariste. Kjo nuk do të thotë se kemi përmbysje të sekularizmit, por një rinegociim të prezencës së fesë në shoqëri. Është naive të besosh se në epokën e globalizmit shqiptarët do jenë imunë ndaj trendeve kaq të fuqishme globale. Për këtë arsye nuk mund të flitet për një vetëdije shqiptare si një realitet ndërtuar mbi një ligjërim përjashtues. Vetëdija shqiptare është produkt i shumësisë së ligjërimeve që prodhojnë shqiptarët fetarë ose jofetarë, shumë herë të ndikuar nga trende të tilla globale. Fakti që debati mes znj. Bogdani dhe Forumit Musliman u zhvillua sa në median shqiptare, po aq sa edhe në internet, në Angli po aq sa në Shqipëri, e po ashtu edhe gjuha që u përdor, etiketimet “fundamentalistë” apo “islamofobë” janë tregues të këtij ndërveprimi me modele e ligjërime të globalizuara me kohë.

Për këtë arsye nevojitet një rishqyrtim i ideve të vjetra që informojnë debatin publik mbi fenë në mënyrë që të kuptojmë dukuritë që ndodhin rreth nesh dhe të kuptojmë se çfarë idesh, trendesh sociale dhe shqetësimesh u japin formë këtyre debateve. Homogjenizimi që kërkon të imponojë ligjërimi kombëtarist nuk mund t’i përgjigjet ridimensionimit të marrëdhënieve të shoqërisë me fenë që diktojnë aktorë të shoqërisë civile në epokën e globalizmit. Po kështu, edhe aktorët e shoqërisë civile nuk munden të imponojnë modele arbitrare në marrëdhëniet fe-shoqëri, pa u kujdesur për një konsensus minimal që vjen vetëm përmes debatit intelektual, e jo detyrimisht përmes frazave të thata të ligjit apo konventave ndërkombëtare. Por e gjitha kjo do të jetë e vështirë për t’u kuptuar për këdo që personalizon kriteret e përcaktimit të fetares apo antifetares, fondamentalistes apo jofondamentalistes, të kombëtares apo antikombëtares.

e enjte, 25 mars 2010

Shkarkohet Myftiu i Shkodres


Keshilli i Pergjithshem i KMSH-se shkarkoi sot nga detyra Myftiun e Shkodres, Ndricim Sulejmani. Shkarkimi u be pas nje debati qe Myftiu ka pasur me kreret e KMSH-se, ne lidhje me disa ndryshime statutore te propozuara per tu bere ne kete mbledhje. Pas ketyre debateve gjendja eshte tensionuar dhe Myftiu ka dale nga mbedhja, nderkohe qe shkarkimi i tij eshte bere pa pranine e tij.

Kjo ngjarje ka krijuar nje precedent vertete problematik, pasi pritet qe Sulejmani te mos e njohe shkarkimin, gje qe do te thote, krijim i nje institucioni te pavarur ne Shkoder. Ky precedent, pritet te sjelle nje situate te veshtire per KMSH-ne, pasi do ti hapte rrugen krijimit te institucioneve paralele te cilat sfidojne qendren duke e lene ate ne izolim total. Kjo do te jete edhe me problematike per vete KMSH-ne, ne nje kohe kur ne menyre te dukshme, ajo nuk ka kurrfare autoriteti mbi asnje pjese te muslimaneve praktikante ne thuajse te gjitha xhamite ne vend.

Shkarkimi i Myftiut te Shkodres, ka qene i pritur prej kohesh. Pengesat qe kjo myftini ka nxjerre ne menyre te rregullt ndaj shitjeve abuzive te vakefit prej KMSH-se ne kete qytet, kane qene arsyet kryesore te konfliktimit te Myftinise lokale me qendren. Per kete, nje nder strategjite e perdorura nga KMSH-ja per eleminimin e te gjithe myftinjve "rebele" ka qene ajo e krijimit te nje posti te vecante, ate te zevendes myftiut, gje te cilen, qendra e KMSH-se e ka perdorur ndaj shume myftinive te pabindura ndaj urdheresave te saj. Emerimi i individeve perkates ne poste te tilla eshte bere me synim per te krijuar rivalitet te brendshem ne keto myftini, per te gjetur me pas nje mundesi me te lehte shkarkimi. Ne fakt kjo gje nuk ka qene e parashikuar ne statut, dhe aplikimi i saj ka qene ne kundershtim me statutin dhe strukturat administrative qe ai parashikon. Myftinia e Shkodres nuk e ka pranuar nje gje te tille dhe kjo i ka acaruar edhe me shume marredheniet me Kryesine e KMSH-se. Mbledhja e djeshme eshte bere pikerisht per te kryer ndryshimet statutore, qe parashikojne ligjerimin e nje posti te ri administrativ ne strukturen e KMSH-se, postin e zevendesmyftiut, gje qe do te forconte pozitat fitnendezese te Muces ne te gjithe pjeset periferike te adinistrates, duke krijuar keshtu mundesine e ushtrimit me lehtesisht te pushtetit te tij neper te gjithe qelizat e ketij institucioni. Myftinia e Shkodres, ka kerkuar qe keto ndryshime te behen duke kufizuar pushtetin e kryetarit ne zgjedhjen e zevendesmyftinjve. Ajo ka kerkuar qe propozimi per ta te behej nga drejtuesit lokale te myftinise, nderkohe qe zgjedhja te behej nga Kryesia e KMSH-se. Ky do te ishte edhe varianti me i mire per te krijuar konsensus midis qendres dhe periferise. Por Kryetari Muca, nuk e ka pranuar nje gje te tille duke vendosur ne menyre arbitrare emerimin e zevendesmyftinjve nga vete ai.

Pritet qe se shpejti, Myftinia e Shkodres te dale ne nje prononcim per situaten e krijuar, si dhe per te sqaruar mbi hapat qe do te ndermarre me tej.

Duhet thene se Shkodra ka mbetur nder te paktat qytete te cilet vazhdojne ti bejne rezistence veprimtarise abuzive te Kryesise se KMSH-se. Thujase kudo, rivaliteti ndermjet grupeve te ndryshem te muslianeve, mbi te gjitha, rivaliteti ndermjet hoxhallareve qe jane ne krye te ketyre grupeve, si dhe ambicjet e tyre, kane bere qe politika e KMSH-se te rezultoje e suksesshme duke e ftohur dhe zbehur cdo lloj levizje per permiresimin e ketij institucioni.

Ezani-news