e premte, 17 dhjetor 2010

Kutia e Pandorës ballkanike, Dick Marty : « Pavarësia e Kosovës nuk u vendos në Prishtinë »


Pas botimit të raportit të z. Dick Marty, « Trajtimi çnjerëzor i njerëzve dhe trafiku i paligjshëm i organeve në Kosovë » drejtuar për informacion Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, botojmë një intervistë të z. Dick Marty, të datës 12 mars 2008, dhënë faqes së internetit voltairenet.org në mënyrë që publiku shqiptar të njihet me pozitat e njëanëshme të z. Dick Marty që në krye të herës në lidhje me zgjdhjen e çështjes së pavarësisë së Kosovës dhe më qartësisht për Ushrinë Çlirimtare të Kosovës dhe ndërhyrjen e trupave të NATO-s në Jugosllavi më 1999.


Kutia e Pandorës ballkanike, Dick Marty : « Pavarësia e Kosovës nuk u vendos në Prishtinë »

Intervistoi : Silvia Cattori



Kosova e shpalli pavarësinë në mënyrë të njëanëshme më 17 shkurt 2008. Si do të jetë Kosova e së nesërmes? Duke njohur pavarësinë e Kosovës – ku dhe gjendet aktualisht baza më e madhe ushtarake amerikane në botë - SHBA-të, Gjermania, Franca, Zvicra nuk e shkelën vallë ligjin ndërkombëtar, krijuan një padrejtësi të re kundër popullit serb, rindezën zjarret e pafikura mirë, hodhën bazat për përplasje të tjera të dhunshme në Ballkan? Në lidhje me këtë temë kemi pyetur senatorin (radikal demokrat) Dick Marty, në cilësinë e presidentit të Komisionit të Politikave të Jashtme të Këshillit të Konfederatës zvicerane.

Silvia Cattori : Zvicra e njohu menjëherë pavarësinë e Kosovës. Në kuadrin e Komisionit të Politikave të Jashtme të Këshillit të Konfederatës së Zvicrës, ku ju keni marrë presidencën, ju nuk keni qenë në favor të njohjes së shpejtë të Kosovës nga Zvicra ndërkaq që nga ana e saj, Ministrja e Punëve të Jashtme zvicerane, zonja Calmy-Rey e kishte thënë qartë, që më 2006 se, Kosova kishte të drejtë të pavarësohej. Nuk është vallë kjo njohje një precedent i rrezikshëm? 



Dick Marty : Nuk e kam kuptuar kurrë pozitën e zonjës Calmy-Rey! Do kishte qenë e kuptueshme që ajo t’i referohej autonomisë, një zgjidhje konfederale të ngjashme me modelin zviceran. Në kuadrin e Komisionit të Politikave të Jashtme, ku ne kemi të drejtën e dhënies së mendimin tonë, ne kemi marrë informacion të paplotë. Departamenti i Punëve të Jashtme na ka paraqitur një dosje praktikisht boshe : versioni i së drejtës ndërkombëtare, në pajtim me pikëpamjet e Departamentit, përmblidhej në një faqe e gjysmë. Vetëm kaq. Shumë komisionerë nuk ishin të mirëinformuar. Të gjithë socialistët e votuan pavarësinë e Kosovës thjesht si refleks pët të mbrojtur Këshilltaren së tyre federale. 


Silvia Cattori: Nxitimi i Zvicrës për këtë çështje ju ka befasuar? 



Dick Marty: Unë nuk e kuptoj pse Këshilli Federal nuk priti më gjatë. Ka diçka të paqartë këtu. Pavarësia e Kosovës nuk është vendosur në Prishtinë. Shumica e vendeve nuk e kanë njohur Kosovën dhe nuk do ta njohin atë. 



Silvia Cattori: Me njohjen e Kosovës mendoni se Zvicra, një vend i vogël neutral, përfshihet sadopak në një cikël interesash që korrespondojnë me qëllimet strategjike të fuqive të mëdha brenda NATO-s? 



Dick Marty: Vërej se e drejta ndërkombëtare dhe neutraliteti është pak si puna e djathit. Djathi hidhet në makarona sipas salcave me të cilat janë gatuar makaronat. Dihet se në salca të caktuara djathi nuk hidhet. Nëse janë makarona me karkaleca, kuzhina italiane nuk e rekomandon spërkatjen me djathë. Nëse janë makarona me mish, djathi është i mirëpritur. Me këtë imazh dua të them se i referohemi neutralitetit dhe të drejtës ndërkombëtare gjithnjë e më shumë kur ata na shërbejnë dhe i harrojmë kur na shqetësojnë. 



E drejta ndërkombëtare duket mjaft e qartë për çështjen e Kosovës, po ashtu edhe neutraliteti. Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit flet në tre vende të ndryshme për integritetin territorial serb dhe thotë se Kosova është një krahinë serbe që do të administrohet përkohësisht nga bashkësia ndërkombëtare. Rusia nuk do kishte pranuar kurrë këtë zgjidhje nëse nuk do të flitej për integritetin territorial të Serbisë. Kjo rezolutë është ende në fuqi sepse vetëm Këshilli i Sigurimit mund ta modifikojë apo anullojë. 



Më 1999, kur ushtritë nën komandën e NATO-s bombarduan Serbinë, pa autorizimin e OKB-së, Zvicra i ndaloi fluturimet mbi territorin e saj për avionët e NATO-s. Këto ishin veprime të një sulmi të paligjshëm. Por gjatë kësaj lufte, edhe në Zvicër, mediat dhe shumë politikanë i justifikuan bombardimet, duke thënë se duhej eleminuar Millosheviçi. 



Gjithmonë kam menduar se ka mënyra të tjera për të zgjidhur këtë çështje. Sepse duke bombarduar Serbinë kemi bombardur civilë dhe kemi përdorur municione që përmbanin uranium të varfëruar. Sot i mirënjohim pasojat për shëndetin. Kam biseduar me kancerologë. Të gjithë më kanë thënë se ka një rritje anormale të tumoreve në këtë rajon që nga bombardimet e NATO-s. Pak njerëz guxojnë të flasin për këtë fatkeqësi. Vetë autoritetet serbe nuk kanë asnjë interes për të folur në lidhje me këtë. Kjo do ta vendoste Serbinë në një pozitë të papërshtatshme, pasi ajo do të duhej të pranonte se nuk mund të konsumojë prodhimet e kontaminuara. 



Konstatoj se qeveritë nuk ua thonë të vërtetat qytetarëve dhe kjo nuk është e denjë për një demokraci. Ndoshta, në disa raste, NATO mund të ketë arsye për të ndërhyrë. Por më vjen shumë keq për këto gënjeshtra dhe mungesë transparence. 



Silvia Cattori: Në rastin e njohjes së Kosovës pra, ka patur shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit? 



Dick Marty: Po. Sipas të drejtës ndërkombëtare vetëvendosja e popujve është subjekt i një sërë kushtesh. Ndër të tjera përfshihet edhe fakti se duhet të ketë një popull, i cili të njihet si i tillë. Qartazi, ky nuk është aspak rasti në Kosovë. Kombet e Bashkuara kurrë më parë nuk e kanë njohur një vend që shkëputet nga një tjetër kundër dëshirave të vendit të cilit ai i përkiste. 



Për më tepër Zvicra, kur rajoni i Jura-së mëtoi për të krijuar një kanton të ri, duke u shkëputur nga kantoni i Bernës, ka pasur një seri votash. Është dashur që njerëzit të bien dakord dhe Kantonit të Bernës i është dashur të votojë. Gjithë Zvicrës iu desh të votojë.



Autoritetet serbe ranë dakord të heqin dorë nga Mal i Zi më 2007. Në Këshillin e Evropës ata votuan që Mali i Zi të pranohet si anëtar i ri. Nuk është pra e vërtetë se serbët nuk duan të lëshojnë asgjë ; unë i pashë ata të votonin në Strasburg pa entuziazëm, por nuk kundërshtuan. Marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës janë të një natyre të ndryshme prej atyre me Malin e Zi, i cili ishte ndërkaq një republikë e veçantë. 



Por na thuhet se : « Kosova është e ndryshme, ajo ishte viktimë e abuzimit nga ana e Serbisë ». Konstatoj se Kosova administrohet prej dhjetë vjetësh nga bashkësia ndërkombëtare dhe se pas këtyre dhjetë viteve ekonomia e Kosovës është inekzistente. Ajo është bërë një qendër e krimit të organizuar, trafikut të drogës, trafikut të armëve, trafikimit të qënieve njerëzore. Konstatoj se nuk ka shoqëri të mirëfilltë civile që të në jetë në gjendje të drejtojë institucione të vërteta demokratike dhe se ka minoritete të ndryshme që jetojnë të mbrojtura nga ushtarët ndërkombëtarë. 



Gjatë këtyre viteve, kur Kosova ka qenë nën protektorat ndërkombëtar, manastiret dhe kishat ortodokse janë djegur në indiferencën e përgjithshme të mediave ndërkombëtare. Që nga viti 1999, 250 000 serbë kanë ikur nga Kosova. 



Nuk i kam thënë jo njohjes së pavarësisë. Them : të presim dhe të shohim nëse bëhet fjalë vërtet për një shtet të pavarur, i cili është në gjendje të mbrojë pakicat e saj. Pse nuk pritëm ? Këtë s’kuptoj. 



Dikush më tha: « Zvicrës, me gjithë problemet që ka me Brukselin dhe me fiskalitetin me Gjermaninë, nuk i leverdiste të kundërshtonte Brukselin dhe Gjermaninë, vend i cili shtyu për pavarësinë e Kosovës ». Ky është një nga shpjegimet që më është dhënë jo-zyrtarisht. 



Është e qartë se në këtë zonë ka një thyerje midis NATO-s dhe Rusisë. Po krijojmë një bastion kundër Iranit që nuk është larg, por sidomos kundër Rusisë. Këto konsiderata duhet të na bënin më të kujdesshëm. Të tjerë thonë: « 10% shqiptarëve të Kosovës jetojnë në Zvicër. Pra, kemi interesa të veçanta ». Por ky nuk është argumentim! 



Çka më trondit është se, e mbajmë këtë qëndrim ndërkohë që sot Serbia nuk ka të bëjë fare me Serbinë e Millosheviçit. Në janar 2008, pati në Serbi zgjedhje që të gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë i njohën si të lira dhe demokratike. Serbët treguan një pjekuri dhe guxim të shquar : zgjodhën kandidatin që ishte pro-europian, pavarësisht nga fakti se kjo nuk ishte një zgjedhje e lehtë për ta pas 10 vjetë bllokade nga Europa. Dhe çfarë bën Europa, çfarë bën bota perëndimore? Nxisin pavarësinë e Kosovës menjëherë pas këtij votimi, duke e shtyrë Serbinë në kampin rus dhe duke e poshtëruar. Kjo më duket absurde.

Veçanërisht Bashkimi Europian mund të kishte bërë një deklaratë për t’iu drejtuar të gjitha vendeve të rajonit dhe t’u thoshte : ju propozojmë të gjithëve një marrëveshje partneriteti me Bashkimin Evropian dhe Kosova do të gëzojë një autonomi të gjerë. Presidenti serb Tadiç erdhi në Këshillin e Europës dhe, pavarësisht vështirësive që përbënte për të, ai u tha përfaqësuesve të 47 vendeve: « Ne jemi dakord që t’i njohim Kosovë një autonomi sa më të gjerë ». Nuk deshën të përfitonin nga ky rast. Nuk e kuptoj. 



Çfarë është shqetësuese tani është të konstatosh se, pavarësisht nga potenciali i madh që kemi për të mësuar - nëpërmjet Internetit, për shembull - kurrë nuk kemi qenë më në rrezik për të rënë viktima të një helmimi. Për atë çfarë ka ndodhur në Ballkan ka një helmim të theksuar. Paraqitëm Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) sikur të ishte një organizatë virgjëreshash bamirëse.

Përktheu : Lizandër Sraraçi

Burimi : http://www.voltairenet.org/article155903.html

Nuk ka komente:

Posto një koment