Po shfaqen postimet me emërtimin aktivitete. Shfaq të gjitha postimet
Po shfaqen postimet me emërtimin aktivitete. Shfaq të gjitha postimet

e hënë, 30 maj 2011

Tarik Ramadan vjen në Tiranë


Tarik Ramadan do të jetë në Tiranë brenda dy ditësh, pas nje turi vizitash ne disa vende te Ballkanit si Bosnje, Kosovë dhe Maqedoni. I ftuar nga Shoqata Ardhmëria ai do ketë disa takime, si dhe do të mbajë një kumtesë për një audiencë të përzgjedhur në sallën e Muzeut Historik Kombëtar. Kumtesa do të mbahet ditën e mërkurë në orën 18-00 dhe tema e diskutimit do të jetë: “Muslimanët në Evropë, Sfidat dhe Perspektivat”. Gjithashtu, ai do të ketë një takim me të ngushtë në bar-librari “E për7shme”, ku do të diskutohet më ngushtësisht për probleme të ndryshme të Islamit në Shqipëri. Profesor, Ramadan, është shprehur mjaft i interesuar për të njohur Shqipërinë, duke qenë kohët e fundit mjaft i interesuar për zhvillimet në Ballkan.

e enjte, 31 mars 2011

Dr. Mustafa Ceric: “Kemi nevojë për një Revolucion Shpirtëror!”

Nga Samiti i Fezit.


Le të kujtojmë se qënia njerzore ka nevojë për tre kënaqësi thelbësore, e duke qenë thelbësore, ato bëhen nevoja.

e shtunë, 19 mars 2011

Dr. Mustafa Ceric: “Zgjidhjet e problemeve të muslimanëve në Perëndim nuk do vijnë nga Lindja.”


Këto ditë u mbajt në qytetin e Fezit në Marok Samiti i Fezit. Disa nga ulematë dhe mendimtarët njohur në botën islame u mblodhën për të diskutuar disa nga sfidat e muslimanëve sot, vecanërisht në Perëndim, në dritën e principeve bazë Islamit: ato të mëshirës, paqes, bashkëjetesës dhe drejtësisë , me qëllim që përforcojë dhe të sjellë vëmëndje zërin dominant të Islamit, i cili qëndron kundra cdo forme ekstremizmi, anarkie dhe kaosi.


Ky samit është pjesë e programeve të iniciativës The Radical Middle Way, që prmovon zërin dhe interpretimin tradicional të Islamit. Video-klipe nga Samiti mund të shihen duke klikuar ketu.

e martë, 8 mars 2011

Kur do djali, e do çika sun i ndal as Amerika

Ramadan Ramadani*

Opinioni shqiptar në ditët që kaluan u rëndua me tri vrasje të trishtueshme. Në luginën e Preshevës u vra një vogëlush gjashtëvjeçar, Nijazi Ibrahimi. Në Tiranë u shtyp me makinë një këngëtare e njohur, Emmy Idershai. Dhe në Gjermani një shqiptar qëlloi për vdekje dhe vrau dy ushtarë amerikanë. Prej vrasjes së parë kaloi disa kohë dhe ngjarjet më pas e mbuluan aktin që na kujtoi se e keqja më e madhe është gjithmonë brenda nesh. Ishte një vrasje që tronditi shqiptarët e Luginës dhe më gjerë dhe na kujtoi gjithë neve se sa të këqij mund të jemi vetë dhe për vete. Kjo pasi i dyshuari kryesor në këtë krim ishte një shqiptar.

e diel, 27 qershor 2010

Ne Ndihme te Shkollimit te Larte te te rinjeve Shqiptaro - Amerikane.



(Gazeta Illyria,E Premte, 25 Qeshor 2010)
Me datë 20 Qershor u mbajt në Qendrën Islame Shqiptaro – Amerikane në Garfield, New Jersey, takimi me temë “Edukimi si vlerë e gjithë bashkësisë: Të promovojmë modele suksesi.” Takimi ishte organizuar nga “Our Effort – Përpjekja Jonë,” një iniciativë e bashkësisë së kësaj xhamie që synon organizimin e eventeve që adresojnë debate dhe ceshtje që i interesojnë komunitetin shqiptar në Amerikë.

Imam Rifat Alili foli për shkollimin si ndërmarje shpirtërore. Në fjalën e tij ai vuri në dukje që jo vetëm në traditën islame por në të gjitha fetë hyjnore, dija është vlerësuar si mjet në zbulim të së vërtetës dhe se të tëra traditat e mëdha fetare kanë njohur dimensionin sublim të së vërtetës. Diplomat universitare, vuri në dukje ai, nuk duhen parë vetëm si arritje në karierën personale. Dija e përftuar duhet vënë në shërbim të komunitetit dhe shoqërisë në përgjithësi.

Dr. Mentor Cana foli për eksperiencën e tij në sistemin universitar amerikan. Ai vuri në dukje se arritjet dhe sukseset në shkollim apo në karierë janë rezultat i sakrificave që duhen ndërmarë. Ai vuri në dukje me shqetësim se shumë familje shqiptare shpesh nxisin fëmijët e tyre të punësohen sa më shpejt duke pritur kontributin financiar të fëmijve të tyre dhe nuk promovojnë sa duhet vlerën e edukimit.

Në fjalën e tij, Besnik Sinani vuri në dukje se arritjet në arsimimin e lartë të individëve të komunitetit nuk janë thjesht arritje individuale, pasi idetë, ekspertiza dhe krediti social që edukimi siguron kthehen në potencial për gjithë komunitetin. Për këtë arsye është e rëndësishme që komuniteti të promovojë tek gjenerata më e re aspirata të larta dhe pritshmëri të lartë. Ai propozoi se si pjesë e këtij promovimi komuniteti duhet të krijojë fonde për bursa për të mbështetur ambicjet e studimeve të anëtarëve të bashkësisë që tregojnë aftësitë, dedikimin dhe motivimin për të ndërmarë sfidat e studimit universitar.

Gjatë takimit u theksua se është e njohur në traditën islame ashtu si dhe në traditat e tjera fetare ndërtimi i vakëfeve që mbështesin institucionet e dijes dhe studentët. Universitetet më të vjetra në botë si ai i Ezherit në Kajro apo Kajrauan në Marok dhe të tjera që u themeluan në Evropë në modelin e tyre si ai i Sorbonës dhe Oxfordit janë ndërtuar si vakëfe apo endowments në mbështetje të edukimit, motivuar nga besimi se këto ndërmarje shihen si vepra të virtytshme në sytë e Zotit. Është e nevojshme që komuniteti të investojë në krijimin e fondeve për bursa jo vetëm duke besuar tek përfitimi social dhe praktik që kjo sjell në bashkësi, por dhe si një akt i virtytshëm fetar.

Studentë dhe prindër bënë pyetje mbi mënyrat më të mira për të zgjedhur programet dhe universitetet për studimet e tyre dhe në mënyrë të vecantë për opsionet që ofrohen në financimin e studimeve, vecanërisht në përpjekjet për të financuar programet e magjistraturës. Ata kërkuan, gjithashtu, mundësinë e krijimit të kontakteve në grupe më të vogla në takime në të ardhmen ku pyetje praktike per strategji aplikimi apo mënyrat e kërkimit për universitet e duhura dhe bursat mund të bëhen.

e shtunë, 19 qershor 2010

Probleme të deklarimeve identitare në komunitetin shqiptaro – amerikan.


Besnik Sinani

(Fjala e mbajtur në takimin “Shqiptar, Amerikan dhe Musliman: Feja dhe Identiteti,” mbajtur në Qendrën Islame Shqiptaro – Amerikane në Garfield, New Jersey më 23 Maj, 2010.)

Zonja dhe Zotërinj, anëtarë të këtij komuniteti e mysafirë,

Dua të filloj duke falenderuar të zotët e shtëpisë që na mirëpritën në eventin e sotëm si dhe organizatorët e këtij eventi, Imam Rifat Alilin, xhematin këtu në xhaminë në Garfield dhe iniciativën “Our Effort – Perpjekja Jone,” pranë kësaj xhamie, si dhe të gjithë ata që kontribuan dhe ndihmuan në përgatitjen e këtij eventi. Për vite të tëra kemi parë pllakën në hyrje të kësaj xhamie si dhe xhamive të tjera shqiptare në Shtetet e Bashkuara që njofton se kjo është një qendër islame, shqiptaro – amerikane dhe për këtë arsye vendosëm të fokusojmë eventin e sotëm pikërisht në diskutimin e kompleksitetit të një komuniteti që është njëkohësisht një bashkesi lidhjeje shpirtërore që bashkohet në adhurimin e Zotit, një bashkësi njerëzish që mblidhen në kultivimin e traditës, riteve dhe etikës islame; kjo është gjithashtu një bashkësi shqiptarësh që ndajnë me njëri – tjetrin imagjinatën dhe memorien historike, referencat kulturore dhe gjuhën që na bashkon me shqiptarë të tjerë këtu në SHBA si dhe gjetkë, qoftë të besimeve të tjera apo pa besim fetar; kjo është gjithashtu qendër e një bashkesie qe ka ndërtuar jetën në këtë vend, qoftë si emigrantë të ardhur, apo të lindur këtu dhe si të tillë ne jemi pjesë e mozaikut kulturor, fetar dhe etnik të shoqërise amerikane dhe ndajmë me kojshitë apo kolegët tanë në punë vlera, interesa, shije e referenca kulturore pavarësisht nga besimi fetar, prejardhja etnike, apo gjuha amtare e kojshive apo kolegëve tane.

Kur flasim për idenë e mozaikut fetar, kulturor, etnik e gjuhësor që përbën shoqerinë amerikane është bërë e zakonshme të dëgjojmë të flitet për Irlandezo – Amerikane, Afro – Amerikane, Italo – Amerikane, Hispono - Amerikane e kështu me radhë. Ajo që njihet në debatin e shkencave sociale në Amerikë si “hyphenated identity,” edhe pse term i debatuar, na bën të ditur se si shoqëri ne pranojmë si pasurim të shoqerisë sonë faktin se vimë nga prejardhje, tradita, besime, kultura diverse dhe se ky diversitet, në dallim nga pjesa më e madhe e Evropes Perendimore, në SHBA konsiderohet si vlere, pasuri, dhe kontribut në shoqëri. Sigurisht, edhe këtu shohim grupe, forma tensioni, retorika urrejtjeje që shpesh ngrihen kundra një grupi apo një tjetri ku mund të përmendim debatin kohët e fundit mbi emigracionin dhe ligjin famëkeq në shtetin e Arizonës që prek kryesisht emigrantët meksikanë. Gjithsesi, në përgjithësi, shoqëria amerikane ka pranuar si vlerë dhe pasuri kombëtare diversitetin kulturor, racor, etnik, dhe fetar që formëson shoqërinë tonë. Mes kësaj larmie kemi patur mundësinë të ndërtojmë dhe institucionet, iniciativat dhe projektet që inagurojnë dhe kultivojnë komunitetin shqiptaro – amerikan, një bashkësi e larmishme me myslimanë dhe të krishterë apo jo-fetarë, me prejardhje nga Shqiperia, Kosova, Maqedonia, apo Mali i Zi, të ardhur prej dekadash apo të një prurjeje më të vonët, të moshave dhe profesioneve të ndryshme. Në fakt, emigracioni në SHBA ka sherbyer dhe si mundësi njohjeje për shumë prej nesh të cilët edhe pse shqiptarë, për shkak të kushteve politike, kufijve që na ndanin, nuk do kishim patur mundësi te njiheshim me njëri – tjetrin më parë. Kësisoj, pavarësisht besimit tonë fetar, formimit profesional, bindjeve politike, shijeve të larmishme etj., ne njohim prezencën në një bashkësi shqiptaro – amerikane që ndan një memorie historike, gjuhë, referenca kulturore, eksperiencën e emigracionit që na bën të identifikohemi, të solidarizohemi si shqiptaro – amerikanë.

Por a ka arritur komuniteti shqiptaro – amerikan, nëpërmjet institucioneve të veta, liderëve të vet, publikimeve të veta, aktivitetit të vet të njohë e të reflektoje këtë diversitet tonin brenda bashkësisë shqiptaro – amerikane? Për pak minuta do flas për dy raste që më shërbejnë të ilustroj problematikën që dallojmë në disa qëndrime të disa organizatave dhe figurave në komunitetin shqiptar në amerikë si forma deklarimi identitar përjashtues ndaj shqiptaro – amerikanëve të besimit musliman. Këto dy raste, për fat të keq, nuk janë përjashtime, por besoj se janë indikative të botëkuptimit dhe qëndrimeve të disa qarqeve, organizatave, e figurave të njohura të komunitetit shqiptaro – amerikan, të cilat dëmtojnë kohezionin tonë si komunitet.

Kohët e fundit, një grup shqiptarësh kanë ngritur iniciativën për të marë aprovimin për vendosjen e një monumenti të Skënderbeut në një nga sheshet e qytetit të New York-ut. Midis iniciatorëve dallohen emrat e z. Astrit Leka, nën/kryetar i shoqatës së veteranëve të Luftës së Dytë Botërore me banim në Gjenevë, Dr. Anna Kohen, Presidente organizatës “Motrat Qiriazi,” Dr. Skënder Kodra, Dr. Peter Prifti, Dr. Adem Harxhi, Dr. Dhorka Dhamo etj. Dy artistët e propozuar për të punuar në këtë projekt janë artistët e njohur Naxhi Bakalli, dhe Fatos Kola. Në 11 pikat ku shpjegohet motivacioni mbrapa kësaj kërkese, emrat e përmendur më sipër përmendin:

Pika 1. Gjergj Kastrioti Skenderbeu u bë i vetmi mbrojtës ushtarak i Evropës së krishterë në kohën e tij; Pika 4. Sepse për mbrojtjen e lirisë dhe të krishterimit, Skenderbeu luftoi personalisht në krye të ushtrisë; Pika 5. [u quajt] nga papët e Romës “Atlet i Krishtit,” “Dhuratë e Krishtit,” “Shpata dhe Mburoja e Krishterimit dhe mbrojtësi i pamposhtur i tij.” Pika 6. Bashkpunoi ngushtë me Vatikanin dhe me 4 papë… qe e frymëzuan në misionin e Tij, që mundësoi të pamundurën. Pika 9. Skenderbeu ishte një kampion i mbrojtjes së lirisë, qytetrimit perendimor dhe krishterimit.

Mësuar të konsiderojmë Skënderbeun si Hero Kombëtar, nuk ka si mos vëmë në dukje këtë mbitheksim të Skënderbeut si kryqptar. Skënderbeun, me sa di unë, jemi mësuar ta shohim si figurën që simbolizon qëndresën e shqiptarëve ndaj pushtimit të huaj, jemi mësuar në shkolla ta shohim si figurën që luftoi kundra ushtrive turke dhe venedikase, por më qartë si figurën që u nxor nga pluhuri i shekujve nga rilindasit gjatë formulimit romantik të nacionalizmit shqiptar dhe u vendos në piedestalin e heroit kombëtar për të gjithë shqiptarët e të gjitha besimeve. Në fakt, ishte poeti Naim Frashëri, një poet mistik e besimtar musliman i tarikatit bektashi, ai që pagëzoi i pari Skënderbeun në fronin e Heroit Kombëtar. Le të sqarojmë këtu se ky mbitheksim i Skënderbeut si kryqatar nuk është pjesë e ndonjë revizionimi historik që kërkon të na vërë në dukje elemente që nuk i kishim ditur më parë nga jeta e Skenderbeut. Nëse do të ishte kështu, nuk do të shihnim të njëjtët zëra që ngulmojnë ta quajnë atë si “Mburoja e Krishterimit” të alarmohen nga botimi i nje studimi të mirëfilltë akademik mbi Skënderbeun kohët e fundit nga historiani zviceran Oliver Schmitt. Qëllimi është tek mbitheksimi i figurave, elementeve, miteve, narrativave që kërkojnë të projektojnë një identitet shqiptar të ngritur mbi referenca kulturore të krishtera në përjashtim, kundërshti e antagonizëm me prezencën, vlerat, figurat, dhe referencat muslimane të shqiptarëve.

Ndër motivet që shtyjnë emrat e përmendur më sipër, përmendet në pikën e 10-të se Neë York-u është qyteti ku banon një komunitet i madh shqiptaro – amerikan, për të cilin figura madhore e Skënderbeut është ajo e Heroit legjendar të popullit të tyre liridashës. Në këtë qytet, dua te kujtoj anutorët e mësipërm, jetojnë dhe shqiptarë që kanë ndërtuar së paku tre xhami shqiptarësh, ku shqiptarët e Staten Island kanë ndërtuar një nga xhamitë më të mëdha në Shtetet e Bashkuara, dhe mijëra familje shqiptarë janë anëtare të regjistruar të këtyre komuniteteve. Autorët e mësipërm ose nuk e kanë kuptuar se një Skënderbe hero i Krishterimit kundra islamit (një vështrim ky tejet simplistik e i reduktuar historik) nuk mund të jetë hero i muslimanëve shqiptarë në qytetin e New Yorkut apo gjetkë, ose teksa flasin nuk na konsiderojnë ne muslimanët shqiptarë në Amerikë si shqiptaro – amerikanë. U takon atyre të sqarojnë këtë dilemë, por e kemi veshtirë të besojmë se ata nuk janë të ndërgjegjshëm për këtë kundërshti tonën, pasi ka prej tyre që kanë familjare të tyre besimtarë muslimane që falen me ne në keto xhami.

Fatkeqsisht, ky rast nuk eëhtë nje rast i izoluar. Shumë nga ju mund të kujtoni fjalimin e ligë të Dom Anton Kcirës kur cilësoi muslimanët shqiptarë ashtu si dhe muslimanët boshnjakë të masakruar në Sebrenicë si qenër që meritojnë të rripen së gjalli nga Milloshevici. Dom Anton Kcira tregoi mjerimin dhe skëterrën qe ka brenda tij. Por ajo që na shqetëson është prononcimi i figurave të njohura ndër shqiptarët e Amerikës si z. Ekrem Bardha të cilët na bënë thirrje që “të mos keqkuptojmë Dom Anton Kciren.” Na bën përshtypje se si nuk pati asnjë fjalë në artikullin e tij që adreson palën e lënduar. Ne kemi anëtarë të këtij komuniteti që humbën të dashurit e tyre në masakrat e forcave të Milloshevicit, ata që Dom Antoni i quan qenër që meritojnë të rripen të gjallë. Ekrem Bardha flet per harmoninë fetare të shqiptarëve por duam të pyesim nëse fjalët e Dom Antonit përputhen me këtë imazh te harmonisë fetare. Të tilla qëndrime mbajtën dhe organizata të tjera shqiptare këtu në Amerikë dhe këto qëndrime na bëjnë të pyesim nëse bashkëkombasit tanë janë të interesuar për ngritjen e një komuniteti gjithë – përfshirës së shqiptarëve të Amerikës, apo ato kanë një vizion shumë më të ngushtë e përjashtues, në fakt kundërshtues ndaj sensitiviteteve te shqiptaro – amerikaneve të besimit musliman.

Kjo qendër ka bërë thirrje dhe më parë që mos ngatërrojmë qendrimet e Dom Anton Kcires me qendrimet e katolikëve gjerësisht këtu në Amerikë. Edhe ajo palo, gjysëm – apologji e Dom Antonit se kinse kish përdorur gjuhën e gabuar, kur është se fillimisht me arrogancë mbrojti qëndrimin e tij, erdhi vetëm pasi organizata muslimane kontaktuan dioqezën e kishës katolike në Michigan. Katolikët amerikanë kanë qenë partnerë në kauza të rëndësishme së bashku me muslimanët. Ne nuk duhet të biem ne verbërinë e Anton Kcirës e të bëjmë gjykime kolektive ashtu sic Kcira gjykoi gjithe muslimanët shqiptarë në bazë të qëndrimeve të vëllezërve Duka, qëndrime që kjo xhami dhe të gjitha xhamitë shqiptaro – amerikane i dënuan me termat me të ashpra. Ajo që duam të vëmë në dukje, gjithsesi, është se qëndrime të organizatave e figura të njohura mes shqiptarëve të Amerikës si ato që sapo përmendëm, janë përcarese, induktojnë tension në bashkesinë tonë, dhe nuk flasin në emër të gjithë bashkesisë shqiptaro – amerikane as në New York e më gjerë.

Në përfundim, është detyra jonë si bashkësi të sjellim këto shqetësime në tryezën e nje diskutimi konstruktiv brenda komunitetit shqiptaro – amerikan, dhe të kontribuojmë në krijimin e një fryme dhe qendrimesh që njohin, vlerësojnë dhe pranojnë diversitetin brenda komunitetit shqiptaro – amerikan. Shpesh përgjigja që do marim do jetë shkurajuese, si ajo që morëm nga Dom Anton Kcira, apo ata që verbërisht mbështetën retorikën e tij të urrejtjes. Por ne nuk kemi zgjidhje tjetër përvecse të përpiqemi të ndërtojmë një diskutim konstruktiv me ata që jane të interesuar, sepse me shqiptarë të besimeve të tjera, apo pa besim ne jemi pjesë e të njëjtës familje, të lidhur nëpërmjet farefisnisë apo krushqive dhe ndajmë me njeri – tjetrin elementë të rëndësishëm të të qenit shqiptarë, që na informojnë se kush jemi dhe se pse identifikohemi si të tillë. Nëse këto cështje nuk adresohen do shohim reagime patetike si ato që kërkojnë zevendësimin e monumentit të Skënderbeut me atë të Sulltan Muratit. Edhe pse i vleresojmë këto qëndrime si margjinale, ato janë simptomatike si reagime ndaj qëndrimeve identitare që kerkojnë të përjashtojnë prezencën muslimane nga horizonti historik dhe social i shqiptareve. Këto jane importe nga ligjërimet e prodhuara në Shqipëri dhe Kosovë, pjesë e tensioneve të përballjes me një Evropë në krizë identitare. Kjo nuk është klima në të cilën gjindemi ne shqiptaro – amerikanët. Per këtë arsye ne kemi potencialin per tu ngritur mbi përcarjen dhe tensionet që mbillen nga këto qëndrime, por kjo do ndodhë vetëm nëse do kemi si bashkesi vullnetin, motivet, dhe vizionin për ta bërë këtë. Ju faleminderit.

e martë, 13 prill 2010

Peter Stockton, autori i librit “Përtej Jeruzalemit” mbërrin në Tiranë




Mbërriti dje në Tiranë autori i librit “Përtej Jeruzalemit” Peter Stockton. Me ftesë të Qendrës Studimore Fetare “Erasmus”, Stockton ishte i pranishëm në promovimin e librit të tij të botuar së fundmi në shqip nga kjo qendër. Autori pati një takim me një grup myslimanësh të përzgjedhur, të mbajtur në mjediset e Shoqatës “Ardhmëria”, në të cilin u diskutua në lidhje me raportet ndërfetare, të cilat janë edhe subjekt i librit. Gjithashtu, ai pati edhe një takim më të ngushtë në mjediset e kafe-librari E7E, ku u diskutua në përgjithësi për Islamin në Shqipëri dhe në Evropë.
Të shohësh përtej interesave të ngushta fetare, të ngrihesh mbi kurthet e polemikave për të shkuar në zemër të vlerave që mbron feja, kjo ishte thelbi i fjalës së mbajtur nga autori gjatë promovimit, gjë që, sipas tij, përbën fuqinë më të madhe që feja mban brenda saj. “Nuk ka rëndësi nëse ishte Ismaili apo Is’haku ai që duhej të sakrifikohej prej Ibrahimit, - u shpreh Stockton, - ajo që qëndron në thelb të sakrificës së kërkuar prej Zotit është flimimi i egos dhe jo kurbani në vetvete”. Konkretisht edhe dialogu ndërfetar nuk duhet të ngecë nëpër labirintet e polemikave që ngatërrohen në detaje, por duhet të orientohen drejt thelbit të përbashkët të parimeve të feve abrahamike.
Autori është në fakt një mishërim i vetë asaj që ka trajtuar në libër. I lindur në një familje me origjinë Hebreje të konvertuar në krishtërim, ai u rrit në një mjedis midis krishtërimit dhe judaizmit. Më pas, ai pranon Islamin dhe martohet me një grua palestineze, me të cilët ka dy vajza. Të gjitha këto ndërthuren natyrshëm tek i njëjti person, ashtu sic janë ndërthurur historikisht (ndryshe nga sot) në të njëjtin qytet, Jeruzalemin. Ai shprehet:
“Eshtë një e vërtetë e pamohueshme që Jeruzalemi është Qytet i Shenjtë për të treja fetë. Ndërkaq, unë synoj që duke iu përqasur historive të Profetëve, të cilët i brendashkruhen këtij Qyteti, t’i hedh një vështrim të freskët domethënies së Jeruzalemit për muslimanët. Kurani thotë se Islami është feja e mbarë njerëzimit dhe unë besoj se Jeruzalemi është celësi për të kuptuar vërtetësinë e këtij pohimi”.
Autori e ka lidhur fatin e vet me atë të Jeruzalemit që në rininë e tij të hershme. Lidhja e tij e natyrshme shpirtërore si besimtar me Tokën e Shenjtë, nis e bëhet gjithnjë e më materiale në një ndërmarrje të filluar në pozitat e një turisti të rastësishëm, ndërmarrje e cila e shpie pandalshëm autorin të marrë formë më tej si aktivist, arsimtar e bashkëshort, gjithnjë duke vazhduar të kërkojë nivele të reja në të vërtetat e kësaj Toke. Qasjet origjinale të autorit, bazuar fillimisht në përsosjen evolutive të dashurisë së tij mbi Jeruzalemin, nga përmasa biblike, më tej në atë kuranore, i japin përvojës së tij një ngjyrë sa persoanle, po aq universale, analizës së tij një ritëm poetik, më tepër se teologjik, duke na transportuar “përtej Jeruzalemit” literalist, tribal, politik, konfesional, drejt një Jeruzalemi të zemrave të paqtuara nën vullnetin e Zotit.


Ezani-news

e shtunë, 5 dhjetor 2009

Historia e gjerave

http://www.storyofstuff.com/downloads.php

Bar Librari e Për7shme në bashkëpunim me organizatën “TAMAM”, në Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarëve, e cila për këtë vit ka në qendër të tematikës së saj mjedisin, shfaq dokumentarin “The story of stuff”. Eshtë një dokumentar 20 minutash i cili zhvillohet me një hap të shpejtë, i pasurar me fakte të shumta, për të vënë në dukje anën tjetë të botës së konsumit. Dokumentari synon të ofrojë një kritikë serioze ndaj jetës moderne, ku konsumi dhe marketizimi i jetës ka sjellë zvetënimin e vlerave shoqërore e kulturore. Në qendër të vëmendjes lidhjen midis një sërë cështjesh sociale dhe të ambjentit, duke treguar efektin që mediat, reklamat kanë mbi jetët tona, duke kushtëzuar sjelljen tonë në funksion të interesave të tregut. Sipas një analisti shitjesh me pakicë Victor Lebow kjo dukuri është bërë norma e gjithë sistemit. “Ekonomia jonë tejet produktive … kërkon që ne ta shndërrojmë konsumin në mënyrë jetese, që ta transformojmë blerjen dhe përdorimin e mallrave në formë rituali, që ne të kërkojmë kënaqësi shpirtërore, përmbushjen e egos, tek konsumi… na duhet që gjerat ti konsumojmë, përdorim, zëvendësojmë dhe ti hedhim në plehra me një ritëm gjithmonë në rritje”, - shpeht ai.
Shfaqja e këtij dokumentari vjen në Shqipëri, në një kohë kur shoqëria shqiptare po synon tashmë prej 20 vjetësh të brendësojë tiparet dhe ritmet e një ekonomie tregu. Në një situatë të tillë, është e domosdoshme që shoqëria shqiptare të ndërgjegjësohet për problemet reale dhe jo qartësisht të dukshme të këtij sistemi, të cilat kanë filluar tashmë të shfaqin efektet e tyre, në mënyrë të fuqishme në realitetin shoqëro shqiptar. Ndërgjegjësimi për këtë, është i rëndësishëm për të kuptuar mënyrën sesi po ndryshon jeta jonë dhe se si cdokush nga ne po zhytet gradualisht nën pushtetin e një kulture të tillë, e cila na shndërron përdhunshëm në konsumatorë apo mallra.
Filmi do të shfaqet ditën e shtunë, datë 5 dhjetor 2009, në mjediset e kësaj librarie. Dokumentai do të shfaqet në vijim edhe në ditë të tjera dhe do të jetë i shoqëruar me diskutime nga të pranishmit.