
E. Mërtiri
Intervistë e dhënë në gazeten Tirana Free Press
A është e dhunshme shoqëria shqiptare?
Mendoj që po. Dhuna duket e pranishme në një masë të konsiderueshme në shoqërinë shqiptare dhe në një mënyrë a në një tjetër na rrethon kudo. Kjo dëshmohet jo vetëm në kronikat e zeza, por në përditshmërinë tonë. Mjaft të hipësh në autobuz apo të lëvizësh me makinë, lëre pastaj nëse të ndodh të ndeshesh me gjykatat, zyrat shtetërore, apo hipotekat. Madje jo vetëm në rrugët e qyteteve tona, por edhe në podiumet politike, në ekranet e televizioneve, në faqet e gazetave, në forumet dhe blogjet e internetit... Ngado ndeshesh me njerëz të acaruar, që prodhojnë dhe imponojnë konfliktualitet. Ja psh. Të ndodh që të lexosh ndonje koment apo analizë, vërtetë interesante në shtypin shqiptar dhe mendon se vërtetë autori ia ka qëlluar të ofrojë një ide me vlerë. Sapo hap internetin dhe shikon komentet, do të ndeshësh në një shpërthim agresiviteti, përbaltjeje e prepotence, të cilat janë gati ta cojnë autorin në burg për agjitacion e propagandë. Eshtë vërtetë shqetësuese, të mendosh se në cfarë mjedisi të duhet të diskutosh problemet e kësaj shoqërie. Në njëfarë mënyrë, jo vetëm që agresiviteti është bërë pjesë e sjelljes së përgjithshme të shoqërisë, por duket se njerëzit e kanë humbur besimin se e drejta e tyre, marrëdhëniet njerëzore mund të rregullohen me mjete te tjera përvec forcës. Në fakt, agresiviteti i kultivuar në media, është edhe më problematik, pasi ushqen shoqërinë me një frymë që prodhon polarizime të pashëndetshme shoqërore, të cilat, nëse pompohen vazhdimisht, bëhen një gangrenë e vërtetë për zhvillimin e shoqërisë.