e premte, 15 korrik 2011

Na robëroni, vetëm na ushqeni!


E. Mërtiri

Në vitin 1953 Robert Nisbet, mendimtari më i rëndësishëm i konservatorizmit modern të pasluftës së dytë, ngrinte alarmin se bota perëndimore kërcënohej nga një formë e re totalitarizmi, në dukje më human, por jo më pak imponues. E veçanta ishte se totalitarizmi perëndimor i pasluftës ishte i fshehtë dhe i padallueshëm. Ai sundon shoqëritë moderne duke kushtëzuar marrëdhëniet njerëzore, deri në indet më intime të ndërveprimit njerëzor. Një prej mënyrave të shfaqjes së tij mund të gjendej në atë pjesë të mendimit politik të gjysmës së dytë të shek. XX që artikulon një nevojë mjaft thelbësore për modernitetin, nevojën për bashkësi.


Kjo situatë, sipas Nisbet-it ka sjellë një realitet kulturor e politik ku shteti dominon jetën shoqërore, duke ndërhyrë në çdo qelizë të saj. Pesha e shtetit, shyp qytetarin, duke eleminuar mundësitë e tij për vetëorganizim, si dhe duke pamundësuar krijimin e lidhjeve sociale të pavarura. Shteti, merr përsipër në këtë mënyrë, të përmbushë nevojën për bashkësi, duke kompensuar vetminë njerëzore që buron prej modernitetit, nëpërmjet shërbimeve që ofron, të cilat gjithsesi nuk i plotësojnë nevojat e tij. Shteti pra, pasi ka shfuqizuar të gjitha lidhjet dhe strukturat sociale, pasi e ka lënë njeriun të vetmuar e të pambrojtur, bëhet e vetmja strehë e mundshme, bëhet e vetmja alternativë dhe ideologjia shtetërore shndërrohet në ideologji sunduese (duke iu referuar Marksit). Në këtë mënyrë, bashkësia kombëtare e prodhuar nga shteti, buron pikërisht nga nevoja dhe uria që shoqëritë moderne kanë për të realizuar qenien sociale që qendron në thelb të individit. Shteti modern kujdeset kështu të ndërtojë artificialisht, nëpërmjet burokracisë mjedisin social të munguar, të cilin ai vetë e ka asgjesuar, duke farkëtuar kështu qytetarin, e duke eleminuar për pasojë diversitetin.

Industria njerëzore e luftës

Elementi kryesor nëpërmjet të cilit realizohet kjo, është pikërisht lufta. Siç shprehet Nisbet, lufta është mjeti kryesor që farkëton bashkësinë: “Pushteti i luftës për të krijuar një ndjenjë të domethënies morale është një nga aspektet më të frikshme të shekullit XX”. Lufta është nxitësi kryesor i solidaritetit njerëzor në shoqëritë moderne dhe ajo prodhon objektivat kryesorë që identifikohen me aspiratat popullore. Farkëtimi i shoqërisë, projektimi i identitetit vjen kështu, nëpërmjet armikut, duke prodhuar një realitet, nëpërmjet një dialektike pa rrugë të mesme. Lufta ose krijimi i armiqve, mobilizon shoqërinë për të njëtrajtësuar individët, në funksion të aspiratave popullore, duke penguar kështu çdo zgjedhje tjetër, çdo model shoqëror, që nuk përputhet me këto aspirata.

Për rrjedhojë, i kushtëzuar nga këto modele totalitare, njeriu modern, sipas Nisbet-it, është denatyruar, ndërkohë që jeta dhe mjedisi shoqëror nuk përputhen me nevojat e tij thelbësore. Kjo është arsyeja pse bota e shekullit XX është e zhytur në vetmi dhe atomizëm, e karakterizuar nga ndërprerje të lidhjeve të drejtpërdrejta midis njerëzve. Është bota e ankthit dhe pasigurisë, ose ndryshe, bota ku mungon bashkësia. Të gjitha këto, kanë sjellë rrjedhimisht një mori problemesh sociale, kulturore, politike etj. duke e bërë jetën e njeriut shumë herë më të palumtur, më të shqetësuar, më të paqendrueshme. Prej këtej burojnë epidemitë e çrregullimeve psikike që shqetësojnë sot studiuesit e shkencave shoqërore.

Diktatura e tregut

Në një mënyrë të përafërt, rreth një dekadë më pas, Herbert Markuze, evidenton natyrën totalitare të modernitetit të sotëm. Ai flet gjithashtu për totalitarizmin latent që karakterizon botën moderne perëndimore, në kulmin e mirëqenies dhe zhvillimit të saj. Markuze, e shikon njeriun modern të zhveshur nga thelbi i humanitetit të tij. Gjithashtu ai e shikon luftën dhe kërcënimin që ajo përhap në shoqëri, si një mjet për unifikimin dhe mbrujtjen e solidaritetit shoqëror në botën moderne, por njëkohësisht edhe si mjetin me të cilin kultivohet totalitarizmi, që ka “njëdimensionalizuar” njeriun modern. Markuze shprehet se kërcënimi i Luftës së Ftohtë, ka qenë shkatërrues për lirinë në perëndim. Realiteti i prodhuar nën perceptimin e një kërcënimi të përmasave të tilla, ka ka vendosur nevojën për solidaritet në dëm të diversitetit, duke e kushtëzuar mendimin në suazat e nevojave që sjell realiteti i tensionuar politik. Për rrjedhojë, Markuze mendon se bota moderne nuk ka opozitë. Ajo përthith çdo njeri, çdo veprimtari në rrjedhën e vet, duke mos lejuar asnjë angazhim ndryshe apo kundra sistemit.

Totalitarizmi i botës moderne, shkon sipas tij, deri në sferën më intime të njeriut. Ai prodhon modelet e jetës, duke i detyruar njerëzit, të përshtaten, ose në të kundërt, të jenë të destinuar të vetëpërjashtohen. Ky sistem, u imponohet njerëzve duke ndërhyrë në mënyrën e tyre të të menduarit. Mjetet e prodhimit, strukturat shtetërore, tregu, informacioni, propaganda ia bëjnë të pamundur aftësinë për të menduar mënyra të tjera të të jetuarit, për të krijuar modele të tjera alternative të ndërveprimit shoqëror. Ndryshe nga Nisbet, Markuze nuk sheh vetëm veprimin e shtetit si mekanizmin dominues në jetën e individit, por kryesisht sistemin ekonomik shoqëror në tërësi. Në fakt, shteti modern, është i njëtrajtësuar me mekanizmin ekonomik, i cili sundon sot jetën shoqërore. Tregu është sot fuqia dominuese e jetës shoqërore, duke pamundësuar ekzistencën e çdo realiteti jashtë kushteve të diktuara prej tij. Në njëfarë mënyre, njeriu modern është i mbërthyer në verdiktet që imponon një sistem i tillë, ku shteti dhe tregu, sundojnë jetën shoqërore, duke diktuar mënyrat e ndërveprimit njerëzor.

Të tilla shqetësime evidentohen nga një sërë mendimtarësh të rrymave të ndryshme, duke përfshirë grupe të ndryshme intelektualësh konservatorë, postmodernistë, antimodernistë apo edhe neomarksiste. Identifikimi i totalitarizmit që fshihet pas fasadës liberale që prezanton bota moderne, është bërë një angazhim serioz për shumë mendje të vëmendshme ndaj shoqërive moderne. Megjithë diversitetin e ideve të prodhuara, një gjë duket se përbën një kusht të domosdoshëm për të ardhmen e mendimit: moderniteti është diçka që duhet rimenduar vazhdimisht, si një realitet që duhet mbajtur në vëmendje, për të shmangur pjesën më të madhe të problemeve të sotme, por edhe për t’u çliruar nga pasiguritë dhe kërcënimet që i shfaqen shoqërive moderne. Kjo është ndoshta sfida më e madhe e mendimit të sotëm, e cila duhet të përthithë të gjitha energjitë intelektuale, për të prodhuar orientimet e duhura.

Vetmia e qytetarit shqiptar

Ajo që mund të themi për shoqërinë shqiptare, është fakti që pikëpamje të tilla janë ende të parrahura në mjediset intelektuale. Moderniteti shqiptar po zhvillohet në variantet e ngurta të paraluftës së dytë botërore, duke shfaqur një prirje të ndjeshme totalitariste, e cila nuk gjen as njerëzit e duhur për ta evidentuar. Në këtë mënyrë, Shqipëria po shkon drejt proceseve të modernizimit të ngjashme me ato perëndimore, pa pasur vetëdijen e nevojshme për problematikën që e shoqëron këtë proces.

Shoqëria shqiptare po humbet gjithnjë e më shumë strukturat sociale dhe lidhjet e drejtpërdrejta të njerëzve me njëri-tjetrin. Familja, lidhjet e gjakut, marrëdhëniet fqinjësore e ndërnjerëzore po bëhen gjithnjë e më të shurdhërta, të zbehta dhe ato kanë gjithnjë e më pak peshë në jetën tonë. Shoqëria shqiptare po bëhet gjithmonë e më shumë indivudualiste duke shkuar me ritme të shpejta drejt atomizmit shoqëror. Gjithmonë e më shumë, është shteti ai që merr përsipër të zgjidhë (në fakt asgjë nuk zgjidh) problemet shoqërore dhe gjithmonë e më shumë qytetarët e kërkojnë tek shteti përgjegjësinë e rregullimit të jetës së tyre. Paaftësia për reagim shoqëror, atrofizimi i ndërgjegjes kolektive, paaftësia për tu organizuar apo për të reaguar ndaj paudhësive që u bëhen, në mënyrë konseguente qytetarëve, buron në një masë të konsiderueshme nga ky fenomen. Politizimi i skajshëm i jetës sonë, është shkaku dhe pasoja e këtij fenomeni, ku qytetari mbetet i zhveshur dhe i pambrojtur përballë shtetit dhe politikës, i paaftë për të marrë mbi vete fatin e vet. Shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë, janë ende në hapat e para dhe këtu mund të gjejmë ende struktura funksionuese, por gjithnjë e më shumë, duket se këto struktura po humbasin përballë erozionit që sjell moderniteti, i cili po rrafshon çdo element holist e strukturor, për të prodhuar turmat amorfe, ku individët janë të vetmuar. Kjo është këneta e duhur ku ideologjitë peshkojnë militantë. Ky është rezervati i përkryer për të prodhuar ndërgjegjet e shqetësuara, të afta dhe të gatshme të rrjeshtohen nën armë, në shërbim të cilësdo utopi që u premton bukë dhe rend. Motoja e kësaj turme njerëzish ndaj udhëheqësve të tyre është ajo që saktësisht e ka artikuluar Dostojevski: “Na robëroni, vetëm na ushqeni”.

Të gjitha këto, janë pasojë e procesit të modernizimit, në variantin e tij liberalist, i cili është sot ideologjia dominuese, e pakonkurueshme në Shqipëri. Ky proces po zhvillohet, pa u shoqëruar me kritikën e nevojshme, e cila duhet të sjellë ndërgjegjësimin për këtë problematikë. Jo vetëm kaq, por mjedisi intelektual, sidomos opinioni publik është jomikpritës ndaj trajtimit të këtyre fenomeneve, gjë që rrit pamundësitë për të zhvilluar debatin e duhur në adresimin e shqetësimeve të sotme. Fryma totalitare që karakterizon inteligjencën shqiptare, ka projektuar ato që sot njihen si aspirata kombëtare, të cilat shërbejnë më tepër si referencë, për të përcaktuar armikun e bashkësisë. Gjuha e kazermës, është mburoja e ideologjisë së sotme sunduese që, në frymë revolucionare, imponon solidaritet shoqëror në funksion të projektit të saj. Ajo përjashton mundësitë për të qenë i përfshirë në zhvillimet shoqërore në mënyra të tjera nga pritshmëritë e saj, duke refuzuar të drejtën e pjesëmarrjes për çdo pikëpamje që nuk përputhet me paradigmën e saj. Nga e gjithë kjo, mund të themi, ashtu si Markuze, se ky është një sistem pa opozitë. Gjithkush që del nga marxhinat e tij, i duhet të mbijetojë jashtë sistemi, ose të bëjë kompromise të dhunshme ndaj vetvetes, për tu integruar me të tërën. Përndryshe është i kërcënuar të zhduket.


_______________
Ky shkrim është botuar në revistën "Shenja"

4 komente:

  1. Gys eshte shkrim shume i mire. Ndoshta duhet te ishe thelluar me shume ne menyren se si kjo fenemenologji pasqyrohet dhe mberthen shoqerine shqiptare.

    PërgjigjuFshije
  2. teper siperfaqesor, irritues siperfaqesor. Jo vetem i ceket ne njohjen e literatures teorike (sidomos eshte qesharake kur kjo literature nxirret nga konteksti i saj e aplikohet per realitetin shqiptar), por edhe te vete realitetit shqiptar. Nuk ka asnje reference per te mbeshtetur pohimet e tij per realitetin shqiptar. Asnje! Vetem opinionin e artikullshkruesit. Keshtu shkruajne mesiat jo studiesit! e ky realiteti yne duket se eshte i mbushur me mesia!

    PërgjigjuFshije
  3. I ke lexuar autoret qe permenden aty ti? Nese mendon se eshte nxjerre nga konteskti na thuaj se ku.

    PërgjigjuFshije
  4. @Anonimi 18 korrik 2011 10.52.PD

    Korniza teorike qe i rri rrotull analizes se shkurter mbi shoqerite shqiptare besoj se eshte ne vendin e vet. Ndonese nuk ndihmon per te kuptuar teresisht realitetete shqiptare, pa kete kornize nuk kemi perspektiven e nevojshme per matje e krahasim.

    PërgjigjuFshije