e mërkurë, 6 korrik 2011

Shteti kleptoman, u vjedh Zotin besimtarëve

Arbër Fetiu

Qyteti i Venedikut, prej nga edhe po i shkruaj këto linja, është një qytet i kulturës se lartë, kryeqytet i tregtisë në mesjetë. Kjo hapësirë pat lindur shumë njerëz interesantë, prej Marko Polos e deri tek Kazanova. Por ky qytet, si disa te tjerë, njihet po ashtu për një sens të veçantë të pranimit të tjetrit. Me shekuj, Venediku ka qenë udhëkryq ku janë gërshetuar kulturat dhe fetë e tregtarëve te ndryshëm prej të gjitha këndeve të botës. Pak minuta nga qyteti, në Ponzano, sot të premten, në njërën nga kishat e qytetit, u fal namazi i xhumasë nga besimtarët myslimanë. Ka tash 6 vite, që në mungesë të xhamisë, myslimanëve besimtarë të Venedikut të krishterë, u ofrohet hapësira e Kishës së Zonjës Sonë, që këta të performojnë ritualet e tyre islame, deri sa të gjendet alternativë për ta. “Më i mirë një mysliman që lutet, sesa një i krishterë që nuk lutet”, - tha Don Aldo, prifti i qarkut. Me ndihmën e qytetit të Venedikut, ka më shumë se dy vite që punohet në projektin unik të “xhamisë lundruese”, e cila do të lundrojë në ujërat e qytetit të vjetër, kaq të bukur!

Dy shkrime u publikuan në të përditshmen “Koha Ditore” gjatë këtyre ditëve, respektivisht prej Halil Matoshit dhe Melihate Tërmkollit. Domosdo, si qytetar i besimit mysliman, të cilit këto shkrime edhe i drejtohen, u ndjeva i obliguar të qartësoj disa gjëra obskure dhe tendencioze në to. Ndër aludimet themelore më të ngjashme tek të dyja shkrimet ishte ideja e instrumentalizimit/shpërdorimit të besimtareve myslimanë, të përdorimit të fesë, Zotit apo Allahut për oportunizëm politik, apo për përfitime të tilla apo ngjashme. Shkrimet po ashtu drejtonin një kritikë (kinse) formulimit të kërkesës së besimtarëve myslimanë për xhaminë e madhe në Prishtine duke e trajtuar atë si një projekt “për inat” të Katedrales. Jam i detyruar që të reduktohem vetëm në këto dy aspekte të shkrimeve pasi jam i obliguar të jem selektiv duke pas parasysh hapësirën që më ofrohet.
Ideja se qytetarët besimtarë po instrumentalizohen nga individë (Fuad Ramiqi apo kushdo qoftë tjetër) është një ide mjaft provokative, dhe ndoshta forma ma e bukur klasike e zhveshjes së qytetarit besimtar nga cilësia e tij e qytetarit. Besimtarët në aspektin civil, para së gjithash janë qytetarë si gjithë të tjerët, dhe formulimet e tyre duhet të shihen, para së gjithash, si formulime qytetare, të taksapaguesve. Është shumë e pakuptueshme se si apriori, këto shkrime supozojnë se të jesh besimtar dhe qytetar në të njëjtën kohë nuk është e mundshme. Rrjedhimisht, duke qenë besimtar, të shprehesh nëpërmjet mosbindjes qytetare si reagim ndaj një kërkesë disavjeçare të mohuar konsiderohesh i instrumentalizuar, ndërkohë që një akt i tillë, ngado në botë ku ka demokraci funksionale, konsiderohet akt që buron nga vetëdija qytetare. Paradoks ! Cfarë e bën njeriun fetar më të brishtë sesa një qytetar të thjeshtë karshi instrumentalizimit?! Çfarë e bën një qytetar fetar që të konsiderohet apriori si më të brishtë dhe më të manipulueshëm sesa qytetari i zakonshëm?! Asgjë! Qëndrimi i artikuluar në dy artikujt në fjalë, si me qenë një forme e re e marksizmit, apo më mirë me thanë një neo-leninizëm, përpiqet që besimtarët, të cilët kanë dalë në rrugë, t’i katandisë në një turmë që është nën efektet e «opiumit të popullit» të paaftë me logjiku karshi instrumentalizimit që qenkësh duke iu ba një individ: Fuad Ramiqi! Ata pra trajtohen si një tufë bagëtie , apo shul-shqip si budallenj!
Po a janë me te vërtetë hesapet qysh po mundohen me u paraqitë?! U deshën 9 vjet, prej 1989-s e deri në 1998, që lëvizja politike e humane e Rugoves të kalojë prej kërkesave legjitime për vetëvendosje në krijimin e një guerile (UCK-së), e cila do ta bënte botën me u marrë “më seriozisht” me problemin e Kosovës. Rrugëtimi rugovian “soft”, i ligjshëm (më i ligjshëm se sa ndoshta është dashtë) nuk pati arritë me e nxjerrë aspak prej territ problemin që populli po jetonte. Për analogji, ka tashmë 12 vite (1999-2011) që myslimanët shqiptarë janë duke kërku, përmes modelit legjitim rugovian “soft” (përmes vetë BIK-ut) ndërtimin e një xhamie të madhe e cila do t’u shërbente besimtarëve, të cilët gjatë gjithë kësaj kohe të premteve falen në shi, në borë e edhe rreziten në diellin përcëllues. Besimtarët muslimanë kanë humbë 12 vite duke pritë realizimin e kërkesave të tyre legjitime, të cilat po bien në vesh të shurdhtë, sepse burra si Baton Haxhiu e Isa Mustafa, të cilët dikur libreza e kuqe s’i ka leju moralisht me i vizitu xhamitë, mendojnë se ato janë ende te zbrazëta! Metamorfoza e vetëdijes ngjason shumë me atë që solli etapën e re në Kosovë! Heshtja, injorimi, nënçmimi dhe standardet e dyfishta nuk do bëjnë gjë tjetër veçse do rrisin intensitetin e shprehjeve qytetare, të cilat synojnë me e thye ketë heshtje! Zaten edhe Halilit, e edhe Melihates që prej 12 viteve, iu ka dashtë një protestë e tillë që të dalin publikisht e të thonë se kërkesa për xhami është legjitime. Ashtu siç SHBA-të në fillim deklaruan se forma e re e sensibilizimit përmes UÇK-së klasifikohej si terroriste, talibane, ashtu edhe Halili me Melihaten dëshirojnë të na bëjnë me besu se edhe protestuesit e së premtes janë talibanë, terroristë potencialë, e fundamentalistë aziatikë.


Tendenca për ta konsideruar “inatçore” këtë kërkesë është shumë e pandershme dhe inkoherente. Besimtarët myslimanë asnjëherë s’kanë kundërshtuar ndërtimin e Katedrales, kur është kërkuar nga nevoja. Në Gjakovën e Riza bej Kryeziut, ku ka një minoritet të madh katolikësh, asnjëherë nuk është diskutuar apo vënë në pyetje ndërtimi i Katedrales së Gjakovës. Ajo qëndron sot në qytetin e kulturës, e bukur, si perlë që zbukuron qafën e qytetit. Shqiptarët myslimanë, për 600 vite me radhë i kanë ruajtur kishat katolike dhe ortodokse dhe s’e kanë penguar ndërtimin tyre, falë moralit fetar e qytetar. Madje edhe në krejt intervistat e përfaqësuesve të lëvizjes “Bashkimi” është thëne qartë se askush nuk është kundër ndërtimit të Katedrales. Ajo është vetëm reference e padrejtësisë që i bëhet disave! Ata që janë ngritur kundër ndërtimit të Katedrales, e kanë prekur këtë çështje me të njëjtën linjë siç mundohen ta bëjnë sot Halili me Melihaten, pra duke e konsideruar ndërtimin e saj si ndërtim politik (historian Muhamed Pirraku madje, ka shkruar një libër të terë me subjekt kundërshtues për një katedrale politike). Frustrimi për Katedralen, më shumë se me çdo tjetër ka qenë i lidhur me interferencën e shtetit laik, nocion ky që Melihatja e kujton e nuk ngurron ta vërë ne dukje kur është fjala për xhaminë, por nga ana tjetër ajo e harron kur vetë na dëfton se “verën e vitit 2005, ishte vënë gur-themeli i ndërtimit të Katedrales në Prishtinë nga institucionet më të larta SHTETERORE e fetare” . Madje ajo nuk ngurron të na thotë fare hapur se kjo u bë nga lidershipi të cilit ajo i takon, pa u kujdesur të fshehë faktin se ajo di të përdorë standarde të dyfishta (laiciteti vlen për disa e nuk vlen për disa të tjerë). Shekspiri thoshte bukur se “për interesa të veta, edhe djalli e citon Biblën”. Të kërkosh leje për ndërtimin e xhamisë, duke bërë me gisht nga Katedralja, është njësoj siç bënin dikur shqiptarët kur në fillimvitet e ’90-ta, regjimi serbo-sllav i hiqte nga puna shqiptarët maxhoritarë duke mbajtur në punë vetëm serbët minoritarë, e në të njëjtën propagandonte nëpër botë barazinë demografike mes serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë.

Edhe më ironik është fakti se guri i themelit të Katedrales ka qenë i paligjshëm, gjë që e kane shprehur edhe zyrtarët komunalë të Prishtinës duke u shprehur se ajo është e jashtëligjshme, pasi nuk ishin “përmbushur procedurat e as ishin plotësuar obligimet”. Ndërkaq as Halilin e as Melihaten, kjo shkelje e ligjit nuk i pat intriguar asokohe e as tash! Madje edhe më keq, vetë ideja për Katedralen ka lindë jo tek nevoja e komunitetit, e as që ka qenë kërkesë iniciale e saj, por ka qenë dëshira e Rugovës, i cili në intervistën e tij për Corriere della Sera në shtator të 2003-shit, për me i ikë sikletit ku e kishte vënë gazetarja italiane me pyetjen “a jeni mysliman” , ai iu përgjigj duke i treguar projektin që “ishte dëshira e tij më e madhe”: ndërtimin e Katedrales në Prishtine ! “N’qofsh bektesh, e merr vesh”, - thotë gjyshja ime!
Frustrimi themelor i besimtarëve myslimanë, nuk janë objektet fetare e as besimi i te tjerëve, por është standardi i dyfishtë që po përdor prej 12 vjetësh shteti kleptoman e nepotik i Kosovës, i cili në një anë përdhos laicitetin tek financon skulpturat e Nene Terezës me veshjen e saj të ndershme, e në anën tjetër ruan laicitetin duke përjashtuar nga shkolla vajzat me të njëjtën veshje; nga njëra ane financon dhe promovon ndërtimin e Katedrales, e në anën tjetër as nuk jep lejë për ndërtimin e xhamisë. Katedralja ende nuk ishte ndërtuar, ende nuk ishte vënë guri i themelit, e madje as kish filluar të artikulohej ideja për ndërtimin e saj, kur besimtaret myslimanë po e festonin 4 vjetorin e kërkesës se tyre për ndërtimin e xhamisë. Përdorimi i faktit se është ndërtuar Katedralja dhe ne s’kemi xhami, është premise e cila synon të dëshmojë hipokrizinë e këtij shteti, aparteidin, standardet e dyfishta dhe nënçmimin karshi besimtarëve myslimanë!

Shteti kleptoman, i cili i ka vjedhë gati çdo gjë qytetarit të Kosovës, tash dëshiron me ia vjedhë atij edhe gjënë e fundit që i ka mbetë, Zotin, dhe lidhjen që qytetari ka me Të! Halili dhe Milihatja mund të pretendojnë se po mbrojnë laicitetin, apo edhe se po mbrojnë besimtarin mysliman prej instrumentalizimit, por unë dhe shumë myslimanë të tjerë shqiptarë jemi të vetëdijshëm se nuk dalim në protestë për t’i bere qejfin Fuad Ramiqit apo kujtdo qoftë, por për të kërkuar një hapësirë për nevojat tona, si dhe për të dëshmuar haptas dopiostandardin se sa i dyfishtë është kuti me të cilin mat shteti, i cili funksionon me taksat e mia!
Gjithsesi, fakti që po shkruhet për xhaminë, tregon qartë efektin që e kanë pasë 12 vjetët gjatë të cilëve as Milihatja e as Halili nuk janë kujtuar ndonjëherë të shkruajnë . E tash, kinse për t’i ruajtur myslimanët “budallenj” prej instrumentalizimit politik (të imagjinuar), kanë dalë të na tregojnë se si nuk qenka mirë të protestohet, por të vazhdohet me mjetet “soft”, pra të vazhdohet ende me rrugën 12 vjeçare, e cila vetë këta nuk i ka shti ndonjëherë të interesohen për këtë punë, e aq më pak të shkruajnë!

II

Ka një errësirë disafytyrëshe në të gjitha këto përpjekje për të bastarduar një kërkesë të tillë legjitime, të bërë në një formë mëse legjitime (protesta ishte legjitime, pasi që vetë policia e kishte lejuar atë javën që shkoi, duke krijuar kështu precedentin e interpretimit mbi ligjshmërinë e saj për javën e dytë, të tretë, të katërt…). Kjo duket edhe në mënyrën sesi e shikon çështjen Halili, duke shekspirizuar atë vetëm e vetëm që t’i japë protestës karakter të jashtëligjshëm, ai nuk ngurron ta trajtojë si çështje të një grushti djemsh që paskan dalë në hapësirat e Fakultetit Filologjik, të cilët (ndonëse në pozitën e të dobëtit dhe të diskriminuarit) i krahason me aktet e regjimit serb apo të uzurpimit të UCK-së, të dyja këto në pozita fuqie: e para në një sistem dikto-krat, e dyta në një atmosferë anarkie. Është e turpshme të njësohen këto të tria, kur dihet se ata djem s’kanë mjetet financiare për implementimin e asaj që ndërmorën në formë krejt simbolike. Shkrimet në fjalë bëjnë eko tek kërkesa absurde që individët fetarë, të mos merren me politikë, por kjo është, siç do të thoshte kryerabini britanik Jonathan Sacks, në librin e tij "Dignity of difference": sikur t'u kërkohet atyre (fetarëve) që të mos mërziten për çështjet humanitare, të mos implikohen në OKB apo në UNHCR, të mos mërziten për faktin se ku shkojnë taksat e tyre, se kush manipulon me fjalën e tyre, se pse komshiu i tyre s’ka punë, se përse djalit të tyre i është rritur pagesa për shkollim... e edhe se pse shteti përdor kute të dy-trefishta.

III

Nuk më mbetet veçse të shpresoj, se në Kosovë, edhe pse në një raport krejtësisht të kundërt të demografisë konfesionale, Ipeshkvia e Kosovës, ashtu si ajo e Venedikut, t’ua hapë dyert e Katedrales apo të kishave në qendër të Prishtinës myslimanëve të cilët shteti po i konsideron si qytetarë të dorës së dytë, në mënyrë që këta të fundit të mos falen më nën rrezet përcëlluese të diellit, e as në shi e breshër, e as në borë. Ndoshta vetëm kjo do të ishte alternativë e cila do të shtynte qeverinë tonë t’iu përgjigjet kërkesave 12 vjeçare të myslimanëve të Prishtinës dhe kështu do të mund të evitoheshin edhe “aktet e paligjshme” të protestave në rrugë , të cilat në fakt, s’kanë asgjë të ngjashme me talebanët, nderkohë që kanë shumë ngjashmëri me protestat parisiane.

Nuk ka komente:

Posto një koment