e premte, 22 korrik 2011

Imam Shefqeti dhe Nënë Tereza.


E-Zani

Kallzimi penal, sic është njoftuar në media, kundra një prej imamëve të Prishtinës, Hoxhës Shefqet Krasniqi, është qesharak e asnjë ent mediatik me respekt për veten nuk mund ta njoftonte si lajm. Në anën tjetër, nuk jemi të sigurtë nëse Imam Krasniqi, si lider fetar, po ofron shembujt e duhur të urtësisë për të ndihmuar besimtarët në një kohë dukshëm të tensionuar marëdhëniesh fetare. Por ky tension, ama, është qartazi produkt i politikave pa mend të qeverisë së Kosovës.


A mund qoftë të imagjinohet një proces ligjor kundra Imam Krasniqit me akuzën (lehtësisht të provushme) se ka thënë që Nënë Tereza do shkojë në xhehenem? Kursesi jo, për sa kohë që Republika e Kosovës kërkon t’i qëndroj besnike qoftë një aparence të lirisë së besimit. Ajo që shpjegon e motivon egzistencën e shumë feve, është, ndër të tjera, besimi se fetë e tjera nuk ofrojnë shpëtimin në amëshim që të ofron feja jote. Qëndrimi i Imam Krasniqit është i bazuar në një qëndrim të mirëmbështetur, edhe pse jo i vetmi, i teologjisë Islame sipas të cilit ata që besojnë tek trinia kanë ofenduar shenjtërinë dhe pastërtinë e besimit monoteist tek një Zot dhe kjo i përjashton nga shpëtimit në amëshim. Që Imam Krasniqi të dënohet për këtë do të thotë që ushtrimi i lirë i Islamit në Kosovë të ndalohet, por jo vetëm.


Për shumicën e të krishterëve në botë, ata që nuk besojnë se Jezu Krishti është biri i Zotit dhe se u kryqëzua për të shlyer mëkatet e besimtarëve të krishterë, janë të përjashtuar nga shpëtimi në amëshim, pra e kanë vendin në “xhehenem.” Ata që kanë ngritur padinë duket mos kenë bërë leximet e nevojshme as në shkollë të mesme, për të parë që Dante Aligheri, në Komedinë Hyjnore, duke reflektuar dogmën katolike, vendos Profetin e Islamit, sëbashku me Aliun si dhe profetë të tjerë hebrenjë të gjendur si në Bibël e të nderuar në Kuran, në Ferr, pra “xhehenem.” Atëherë, sa padi të tilla, sa nga një krah e nga krahu tjetër është e gatshme të përballë gjykata e Kosovës? Kjo padi është qesharake.


Në anën tjetër, Imam Krasniqi duhet t’i njohë shumë mirë urdhëresat profetike që të respektohen udhëheqsit fetarë të feve të tjera, e vecanërisht murgjërit, e për sa kohë që, sic thuhet për këto punë, mender jush, ai nuk i mbajtur kandilin kujt, le të mos spekullojë për jetën seksuale të një figure të nderuar të një feje tjetër. Tek e fundit, Imam Krasniqi, gjithashtu duhet të dijë, që përtej doktrinës teologjike, ne dimë që mëshira e Zotit është forca predominante që përcakton shpëtimin e sic na është thënë nga Profeti Muhamed, paqja e bekimi i Zotit qoftë mbi të, Zoti fali dhe një prostitutë për mirësinë e mëshirën që ajo i tregoi një kafshe të vetme, por në anën tjetër, ndër njerëzit e parë që Zoti do dënojë është një hoxhë që nuk jetoi ato që predikoi. Roba që njerëzit veshin nuk është i vetmi përcaktor i shpëtimit. Zoti është Gjykatësi i Drejtë dhe i Mëshirshëm.


Tensionet e kohëve të fundit me petk fetar por esencë politike kërkojnë liderë me urtësi që dinë të inspirojnë qëndrime të matura. Liderë fetarë të Kosovës kanë të drejtë që janë të shqetësuar me imponimin e simboleve, vlerave, figurave katolike në Kosovë dhe është detyrë e tyre që të adresojnë këtë imponim në termat më të qartë e të vendosur. Kjo mund të bëhet fare mirë duke kërkuar mirëmbajtjen e marëdhënieve fetare, pa-anësinë qeveritare ndaj komuniteteve fetare, dhe dhënien fund të diskriminimit fetar pa atakuar figurat e një feje tjetër. Në Kuran na mësohet mos shajmë e ofendojmë as idhujt e politeistëve sepse kjo do sjellë riciklimin e konfliktit dhe ofendimeve të ndërsjellta fetare. Imam Krasniqit dhe liderëve të tjerë të Kosovës i duhet të ngrihen në lartësinë e sfidave që koha ka sjellë para tyre dhe cdo sfidë të shihet si mundësi afirmimi i vlerave tona dhe afrimi me Zotin. Të tjerë njerëz, organizata e qarqe pushteti po nxisin tensionet ndër fetare në Kosovë. Nuk është e drejtë që kjo njollë tu mbetet muslimanëve.


Qeveria e Kosovës dhe establishmenti i vet kulturor e mediatik vazhdojnë të afirmojnë komleksin e tyre të inferioritetit, naivitetin politik, dhe papërgjejgshmërinë sociale duke promovuar katolicizmin dhe figurat katolike si pjesë e profilit të vet publik e ndërkombëtar. Politika e tyre ndaj komuniteteve fetare, duke pretenduar të mirën e “imazhit” të Kosovës po dëmton esencën e kohezionit social midis njerëzve të Kosovës. A vërtet habitet kush kur sheh irritimin dhe protestat e besimtarëve kur shohin rrefuzimin 12 vjecar për një leje ndërtimi xhamie pasi është parë që për ndërtimin e një katedraleje u përfshi vetë kreu i shtetit, u prish një gjimnaz dhe mbledhja e fondeve u paraqit si “aksion mbarëkombëtar?” A kanë vërtet sens drejtësie këta njerëz apo janë aq të verbër sa mos kuptojnë që këto veprime janë formula të sigurta për të ndjellur tensionet e bashkësive fetare? Qëndrimi i këtij blog-u është që Nënë Tereza është një figurë e nderuar e komunitetit katolik që shërben si shembull i sakrificës njerzore në shërbim të të tjerëve, por fotografitë e një shenjtoreje katolike, e cila për mesazhin e saj u motivua nga feja e saj dhe për të promovuar fenë e saj, nuk duhet të promovohen në institucionet shtetrore të Kosovës. Ky promovim dhunon esencën e laicitetit, që udhëheqsit e Kosovës, në dhunim të vetë kushtetutës së Kosovës, e tundin para fytyrës së besimatareve muslimane me shami që ti përjashtojnë nga shkolla.


Në thelb të këtyre tensioneve ku Nënë Tereza dhe Imam Krasniqi janë vetëm personazhe, janë politikat pa mend të qeverisë së Kosovës. Por besimtarët muslimanë duhet të ngrihen mbi pozicion e reagimit dhe të ecin me dritën e mësimit dhe vlerave të tyre si paqsues. Krerët e komunitetit katolik të Kosovës dhe eprorët e tyre jashtë ka gjasa që po e shohin gjendjen e re në Kosovë si mundësi ekspansioni dhe në të afërmen mund dhe të shohin përfitime, por kjo nuk është formulë e mencur për të ardhmen.

11 komente:

  1. Te pershendes per k'te post vlla.Nuk e pash te nevojshme te shprehem edhe un me teper kur e lexova postimin tend, me vend e ke marr shembull Dante aligerin dhe fete tjera ,subhanaAllah a mund ta imagjinojm ose ata te gjykates a mund ta imagjinojn se sa land i kan te pa kryer e sa esa probleme akuza e kunder akuza duke e marr parasysh korrupsionin ne vend ne pergjithsi i sigurt jam qe sdo dinin kah ta mbanin cilen an ta mberthenin.Vendi eshte ne krize politike qe eshte e shkaktuar nga kriza morale do i majftonte vendit tone te mjer edhe kriza fetare .Me pak fjal thelbi, si e potencove edhe ti vlla, eshte nderrimi i personazheve i roleve i atyre qe punojn fisebililah(me emer t'zotit,sinqerisht) me ata qe qe nuk jan te sinqert per hir te Zotit te cilet punojn per dynja(kte vend) sa per sy e faqe haptazi e them dhe jam igatshem qe "nena tereza" e ka potencu me gojen evete inferioritetin e saj se e ka Zot a nuk ka dmth se e ka humbur edhe petkun krishtere e tani te krishteret mburren me te kjo dhe shum te tjera tregojn shum mir porosin e profetit te fundit qe te pa skrupulltit te pa nderet mos te them edhe laik ne mendje kan per te udhehequr o mundohen qe ta largojn te duhurin etj ...
    Per fund vllezer e motra s'na ka porositur kote pejgamberi muhammed mustafaja i derguari i Allahut tebareke we te'ala 'ndihmohuni ne te mira e ne te mbara e mos u armiqesohuni(kte e kem edhe ajet por qe te mos gaboj e shkruajta hadithin) vetem per kte hadith a ajet na mjafton te kapemi qe te ndryshoj gjendja te ne e mos te flasim per xhihad qe eshte kulmi i veprimeve tona por qe te arrijm deri ne kulm duhet ti ndjekim shkallet

    PërgjigjuFshije
  2. ...e megjithate ajo ne xhehenem e ka vendin

    PërgjigjuFshije
  3. Do doja te vleresoja dhe perkrahja fort kete qendrim te Ezani-t, i cili shfaqet i kthjellet dhe instruktiv ne ate se si duhet muslimanet te trajtojne ceshtjen e Nene Terezes, sa here qe ajo me dashje apo pa dashje hapet. Me duket se disa perpiqen te perfitojne nga perdorimi i Nene Terezes per kurim imazhi ndersa te tjere po e perdorin ate per te provokuar muslimane e duke i bere ato pjese fushatash te organizuara anti-muslimane.

    PërgjigjuFshije
  4. Cfare do te thote paragraf i meposhtem?
    "Tek e fundit, Imam Krasniqi, gjithashtu duhet të dijë, që përtej doktrinës teologjike, ne dimë që mëshira e Zotit është forca predominante që përcakton shpëtimin e sic na është thënë nga Profeti Muhamed, paqja e bekimi i Zotit qoftë mbi të, Zoti fali dhe një prostitutë për mirësinë e mëshirën që ajo i tregoi një kafshe të vetme, por në anën tjetër, ndër njerëzit e parë që Zoti do dënojë është një hoxhë që nuk jetoi ato që predikoi. Roba që njerëzit veshin nuk është i vetmi përcaktor i shpëtimit. Zoti është Gjykatësi i Drejtë dhe i Mëshirshëm."
    Me sa dime nga Kurani, Meshira e Allahut ne Boten Tjeter eshte vetem per besimtaret. Prostituta qe shpetoi per hir te aktit te saj nuk ishte jobesimtare, por ishte besimtare me mekate te medha. Ne e dimi qe edhe besimtari me mekate te medha e meriton nje denim te perkohshem ne Xhehenem, por per hir te aktit fisnik qe ajo kreu, Zoti ia fali kete perkohesi ne Xhehenem. Ndersa nene tereza ka vdekur si e krishtere, ndaj dhe besimi yne i patundur eshte se ajo do te perfundoje ne Xhehenem. Te pakten keshtu jemi urdheruar te deshmojme, sic ka thene Profeti a.s.: "Kur te kaloni prane varrit te ndonje qafiri, jepini lajmin qe do te jete ne Zjarr". Pastaj, se si ka qene gjendja reale e zemres se gjithkujt, kete vetem Allahu e di. Ne japim deshmi vetem per gjerat e dukshme, te padukshmen e di vec Zoti. Ndaj dhe Imami i nderuar nuk ka pasur si te pergjigjej ndryshe per perfundimin e nene terezes. Besimi yne islam na detyron te themi se fundi i saj eshte ne xhehenem. Nese nuk e pohojme kete kur na kerkohet, atehere kemi probleme me besimin.

    PërgjigjuFshije
  5. Nuk di shqip i apo don te bash fitne... Nuk ka than hoxha se "ja kambajt kandilinaskujt" por ka fol ne pergjithsi... nese ke shahadet nuk ke si mos e perkrash kete qeshtje.

    PërgjigjuFshije
  6. @Amer:

    Kush je ti qe percakton cfare eshte fitneja e cfare eshte e garantuar nga shehadeti? Kush je ti qe akuzon te tjeret qe nuk dijne shqip kur ne dy fjali e gjysem ke nje kamion me gabime? Ti nuk di te lexosh shqip, SE E-ZANI DENON ATA QE KANE PADITUR SHEFQET KRASNIQIN. Po nga ana tjeter, hoxha ka pasur mundesi te flase pak me shkurt per nje grua te vdekur.
    hoxha i nderuar duket se ka folur ne pergjithsi, ka thene se Zoti i jep miresi jomuslimaneve ne kete dynja:" Allahu ia kthen të mirën në këtë dynja, në mënyrë që kur të del para Allahut del duarthatë dhe s'ka kurrgjë. Pra, në këtë dynja ia ruan shëndetin, ia shton pasurinë, i jep evladë, i jep qetësi shpirtërore, i jep autoritet, pozitë, është deri diku i lumtur... Tana këto i ka pasur Tereza. Ka pas derën çelë, ku ka dashtë me shku, pa pare në këtë dynja, me hëngër çfarë ka dashtë, me pi çfarë të dojë, burra kënd të don me i ndërru. Pra, ka pas të mira në këtë dynja plotë ajo, autoritet sa të dush, vetëm se ata e kanë të ndaluar fenë normalisht, pra ia ka dhënë Allahu në këtë dynja të gjitha. Dhe kur të del para Allahut, në ditën e kiametit, nuk ka kurrgjë..."
    Dmth hoxha ka thene se Nene Tereza ka pas me hanger e me pi, ka pas mundesi me nderru burra (po te donte) dhe teorikisht e ka te drejte, po keto fjalet e fundit mund te mos i kishte thene fare, se do ishte me mire. Ka pas mundesi me fol me pergjithesisht e me teorikisht, pa kalu ne cinizem. Une nuk besoj se ai e ka fyer ne nder Gonxhe Bojaxhiun, po gjithsesi ka pas mundesi ta evitoje permendjen pa arsye te forte te burrave prane emrit te nje murgeshe: Gonxhe Bojaxhi eshte njeri konkret, kurse mundesia me nderru burra eshte me teper abstrakte. Si do ishte ndjere dikush nga ne sikur t'i thoshin teorikisht qe i ke gjithe mundesite me shku me nje burre? Vertet askush nuk po thote "ti ke shku me nje burre", po ama shembulli po merret mbi ty dhe ke gjithe te drejten te nxehesh.

    PërgjigjuFshije
  7. @anonimus

    po ti si e lexon paragrafin pak me siper atiij qe ke analizuar:

    "Qëndrimi i Imam Krasniqit është i bazuar në një qëndrim të mirëmbështetur, edhe pse jo i vetmi, i teologjisë Islame sipas të cilit ata që besojnë tek trinia kanë ofenduar shenjtërinë dhe pastërtinë e besimit monoteist tek një Zot dhe kjo i përjashton nga shpëtimit në amëshim. Që Imam Krasniqi të dënohet për këtë do të thotë që ushtrimi i lirë i Islamit në Kosovë të ndalohet, por jo vetëm."

    Patjeter qe Allahu i Madheruar nuk i ben padrejtesi askujt dhe nuk i shkel premtimet dhe patjeter qe ka fuqi mbi gjithcka dhe meshiron ke do, pa llogari.

    Nese Ai ka premtuar se fal gjithcka pervec idhujtarise, atehere trinitarianet nuk falen. Por teorikisht ne nuk e dime se cili ka vdekur duke besuar trinine e cili njesine e Zotit, se per kete nuk ka deshmi. ME aq sa deshmohet, Gonxhe Bojaxhi dihet se ka qene trinitariane dhe po pat vdekur e tille, Allahu nuk e shkel premtimin e vet.

    Ti vete ke thene se ne gjykojme per te dukshmen dhe jo per sekretet e zemres, atehere dhe hoxha mund te fliste pak me teorikisht sesa konkretisht. Shume te thjeshte e kishte te thosh se gjithkush prej politeisteve meriton ndeshkimin e perjetshem dhe te shtonte se po qe se ka vdekur pa pendim, edhe Gonxhe Bojaxhi do denohej ne perjetesi. Kaq.

    PërgjigjuFshije
  8. ose te thoshte:Allahu i dhente c'ka ka meritu, dhe me kaq i ishte shmangur cdo keqinterpretimi.

    PërgjigjuFshije
  9. Pergezime. Nje shkrim shume i bukur. Ne myslimanet (dhe te tjeret) nuk kemi ardhe per ti mesuar punen Zotit, por per tu kujdesur per veten dhe nese kemi mundesi te jemi Rrahmah per te gjithe krijesat, qofte dhe nje qen i mjere buze rruges. Lutem qe ky lloj mendimi te jete pjese e te gjitheve qe ti largohemi tendencave ekstremiste qe vetem Shejtani perfiton.

    PërgjigjuFshije
  10. Pershendetje vellezer ne Abrahamin(Ibrahimin). Ne,te krishteret se bashku me ju myslimanet, sunit shii etj. kemi shume gjera te perbashketa, me teper se sa mendojme. Por per fat te keq merremi shume me PROPAGANDE dhe keshtu largohemi njeri prej tjetrit. Pastaj shpesh flitet per tolerance, po une do te kisha pyetur, nese behte fjale per TOLERANCE, kush e toleroka ke?
    Kisha Katolike, ne vitin 1963-1965 ka bere nje Koncil, Kuvend te Gjithmbarshem. Ju keshilloj edhe ju qe ta beni sa me pare dhe te ballafaqoheni sinqerisht me demonet tuaj. respekte

    PërgjigjuFshije
  11. Nomisi

    Jemi vellezer edhe ne Mesine, birin e Virgjereshes.

    Presioni psikologjik qe prodhojne mediat dhe zedhenesit e veteshpallur (shpesh pa fe) te Krishterimit, me "kthime ne fene e te pareve" dhe me "konvertime per hir te kombit" prodhojne edhe padurime dhe incidente te papelqyeshme si ky - fatmiresisht te kufizuara ne shfrime odash caji. Sigurisht qe fjala tolerance nuk ka fare shije. Toleranca eshte realitet politik mesjetar. Por ka njerez qe perserisin cfare degjojne ne media dhe ja si perhap ky koncept fyes

    PërgjigjuFshije