e mërkurë, 15 qershor 2011

Skënderbe i ri me paragjykime të vjetra dhe mesazhe të reja


Doan Dani

Në Evropë, nga gjysma e dytë e shekullit të XVIII, filloi të eksperimentohet faza e kërkimit të memories kolektive, e depozituar në të ashtuquajturën kulturë e ulët, e mishëruar nga popullsia rurale e atyre zonave mundësisht më të izoluara, sa më të largëta me kontaktet e kulturës urbane. Një herë që zbulohen gjuha, traditat dhe epopetë heroike, vihen në lëvizje mjetet përhapëse të ideve që përmblidhen në mënyrë perfekte tek sistemi arsimor dhe, tashmë, kultura e standardizuar kombëtare merr rrugën e pashmangshme të masivizimit. Me gjithë vonesën e kushtëzuar nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, elitat shqiptare, nëpërmjet imitimit, arritën të krijonin diçka kombëtare dhe ta hidhnin në tregun popullor, por do të ishte regjimi komunist ndërtuesi dhe rrezatuesi i rreptë i kulturës kombëtare standarde, nëpërmjet sistemit arsimor. Ashtu siç kishte një lloj buke, djathi, veshjeje, kënge, pallati, rruge – mund të vazhdojmë në pafundësi –, po ashtu do të nxirrej nga furra një lloj mendimi: PKSH-ja e shpëtoi Shqipërinë, njeriu vjen nga majmuni, shqiptarët janë pasardhës të pellazgëve, Skënderbeu luftoi i vetëm për Kombin kundër “barbarit lindor”, etj, janë disa nga kallëpet që i jepnin formë mënyrës si shqiptari socialist duhet të raportohej me realitetin ose të kaluarën.


Elitat njëngjyrëshe

Pas dy dekadave paskomuniste kallëpet e lidhura me botëkuptimin politik u hodhën mënjanë, sistemi gjysmëshekullor u barazua me djallin, por furrat dhe tavapjekësit ngelen të pandryshuar. Politika akoma sot zhvillohet mes dy ndërtesash që kanë në fasadë liderin dhe funksionojnë në formë autoritare; elitat kulturore janë po aq agresive, konservatore dhe, mbi të gjitha, vazhdojnë të transmetojnë vetëm një vizion; natyrisht, populli aktiv nëpër mejhane nuk ka si të evoluojë dhe prandaj mbetet tejskajshmërisht i bipolarizuar, njëlloj si në ambientet e stadiumeve.

Elita kulturore e kënetëzuar, e pozicionuar në postet kyçe të drejtorive, katedrave universitare dhe redaksive të ndryshme, përveç monopolit dhe infektimit të elementit të ri, është e gatshme të denigrojë këndvështrimet e reja, njëkohësisht duke u vetëshpallur perëndimore, shkencore, kombëtare dhe plot etiketa të ndryshme të “heroizmit intelektual”. E kujtoni se çfarë ndodhi pas botimit të librit Skënderbeu, të O. J. Schmitt? U zgjidhën qentë, u liruan sorra e juta, dhe u vërsulën mbi një kërkim shkencor historik, mbi autorin, mbi komplotistët e huaj, jo se i dhimbsej Heroi kombëtar, por libri devijonte nga mësimet e Partisë, nga substrati ku fle e pandryshueshme kjo elitë, pra, rrezikohej legjitimiteti i mësimeve të saja. Shumica e kritikëve nuk ishin as historianë, por i përkisnin zanateve të tjera. Përse jo, përkthyesi bën historianin, ky i fundit mjekun, e kështu me radhë, dhe në fund pohojmë me krenari që kemi qenë gjithmonë perëndimorë dhe tani atje jemi drejtuar. E pra, prezervativë, kapitalizëm, të krishterë ka edhe në Mozambik, por nuk konsiderohen perëndimorë. Duhet diçka më shumë, të paktën në shkencë, konkretisht në historiografi, kërkohen disa kritere bazë: objektivizmi dhe këndvështrimi kritik; verifikueshmëria e materialit të servirur dhe debati shkencor.

Gjumë dhe Zgjim të programuar

Sa zbatohen këto kritere në Shqipëri? Debutuesit patën mundësinë të shpreheshin pas librit më të fundit shqiptar mbi Skënderbeun të prodhuar nga Aurel Plasari me titull Skënderbeu: Një histori politike (2010), ndërsa pati përsëri një mundësi për të dëshmuar sa shkencërisht perëndimor është konceptimi i historiografisë nga elitat. Një rast i humbur nga dy palët, të parët me heshtjen e tyre, të dytët me vulosjen e veprimtarisë së filluar me imponimin monist gjatë enverizmit.

Vërtetë, përse një kontribut i ri historik mbi njërin nga fragmentet e kompleksit mitologjik shqiptar u përcoll në heshtje? Për më tepër, autori Plasari e konsideron si “histori të re”. Ashtu ishte edhe studimi i Schmitt-it, por u botuan artikuj, libra dhe madje u demonizua, siç ka vërejtur përkthyesi Klosi, edhe në tekstet shkollore të historisë për fëmijët. Debatet më të ashpra ndaj librit të Schmitt lidheshin, ndër të tjera, edhe me emrin e babait të Skënderbeut! Hynë në këtë “lojë” profesorë filozofie, gazetarë politik, deri edhe historiani tetëdhjetetetë vjeçar Kristo Frashëri. Edhe Plasari, ashtu si Schmitt, parashtron për babain e Skënderbeut emrat ‹‹Joan, Janus, Iouvan, Johannes, Yuan, Ivan, Juvan›› ndërsa emri Gjon është bërë ‹‹tanimë një stereotip prej Nolit e këndej›› - shkruan autori. Përse pra kjo heshtje? Të mos e ketë lexuar vallë, të paktën për sa i përket emrit të babait, kritiku i flaktë i Schmitt-it, ai pra që mban postin e kryeredaktorit në të njëjtën revistë që kohë më përpara drejtonte Plasari? Apo të jetë vallë fakti se Schmitt është pothuajse jetim i pambrojtur në mediat tona dhe Plasari është ndër të tjera edhe Drejtor, apo sepse shtëpia e botimit të njërit nuk e ka (në Shqipëri) forcën ndikuese të shtëpisë botuese të tjetrit, apo sepse njëri është i huaj dhe tjetri është shqiptar – shqiptar i thënçin: do të përcaktonte dikush –, apo sepse njëri ka vizion historik ndërsa sot laicizmi nuk është më i modës për të shpjeguar Skënderbeun? Arsyet e heshtjes mediatike janë të shumta. Na intereson (kjo fjetje) si shpjegim i skenarit të vjetër që kjo “histori e re” përcjell tek lexuesi, i çorbës që zihet në kusitë e hershme. Kuriozitet: Skënderbeu i Schmitt-it (2008) mungon tek Skënderbeu i Plasarit (2010).

Interpretim i ri me metoda të vjetra

Le të vërejmë konkretisht, për aq sa na lejon hapësira e shtypit, çfarë objektivash ka punimi i gjatë dhe mjaft impenjativ si në kohe (15 vite, thotë autori) dhe në koston finale të librit (33 euro). Një kërkim historik i këtyre përmasave ndërmerret nga Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, i diplomuar për gjuhë-letërsi, publicist, eseist, përkthyes. Është bërë e modës që personazhet e njohura të letrave ose të Big Brother të prodhojnë diçka nga fushat e ndryshme. Mjerisht nganjëherë, histori bën edhe Kadare. Megjithëse nuk është e pamundur veprimtaria historiografike edhe për të zellshmit që kanë kohë dhe kur koha u paguhet, lexuesi duhet të këtë parasysh nivelin e profesionalizmit të autorit që ka kënaqësinë të lexojë. Optimizmi i Plasarit mbi objektivin e punës është i lartë, perceptohet që në faqet e para, ashtu siç vërehet edhe ideja fillestare e metodës kritike të burimeve. Pas një kritike indirekte të tre jetërrëfyesve kryesorë të Skënderbeut – është fjala për Frangun, Barletin dhe Antivariotin e Biemmit – Plasari nuk ngurron t’i përdorë si mure ndërtues në modelin e tij historik. E quaj “kritike indirekte” ngaqë autori nuk (ka) përdor asnjë njohuri personale paleografike, filologjike dhe historiografike, por është thjeshtë përcjellës i mendimit dhe punës studimore të autorëve të ndryshëm. Këto burime përdoren kryesisht si përshkrime letrare.

Shembulli i priftit G. Biemmi – shkroi tre shekuj pas vdekjes së Skënderbeut – është mjaft interesant: pasi gjykohet pothuajse nga të gjithë studiuesit – madje edhe filologë – si falsifikues, i vetmi që e vlerëson, më tepër se Gegaj, është Fan Noli. Ky nuk ishte as paleograf, as filolog e aq më tepër historian, edhe pse ka një histori të Skënderbeut të rishikuar disa herë në pak më tepër se 100 faqe, të bazuar kryesisht tek Barleti & Co dhe plot mbeturina herë marksiste dhe herë romantike, siç janë etiketat anadollak, çifligarë etj, që Noli i zbret deri në mesjetën e Skënderbeut. Pa qenë ekspert në asnjë nga fushat e lartpërmendura, për me tepër i rrethuar me gjykime dhe studime që vërtetojnë falsitetin e punës së “specialistit” Biemmi dhe, natyrisht, qëllimshmërinë e këtij falsifikimi, Plasari e përdor gjatë gjithë kërkimit historik. Po kështu, përdor dialogët e sajuar nga Barleti: i quaj “të sajuar” sepse nuk mori pjesë në ato biseda, për me tepër kur vdiq Skënderbeu, Barleti ishte vetëm 8 vjeç dhe vepra e tij u botua 40 vite pas vdekjes së Heroit. Të tjera burime vijnë nga kronikat osmane, që Plasari i njeh indirekt nga përshtatja dhe përzgjedhja që Akademia e jonë e Shkencave i ka bërë në vitet e enverizmit; nga disa letërkëmbime ambasadoresh që trojet shqiptare nuk i shkelen kurrë, të paktën në momentet për te cilat pretendohet se janë njohës dhe burime të sigurta. Autori nuk është i kualifikuar të gjykoje as mbi vërtetësinë tyre dhe as mbi burimet e (këtyre) shkruesve.

Orientalizmi: “pushtuesi i mirë”

Pra, përzgjedhja e burimeve për të bazuar kërkimin është e njëjtë me ato të Akademisë së Shkencave. Asgjë e veçantë, përveç citimeve që kërkojnë të paraqesin Skënderbeun “Mbrojtës të Krishtërimit”. Kjo nuk është diçka e re, por këmbëngulja e Plasarit në këtë aspekt, pothuajse në çdo faqe libri, është me të vërtetë një frakturë me Rilindjen dhe me prodhimtarinë enveriste.

Nuk është i ri as pikturimi i veprimtarisë osmane, i turqve në përgjithësi, i Mehmetit të II në veçanti. Nga rreth 660 faqe, ku jo vetëm turqit ndërthuren me historinë e shqiptareve, të paktën 70 janë përshkruese të osmane në mënyrën më tradicionale të historiografisë nacionaliste ballkanase, mesjetare-kishtare, moderne-raciale dhe koloniale. Orientalism i Edward Said (i përkthyer tashmë edhe në shqip) edhe pse i vitit 1978, nuk i ka rënë në duar autorit tonë. Po ashtu as faza postmoderniste e dekonstruksionizmit shkencor e nisur në Perëndim aty nga vitet ’70. Të gjitha ndërhyrjet e aktorit osman në këtë histori ose janë përshkrime emocionale ose etiketa e mallkime klerikale, apo të sundimtareve të tjerë të rrezikuar nga ekspansioni osman. Mungojnë sqarimet politike, ekonomike, administrative, ushtarake, sociale, fetare etj.

Mesazhi lexohet më qartë kur ndërhyn aktori tjetër, Venediku. Venedikasit nuk janë pushtues në asnjë rresht: ky përcaktim i përdorur tek osmanët mungon plotësisht për Venedikun. Mos vallë ishin në tokat e tyre? Mos vallë Shqipërinë e sotme veriperëndimore ja kemi marrë Venedikut, e kemi pushtuar ne? Kur Skënderbeu kërkoi ‹‹aleatë natyrorë›› tek fqinjët, fatkeqësisht ‹‹serbët ishin aleatë të turqve›› (fq. 334): Plasarit as që i shkon nëpër mendje t’i konsiderojë pushtues ose, të paktën, zotërues të tokave shqiptare të Kosovës; përkundrazi, fatkeqësia qëndron tek aleanca e tyre me turkun dhe jo tek pushtimi i tokave shqiptare nga fqinjët; madje, kur Skënderbeu ndëshkon Brankoviçin, bën një inkursion shkatërrues në tokat e këtij serbi, pra në tokat e Kosovës. Për Plasarin, Kosova e atij shekulli është toke serbe.

Metoda për t’i konsideruar fqinjët si miq, e venedikasit si aleat, nuk është aspak e re. Venedikasit janë perëndimorë dhe e kane “shpatën e ëmbël” – edhe luftërat e Perëndimit janë më të kulturuara, sipas Plasarit –, turqit janë aziatike, shesin skllevër – pak rendësi ka që monopoli mesdhetar i tregtisë së skllevërve i takon venedikasve dhe mbretërive katolike të kohës. “Kultura e lartë e luftës” perëndimore ka pasur rastin të jetësohet gjatë pushtimeve koloniale, sidomos pas viteve ’80 të shekullit të XIX, dhe gjatë dy konflikteve botërore të shekullit të kaluar. Nuk e besoj se ishin osmanët lindorë fajtorë të këtyre realiteteve.

Nga heroi i kombit në hero i fesë

Ky Skënderbe është i ri sepse i ngjason Haxhi Qamilit dhe është fatkeq pothuajse sa “shitësja e shkrepëseve”. Ndërsa sulltani vret dhe betohet në emrin All-llahut, Skënderbeu lufton në emër të Jezuit, pa vrarë asnjëherë gjatë librit të Plasarit ose, në ato tre raste që vret, është diplomatik (!). Shqiptarëve nuk ju ngelet tjetër veçse të ikin ose te mohojnë besimin e tyre ‹‹më shqip: duke tradhtuar Jezu Krishtin – tradhti e tradhtive – me vdekjen e të cilit kishin qenë pagëzuar brez mbas brezi›› (fq. 782). Këtu mësohet se tradhtia më e madhe është ajo fetare, pra feja del para kombit dhe interesave të tjera, përfshi edhe historinë politike; mësojmë se paraardhësit tanë paganë në të vërtetë nuk qenkan paraardhës sepse origjina e brezave tonë fillon me pagëzimin dhe, për shumicën, mbaron me ‹‹tradhtinë e tradhtive››. Si të themi, shumica e atyre që paguajnë taksat, nga ku merr rogën Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, janë bij tradhtarësh, për të mos thënë kolonë - jo shqiptarë. Shkenca dhe pranimi i tjetrit janë në nivelet “më të larta”!

Mes shkencës dhe përshkrimit letrar

Që libri përshkohet nga subjektivizmi – zëvendësues i kritereve shkencore – e ka qartësuar vetë Plasari në një lapsus në reshtët e fundit të Hyrjes, teksa rreket të sqarojë tregimin e shkurtër të J. L Borges rreth ‘hartografëve të perandorit’, pjesë e tregimit Del rigor en la ciencia i librit El Hacedor (‘60). Morali i tregimit, sipas Plasarit, tregon që “tërësia e njohurive” për një “objektivitet absolut” është iluzion. Mirëpo, ashtu si tek personazhi Ireneo Funes në Ficciones (‘44), edhe tek Hartografët, Borges kërkon të nënvizojë thjesht domosdoshmërinë e seleksionimit të njohurive në jetën e përditshme dhe në shkencë, pra sintezën: studiuesi përzgjedh me rigorozitet shkencor – jo më kot Borges “sajonte” parathënie librash të pashkruar ndonjëherë. Nga ky interpretim J. Z. Smith ka ndërtuar një teori mjaft interesante rreth dekostruksionizmit në disiplinat fetare të përmbledhur në Map is not territory. Nuk është problem i madh moskuptimi i Borges, problemi qëndron tek vendosmëria për t’i lenë shtigjet hapur gjykimit personal, emocioneve, preferencave fetare dhe politike, që do të thotë mosnjohje e objektivizmit, kriterit kryesor të historiografisë, sepse kështu i pëlqen elitës.


______________

Ky shkrim eshte botuar fillimisht ne revisten "Shenja". Botohet ketu me disa ndryshime nga vete autori.

2 komente:

  1. Analize perfekte e nivelit te larte akademik. Te lumte ztr. Doan dhe shpresojme qe do te vazhdosh me punime te ketilla profesionale edhe ne te ardhmen.

    PërgjigjuFshije
  2. kam marre vesh qe skenderbeu ka luftuar edhe perkrah partizaneve

    PërgjigjuFshije