e martë, 14 qershor 2011

Xhami e gjelbër në Gjermani


Ai i dërgon erërat si lajme të gëzuara…”

(Araf:56)

Një bashkësi e vogël myslimane në veri të Gjermanisë ka vendosur të ndërtojë një xhamie nga e cila do të prodhohet energji e pastër. Nuk bëhet fjalë për terma spiritualë New Age, as për energji të pastër në kuptimin mediatik të fitores së ndritshme të rrymave të moderuara mbi forcat e errëta obskurantiste, por për energji elektrike të mirëfilltë, të rinovueshme e cila do të prodhohet nga turbina ere të instaluara… në minaretë e xhamisë.


Projekti prej rreth 2.5 milion eurosh parasheh se minaretë e xhamisë në Norderstaed, pranë Hamburgut , përveç funksionit të tyre të njohur, do të shërbejnë edhe për të vjelë elektricitetin prej flladit dhe erës.

Ndërtesa me përmasën e vet të shtuar ekologjike, është një ëndërr në realizim e sipër e arkitektit nga Hamburgu, Selcuk Unylimaz, i cili ka kohë që ka përfshirë parimet e vetëmjaftueshmërisë energjitike në punët e tij. “Mendova nëse mund t’i jepja një tempulli fokus ekologjik-thotë ai – projektet e mia shkartisin modernen me tradicionalen, ndaj dëshiroja që t’u jepja minareve edhe një funksion bashkëkohor”.

Turbinat e erës do të strehohen në dy minaretë 22-metërshe, në të cilat Unyilmaz planifikon të instalojë dhe një çift helikash xhami prej 1.5 metrash secila. Në orë të caktuara të ditës në helikat e xhamta do të projektohet dritë për të formësuar figuracione dekorative, një rikrijim ky i traditës së njohur osmane të zbukurimit festiv të minareve me ndriçime, të quajtur “mahia”.

Xhamia gjermane nuk do të jetë e para në llojin e saj, gjithsesi, sepse edhe Xhemati Tablig në Britani po planifikon të përurojë gjatë Lojrave Olimpike të Londrës, më 2012, një xhami ekologjikisht korrekte, me turbina ere në minare.

Por xhamia e projektuar nga Unyilmaz, vjen në kohën e duhur në Gjermani, pikërisht në kohën kur ligjëbërësit e atjeshëm sapo kanë miratuar një strategji asgjësimi të energjisë bërthamore dhe trysnia e gjithanshme për të kaluar tërësisht drejt konsumit të energjive të pastra e të rinovueshme, po shtohet dita-ditës.

Bashkësia myslimane e Norderstedt-it ka ende hapa të rëndësishëm për të ndërmarrë deri sa të mbërrijë në ndërtimin e xhamisë revolucionare, sidomos në aspektin financiar, por arktitekti Unyilmaz nuk shqetësohet për këtë. Turbinat do të prodhojnë energji të mjaftueshme për të përligjur shpenzimet, dhe kjo është arsyeja pse Unyilmaz anoi drejt burimeve të erës dhe jo paneleve diellore, të cilat punojnë vetëm gjatë ditës. “Jemi në veri këtu dhe erë fryn përditë”, thotë arkitekti optimist.

2 komente:

  1. ide gjeniale...
    bota ka nevoje per prokjete te tilla alternative qe i meshojne gjetjeve per mbrojtjen e ambjentit, ku e bukura ngerthet harmonishem me te dobishmen. Dhe njeriu permbush amanetin e tij si mekembes ne toke.

    PërgjigjuFshije