e martë, 7 qershor 2011

Në vazhdim të debatit të hapur nga Tarik Ramadan.


Edlira Xhafa*

"We kill at every step, not only in wars, riots, and executions. We kill when we close our eyes to injustice, poverty, suffering, and shame. In the same way all disrespect for life, all hard-heartedness, all indifference, all contempt is nothing else than killing."


Askujt nuk ia kishte prerë mendja vetëm një vit më parë që ndërsa punëtorët do të protestonin në Wisconsin kundra ligjeve diskriminuese të punës të (republikanit) Walker, ata [punëtoret] do të mbanin në duar pankarta “nga Cairo ne Wisconsin – një betejë”. Askush nuk do e kishte menduar që ndërsa të rinjtë në Spanjë do të ngriheshin kundra politikave qeveritare – politika që nuk janë më në gjendje të ofrojnë punësime, arsimim te përballueshëm, shërbime cilësore publike, të mbrojnë pensionistët – ata [te rinjte] do thoshin se ishin të frymëzuar nga motrat dhe vellezerit Arabë, nga “Pranvera Arabe”.


Ndërsa revolucionet në vendet Arabe përhapeshin me shpejtësi të paimagjinueshme, miliona njerez me sytë mbërthyer në ekrane televizorësh dhe kompiuterash ndiqnin me ankth e entuziazëm atë lëvizje të fuqishme njerëzish që përballeshin me dhune kafshërore ndërkohë që kërkonin të drejtat e tyre për liri, demokraci e jetë me dinjitet (punesim, strehim, shërbime publike etj). Dokrrat mediatike qe ka dicka gjenetikisht te papërputhshme midis Islamit dhe demokracisë e lirisë shkërrmoqeshin para fytyrave të atyre miliona myslimanëve (burra e gra) që faleshin së bashku në të njejtat radhë, e që nderkohë mbroheshin prej dhunës policore nga mijëra kristianë e ateistë te lidhur përdore në kordone. Dokrrat se gratë myslimane janë vetëm se krijesa të bindura përballë cdo autoriteti burrëror u kthyen qartazi në atë cka me të vertetë ishin, DOKRRA. Protesta e njerezve theu copash në pak muaj atë cka media dhe politika perëndimore ishin perpjekur te ngrinin në dekadat e fundit. (Ndokush mund edhe te hipotetizojë që dalja nga skena e Bin Laden ishte e lidhur me faktin që pas atyre eventeve në vendet Arabe, ai nuk mund t’i shërbente më fushatës që synonte te identifikonte Islamin me armikun e perëndimit. Por kjo hipotezë nuk ka shumë rëndësi për këtë shkrim e ngelet gjithsesi vetëm një hipotezë.)


Prej vitesh e vitesh myslimanët jane përpjekur të shpjegojne se nuk ka asnjë lidhje midis Islamit dhe terrorizmit, se Islami është në thelb të tij demokratik e se gruaja në Islam është e pavarur të marre vendimet e saj. Prej vitesh e vitesh jemi hasur me një propagandë akoma edhe më të fuqishme mediatike e politike (të dyja në mbeshtetje të njera-tjetres) që ka angazhuar makinerinë në dispozicion për të inkriminuar Islamin. Në shumë mënyra, me mbarimin e “Luftës së Ftohtë” (Cold War), Islami zuri vendin e bllokut Sovietik. Sistemi ka nevojë për një armik, sepse sistemi ka nevojë për luftë të vazhdueshme dhe terror mbi njerëzit që ata të jenë gjithmonë të ndarë e të shpërqëndruar nga ajo që është diktatura e vërtetë në botën e sotme – diktatura e “tregut të lirë” (lexo këtu e të pasurve) mbi jetët e miliona e miliona njerëzve që mbijetojnë në varfëri të turpshme.


Që sistemi të vazhdojë të akumulojë edhe më shumë, duhet që njerezit të jenë të zënë, të zënë deri në limitet njerëzore e në mos përtej: të zënë me punë se të ardhurat nuk jane kurrë të mjaftueshme (për miliona as për të përmbushur nevojat bazë duke qenë se në kohët e sotme shumica punojnë për te qëndruar te varfër); të zënë për të punuar sa më shumë për të patur shtëpitë më të larta e apartamentet më luksoze, aparatet më të shtrenjta dhe modën e fundit. Sistemi kujdeset me mjeshtëri që të sigurojë lavazhin e trurit përmes filmave të hollivudit, spektakleve dritëverbuese e revistave me femra anoreksike. Kështu që ti të mos kesh kohë të mendosh se pse ti edhe pse punon shpesh 10-12 ore (në mos më shumë), ngelesh përsëri i varfër; që është e pakuptueshme që ndërsa ti je ai/ajo që krijon vlerë të vërtetë në shoqëri me punën që bën (në ndërtim, arsim, rrobaqepësi, shëndetesi) ti trajtohesh si i pavlerë dhe nuk ke zë në këtë shoqëri; ti të mos kesh kohë të mendosh që ndoshta arësyeja pse vendi ynë vetem importon dhe në këta 20 vjet nuk ka qenë në gjendje të bëjë politika që zhvillojnë industrinë vendase lidhet me lobe të fuqishme importi që bllokojnë zhvillimin e vendit; të mos kesh kohë të mendosh që është revoltuese që për një gërvishtje të vogël, Ministri i Shendetësisë (po, po pikerisht ai që e “kemi” vënë në krye të kujdeset per shërbimin publik) shkon të marrë kujdesin shëndetësor në një spital privat, ndërkohë që ti përballesh me një sistem të degraduar deri në c’njerëzi kur halli të fut në spitale; ti të mos kesh kohë të merresh me femijën tënd për të folur e reflektuar me të për domethenien e jetës, apo cfarë ka mësuar në shkollë; e ti të mos kesh kohë të lexosh e mendosh që varferia është situatë e ndërtuar nga marrëdhënie shoqërore e ekonomike dhe jo fenomen hyjnor i pandryshueshëm. Sistemi kujdeset në maksimum që ti të mos jesh në gjendje të lidhësh pikat/ngjarjet dhe kuptimin e tyre; mos të kuptosh, p.sh., pse ka kaq shumë vetëvrasje dhe tentative për vetëvrasje e dhunë në familjet tona. Por ashtu sic ka verejtur edhe sociologut i famshem Durkheim më shumë se një shekull më parë, edhe pse vetëvrasja është një akt intensiv personal i shprehjes së dëshpërimit, edhe një fenomen që mund të shpjegohet nga pikepamja shoqërore: akti i vetëvrasjes është përgjigje e disintegrimit social, por mund të jetë edhe një pergjigje zemerimi nga sjellja e papranueshme e shoqërisë. Por as nuk kemi kohë të mendojmë për këto e insituti yne i statisitikave është kujdesur që ne kurrë të mos mësojmë se cili është nurmi i vetëvrasjeve e institucionet tona shëndetësore ia kanë lënë policisë së “de-politizuar” që t’i emërtojë këto si vrasje e vetëvrasje për motive banale ose motive të panjohura. E gjitha kjo ndodh paralelisht me një fushatë mbi rrezikun e Islamit. Sistemi kujdeset të krijojë ndjenjen e terrorit që myslimanet po na pushtojnë vendet tona dhe sa e papajtueshme është kultura perendimore me Islamin.


Nuk është teori konspirative. Provoni të shikoni përreth e të analizoni - sigurisht nëse ia dilni të keni kohë – se ne c’mënyrë perfekte sistemi instrumentalizon perceptimet per të na mbajtur të gjithëve të paralizuar për t’u revolutar. Si sistemi përdor diskriminimet e ndryshme, ndaj myslimanëve, ndaj grave, ndaj të vjetërve dhe fëmijëve, ndaj njerëzve me ngjyrë, ndaj atyre nga veriu etj. - me efektivitet që është per t’u admiruar më duhet të pranoj - në favorin e tij që ne – njerezit e thjeshte, pa pushtet, - të ngelemi gjithsesi të përcarë per t’u ngritur për drejtësi e një jetë me dinjitet.


Po perpiqem ta sjell kontekstin në të cilin ne gjendemi dhe në të cilin kjo fushatë kundra myslimanëve ndodh per disa arsye.


Së pari, ndërkohë që ne jemi te zënë të shpjegojmë se Islami nuk është ajo cka media portretizon, natyra në te cilen jetojmë, ajo që Zoti na e besoi, po shkatërrohet me ritme të frikshme. Cështjet ekologjike janë diku në periferi të diskutimeve tona - lër mënjanë punës tonë - pasi jemi kaq shumë të zënë t’i mbushim mendjen ca njerëzve që shkruajnë nëpër gazeta, por që e kane ndarë mendjen pse shkruajnë në atë mënyrë. Uji, nevoja bazë për jetesë është kthyer në komoditet përmes shisheve te ujit nga kompanite shumëkombëshe. Faktet jane rrënqethëse. Ndersa duhen rreth 3 litra uje të pijshem për të siguruar paketimin e 1 litri ujë në shishe, studimet thone se në 2030 kërkesa për ujë të pijshëm do të tejkalojë sasinë e burimeve ujore me 40%. Ndërkohë shishet e përdorura kërkojne rreth 1,000 vite që të degradohen natyralisht, por nëse digjen ato prodhojne tymra toksike shumë të rrezikshëm. Po i le menjanë këtu aventurat monstruoze të ndërmarrjeve bërthamore, shkatërrimin e eko-sistemeve dhe prerjet massive të pyjeve në emër të zhvillimit për më shumë rrugë e fshatra turistike, rritjen galopante të transportit privat e shumë, shumë cështje të tjera. E le të mos harrojmë, ndërsa disa prej nesh ia dalin të blejnë shishe uji, për 1 miliarde njerez në botë zgjidhja e vetme është ujë i ndotur dhe me sëmundje që gjendet mijëra kilometra larg (për te interesuarit kliko këtu). Kjo jo sepse botës i kanë munguar rezervat ujore. Në fjalët e Gandit: “kjo botë ka mjaftueshëm për nevojat e të gjithëve, por jo per pangopshmërinë e të gjithëve”. Është modeli ekonomik në fuqi, që ka në zemër të tij komodifikimin e gjithckaje, e krijimin e pandalshëm të nevojave për të mbajtur nje nivel konsumerizmi në rritje që është armiku numer 1 i botës tonë natyrore. Po i lë analizat per Shqiperinë pasi të gjithë e dimë që pavaresisht bekimit me burime ujore, komunitetet tona vuajne për ujë e ujë te pastër sidomos prej vitesh e vitesh. Zgjidhja – shishe uji që ironikisht mbushen direkt nga burimet tona prej kompanive që shteti ynë u ka dhënë licensën për t’i privatizuar dhe që i shiten shqiptareve me lekë.


Së dyti, ndërsa ne jemi të zënë të shpjegojmë se librat thonë ndryshe nga cfare disa myslimanë bëjnë, varfëria, padrejtesia, shtypja, injoranca, dhuna e heshtja janë bërë realitet i ditës për qindra mijëra shqiptare. Ndërsa ne e dimë se nëse ka një fjalë që është në qendër të besimit tonë ajo është drejtesia dhe mbështetja e të varfërve, puna jone e përditshme është larg asaj cka është realiteti i dhimbshëm i bashkëqytetarëve tanë, e është realitet i dhimbshëm edhe i shumë prej nesh. Ndërsa punëtorët shqiptarë ashtu si edhe miliona punstorë kudo në bote përballen me pamundësine për të gjetur punë të qendrueshme e iu kërkohet të punojnë gjithmonë e më shume, ata transferojnë stresin e papunësisë e të punësimit në kushte skandaloze “në shtëpite e tyre, duke krijuar konflikte në shtëpi si abuzim me pjesëtarët e familjes, bashkëshortet, të vjetrit, abuzim me alkolin e abuzim me fëmijët” (Webster et al, 2008). Shumë prej nesh janë dëshmitarë të dobësimit e shkatërrimit të lidhjeve familjare e shoqërore, shpesh për shkak konfliktesh pronësie e konkurrence se kush është e duket më i pasur apo ka më shumë pushtet. Ndërkohë ne debatojmë me njeri-tjetrin për referencat për hadithe, disa duke këmbëngulur me forcë në interpretimet e haditheve shpesh duke injoruar kuptimin dhe rëndësinë që kanë këto tekste ëer kontekstin historik aktual.


Së treti, një analizë e kujdesshme e kontekstit ku jetojmë është e rëndësishme për të kuptuar më mirë se cilat janë mundësitë per myslimanet për të kundërvepruar. Është këtu ku ardhja e Tarik Ramadan në Shqiperi mendoj se hap një dritare të rëndësishme për myslimanët shqiptarë, të paktën për ata që janë seriozisht të shqetësuar për të ardhmen e vendit tonë dhe që janë sinqerisht të dedikuar për të bërë dicka.


E risolla në vëmendje impaktin që ka patur “Pranvera Arabe” për shkatërrimin e dogmave mediatike kundra myslimanëve për një arësye të rëndësishme. Nëse myslimanët shqiptarë do të angazhoheshin seriozisht dhe në menyrë cilësore në debate e koalicione për demokraci të vërtetë, drejtesi sociale, kundra padrejtësive, në mbrojtje të të varfërve, të të dobtëve, nëse myslimanët shqiptarë do të organizoheshin me grupe të tjera për te formuar nje alternativë që ka për bazë zhvillimin e plotë të kapaciteteve njerezore, sipas dhuntive që Zoti i ka dhënë secilit prej nesh, në harmoni me natyrën (dhe jo rritjen e pandalshme ekonomike që shkon vetëm në xhepat e disave), nuk do kishim më nevojë as t'i shkruanim nje email gazetave si 55, e jo me t'i dedikonim një shkrim. Nuk di to kishim më nevojë të shpjegonim që të jesh besimtar do të thotë të jesh i paqtë, të jesh ndihmues, të jesh pro-demokracisë etj., pasi përfshirja dhe kontributi ynë do flisnin shumë më mirë. Rrugët për ta bërë këtë janë të shumta dhe midis nesh ka plot motra e vëllezër që kanë kapacitete të mjaftueshme për këtë lloj përfshirjeje.


Në realitetin që ne jetojmë, myslimanët shqiptarë mund të perfshihen drejtpersedrejti e iniciojnë luften per të drejtat e punëtoreve në bashkepunim me sindikatat, dhe nëse ato nuk janë funksionale ateherë myslimanët mund të perfshihen me grupe të tjera që po krijohen per të mbrojtur të drejtat e punëtoreve.


Myslimanët shqiptarë mund të përfshihen e iniciojnë lëvizje për mbrojtjen e ambientit, kundra centraleve berthamore, apo importimit te plehrave italiane, apo heqjes me dhunë te njerëzve nga shtëpitë e tyre per t’i hapur rrugë “zhvillimit” (lexo ketu pangopshmërisë së disave). Myslimanët shqiptarë mund të përfshihen e të iniciojne lëvizje për demokraci të vërtetë në vendime të rëndësishme për të tashmen dhe të ardhmen, si p.sh. cfarë monumentesh e veprash duhen hequr apo vënë ne qytetet e fshatrat tona; a duam ne të paguajmë një “rrugë kombi” me një cmim qe cënon seriozisht investimet në sherbime publike jo vetëm per brezin tonë por edhe për shumë breza që vinë; a duam ne një central berthamor në vendin tonë; cfare sistemi edukimi apo shëndetësor duam ne; a do populli Shqiptar te shesë pasuritë e veta ujore, midis tyre hidrocentralet për interesa private? Këto janë vendime të rëndësishme që të marra ekskluzivisht nga politikanët tanë për interesa të tyre personale e oborrtare prekin, në mos percaktojnë të ardhmen e vendit tonë.


Të gjithë ne e dimë që ndersa përballemi me një realitet sfidues, përballemi me sfida po aq të rëndesishme brenda komuniteteve tona. Mbetet diskutim i hapur nëse duhet te bëjmë një herë ndryshimet brenda komuniteteve tona e pastaj të përpiqemi të bejmë dicka në shoqëri, apo na duhet të përfshihemi në lëvizjet për ndryshim në shoqeri e pastaj në komunitetet fetare. Mendimi im është që të dyja mund të ndodhin në të njëjtën kohë dhe mundesitë janë që lëvizjet të ndërveprojnë në mënyrë dialektike e të sjellin rezultate shumë të fuqishme. Jeta e komunitetit tonë fetar reflekton ne shume menyra problematikën e shoqërisë Shqiptare. Nje analize e kujdesshme e kontekstit specifik është thelbësore. Cdo sistem, edhe ky qe ne dukje duket si i pamposhtshëm ka carjet (cracks) e veta. Analiza e ketyre carjeve, hap mundesi per te vepruar dhe hapur dritare te reja mundësish për të luftuar për një sistem që ngrihet mbi bazat e parimeve universale te drejtesisë, paqes, harmonisë e respektit per njeri-tjetrin dhe natyren – parime këto në zemër të fesë tonë.


Dicka të fundit që do të doja ta theksoja edhe një herë: bamiresia nuk mundet dot kurrë te kompensojë për përfshirjen dhe luften për drejtesi në shoqerinë tonë. Asnjë prej nesh nuk mund te fshihet pas faljes së vakteve dhe pagesës së sadakasë e zekatit si përmbushje të detyrimeve të besimtarit. Shoqëria jonë dhe bota përballën me sfida jetike dhe përmbushja e detyrimeve tona ndaj shoqërive dhe komunitetit ku jetojmë janë pjese integrale e të qenit besimtar. Kur te pyetemi se cfarë bëmë ne kur padrejtesia ishte ulur këmbëkryq në shtëpitë tonë, nuk mund të përgjigjemi me “u fala dhe pagova sadaka”. Me mos-pjesemarrjen tonë në sfidat e shoqërisë, me të shikuarit vetem brenda per brenda komuniteteve fetare ne jemi po aq përgjegjës për padrejtësitë në botë. Sprova e vërtetë e besimtarit është në cilën anë qëndron dhe vepron përballë padrejtësive, përballë varfërisë, përballë shtypjes e shfrytëzimit.


E ardhmja jonë vendoset sot, dhe ne si besimtarë kemi përgjegjësinë të bëjmë gjithcka është në kapacitetin tonë për të bërë sot të mundshme një botë më të mirë për fëmijët tanë. Aktivizmi shoqëror është qeraja që të gjithë duhet të paguajmë për strehimin qe na është dhënë në këtë botë.


*Edlira Xhafa është doktorante në Studime të Punësimit dhe Mirëqënies në Universitetin e Milanos, Itali.

Nuk ka komente:

Posto një koment