e martë, 28 qershor 2011

Tiranë, manifestim proteste ndaj Ministrit të Jashtëm Izraelit

Sot ka mbërritur në Tiranë, Ministri i Jashtëm i shtetit të Izraelit, Avigdor Lieberman, i cili do takohet nesër me autoritetet kryesore të vendit tonë. Vizita e tij në Shqipëri është e para e një sërë vizitash në vende të ndryshme të botës. Lieberman po lobon në emër të shtetit të Izraelit që të mos njihet Shteti i Palestinës nga vendet që marrin pjesë në OKB.


Nesër në orën 10:00 do të ketë një protestë qytetarë, mdaj qëllimit të kësaj vizite, pranë kryeministrisë, në trotuarin afër "Piramidës", ku do të kryehet edhe takimi i z. Liberman me Kryeministrin Shqiptar. Protesta bazohet në vlerat më universale të njerëzimit, në të drejtën e popujve për të ekzistuar. Në emër të kësaj të drejte, shqiptarët në luftën e dytë botërore i mbrojtën hebrejtë, dhe në emër të kësaj të drejte protestuesit i kërkojnë qeverisë shqiptare të njohë të drejtën për ekzistencë të shtetit të Palestinës. Grupi organizator, shprehet se shqiptarët, në historinë e tyre kanë pasur një sërë tragjedish të shkaktuara pikërisht prej mohimit të së drejtës së popullit për t'u vetëvendosur. Rasti i fundit është Kosova, që u çlirua pas shumë përpjekjesh tragjike. Vuajtja e shqiptarëve nuk është rast i izoluar, por ajo është universale. Po kështu është dhe e drejta për t'u çliruar prej kësaj vuajtje, është e drejtë universale që i përket sot palestinezëve, shqiptarëve dhe izraelitëve, e kujtdo populli në botë të cilit i ndalohet të qenit pjesë e lirë dhe e barabartë e komunitetit të popujve.

Ky aktivitet nuk organizohet nga ndonjë grupim apo organizatë e veçantë, por është një nismë e gjerë qytetare. Me këtë rast, E-zani i Naltë, mbështet protestën, si shprehje të një akti qytetar, i cili ngrihet mbi principe themelore humanizmi. Blogu E–zani i Naltë vlerëson se pjesëmarrja në këtë manifestim, është në dinjitetin tonë si qytetarë të një vendi të lirë, i cili. përtej problemeve të përditshme, gjen solidaritet me çdo njeri apo popull që vuan padrejtësitë, mohimin e të drejtave dhe shtypjen e lirive të tij themelore.

Nuk ka komente:

Posto një koment