e shtunë, 23 prill 2011

Burkat e Izraelit

Miriam Shaviv, kolumniste në Britain’s Jewish Chronicle.

Izraeli, në mënyrë të posaçme rabinët e tij, mund të mësojnë prej ndalimit të vellove të fytyrës në Francë. Me ligjin e saj të ri, Franca ka lëshuar një deklaratë të fortë për i takon pritshmërisë për nivelin e integrimit të qytetarëve të saj myslimane dhe për statusin e grave në shoqërinë e saj.

Sektori fetar i Izraelit lipset të lëshojë deklarata të ngjashme. Në nishan nuk janë qytetaret e tij myslimane, pak prej të cilave e përdorin vellon e fytyrës (edhe pse numri i saktë mbetet i panjohur), por kulti i çuditshëm dhe i rrezikshëm i grave çifute,të cilat së fundmi kanë vendosur të adoptojnë veshjen e burkës dhe forma të tjera të vellove të fytyrës. Ky kult duhet ndërprerë për të parandaluar praktikën e përhapjes së tij në rrymën kryesore në shoqërinë haredi.

Fenomeni ishte praktikisht i panjohur për publikun e gjerë përpara vitit 2005, kur një burrë rreptësisht ortodoks u shfaq përpara një gjykate rabinati në Jeruzalem për kërkuar divorcin prej gruas së tij për shkak se kjo e fundit kishte vendosur të mbulonte të gjithë fytyrën – duke përfshirë edhe sytë – « për arsye modestie ». Rabinët ia njohën të drejtën e divorcit, duke dalë në përfundimin se gruaja në fjalë vuante prej « një çrregullimi mendor serioz ».

Megjithatë, shpejt doli në pah se kjo grua ishte vetëm njëra prej atyre rreth 100 grave që ndiqnin Bruria Keren-in, një dijetare fetare prej qytezës ultraordotokse të Ramat Beit Shemesh-it. Keren-i predikonte modesti të skajshme, veshje me 10 shtresa të ndryshme teshash dhe mbulesën e plotë të fytyrës, në rastet e rralla kur gratë duhet të dilin nga shtëpitë.

Më 2009, « nëna talibane » sikundër Keren-i u mbiquajt nga shtypi i Izraelit, u dënua për sulme të rënda ndaj disa prej 12 fëmijëve të saj. Sakaq, dënimi i saj katër-vjeçar nuk i pengoi ndjekëset e Keren-it.

Sot, grupe të ngjashme kanë aq anëtare në Ramat Beit Shemesh dhe në Jeruzalem sa të mbajnë të paktën dy shkolla. Vajza të vogla 6 vjeçare ultraortodokse janë fotografuar në shoqëri të nënave të tyre, të veshura me burkën e stilit mysliman, të mbiquajtura tashmë « frumka » (një lojë fjalesh për termin e gjuhës jidish frum që i përgjigjet atij ortodoks). Shumë të tjera kanë adoptuar një shall, ose një pelerinë të gjerë, po aq të parapëlqyer nga Keren-i.

Në javët e fundit, disa prej këtyre grave publikuan një video, në të cilën bënin thirrje për mirëkuptim, duke pohuar kështu se po i bashkoheshin një praktike shekullore veshjeje çifute dhe se ishin gra më se « normale » që mundoheshin të bënin një jetë të thjeshtë.

Në fakt, ndryshe nga shumë gra myslimane, çifutet që vishen me burka kanë vendosur të mbulohen vullnetarisht, shpesh në kundërshti të bashkëshortëve. Do të thotë kjo vallë se zgjedhja është plotësisht e tyre ? Jo. Ato thjesht kanë nxjerrë përfundimin logjik të një prej tendencave më përcaktuese – dhe padyshim të shtyra nga meshkujt – të shoqërisë haredi, theksi i së cilës në veshjen modeste të grave është gjithnjë e më i fortë.

Jaka të larta, geta të trasha (asnjëherë me ngjyrë mishi për sa kohë nuk përmbajnë viza), mëngë të gjata: të gjitha këto përbëjnë normën. Në ditët e sotme, grave u kërkohet të mbajnë këpucë me gomë në mënyrë që të mos u tërheqin vëmendjen burrave përmes tingullit të takave, u ndalohet të mbajnë funde të çara edhe nëse këta janë të gjatë, po aq sa u ndalohet të shfaqen të fotografuara në shtypin haredi. Ku qëndron çudia që disa prej këtyre grave e kanë kuptuar mesazhin e devotshmërisë si një mënyrë për të mbuluar gjithçka ?

Po pse na u dashka të shqetësohemi për këto gra, të cilat numërohen vetëm me qindra ? Përgjigjja është se, nëse duhet të mësojmë ndonjë gjë prej shoqërisë haredi, është pikërisht lehtësia me të cilën edhe shtrëngimet më të skajshme bëhen shpejt normë sepse njerëzit i frikësohen idesë që të shihen si « të butë ». Trotuaret e veçanta për gratë dhe burrat përbënin dikur materie për shpotitje; së tashmi, ata janë bërë realitet në Bnei Brak dhe (sporadikisht) në Jeruzalem. Brenda 5 viteve, autobusët me ndarje gjinore janë kthyer nga një fakt i rrallë në një cause célèbre.

Nëse nuk tregohemi të kujdesshëm, trysnia shoqërore për t’u shfaqur më frum do të rezultojë në më shumë gra haredi që do t’i nënshtrohen këtij standardi të ri – këtë herë kundër vullnetit të tyre – në vështrirësimin e ndërveprimeve të tyre ndërpersonale, në reduktimin e mëtejshëm të statusit të tyre shoqëror ; do të nisë në rrugë të caktuara për t’u shpërndarë më pas në të gjitha lagjet.

Përgjigjja nuk është legjislacioni formal sikundër në Francë. Gratë me burka nuk ua vënë veshin autoriteteve shekullare, dhe një iniciativë që i përjashton ato nga ligji mund t’i bashkojë rradhët e haredimëve për të mbrojtur nga « persekutimet » ngarendëset pas modestisë. Për më tepër, një ligj i tillë mund të krijojë një antagonizëm të panevojshëm me banorët myslimanë.

Por një tjetër tip legjislacioni është sakaq i mundur : legjislacioni çifut.

Deri tani, kundërshtia rabinike ndaj këtij kodi të ri veshjeje ka qenë e vakët, vetëm me një deklaratë nga Edah Haredit që e dënon vellon e fytyrës, por në kontekstin e një thirrjeje për të « forcuar modestinë » dhe për dënime të tjera të nënshkruara kryesisht prej rabinësh pa ndonjë influencë kombëtare. Ky është çasti kur të tjerë rabinë haredi, më të lartë, të lëshojnë një vendim të qartë fetar hebraik (halaka) kundër këtij kulti të dëmshëm dhe t’i përmbahen atij si duhet. Tek e fundit, ishin politikat e tyre gjinore që i hapën rrugën lajthitjes së « hiper-modestisë ».

Nëse ata nuk reagojnë shpejt dhe i inkurajojnë ndjekësit e tyre ta zbusin obsedimin me modestinë e femrave, do të ndjekë një ligj me konsekuenca të paqëllimshme dhe mbesat e tyre ndoshta do t’i shohin të veshura me burka.

Përktheu : Nermin Begzade

Nuk ka komente:

Posto një koment