e martë, 2 gusht 2011

Prijësat vdesin dhe popujt jetojnë


Hoxhë Sabaudin Jashari.

Nëse nuk do ishin disa kushte historike të caktuara të përjetuara nga muslimanët, në periudha të caktuara, nuk do të kishte pasur kush arsye të trajtonte temën e institucionit të prijësit të myslimanëve, “El Imame”, në kuadrin e akides islame.


Shumë dijetarë muslimanë shohin se motivi sheriatik (il`la sherijeh) të obligimit të ngritjes së institucionit të prijësit është domosdoshmëria jetësore shumëdimensionale, e cila kalon natyrshëm në nivelin e domosdoshmërisë sheriatike.

Pra ngritja e këtij institucioni është e lidhur ngushtë më interesat e prekshëm jetësore dhe si e tillë mbetet në kuadrin e çështjeve të fikhut, që ndryshe mund ta themi me motiv të përcaktueshëm.


Ndërsa trajtimi i kësaj çështjeje në kuadrin e akides ka qenë i nxitur nga gjykimi akaidik i sforcuar, që i është dhënë kësaj çështjeje nga fraksione islame të caktuara që në fillimet e historisë islame. Teoria e pretenduar e “El imam el masum” ose “Prijësi i pagabueshëm”, i cili trashëgohet me këtë cilësi brez pas brezi deri në ditën e Kijametit dhe që pandërprerë vazhdon të jetë i lidhur me Zotin e i orientuar prej Tij, kjo teori që natyrshëm trajtohet nga autorët e saj si çështja e çështjeve të akides së tyre, i ka bërë dijetarët muslimanë që ta trajtojnë këtë çështje brenda kuadrit të akides dhe jo si një prej çështjeve të saj. Këtë e kanë bërë për disa arsye:


Çështjet e akides janë të parat e mësimeve islame që mësohen nga nxënësit muslimanë dhe si të tilla bëhet e mundur që në fillim të procesit të nxënies të sqarohet gabimi i madh akaidik, që është i lidhur ngushtë me një nga çështjet më të domosdoshme materiale – jetësore, atë të institucionit të prijësit “El-imam”.


Pa të meta është vetëm Allahu, ndërsa i ruajtur nga gabimet është vetëm profeti (a.s). Si të tillë vetëm për Allahun (xh.sh) dhe për profetin (a.s) ushtrohet bindja absolute e komanduar nga perceptimi i shëndoshë. Dijetarët muslimanë nuk kanë qenë të nxitur vetëm nga ajo që shpesh themi e dëgjojmë: “Ta ruajmë akiden islame”, se në fund të fundit me ruajtjen hyjnore të Kuranit, është e ruajtur edhe akidja, që buron prej këtij Kurani, por kanë qenë të nxitur edhe nga vizioni i tyre shumë i kthjellët, i cili hedh dritë mbi pasojat shumë të rënda, që shkakton gabimi franksional i sipërpërmendur, mbi jetën humane.


Le të përfytyrojmë vetëm për disa çaste se si do të sillej një popull ndaj prijësit të tij, nëse do ta shikonin si të pagabueshëm: bindje absolute ndaj çdo fjale, vepre, urdhri, ndalese...! Përmbledhtazi, ata njerëz do të silleshin jo si robër të tij, por si skllevër.


Në krahun tjetër përfytyro vetëm për një çast se si ky prijës i hyjnizuar, duke mos pasur forcë për t`i shpëtuar të qenit njeri, do ta shfrytëzonte këtë sjellje prej skllavi të popullit të tij... . Të gjitha këto arsye i kanë bërë dijetarët e ndershëm muslimanë ta trajtojnë çështjen e prijësit në kuadrin e akides, por jo si një prej çështjeve të saj.


Javën e kaluar që pata mundësinë të vizitoj Egjiptin, e kuptova se pse disa shtete “islame” e kanë konsideruar prijësin ligjërisht të shenjtë e të paprekshëm.


Arsyeja na paska qenë e thjeshtë, pra ruajtja e pacënueshmërisë së pushtetit dhe interesave të prijësit. Pra kjo ka ndodhur, jo sepse diçka e tillë është edhe tek Zoti dhe as sepse pa “prijësin” nuk mund të ecë jeta.


Gazali tregon se në një takim anësor mes tre kolosëve të dijes e të mendimit: Gazali, Xhadul-hak, Sharavit dhe ish presidentit të Egjiptit, Mubarakut me rastin e dekorimit të hafizave, ky i fundit u është drejtuar kolosëve: “Lutjuni Allahut për mua, se kam përgjegjësi të madhe mbi supe”. “E ç`qenka kjo përgjegjësi”, - i thotë Sharavi. “Kam barrën e ushqimit të 80 milion njerëzve” – thotë Mubaraku.

Sharavi që po jetonte ditët e fundit të jetës së tij, që mezi merrte frymë, duke u dridhur nga sëmundja, i mbështetur mbi bastunin e tij, travizet nga kolltuku e i drejtohet ashpër e pa komplimenta: “E çfarë të duket vetja ty, Zoti i të gjithë botërave. Egjiptianët e kanë Zotin e tyre dhe rrizku i tyre është në dorën e Tij. Gjëja e vetme e cila duhet të të mundojë është përgjigja që do japësh para Zotit të botrave”. Shejh Gazali thotë: “U ngritëm nga takimi dhe e falënderova me gjithë zemër shejh Sharavin, që më hoqi mua dhe shejh Xhadul-hak, sikletin që na shkaktoi Mubaraku”.


Egjipti vazhdon të jetojë edhe pa Mubarakun. Këtë përshtypje me krijoi jeta egjiptiane, në të cilën nuk e pata të vështirë të integrohem qoftë edhe brenda një jave, për shkak të pesë viteve që kam kaluar në të 2002 – 2007 dhe ku më së shumti kam shijuar dijen, fulin dhe ujin e Nilit të këtij vendi.

Egjiptianët buzëqeshnin vazhdimisht. Me dinamikën dhe gjallërinë e tyre që i karakterizon, notonin pafund në detin e lirisë. Aftësia për t`i thjeshtëzuar problemet u ishte shtuar akoma më shumë.

Në stacionin “Alf maskan” dy djem të rinj, në një distancë prej 50 cm mes njëri – tjetrit, me duart e ulura poshtë, po i bërtisnin njëri – tjetrit. Njëri mikrobus ishte futur pa radhë për t`u mbushur me pasagjerë. Mes shumë njerëzve që ndërhynë për t`i qetësuar, u fut një djalë i ri dhe qetësisht i drejtohet gabimtarit: “Mos e bëj më këtë gabim”. Përnjëherë turma u nda dhe çdokush pa punën e vet në kërkim të rrizkut. Thashë me vete: Ikja e Mubarakut nuk i paska bërë ta humbin toruan. Madje m`u duk se vetëkontrolli ishte shtuar më tepër.


Disa miq të mi, për të më mundësuar ta shijoj maksimalisht vizitën, më ftuan të vizitoj një kamping me disa të rinj. Një prej miqve më thotë: “E shikon këtë mejdanin këtu, ku ishte ngritur kampingu dhe që kishte mbi 1 hektar e gjysmë, e ka vënë në shërbim falas një prej bamirësve të thjeshtë egjiptianë që në muajin mars”.

Në këtë kamping kishin marrë pjesë, që nga marsi, mbi shtatë mijë të rinj egjiptianë. Përfytyro se sa hajër të madh kanë dëgjuar e kanë përfituar këta të rinj në këtë kamping.


Para një viti u kap në “flagrancë” një kamping “i paligjshëm” me disa të rinj, që akuzoheshin për veprimtari dhe përpjekje të rrezikshme kundra shtetit dhe qeverisë egjiptiane, pavarësisht se mosha e këtyre 30 të rinjve varionte nga 13 deri në 18 vjeç.


Në aksham m`u desh të bëj një vizitë urimi për fejesën e djalit të njërit prej miqve të mi egjiptianë. Rrugës për tek shtëpia e tij kalonte nëpër një lagje që historikisht nuk kishte parë policë trafiku me sy, me sa duket ishte prej lagjeve “speciale” të qeverisë së “ mëshiruar”. Papritur u bllokua rruga dhe mbetëm në trafik. Po vrisja mendjen se si do të zhbllokohej rruga pa asnjë polic?! Pas 20 minutash taksitë e maunet filluan të ecin. Fillova të dëgjoj ca zëra e të bërtitura. Ishin disa djelmoshë prej atyre që s’e kanë problem të bëjnë edhe hamallin, se në shumë raste s`kanë punë tjetër, që po rregullonin trafikun. Shoku im që më shoqëronte, pasi vërejti sytë e mi të zgurdulluar, më tha: “Këta e kanë rregulluar trafikun e frikshëm të Kajros edhe gjatë revolucionit. Patjetër që ke dëgjuar se të rinjtë e kanë ruajtur edhe muzeun e paçmueshëm te mejdani i Ramsesit”.


Madje – madje jo më larg se para një jave tani pas revolucionit, disa të rinj të irrituar nga vonesa e gjyqit të Mubarakut drejtohen drejt ministrisë së Mbrojtjes dhe ishin përgatitur e nxitur për t`u përleshur me ushtrinë. Pasojat mund të ishin shumë të rënda. Ushtarët egjiptianë nuk kishin në dorë vetëm shkopinj gome... .Katrahurën e shmangën disa familje dhe banorë të thjeshtë egjiptianë, të cilët u futën si barrierë mes të rinjve dhe ushtarëve.


E pasi shoku im më renditi me dhjetëra shembuj të tjerë që kishin ndodhur gjatë revolucionit, konkluzioni ishte si dielli në mes të qiellit pa re: populli egjiptian qe në gjendje ta ruante gjithë atë Egjipt pa e cënuar aspak, edhe pasi Mubaraku “i shenjtë” e i “pacënueshëm” iku e bashkë me të dhe hija e tij.

Më shumë sesa zhvillimet e revolucionit shumë shqetësuese ka qenë ecuria e etapës së pas revolucionit. Pas gjithë këtyre që pashë e dëgjova, i thashë vetes: “Qetësohu, se ky lloj populli do dijë t`i japë drejtim vetes”.

Në avionin e kthimit të Egjypt air, ku po meditoja çka më sipër, para se të ngrihet avioni, nuk pata mundësi tjetër falënderimi për Egjiptin dhe popullin e tij për dijen, fulin dhe ujin e Nilit, veç duasë së sinqertë e të përzemërt drejtuar Allahut që ta drejtojë këtë popull për tek më e mira e kësaj bote dhe botës tjetër.

Nuk ka komente:

Posto një koment