e diel, 27 dhjetor 2009

Minareja ne thes


Besnik Sinani

Këto ditë shtypi shqiptar i ka sjellë publikut disa zëra nga vendi dhe jashtë që kanë komentuar mbi problemet e integrimit të myslimanëve në Evropë dhe mbi mënyrën sesi kjo problematikë ndikon mbi projektet politike të shqiptarëve (Shih Gazeta Shqiptare, 21 dhe 22 Dhjetor). Ajo që mund të veçohet si e përbashkëta e këtyre artikujve është reduktimi i Evropës dhe Islamit. Në një anë paraqitet një Evropë si një entitet i vetëm në konsensus mbi çështjen e integrimit të myslimanëve, pa debat e diskutime, pa komente e analiza, pa qëndrime opozitare, e tëra e bashkuar në një zë të vetëm në konfirmimin e pamundësisë së integrimit të myslimanëve. Në anën tjetër paraqitet një popullsi myslimane e cila mbart të njëjtat mëkate të vërteta apo të supozuara prej qindra vjetësh, prej të katër anëve të globit, e paarrirë, e paplotësuar, e mangët në akomodimin institucional të fesë, një masë popullsie e cila është e njëzëshme në rigorozitet fetare, për rrjedhim dhe e pamundur për t’u integruar.
Kushdo që ka studiuar historinë e Islamit mund të grishet të komentojë vetëm mbi vënien në dukje të shpjegimeve të ofruara historike të analistëve që ndërmarin t’i sqarojnë lexuesit se si një element apo një tjetër i historisë, shpjegon këtë apo atë aspekt të problemeve të sotme. Kështu sipas ndonjë analisti, na del se sulltani i Perandorisë Osmane pashkësh qenë papa i myslimanëve. Flitet për pamundësinë e Islamit për të zhvilluar një autoritet institucional centralizues si ai i papatit për Krishtërimin!!! Do duhej vënë në dukje se Katolicizmi është vetëm një nga degët e Krishtërimit dhe se protestantë, koptë e ortodoksë lindorë, për të përmendur disa degë të tjera të Krishtërimit, nuk njohin autoritetin e papës. Ndoshta do t’u vlente analistëve edhe të dinin se mungesa e krijimit të një lloj papati apo kodifikimi centralizues fetar në Islam, nuk është aksident, por një produkt i ndërgjegjshëm i kundërshtimit të themeluesve të traditës islamike ndaj paradigmës së imponimit të një interpretimi ekskluziv mbi fenë. Pluraliteti i këndvështrimeve mbi Islamin nuk mund të shkaktojë mungesë integrimi të muslimanëve, për sa kohë që pikëtakimet midis praktikave të tyre fetare dhe shoqërisë evropiane numërohen brenda limitesh konsensuale, të cilat janë të rregulluara gati plotësisht në shtete si Mbretëria e Bashkuar. Në të kundërt, ajo që paraqet diversitet kaotik dhe mungesë reference ndaj një sistemi unik referencial, duket se është Evropa, e cila në një shtet pranon si të ligjshme të njëjtat shfaqje publike të praktikave islame, të cilat i ndalon në një shtet tjetër.
Por është dhe më e habitshme kur lexon të shqipëruar për publikun një nga politologët më të njohur në Itali që shpjegon pamundësinë e integrimit të muslimanëve me vetëm një fjali mbi historinë e para 500 vjetëve në Indi. Sipas politologut, intransigjenca muslimane e 500 vjetëve në Indi, solli nevojën e krijimit të shtetit pakistanez! Së paku një politolog do duhej të dinte se pas 500 vjetësh tashmë ishin shtresëzuar forma të reja identitare që lidhen me krijimin e shtetit kombëtar, apo mund të grishemi të mendojmë se një italian në kërkim të gjurmëve indiane të pamundësisë për bashkëjetesë, nuk do të na shpjegonte dot pse në vendin e tij thuajse homogjen fetarisht, ekzistojnë lëvizje të fuqishme separatiste. Këtu historia e Indisë së 500 vjetëve më parë, të cilën ai e tregon me një fjali, nuk do të jepte shpjegime të mjaftueshme… E megjithatë, pati analistë shqiptarë që panë një mençuri profetike tek ky vizion i habitshëm historie, duke na bërë të ditur se pas ca vitesh edhe ne shqiptarët do jemi duke lexuar të njëjtin artikull, për të njëjtat probleme, të shkruar nga një shqiptar. E ky është vërtet lajm i keq.
Do mund të pritej që dikush të kish vënë në dukje se një biznesmen i krishterë zviceran pas referendumit anti-minare ndërtoi një minare mbi çatinë e vet si shenjë proteste për votën e bashkombasve të vet. Apo se ndër myslimanët e prekur në Zvicër janë edhe ata shqiptarë, kur të paktën një nga xhamitë e pakta të Zvicrës është xhami shqiptarësh. Apo mund të mendonim për belgët që votuan si deputeten e tyre në parlamentin belg një myslimane me origjinë turke që mban në kokë shaminë. Por mbi të gjitha do shpresonim se analistët do të tregonin ndonjë njohje, edhe nëse nuk dakordohen, me një armatë historianësh e sociologësh që na tërheqin vëmendjen për nga proceset historike e sociologjike të cilat na bëjnë të mundur për të parë shpjegime më pak mitologjike mbi problemet e integrimit dhe të tensioneve fetare në shoqëri. Mbi të gjitha duhet të kujtojmë se njerëzit, fetarë apo jo, janë qënie sociale, të cilat i negociojnë vlerat e jetës së tyre, qoftë edhe ato fetare, sipas botkuptimit që u kushtëzon koha në të cilën jetojnë, realiteti në të cilin janë rritur, idetë që informojnë epokën e tyre. Nëse nuk kuptojmë kaq gjë nuk mund të kuptojmë se pse pas gati tre dekadash të studimit të shoqërive myslimane studiuesi francez Olivier Roy shkruan se fundamentalistët janë më pranë Marksit se Kuranit, apo pse, pas gjashtë vjetëve punë kërkimorë në terren për të shkruar librin e tij Ballë për ballë me Islamin Politik, François Burgat na thotë se Kurani nuk mund të na ndihmojë për të kuptuar fondamentalizmin, ashtu sic Bibla nuk mund të na ndihmojë për të kuptuar konfliktin në Irlandën e Veriut. Të kuptojmë pra që problemet rreth besimtarëve nuk janë përherë “fetare” dhe se kërkimet globaliste në skedën historike të një komuniteti fetar ndoshta nuk do të na mund të na shpjegojnë sot problemet lokale të disa anëtarëve të këtij komuniteti. Politologut italian, ama, i mjafton një vështrim i shpejtë në Indinë e para 500 vjetëve për të kuptuar se myslimanët nuk mund të integrohen në Evropën e sotme.
Në po këtë frymë, shqiptaro-anglezja Mirela Bogdani u ankua në emsionin Déjà Vu të para ca netëve për mungesën e integrimit të emigrantëve myslimanë, duke gjykuar me këtë rast se një pjesë e Londrës asaj i ngjan si “Middle East”, që në shqip përkthehet “Lindje e Mesme.” Një nga pyetjet më të rëndësishme që shtrohet sot në Evropë është se në ç’moment emigrantët pushojnë së qeni emigrantë, duke ditur se edhe në gjeneratën e tyre të tretë në vende të Evropës, disa nga këta bijë e nipa emigrantësh vazhdojnë konsiderohen emigrantë. Po emigrantë nga ku? Cili është vendi të cilit i përkasin këta? Nëse realiteti ku ata kanë lindur dhe i vetmi që kanë njohur është ai i qyteteve evropiane, atëherë ku e kanë këta bij e nipa përkatësinë? Janë këta të rinjtë që ia çojnë mendjen zonjës Bogdani tek “Middle East.” Ironikja është se këta të rinj përqafojnë veçori kulturore të Lindjes së Mesme që zor se gjenden sot në vetë Lindjen e Mesme. Olivier Roy i quan këta “myslimanë të çkulturuar”, të zhveshur nga kulturat tradicionalë ku është zhvilluar Islami, pra nga kultura e Lindjes së Mesme. Ajo që znj. Bogdani sheh në Londër nuk është Lindje e Mesme, por vetëm një reflektim i diskriminimit që kthehet në përqafimin e formave të dukshme identitare të ndryshme nga ambienti diskriminues. Mund të bëjnë pjesë këtu edhe veshje egzotike që edhe në Lindjen e Mesme mund të jenë në zhdukje, por kuptimi dhe simbolika që ato mbartin, identitetet që potencojnë, kumtet që përçojnë kanë të bëjë më shumë me Londrën se sa me Lindjen e Mesme. Pas debateve të tilla si ai i shamisë në Francë, vë në dukje studiuesja e universitetit Princeton në ShBA, Joan Ëallach Scott, fshihet refuzimi i vendeve ish-koloniale për të integruar ish-subjektet koloniale. Ajo që mungon në diskutimet e gjithë analizave që na janë paraqitur këto ditë, është vetëdija se integrimi është si vallja e tangos: duhen dy palë që ta kërcejnë. Shumë nga imigrantët që po debatohen sot ndërtuan Evropën e pas luftës, disa janë dhe më të hershëm, disa luftuan si ushtarë inkuadruar në ushtritë evropiane dhe fituan të drejtën e qytetarisë duke rrezikuar jetën e tyre. Evropianët menduan se pasi të bënin ca para, emigrantët do të ktheheshin nga kishin ardhur, por nuk ndodhi kështu. Femijët e tyre janë sot ata që më së shumti gjenden në mes refuzimit racist të integrimit dhe vendlindjes së prindërve të tyre, të cilën shumë prej tyre nuk e njohin fare. Tradita anglo-saksone që na u përmend në emsionin Déjà vu na kujton se kur një njeri përzien punën e tij me tokën, atij i lind kështu një pretendim legjitim përkatësie mbi atë tokë. Kjo përkatësi po u mohohet këtyre emigrantëve sot.
Por ç’mund të na thotë ky debat i importuar mbi vetë Shqipërinë? Nga një anë, duket sikur debati mbi fenë është vulosur me slloganet e tolerancës sonë fetare e cila, për hir të tolerancës së mirëfilltë fetare, duhet kaluar në filtrin e studimeve të mirëfillta shkencore mbi qasjen e shqiptarëve ndaj fesë. Ligjërimet e tensioneve globale dhe ethet tona të politikave identitare kanë bërë atë që Elsa Ballauri quan si ndarjen e “”Ne” dhe myslimanët”, ndarje që detyrimisht sjell margjinalizim dhe diskriminim. Së dyti, duhet qartësuar se përqafimi i ligjërimit të djathtë evropian ndaj myslimanëve, edhe në qoftë i pagabueshëm ky ligjërim, nuk mund të aplikohet mbi myslimanët shqiptarë, të cilët nuk janë emigrantë në Shqipëri. Së treti, dhë më e rëndësishmja, duhet vënë në dyshim politizimi i vazhdueshëm i fesë në ligjërimin politik shqiptar. Genci Kojdheli në artikullin e tij tek Mapo (nr. 159) Minareja e demokracisë shqiptare nuk komenton shumëçka mbi fenë në Shqipëri, por e përdor “minarenë”, si metaforë për mangësitë politike shqiptare që pengojnë integrimin në Evropë. Teksa përsërisim shpesh se një nga vlerat thelbësore perendimore eshtë ndarja e politikës nga feja, shohim një insistim për të politizuar simbolet fetare dhe për t’i vendosur ato në ligjërimin antagonist të politikave të ditës. Për sa kohë që vazhdojmë ta bëjmë këtë, do kontribuojmë vetëm në kthimin e minares, këtij simboli fetar të përdorur negativisht në artikullin e Kodhelit, në faktor politik. Nëse tentojmë ta shohim minaren në rolin e saj fetar apo si pjesë e arkitekturës historike, atëherë do t’i bëjmë të mundur asaj një distancë të shëndetshme nga politikat identitare ku është përfshirë Evropa si pjesë e hesapit të saj me të kaluarën e vet koloniale. Nëse minareja do të vazhdojë të ketë rolin e vet tradicional apo do të kthehet në një totem politik, kjo varet jo pak edhe nga lloji i metaforave në të cilat përfshijmë publikisht minaren.

Nuk ka komente:

Posto një koment