e hënë, 1 nëntor 2010

Muslimanët në Evropë midis diskursit të diskriminimit dhe radikalizmit.


Besnik Sinani

(koment mbi një shkrim të z. Fatos Tarifa.)

Në një artikull të botuar në gazetën Mapo, Fatos Tarifa i referohet politologut të njohur amerikan Francis Fukuyama i cili thotë se:

Sfida e ardhshme më serioze, me të cilën do të ndeshen demokracitë liberale, nuk është “një sfidë e jashtme, si mbrojtja nga terrorizmi ndërkombëtar”, por “problemi i brendshëm i integrimit kulturor të popullsive kulturalisht të ndryshme” dhe i “minoriteteve të emigrantëve, veçanërisht i atyre nga vendet muslimane”, në një “komunitet të vetëm kombëtar koheziv”, si “qytetarë të demokracive pluraliste”. Emigrantët që vijnë nga vende me kultura të ndryshme krijojnë probleme për çdo shoqëri që i pranon ata.


Duke qenë se nuk ka kaluar shumë kohë qëkur Fukuyama deklaroi divorcin ideologjik me neo-konservatizmin, është vështirë të gjykosh se sa thellë ka shkuar ai në revizionimin e mendimit të tij. Gjithsesi, në argumentin në fjalë, shfaqet një kundërshti e brendshme e cila kthehet dhe në paradoksin e brendshëm në artikullin e Tarifës.

Tarifa vazhdon duke cituar Fukuyamën: “Europa është bërë dhe do të vazhdojë të jetë një terren ushqyes dhe një fushë beteje në luftën midis islamizmit radikal dhe demokracisë liberale”. Sipas tij, kjo shpjegohet me faktin se vetë fondamentalizmi islamik nuk buron nga kultura dhe nga shoqëritë tradicionale muslimane, por është një “manifestim i politikës moderne të identitetit dhe një fenomen që shoqëron vetë procesin e modernizimit të shoqërisë”. Si i tillë, fondamentalizmi islamik është “esencialisht një fenomen i kohëve të fundit”. Sociologu amerikan Peter Berger gjithashtu argumenton se fondamentalizmi, i kuptuar si “përpjekja për të restauruar apo rikrijuar nga e para një strukturë besimesh dhe vlerash të marra si të mirëqena”, është “esencialisht një fenomen i ri dhe jo traditë”.

Problemi i parë në këtë argument është se lidh integrimin e miliona banorëve evropianë me origjinë nga tradita muslimane, por me nivel të ndryshëm religjioziteti, praktikash, apo qëndrimi ndaj fesë, me debatin mbi ‘radikalizmin islamik.’

Tarifa sjell në mbështetje të argumentit të tij idetë e islamicistit të njohur francez, Olivier Roy. Por tek Roy është shumë e qartë ideja se fenomenet e lidhura me fundamentalizmin islamik në Evropë, më shumë se prurje nga ato që konsiderohen si vende të origjinës së emigrantëve muslimanë, janë produkt evropian për të cilat vështirë se mund të gjesh ekuivalent në Algjeri apo Marok. Roy i quan produkt të një Islami të çkulturizuar. Sigurisht dhe në vende të Lindjes së Mesme ka probleme të fundamentalizmit fetar, por ato janë të një tjetër natyre dhe produkt i të tjera politikave.

Është paradoksale të flasësh edhe për ‘tradita të ardhura’ kur pranon se shumë nga ata, për të cilët po flet, janë të lindur apo gjeneratë e tretë në vende evropiane. Konsiderimi i tyre vazhdimisht si të huaj është pjesë e problemit.

Roy, veçanërisht në librin e tij, “Sekularizmi përballet me Islamin,” ngre pretendimin se një pjesë e mirë e debateve rreth Islamit sot, në vende si Franca, janë përjetuar më parë nga kisha katolike në Francë. Ky qëndrim është i mirë-argumentuar nga Roy, por i mungon dicka.

Në rastin e Islamit dhe popullsive muslimane në një pjesë të mirë të vendeve evropiane duhet faktorizuar, sic vë në dukje studiuesja Joan Wallach Scott, edhe e kaluara koloniale dhe mënyra se si kjo e kaluar ndikon dhe informon mendimin bashkohor politik në vende si Franca.

Roy ka dhe një tjetër propozim interesant për mënyrën e të parit të formave të ekspresionit të fesë për muslimanët evropianë. Teksa në veshje që kërkojnë të afirmojnë religjiozitetin shumëkush sheh sfidën e muslimanëve ndaj sekularizmit, Roy sheh konfirmim të sekularizmit. Duke kërkuar sanktifimin e vetes dhe trupit, vë në dukje Roy, individi besimtar konfirmon mungesën e sanktitetit të ambjentit përreth tij dhe ky ka qenë përherë qëllimi i sekularizmit: një ndarje midis sanktitetit individual dhe sekularizmit të botës përreth. Kjo bëhet më e dukshme kur Roy sjell krahasimet sociologjike midis formave bashkohore të Islamit evropian dhe rritjes së protestanizmit apo sekteve të ngjashme të Hebraizmit.

Si rjedhim, fenomenet që shohim të asociuar me prezencën islame në Evropë, pra, më shumë se prurje nga Lindja e Mesme, janë produkt i ambjentit evropian, i jetës së popullsive muslimane në vendet e Evropës dhe forcave sociologjike që promovojnë forma individualiste, jo-tradicionale, literaliste të fesë, qoftë kjo në rastin e Islamit në Evropë apo Protestanizmit në Brazil – kështjellën më të madhe të katolicizmit në botë.

Por mangësia e vërtetë në artikullin e Tarifës është se ai nuk analizon mjaftueshëm anën tjetër të ekuacionit, gjë të cilën ai premton ta bëj në titull, problemet identitare evropiane.

Vetë Evropa po jeton tensionet e globalizmit, të paqartësisë identitare me krijimin e supra-shtetit të Bashkimit Evropian që kërkojnë forma identifikimi që bëhen duke identifikuar ‘tjetrin’ e ndryshëm. Nuk është cudi se, sic vë në dukje Thomas Hammarberg, Komisioneri për të Drejtat e Njeriut pranë Këshillit të Europës, islamo – fobia është më e dukshme në zona popullsie evropiane që kanë më pak kontakt real me muslimanët evropianë.

Artikulli i Tarifës, ndryshe nga shumica e artikujve rreth Islamit në Evropë që gjenden në shtypin shqiptar, ka meritën që e shqyrton problemin si proces sociologjik që është produkt i kushteve moderne, cfarë bën të evitojë esencializmin e shumë prej shkrimeve ndaj Islamit. Por ai nuk faktorizon mjaftueshëm elementët e politikave evropiane që krijojnë tensione identitare dhe bie në gjykimin e gabuar të të konsideruarit të muslimanëeve evropianë si emigrantë dhe kur janë gjeneratë e tretë dhe gjykon me lentet e radikalizmit fetar, realitetin social të miliona muslimanëve evropianë duke neglizhuar diversitetin e këtij komuniteti apo dedikimin ndaj fesë.

Një diskutim mbi Islamin në Evropë pa diskutuar politikat diskriminuese bën të pamundur të kuptuarit e asaj që Roy quan solidaritet me bashkësinë e cterritorializuar muslimane, me një bashkësi virtuale, pasi përkatësia është bërë e pamundur si në vendet ku shumë nga këta muslimanë kanë lindur – për shkak të diskriminimit – ashtu dhe në vendet prej nga prindërit apo gjyshërit e tyre kanë origjinën, pasi ai është ambjent i huaj për ta. Londistani, sic kam shkruar më parë, nuk është produkt i ardhjes së muslimanëve në Londër, por i llojit të politikave integruese apo dështimi i tyre në qytetet e mëdha evropiane. Sic vë në dukje Hammarberg, “Klima islamofobe mund të ketë qenë ndoshta një faktor i cili, në raste të caktuara, u ka mundësuar ekstremistëve të rekrutojnë të rinj të zemëruar dhe me probleme të pazgjidhura përkatësie.” Prandaj analiza e Tarifës, teksa e vlefshme, është e njëanshme dhe e mangët.

Nuk ka komente:

Posto një koment