e mërkurë, 17 nëntor 2010

Politikë dhe Leitkultur


Jurgen Habermas


Frankfurt


Që nga fundi i gushtit, Gjermania është tronditur nga zhurmënaja e ligjerimit politik rreth integrimit, multikulturalizmit dhe rolit të “Leitkultur – ës” apo kulturës prirëse kombëtare. Ky ligjërim, në anën tjetër, përforcon prirjet në rritje të ksenofobisë në popull.


Këto prirje kanë qenë të dukshme prej disa vitesh në studime dhe në të dhënat e sondazheve që tregojnë një rritje të armiqësisë ndaj emigrantëve. E megjithatë duket sikur vetëm tani kanë gjetur zë: stereotipet e zakonshme po rjedhin nga klubet tek talk-shoës dhe atyre u bëhet jehonë nga politikanët e qendrës që duan të tërheqin votues të mundshëm të cilët po anojnë drejt të djathtës. Dy ngjarje kanë nxitur një përzjerje emocionale që është vështirë ta pozicionosh midis të djathtës dhe të majtës – një libër nga një anëtar i bordit të bankës qendrore gjermane dhe një fjalim i kohëve të fundit nga presidenti i Gjermanisë.


E gjitha filloi me nxjerrjen e fragmenteve provokative nga “Gjermania po humbet veten,” një libër që pretendon se e ardhmja e Gjermanisë rrezikohet nga lloji i gabuar i emigrantëve, vecanërisht nga vendet muslimane. Në këtë libër, Thilo Sarrazin, një politikan i partisë Social-Demokrate, i cili ka qenë anëtar në bordin e Budesbank, zhvillon propozime për politika demokratike ndaj popullsisë muslimane në Gjermani. Ai nxit diskriminim kundër këtij minoriteti duke përdorur të dhëna mbi inteligjencën nga ku ai nxjerr konkluzione biologjike të rreme, të cilat kanë fituar publicitet të pazakontë.


Në kontrast të dukshëm nga kundërshtimi fillestar dhe spontan prej disa politikanësh me status të lartë, këto teza kanë fituar mbështetje popullore. Një sondazh nxirrte se më shumë se një e treat e gjermanëve ishte dakort me prognozën e z. Sarrazin se Gjermania po bëhej “në mënyrë të natyrshme më budallaqe në përgjithësi” si rezultat i emigrantëve nga vendet muslimane.
Pas përgjigjeve me gjysëm zëri të disa psikologëve që dhanë përshtypjen se tek e fundit mund të ketë dicka të vërtetë në këto pretendime, ndodhi një ndryshim qëndrimi dhe qasjeje e medias dhe politikanëve ndaj z. Sarrazin. U deshën disa javë që Armin Nassehi, një sociolog i respektuar, në një artikull gazete të zbërthente dhe demaskonte interpretimet pseudo-shkencore të statistikave relevante. Ai demonstroi se z. Sarrazin kish adoptuar interpretimin “natyralizues”, matës të dallimeve të inteligjencës, që është diskredituar ndërkaq shkencërisht në ShBA që prej disa dekadash.


Por kjo ndëryrje objektive që kërkonte të largonte emocionet nga argumenti, u soll shumë vonë në këtë diskutim. Helmi i lëshuar nga z. Sarrazin, duke përforcuar me argumente gjenetike armiqësinë kulturore kundër emigrantëve, duket të ketë lëshuar rrënjë në paragjykimet popullore. Kur z. Nassehi dhe z. Sarrazin u përballën në Shtëpinë e Letërsisë në Mynih, rreth tyre u ndez një atmosferë turme prej një audience të edukuar të klasës së mesme, e cila refuzonte qoftë edhe vetëm të dëgjonte kundërshtimet e ngritura ndaj argumenteve të z. Sarrazin.


Në mes të debateve e mosmarrëveshjeve, z. Sarrazin u detyrua të jepte dorëheqjen nga bordi i Budesbank-ut. Por largimi i tij, kombinuar me fushtatën kundër korrektësisë politike, të filluar nga e djathta, vetëm sa ndihmoi për t’i mënjanuar karakterin e urryer argumentit të tij kontraversial. Kritika ndaj tij u perceptuar si reagim i tepruar. A nuk e kish denoncuar kancelarja e zemëruar, Angela Merkel librin pa e lexuar më parë? A nuk po përpiqej ajo tani të riparonte imazhin e saj duke i deklaruar anëtarëve të rinj të partisë së Unionit Kristian-Demokrat se multikulturalizmi kish vdekur në Gjermani? A nuk kish ndeshur në rezistencë edhe brenda partisë së vet kur kish propozuar përjashtimin e kolegut të padëshëruar Sarrazin edhe Sigmar Gabriel, kryetari i Social-Demokratëve, i vetmi politikan prominent që kish kundërshtuar thelbin e pretendimeve të tija me argumente të mprehta?
Ngjarja e dytë mediatike shqetësuese në javët e fundit ishte reagimi ndaj një fjalimi nga presidenti i sapozgjedhur gjerman, Christian Wulff. Si kryetar i Saksonisë së Poshtme, z. Wulff kish qenë i pari që kish emëruar një gjermane me origjinë turke si anëtare e kabintetit të tij.
Në fjalimin e tij në fillim të këtij muaji, në përvjetorin e bashkimit të Gjermanisë, ai i dha vetes lirinë të riafirmonte nocionin normal, të cilin presidentë të mëpërparshëm ndërkaq kishin afirmuar, se jo vetëm Krishtërimi dhe Judaizmi, por “gjithashtu Islami ka vendin e vet në Gjermani.”


Pas fjalimit presidenti u përshëndet me duartrokitje të fuqishme në Bundestag nga paria politike e mbledhur aty. Por të nesërmen, shtypi konservator e sulmoi thënien e tij për vendin e Islamit në Gjermani. Kjo çështje, që atëherë, ka sjellë një ndarje brenda partisë së tij, Unionit Kristian-Demokrat. Është e vërtetë se, teksa integrimi social i punëtorëve-mysafirë turq dhe pasardhësve të tyre, ka qenë përgjithësisht një histori suksesi, në disa zona ekonomikisht të depresionuara vazhdojnë të ekzistojnë lagje emigrantësh që kanë izoluar veten nga shoqëria. Por këto probleme janë pranuar dhe adresuar edhe më parë nga qeveria gjermane. Arsyeja e vërtetë për t’u shqetësuar, siç kanë treguar incidentet e Sarrazin dhe Ëulff, është se tashmë politikanët mendjeftohtë po zbulojnë se mund të spostojnë vëmendjen e votuesve të tyre, nga ankthet sociale e ekonomike, tek agresioni etnik kundër grupeve sociale më të dobëta.


Rasti më i mirë është ai kreut të Bavarisë, Horst Seehofer, që ka deklaruar se “emigrantët nga kulturat e tjera” janë të dëmshëm dhe ka bërë thirrje për ndalje të emigracionit “nga Turqia dhe vendet arabe.” Edhe pse statistikat tregojnë një pakësim të qartë të emigrimit me origjinë turke, z. Seehofer për të mbështetur qëllimet e veta politike, përdor imazhin fobik të turmave të çrregullta të parazitëve që dynden tek rrjeti i shtetit tonë të ndihmës sociale.


Sigurisht, zakoni i keq paragjykimeve politike është një fenomen që shkon përtej Gjermanisë. Së paku në Gjermani, qeverisë nuk i duhet si në Hollandë, të varet në mbështetjen e populistëve të së djathtës të tipit Geert Ëilders. Ndryshe nga Zvicra, ne nuk na duhet të ndalojmë ndërtimin e minareve. Gjithashtu, të dhënat nga sondazhi krahasues rreth armiqësisë ndaj emigrantëve në Evropë nuk tregojnë numra ekstremë në Gjermani


Por zhvillimet politike dhe sociale në Gjermani, duke qenë se kanë një histori të frikshme, nuk kanë detyrimisht të njëjtën domethënie si në vende të tjera. A ka arsye për t’u shqetësuar se mendësia “e vjetër” mund të ripërtërihet.


Varet se çfarë kuptojmë me “të vjetra.” Ajo çka po shohim nuk është një rilindje e mentaliteteve të viteve 1930. Në të kundërt, është një rizgjim i debateve në fillim të viteve 1990, kur mijëra emigrantë erdhën nga ish-Jugosllavia, gjë që i dha shkas një debati mbi ata që kërkonin azil. Unioni Kristian-Demokrat dhe simotra e tij bavareze, Unioni Socia-Kristian, mbështetën qendrimin se Gjermania nuk “ishte vend emigrantësh.” Në atë kohë u dogjën banesa emigrantësh dhe Social-Demokratët lëshuan terren duke rënën dakort në Parlament për një kompromis të rrëmujshëm mbi ligjin e azilit.


Ai debat ishte stimuluar nga ndjenja e rrezikut të kulturës kombëtare që i duhej të afirmonte veten si Leitkultur të cilën të sapoardhurit duhet ta ndjekin. Gjithsesi, debati i viteve ’90 nxitej gjithashtu nga fakti se Gjermania kish pak kohë që qe bashkuar dhe kish arritur stadin final në rrugëtimin e vështirë drejt një mentaliteti që siguronte themelet e nevojshme për një kuptim liberal të Kushtetutës.


Gjer në ditët e sotme, ideja e Leitkultur varet nga koncepti i gabuar se shteti liberal duhet të kërkojë nga emigrantët më shumë se sa vetëm të mësojnë gjuhën e vendit dhe pranimin e principeve të Kushtetutës. Ne na duhej, e mesa duket akoma na duhet, të kapërcejmë mendimin se emigrantët supozohen të asimilojnë “vlerat” e kulturës së shumicës dhe të adaptojnë “zakonet” e tyre.


Fakti se po dëshmojmë këtë rënie regresive drejt një kuptimi etnik të kushtetutës tonë liberale, është mjaft negativ. Është edhe më keq, se sot Leitkultur po përkufizohet jo nga “kultura gjermane”, por nga feja. Me një aneksim arrogant të Judaizmit – dhe më një moskokëcarje të pabesueshme për fatin që pësuan hebrenjtë në Gjermani – apologjetët e Leitkultur përdorin “traditën judeo-kristiane” si diçka që na dallon “ne” nga të huajtë.


Gjithsesi nuk mendoj se përdorimi i argumentit të Leitkultur shënon më shumë se sa një veprim regresiv apo se thirrjet e një autori si Sarrazin, të kapur në debatin e kundërshtisë së dispozitës natyrore ndaj asaj kulturore, i kanë dhënë energji jetëgjatë përzjerjes helmuese të ksenofobisë, ndjenjave raciste të superioritetit dhe darvinizmit social. Problemet e sotme kanë sjellë reagimet e djeshme – po jo të ndonjë kohe më të hershme se kaq.


Unë nuk nënvlersoj shkallën e akumulimit të ndjesive nacionaliste, një fenomeni që nuk është i kufizuar me Gjermaninë. Por në dritën e ngjarjeve të sotme, një tjetër prirje është më shqetësuese: rritja e preferencës për figura jopolitike në skenën politike, që ngjan me një element të politikës kulturore gjermane, refuzimin e partive politike dhe politikave partiake.
Gjatë zgjedhjeve parlamentare për presidentit federal verën e kaluar, Joachim Gauck, aktivisti pa eksperiencë dhe pa lidhje partiake i të drejtave civile u shfaq si kandidati kundërshtar ndaj z. Ëulff, politikanit të karrierës. Në kundërshtim me shumicën e kolegjit elektoral, z. Gauck, një prift protestant me një të kaluar opozite ndaj regjimit të vjetër në Gjermaninë Lindore fitoi zemrat e shumë njerëzve dhe për pak sa nuk fitoi zgjedhjet.


E njëjta etje për figura karizmatike që qëndrojnë mbi përleshjet politike mund të shihen në popullaritetin e habitshëm të ministrit aristokrat të mbrojtjes, Karl – Theodor zu Guttenberg, i cili me jo më shumë se të kaluarën e familjes së vet, manerizmat delikate dhe një garderobë të mirëmenduar, ka arritur të hedhë në hije reputacionin e znj. Merkel.


Edhe më shqetësues është lloji i protestave në rrugë që po shohim në Stuttgart, ku mijëra njerëz kanë dalë për të protestuar kundër planit të korporatës federale të hekurudhës për të prishur stacionin e vjetër të trenit. Protestat që vazhdojnë prej muajsh janë reminishenca të spontanitetit jashtëparlamentar të opozitës së viteve ’60. Vetëm se në kundërshtim me atë kohë, në kohën e sotme, njerëz nga gjithë grupmoshat dhe sektorët e popullsisë po dalin në rrugë. Qëllimi imediat është konservator: ruajtja e një bote të njohur në të cilën politika ndërhyn si krahu ekzekutiv i progresit ekonomik të supozuar.


Gjithsesi, në sfond gjendet një konflikt më i thellë që po zjen në lidhje me kuptimin e demokracisë në vendin tonë. Qeveria e shtetit të Baden-Ëurttemberg, ku gjendet Stuttgart, i sheh protestat në mënyrë të ngushtë si një çështje ku diskutohet nëse qeverisë i lejohet ligjërisht të planifikojë mega-projekte të tilla afatgjata. Në mes të rrëmujës, presidenti i Gjykatës Kushtetuese Federale nxitoi të dalë në mbrojtje të projektit duke argumentuar se publiku ndërkaq kish votuar për ta miratuar atë 15 vjet më parë, e kësisoj nuk kish më qasje në ndryshimin e tij.


Por që prej atëhere rezulton se autoritetet, në fakt, nuk ofruan informacion të mjaftueshëm dhe qytetarët nuk patën mundësi të krijojnë një mendim të informuar ku të bazonin votën e tyre. Të insistosh se qytetarët nuk kanë më pjesë në zhvillimin e këtij projekti do të thotë të mbështetesh në një kuptim formalist të demokracisë. Çështja është kjo: a do të thotë se pjesmarrja në procedurat demokratike ka vetëm kuptimin funksional për t’i mbyllur gojën një minoriteti që ka humbur, apo kjo pjesëmarrje ka kuptimin e qëllimshëm të përfshijë argumentet e qytetarëve në procesin demokratik të formimit të opinionit – dhe vullnetit politik?


Motivet që përshkruajnë secilin nga këto tre fenomene – frika nga emigracioni, atraksioni i aktivistëve karizmatikë jo-politikanë dhe rebelimi nga poshtë në Stuttgart – janë të ndryshme. Por ato puqen në efektin përmbledhës të rritjes së shqetësimit kur përballen me një sistem politik të vetëmbyllur e gjithmonë e më të pashpresë. Sa më shumë që mundësitë për veprim nga qeveritë kombëtare tkurren dhe politikat i nënshtrohen imperativave në dukje të paevitueshme ekonomike, aq më shumë zvogëlohet besimi i njerëzve tek një klasë politike e dorëzuar.


Shtetet e Bashkuara kanë një president me një vizion të qartë politik, edhe pse i luftuar dhe i përballur me ndjesi të përzjera. Ajo çka nevojitet në Evropë është një klasë politike e rigjeneruar që kapërcen ndjenjën e vet të mposhtjes me pak më tepër perspektivë, vendosmëri dhe shpirt bashkëpunues. Demokracia varet në besimin e njerëzve se kanë mbetur mundësi për formimin kolektiv të një të ardhmeje me sfida.


Jurgen Habermas, profesor emeritus i filozofisë në Universitetin Gëte në Frankfurt, është autor, kohët e fundit, i “Europe: The Faltering Project.” Ky artikull është marrë nga The New York Times, 28 Tetor, 2010.

Nuk ka komente:

Posto një koment