e hënë, 21 mars 2011

A kanë të drejtë Muslimanët në Kosovë të kërkojnë heqjen e fotografive të Nënë Terezës?

Në një postim në blogun Peizazhe të Fjalës, Ardian Vehbiu shpreh habinë për paradoksin – sipas tij – se në Kosovë, një organizatë muslimane e shoqërisë civile, Forumi Musliman i Kosovës, kërkon respektimin e laicitetit të vendit duke kërkuar heqjen e fotografisë së Nënë Terezës, një murgeshë katolike që u bë e famshme me aktivitetin e saj bamirës në Indi, nga institucionet shtetërore. Ai citon nga deklarata e Forumit se,


Komuniteti musliman në Kosovë, si komunitet shumicë, është konkretisht i brengosur mbi shkallën fillimisht latente, por kohëve të fundit të përmasave të mëdha, të tendencave dhe metodave të një dominimi kulturor, të ritit katolik në vend, si relikë e trashëguar nga e kaluara [...]


Jemi kundër imponimit publik të një figure që deklarativisht thoshte se ‘i përkas Krishtit’ si figurë kombëtare, pasi që një imponim i tillë, përpos që dhunon laicitetin institucional, përbën poashtu një imponim religjioz e kulturor nacional-katolicist, në një shoqëri me shumicë muslimane.


Duhet vënë në dukje qysh në fillim se në fakt, sic mësova pasi kontaktova Faik Miftarin e Forumit Musliman, se kjo deklaratë nuk vjen prek këtij Forumi por nga një tjetër organizatë me emër të ngjashëm e njohur si Forumi i të Rinjve Muslimanë të Kosovës. Vehbiu nuk kundërshton logjikën e deklaratës dhe në fakt habia e tij e parë vjen nga mësimi se fotografitë e Nënë Terezës qenkeshin në muret e institucioneve shtetërore në Kosovë.


Nga ky lajm mësova, jo pa habi, edhe se fotoja e Nënë Terezës qenka e ekspozuar në institucionet publike të Kosovës.


Dhe


Nuk shoh pse kjo foto duhet të varet në zyrat e titullarëve institucionalë në Kosovë dhe gjetiu, meqë marrëdhëniet e

Nënë Terezës si njeri dhe si simbol me shtetin e Kosovës janë, për ta thënë me një hiperbolë, të ndërmjetësuara.


Por më pas ai thotë:


Natyrisht, kundërshtimi i një gjesti të tillë simbolik krejtësisht qesharak është i drejtë në vetvete, por komprometohet vetvetiu, për shkak të burimit.


Megjithatë, normale do të ishte që kërkesa për heqjen e fotos të mos vinte nga një instancë fetare e shoqërisë civile, si Forumi Mysliman i Kosovës; meqë ashtu vështirë se mund të shmanget përshtypja që Nënë Terezën “nuk e duan” myslimanët e Kosovës.


A është pra paradoksale, sic thotë Vehbiu, që një organizatë me bazë fetare të kërkojë respektimin e laicitetit të vendit? Përgjigja është jo. Laiciteti rregullon marëdhëniet e fesë me shtetin në një demokraci liberale dhe kërkon që shteti mos favorizojë një fe mbi një tjetër, mos propagandojë fenë dhe mos ndërhyjë në liritë fetare të individëve. Kësisoj cdo individ dhe grup shoqëror është drejtëpërdrejtë i interesuar në mënyrën si implementohet ndarja e shtetit nga feja, përfshi, sigurisht njerëzit fetarë. Ky realitet nuk duhet dhe nuk mund të efektohet me argumente të tilla si “do jepej përshtypja” apo “mund të duket sikur.” Muslimanët në Kosovë janë palë e interesuar dhe e efektuar nga mënyra selektive se si shteti “dhunon laicitetin institucional… [duke sjellë një] imponim religjioz e kulturor nacional-katolicist, në një shoqëri me shumicë muslimane.”

Ky Forum ka bërë të qartë se kjo nuk ka të bëjë me një qëndrim antagonist ndaj katolicizmit si fe, por me kërkesën që të mirëmbahen ekuilibrat fetarë. Vehbiu ka të drejtë kur thotë se,


Jam pothuajse i bindur se myslimanët e Forumit dhe ndoshta të tjerë myslimanë në Kosovë irritohen, përkundrazi, nga përdorimi tipik që po i bëhet një figure religjioze si Nënë Tereza, për të riformuluar ekuilibrat ndërfetarë në Kosovë; ose më mirë abuzimi me këtë figurë, nga ana e oportunistëve të momentit.


Përndryshe, nuk ka gjë të përbashkët mes një murgeshe katolike dhe shtetit të sotëm të Kosovës, të cilit urgjentisht i nevojiten jo maska, kozmetikë dhe plastikë për sytë dyshues të Perëndimit, por identitet.


Më duket e gabuar, madje provokative, që Nënë Tereza të përdoret për të shënjuar simbolikisht orientimin pro-perëndimor ose pro-katolik të atyre që e tundin si flamur. Përkundrazi, sa për shqiptarinë, mund dhe duhet të gjenden ikona më të përshtatshme, më të pranueshme, më të kuptimshme.


Jemi totalisht dakort me konstatimin e Vehbiut se do ishte normale që organizata jo-fetare të kishin parashtruar këtë gjë, por realiteti në Kosovë si dhe në Shqipëri tregon se ata që kanë monopolizuar shoqërinë civile janë të implikuar në debatet e politikave identitare që po bëhen gjithnjë e më përcarëse. Më tutje Vehbiu shkruan,


I gjithë ky incident ka edhe një aspekt komik: një shtet laik që i lejon institucionet e veta të identifikohen me një figurë kryesisht fetare si Nënë Tereza, dhe një forum fetar, si Forumi Mysliman, që kërkon rikthimin e laicitetit institucional të shtetit.


Kjo nuk është komike por normale. Në gjithë botën organizata fetare kërkojnë respektimin e ndarjes së fesë nga shteti pikërisht që të ruhen ekuilibret fetare dhe Forumi si palë e interesuar është më se normale që të ngrërë zërin. Kjo nuk e bën Forumin të duket anti-perendimor, përkundrazi Forumi po kërkon respektimin e një prej parimeve bazë mbi të cilin janë ndërtuar shoqëritë e sotme perëndimore. Këto hamendje imazhesh të cilat janë mëse të justifikuara nga njohja e termave infantil të debatit tonë publik, nuk kanë pse të stepin aktivizmin civil të një organizate. Jemi mëse dakort me Vehbiun kur thotë se,


E mira do të ishte që llojet e fotove për t’u ekspozuar në institucionet publike të Kosovës të përcaktoheshin me një rregullore ose protokoll të thjeshtë – jo për të fyer intelektin e titullarëve përkatës, po për të mos lejuar që tensionet sociale të bazës të përthyhen në një luftë mesjetare simbolesh dhe ikonash në ballkonet.


Nëse shteti Kosovar do i përgjigjej pozitivisht kërkesës së këtij Forumi, kjo nuk do të ishte një imponim i Forumin mbi jetën publike, por do tregonte se shteti Kosovar do merte seriozisht, sic pretendon, principin e ndarjes së fesë nga shteti. Cdo palë është e interesuar për këtë dhe Vehbiu gabon kur kërkon të përjashtojë muslimanët nga jeta aktive shoqërore, nga aktivizmi social në kërkim të respektimit të ekuilibrave shoqërore vecanërisht kur ata janë palë e dëmtuar nga prishja e këtyre ekuilibrave. Përndryshe i bashkohemi thirrjes së Vehbiut në lidhje me fotografitë, të paraqitur qysh në titull: Të Hiqet!

Nuk ka komente:

Posto një koment