e shtunë, 19 mars 2011

Mblidhet Këshilli i Përgjithshëm, pikëpyetje të reja mbi fatin e KMSH-së


Mbledhja e thirrur për të djelën është vendosur në kundërshtim me statutin

Komuniteti Musliman ka vendosur për ditën e nesërme, mbajtjen e mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm, ku pritet të merren vendime me rëndësi për zhvillimet në vijim. Vendimi për mbledhjen është marrë të martën, dhe ende nuk dihet ekzaktësisht se cfarë vendimesh do të merren. Në njoftimin e KMSH-së për anëtarët e këshillit, thuhet se do të diskutohen vendimet e Kryesisë së bashku me disa çështje të tjera, por nuk bëhet e ditur se çfarë. Nga burime të brendshme në KMSH mësojmë se pjesë e diskutimit do të jetë edhe vendimi i Gjykatës për rikthimin e grupit Vokshi, vendim i cili shprehu se largimi i tyre, i bërë nga Muca disa muaj më parë, ishte në kundërshtim me statutin.


Natyrisht që e gjithë kjo komplikon situatën. Një rikthim i Vokshit, do të thotë, rritje e tensioneve dhe një problem të pazgjidhshëm moral, për sa kohë që kryesia aktuale ka denoncuar me akuza të rënda ish kolegët e vet, akuza këto që fillojnë, nga organizim puci ndaj Kryetarit, e deri tek akuzat më të rënda për abuzime financiare, për të cilat tashmë është hapur një tjetër proces gjyqësor. Nga ana tjetër, duke qenë se shkarkimet ishin në një masë të madhe dhe përfshinin një numër shumë të madh kuadrosh, rikthimi i tyre do të trazonte në mënyrë të jashtëzakonshme ujërat duke e bërë edhe më të komplikuar skenën e lëvizjeve brenda këtij institucioni.

Deri tani, drejtuesit e KMSH-së, janë duke mbajtur në heshtje çdo gjë, duke mos ditur askush se çfarë pritet të ndodhë. Megjithatë, duket se tensionet janë ende prezente dhe vetë grupet e përfshira në strukturat drejtuese, me heterogjenitetin e krijuar, paraqesin një situatë ku asgjë nuk është e sigurtë. Ndër të tjera, flitet për një mundësi të rikthimit të Vokshit, ashtu siç flitet edhe për mundësitë e largimit të Selim Mucës, që, siç duket, nuk gëzon më mbështetjen e dikurshme të grupit gylenist.

Duhet theksuar se vendimi për mbajtjen e kësaj mbeldhje është bërë në mënyrë të nxituar dhe në shkelje statutore. Sipas statutit, duhet që mbledhja të zhvillohet dy javë pas vendimit dhe lajmërimit të anëtarëve, ndërkohë që, nga a marta deri të djelën, afati kohor është pesë ditë. Ky nxitim dhe fshehtësia në të cilën mbahet rendi i ditës, tregon për mungesë sigurie ndërmjet krerëve të lartë drejtues të institucionit më të madh fetar në vend.

Një tjetër e dhënë interesante është se, ndërmjet temave të rendit të ditës, është edhe vendimi për ndryshime statutore, ku ndërmjet të cilave pritet të diskutohet edhe krijimi i drejtorive të reja të sajuara për t’i bërë vend figurave të reja të përfshira në KMSH. Një drejtori e tillë është edhe ajo e thirrjes, e krijuar për ti dhënë postin e drejtuesit imamit të Xhamisë së Tabakëve, Elvis Nacit si dhe ajo e dialogut ndërfetar, e sajuar për ti gjetur një vend komod Gentian Krujës, meqë ky i fundit ka kryer një master në këtë fushë. Kjo do të thotë, që këto drejtori janë aktualisht informale dhe pritet që mbledhja e nesërme ti bëjë të ligjshme.

Gjithsesi, duket se praktikat ekstraligjore janë tashmë praktika normale në KMSH dhe se gjithçka funksionon në plan informal, gjë që tregon për nivelin ku ka rënë ky institucion. Megjithëse gjykata shprehet për mënyrën jostatutore me të cilën u larguan pjesëtarët e grupit Vokshi, KMSH-ja vijon dhe kryen në mënyrë sistematike veprime jostatutore në të gjithë mënyrën e saj të të funksionuarit duke mos korrigjuar asgjë nga sjella e saj institucionale.

Nuk ka komente:

Posto një koment