e martë, 10 nëntor 2009

Xhihadi i pamundur i Artan Kristos

Besnik Sinani


Ditët që pasuan arrestimin e qytetarit durrsak Artan Kristo, me akuzën për nxitje terrorizmi, u shoqëruan me demonstrime në media të website-it, ku Kristo postonte opinionet e tij fetare si dhe citime nga një kumtesë e tij prej gati 15 minutash, në të cilën ai flet për përgatitje për xhihad. Sipas medias,organet përgjegjëse për arrestin kanë ofruar si prova inkriminimi të Kristos pikërisht këto postime dhe kumtesa. Në fakt, një shqyrtim i thjeshtë i tekstit inkriminues të hedhur në Internet nga Kristo, tekst i botuar i plotë në disa gazeta të përditshme, zbulon qartësisht se vetë i akuzuari akuzon një person si të devijuar nga feja, për shkak se ky i fundit paska thënë frazën "Bin Ladeni është muxhahid (apo luftëtar sipas variantit në gazeta) i madh". Kjo frazë i atribuohet gabmisht Kristos, kur ky vetëm sa e ka cituar atë për të stigmatizuar një person tjetër.
Më i ndërlikuar për t'u interpretuar shfaqet citimi i kumtesës së hedhur në Youtube nga i akuzuari. Kjo kumtesë është paraqitur si përgjigje ndaj një pyetje drejtuar Kristos nëse "ka sot xhihad". Përgjigja e tij gjendet në internet për këdo që dëshëron ta dëgjojë, por është vështirë të kuptosh mesazhin e Kristos pa e vendosur atë në kontekstin e debateve fetare që ndodhin sot kryesisht në Lindjen e Mesme, si dhe pa i kushtuar vëmendje asaj që "nuk thuhet" në atë mesazh, po aq sa asaj që thuhet. Kristo i qëndron besnik një pozicioni fetar të njohur në literaturën perendimore të këtij fenomeni si "selefizëm tradicionalist". Burimet e tij fetare, sidomos në lidhje me çështjen në fjalë të xhihadit, bëhen të qarta nëse shihen postimet e tjera nga website-i që Kristo drejtonte, apo në përkthime në shqip të qëndrimeve nga figura të njohura të kësaj tendence fetare: dijetarit me origjinë shqiptare Nasirudin Al- Albani (vdiq 1999) dhe atij saudit, Ibn Uthejmini (vdiq më 2001). Këto dy figura qendrore të selefizmit tradicionalist janë cituar, midis të tjerave, të shprehen qartë se, sipas doktrinës së tyre fetare, operacionet kamikaze në emer të xhihadit, janë fetarisht të ndaluara (haram).
Tek qëndrimet e këtyre dy figurave dhe tek debatet e vazhdueshme rreth çështjes së xhihadit në tribunat fetare myslimane, gjendet informacioni i duhur për të kuptuar domethënien e mesazhit të Kristos, i cili, në fakt, nuk është aspak original sa është riprodhim i retorikave dhe refreneve të selefizmit tradicionalist. Ironikisht, në gjuhën e militantëve të tipit të Al Kaidas dhe mbështetësve të tyre, qëndrimi i paraqitur nga Kristo, do të cilësohej si oportunist dhe burracak, bërje bisht ndaj detyrës së luftës për çlirimin e tokave të pushtuara të myslimanëve në Irak apo Palestinë dhe ndaj mbështetësve të Izraelit apo të qeverive shtypëse të Lindjes së Mesme.
Për të qartësuar më tej nuancat dhe pështjellimet që lindin gjatë trajtimit të këtyre temave të nxehta, le të adresojmë shkurtimisht termin 'xhihad', i cili prej kaq kohësh është kthyer në aktor gjeopolitik. Sipas të drejtës islame ka dy lloje lufrash të armatosura.
Njëra është luftë e shpallur nga autoriteti i udhëheqësit shtetëror të komunitetit të gjithë besimtarëve, kalifit, ndaj një entiteti tjetër. Deklarimi i kësaj lufte, në të drejtën klasike islame, është prerogativ i kalifit dhe si i tillë është praktikisht vështirë të realizohet në praktikë pasi, bie fjala, edhe dinastia osmane, e cila e ka pretenduar këtë titull, e ka përdorur atë vetëm në mënyrë fragmetare gjatë sundimit të saj dhe për pasojë, ky post për qindra vjet nuk ka patur një përfaqësues të mirëfilltë. Për shumë nga doktorët e të drejtës islame, pushtimet e osmanëve nuk kualifikoheshin si xhihad. Sot, pas suprimimit të Kalifatit "teorik" nga Ataturku, e në mungesë të një prijësi që pranohet nga gjithë komuniteti global i besimtarëve si kalif, ky lloj xhihadi është praktikisht i pamundur.
Forma e dytë e xhihadit, është e drejta e vetmbrojtjes ndaj një pushtimi të huaj. Sipas shumicës së figurave qendrore fetare myslimane sot, kjo është e vetmja formë legjitime e xhihadit, apo luftës së armatosur në ditët e sotme. Risia monstruoze e Al Kaidës ka qenë të pretendojë se lufta kundër shteteve të Perëndimit, në qytetet e Perëndimit, është luftë vetëmbrojtëse. Autoritete fetare si Nasirudin Al Albani dhe Ibn Uthejmini, ndër shumë të tjerë, janë shprehur energjikisht kundër kësaj risie. Gjithashtu, në të drejtën islame, lufta disiplinohet nga disa obligime etike, si ndalimi i sulmit ndaj palëve të papërfshira në betejë, qofshin këta edhe të palës armike. Për Al Kaidën dhe grupe të tjera moderne terroriste, këto ndalesa fetare nuk duhet të pengojnë përdorimin e metodave luftarake të cilat nuk bëjnë dallim midis ushtarëve dhe civilëve. Kjo vjen, sipas tyre, sepse teknikat moderne të luftës e bëjnë këtë dallim të pamundur.
Kështu, për dallim nga sa shpall botërisht krahu ideologjik i Al Kaidës, çdo dëgjues mund të vërë re dy elementë të rëndësishëm të ligjërimit të Kristos.
Së pari, mungesa e përmendjes së Irakut si fushë legjitime që kërkon xhihad, përpjekje të armatosur për çlirimin nga pushtimi amerikan. Grupe militante kanë akuzuar prej kohësh figurat kryesore fetare të Arabisë Saudite, bastionit gati zyrtar të selefizmit tradicionalist, se kanë shpërdoruar mësimet fetare për të menjanuar deklarimin e xhihadit, obligimit për të luftuar në Irak.
Në të kundërt, disa elementë të selefizmi tradicionalist janë përqëndruar në trajtesa teorike e klasike të xhihadit, si ato për domosdoshmërinë e "rikthimit të Andalusit", apo Spanjës myslimane të shekujve të sundimit maur. Të tilla qëndrime emblematike duhen parë paralel me ligjërime të ngjashme mbi "parajsat e humbura" që gjejmë edhe në ideologë të frymëzimeve të tjera fetare, si psh. kur flitet për rikthimin e Stambollit (Kostandinopojës) në fenë e parë, etj. Mund të thuhet se përtej efekteve irrituese, ligjërimi i Kristos, si rixhirim i qëndrimeve të njohura të mësuesve të tij shpirtërorë, nuk ka reperkursione praktike dhe mbi të gjitha, është i konstruktuar të jetë i tillë.
Kjo del dhe më e qartë nga eksplorimi i temave sektare që gjenden në çështjen e dytë të trajtuar nga Kristo, tek ajo e "përgatitjes". Çdo të thotë "përgatitje" në leksikun fetar të selefizmit tradicionalist? Sipas kësaj shkolle fetare, çdo fatkeqësi politike në botën myslimane, veçanërisht kolonializmi i Lindjes së Mesme, shpërbërja e Kalifatit, apo pushtimi i Palestinës dhe formimi i Izraelit, janë dënime nga Zoti për devijimet ose papastërtinë doktrinare të myslimanëve. Për këtë arsye, teksa Kristo i referohet "përgatitjes" me referenca prej një vargu kuranor mbi betejat profetike, tema e tij kryesore ka të bëjë me "përgatitjen doktrinare." Ironia e kësaj teze është se është e mbështetur mbi kushtin që "koha e xhihadit" është atëherë kur të jetë arritur kjo "pastërti doktrinare."
Çdo studiues i mendimit islam është i njohur me faktin se ky pretendim për pastërti doktrinare është historikisht i pamundur, dhe thjesht utopik, prej faktit se nuk ka konsensus midis myslimanëve mbi këtë "pastërti doktrinare." Çdo të thotë kjo? Kjo do të thotë se Kristo, si një nga shumë pasuesit e selefizmit tradicionalist në botë, teksa përqafon teorikisht idenë e xhihadit si luftë çlirimtare, në praktikë, bën thirrje për pauzë ideologjike deri sa të arrihet pastërtia doktrinare, e cila është në fakt e paarritshme.
Ai qartazi fajëson, për shembull, për gjendjen në Palestinë, aktet e shirkut (politeizmit) dhe kufrit (mosbesimit) të myslimanëve të atjeshëm. Qartazi, për Kriston, ata nuk kanë pastërtinë doktrinare të duhur. Këto dhjetëra vjet, pretendon ai, në vend të asaj çfarë është bërë, pra akteve luftarake, duhet të ishte punuar me edukimin e doktrinës së drejtë. Sigurisht që ky nuk është një qëndrim original i Kristos. Ai përsërit gati fjalë për fjalë diskurset e njërit prej mësuesve të vet shpirtërorë, Nasirudin Al Albanit, për nder të të cilit, me sa duket, Kristo ka adoptuar mbiemrin "Albani" në pseudonimin e tij "akademik", me të cilin nënshkruan opinionet e veta fetare në Internet.
Konkretisht, sa i përket Palestinës, dijetari Nasirudin Al Albani pat deklaruar se nëse gjendja e vështirë e palestinezëve në tokat e pushtuara i pengon nga dedikimi i nevojshëm fetar, ata duhet të emigrojnë nga ajo tokë. Pra, jo të luftojnë. Për ngarkesën nacionaliste që mbart çështja e Palestinës në Lindjen e Mesme, nuk mund të ketë provokim më të madh. Por kjo ilustron idenë se për mësuesit shpirtërorë të Kristos, "lufta" teologjike është ajo që ka përparësi mbi çdo kauzë nacionaliste apo pan-islamiste si Palestina. Praktikisht, kjo do të thotë se, teksa selefinjtë si Kristo trajtojnë temën e xhihadit, automatikisht atë e përfytyrojnë në një kohe të pacaktuar, gati johistorike, kur të arrihet masivizimi konsensual i pastërtive të doktrinës e ritualit.
Në të kundërt, për ideologët që mbështesin metodologjitë e Al Kaidas, të parët përbëjnë oportunistë, të cilët në fakt dëmtojnë kauzën e Islamit duke induktuar pasivitet tek pasuesit e tyre, dhe duke i drejtuar ata të shohin thelbin e problemit jo tek Amerika dhe qeveritë e Lindjes së Mesme, ku e sheh Al Kaida, por tek imtësitë e ritualit apo tek debatet teologjike, të cilat kanë shekuj që myslimanët nuk i zgjidhin.
Me pak fjalë, Xhihadi për të cilin flet Kristo, është praktikisht i pamundur. Përfshirë në debate kontroversiale të largëta nga realiteti shqiptar, teorizimet dhe qëndrimet e Artan Kristos, alias Muhamed Abdullah al Albanit, sigurisht që janë shqetësuese për optikën e një publiku jo të specializuar. Por nuk duhet harruar se jo gjithçka që trondit apo irriton publikun e gjerë përbën krim.
Agjensitë dhe organet që po trajtojnë rastin Kristo, duhet medoemos të kërkojnë asistencë nga ekspertë të mirëfilltë të terrorizmit apo ekstremizmit islamik tek homologët e tyre perëndimorë, për të kuptuar drejt formulimet e tij retorike, për të përcaktuar qartë në kemi të bëjmë me nxitje për dhunë konkrete, apo vetëm me vizione dhe predikime, qofshin ato edhe reaksionare. Nëse duhet patjetër një shembull preventiv kundër frymëzimeve të mëtejshme ekstremiste, Artan Kristo "al Albani" (arabisht: shqiptari) që shpall si heretikë e devijantë simpatizantët e Bin Ladenit, nuk do të ishte kurbani i duhur.

Nuk ka komente:

Posto një koment