e mërkurë, 11 nëntor 2009

Përtej patriotizmit ideologjik


E. Mërtiri

Kërkesa e Bashkësisë Islame në Kosovë për futjen e lëndëve fetare në kurrikulat arsimore, ka ngjallur reagime dhe debate të shumta të cilat kanë polarizuar opinionin publik. Në përgjithësi, temat fetare janë të tilla që ngjallin vëmendjen e opinionit, jo vetëm për natyrën që ka debati mbi fenë në përgjithësi, por edhe për faktin që kjo sferë e jetës njerëzore është e tillë që zgjon sensibilitete të forta, të cilat ushtrojnë ndikim të ndjeshëm në shoqëri. Ajo çka vihet re dukshëm kudo në trojet Shqiptare është mungesa e kthjelltësisë në trajtimin e problemeve të tilla, si dhe mungesa e konsideratës ndaj sentimentit fetar. Në këtë mënyrë, debate të tilla karakterizohen, jo vetëm nga padija dhe konfuzioni ideologjik, por edhe nga një mungesë e thellë etike dhe ndjeshmërie. Natyrisht, e kaluara komuniste dhe diktatoriale e shqiptarëve, ka kultivuar një vrazhdësi të madhe ndaj fesë, gjë që i bën qasjet ndaj dukurive fetare të karakterizohen nga një mungesë e theksuar respekti ndaj së shenjtës. Kjo bën që shqiptarët sot të mos e kenë për gjë të shqelmojnë shpirtrat e njëri-tjetrit, duke dëshmuar intolerancë dhe agresivitet ndaj afeksioneve më intime të të tjerëve. E gjithë kjo, përbën një dëshmi të gjallë të faktit që realiteti shqiptar nuk është shkëputur ende nga efektet e së shkuarës. Në të kundërt, debate të tilla, do të mund të ishin vërtetë të frytshme, nëse nuk do të mbartnin fytyrën e fanatizmit dhe brutalitetit që karakterizon në mënyrë të natyrshme kombe të tillë, të vonuar në procesin e zhvillimit dhe modernizimit të tyre, si dhe të kultivuar me ngurtësi doktrinare dhe asgjësim të botës shpirtërore, siç është në tërësi kombi shqiptar.
Më duhet të sqaroj se, nuk jetoj në Kosovë, ndaj dhe nuk e njoh mirë realitetin shoqëror atje. Por, nga ajo çka shfaqin mediat, duket se problemet janë thuajse identike me ato në Shqipëri. Pa u ndalur në këtë temë, duhet thënë se pjesa më e madhe e inteligjencës sot duket se po shkon drejt maturimit të gjuhës së debatit, duke hequr dorë nga agresiviteti dhe intoleranca e shfaqur në fillimisht. Duhet pranuar që,një pjesë e mirë e inteligjencës shqiptare, këndej dhe andej kufirit, ka filluar të zbusë tonet ndaj fesë, ndërkohë që reagimet më të ashpra, vijojnë për inerci nga shtresa më dytësore të piramidës intelektuale në komunikimin publik. Kjo ka ardhur për shkak se shumë intelektualë kanë kuptuar tashmë që tezat antifetare, tezat revanshiste, që aspirojnë konvertime masive qoftë nga një fe në tjetrën, qoftë edhe në funksion të në indiferencës fetare, janë thjesht utopi, të cilat, jo vetëm që nuk të çojnë askund, por mbi të gjitha janë mjaftë të dëmshme, pasi ato minojnë klimën e mirkuptimit shoqëror duke polarizuar jetën drejt konfliktualiteteve të tepërta dhe pa vend. Akoma edhe më e dëmshme do të ishte një gjë e tillë në Kosovë, ku ekuilibrat socialë janë edhe më të brishtë dhe kërcënimet më të mëdha.
Në fakt, e njëjta gjë ka ndodhur me një sërë intelektualësh shqiptarë gjatë periudhës së shpalljes së pavarësisë e disa vjet më pas. Shumë prej tyre (duke përfshirë edhe Fishtën apo Konicën), në kushtet e një kohe të turbullt, e cila shtronte me mijra udhëkryqe për të ardhmen e shqiptarëve, kanë përkrahur idenë për rikatolicizimin e Shqipërisë, apo edhe idenë e çfetarizimit të kombit, duke e parë fenë si një pengesë për evropianizimin apo modernizimin e vendit. Në fakt shumica prej tyre kanë besuar vërtetë që, pas rënies së Perandorisë Osmane, shqiptarët do të riktheheshin lehtësisht në “fenë e të parëve”, ose do të ecnin në rrugën e shekullarizmit afetar të modeleve revolucionare të së majtës evropiane. Ky besim është ushqyer ndjeshëm edhe nga miti i indiferencës fetare, i ndërtuar nga një pjesë e mirë e intelektualëve të asaj kohe, të frymëzuar nga një vulgarizim i dekontekstualizuar i maksimës së njohur të formuluar nga Pashko Vasa, sipas së cilës, “feja e shqiptarit është shqiptaria”. Indiferenca fetare, ka qenë miti me anë të të cilit ata kanë synuar të mbrojnë shqiptarët në arenën ndërkombëtare nga “damka” orientale, por ka qenë njëkohësisht edhe miti i konstruktimit të një shoqërie afetare, joorientale, e cila shihej si operacion i domosdoshëm për kultivimin e botës shpirtërore që kërkon modernizimi. Megjithatë, shpejt ata e kuptuan që realiteti ishte ndryshe, ndaj dhe hoqën dorë nga fantazi të tilla, të cilat rezultuan të pasuksesshme. Mbeti vetëm projekti për defetarizimin e vendit, i cili iu imponuar përdhunshëm shqiptarëve në të gjitha copat e trojeve të tyre të ndara. Rikthimi i ideve mbi revanshzimin konvertues pas rënies së regjimeve përkatës, i përket pikërisht dukurive të tilla që rrjedhin prej vakumit që lenë pas shembjet e diktaturave.
Në shkrimin me titull “Shpjegim anemik i një beteje të humbur” të datës 4 tetor në “infopress”, shkruar nga Hamdi Thaçi, si edhe në shumë shkrime të tjera të ngjashme të ndezura prej këtij debati, mund të gjesh pa fund, kësi elementësh, të cilët i përkasin tezave të tilla revanshiste apo edhe të vijimsisë antifetare të periudhave tranzitore postdiktatoriale. Autori, një mësues gjimnazi, merr përsipër të replikojë vendosmërisht me dr. Ferid Aganin, për të hedhur poshtë përfundimisht tezat e tij, për nevojën e përfshirjes së lëndëve fetare në arsimin publik. Për të shmangur çdo keqkuptim të mundshëm (do të thoja në fakt, të pashmangshëm ndaj një kategorie që e ka të vështirë të pranojë diversitetin ideor), po shpreh pozicionimin tim abstenues, jo se kam ndonjë paramendim lidhur me marrëdhënien ndërmjet fesë dhe isntitucioneve arsimore, por thjesht për shkak të distancës me realitetin shoqëror në Kosovë. Por, ajo për të cilën vërtetë duhet të shqetësohemi më shumë, është pikërisht mënyra sesi reagojnë individë apo grupe të caktuara individësh në raste të tilla, duke krijuar një klimë aspak të shendetshme për zhvillimin e shoqërisë. Paraprakisht na duhet të sqarojmë se, shkrimi i Hamdi Thaçit, na shërben më tepër si një model, për të marrë në analizë botëkuptimet që ndërtojnë premisat e debatit në lidhje me tema të tilla, të cilat i ndeshim shpesh në pikëpamjet e një pjese të konsiderueshme të elitave shqiptare. Karakteristikë e përbashkët e këtij angazhimi intelektual është kultivimi i një ligjërimi monolitik, intolerant dhe shpesh edhe konfliktual në lidhje me tema të tilla. Në të kundërt, niveli i argumentimit dhe objektivitetit të shfaqur në këtë shkrim, nuk do t’ia vlente për një përgjigje serioze.
Thelbi i shkrimit qëndron në bindjen e autorit se, përfshirja e lëndëve fetare në sistemin arsimor (dhe në tërësi përhapja e botëkuptimeve, sidomos ato Islame, në shoqërinë shqiptare) përbën një kërcënim të madh për kombin pasi, ato do të pengojnë zhvillimin shkencor të të rinjve duke i hapur rrugë prapambetjes dhe injorancës, si dhe do të deformojnë identitetin kombëtar duke futur në shoqëri një kulturë shkatërruese, degjeneruese, e cila nuk i përket dhe nuk i duhet kombit shqiptar. Do të desha të ndalesha në këto dy aspekte të cilat i shoh si thelbësore për të dekonstruktuar mbetjet ideologjike të cilat infektojnë mendjet e shumë njerëzve në trojet shqitpare, gjë që sjell për pasojë të gjithë furinë e një përplasjeve të tilla.
Kemi të bëjmë pra me raportin ndërmjet fesë dhe shkencës (elementë kyç në krijimin e stereotipeve që burojnë prej modernizmit) si dhe raportin ndërmjet fesë dhe identitetit kombëtar (të cilët stereotipizojnë elementët fetarë mbi bazë të botkuptimeve nacionaliste). Nga kjo, del në pah një dikotomi e tretë, e vetmja që konsiderohet e pranueshme prej kësaj kategorie në këtë trinom: fe, shkencë, komb. Pra nga marrëdhënia e këtyre tre entiteteve, e vetmja dikotomi e pranuar është ajo komb-shkencë, ndërkohë feja konsiderohet e papranueshme për të krijuar një marrëdhënie me të dyja nocionet e tjera. Natyrisht, një skematizim i tillë antinomik i këtyre nocioneve dëshmon qartazi për deformimet ideologjike që strukturojnë botën ideore të atyre që i bartin botkuptime të tilla.
Përsa i përket pikës së parë, ndikimi ideologjik është krejt i dukshëm. Ai konstatohet në shumë aspekte, duke përfshirë idetë, gjykimet, frazat e shprehura si dhe në terminologjinë e përdorur. Konkretisht autori shprehet: “Feja do të ruhet e do të struket përgjithmonë në shtresat e varfra e të mjera, në ato shtresa ku kleri do të arrijë ta ruajë frikën e tmerrin për njerëzit e padijshëm e të pashkollë. Kurse shkenca, e cila inspirimin dhe bazën e krijimit e ka shkollën, universitetin, do të ecë e do të zhvillohet për të mirën e njerëzimit, siç ka vepruar, në mos më herët, nga Sokrati e këndej”.
Në fakt, këtë frazë e morëm thjesht si një shembull, pasi, thuajse i gjithë shkrimi është i mbushur me të tilla. Në kaq pak rreshta, çdo sy i lexuar sadopak në fushën e mendimit, filozofik, sociologjik, historik e politik, arrin të shquajë ndikimin e një sërë pikëpamjeve ideologjike si: shkencizmi, pozitivizmi, iluminizmi, romantizmi, komunizmi, evolucionizmi, historicizmi etj. Dhe jo më kot po i hyjmë një detektimi të tillë, pasi vërejmë se pikëpamje të tilla kanë gjetur shtrirje në një nivel të gjerë në shoqërinë shqiptare, duke penguar zhvillimin e shoqërisë, në përputhje me realitetet e reja që i parashtrohen.
Shkurtimisht po përpiqemi të tregojmë se si janë përfshirë rryma të tilla të tejkaluara në botëkuptimit e autorit në fjalë. Kulti i shkencës që z. Thaçi e vendos në rangun e rivalitetit me kultet fetare, është një tipar i pranishëm në të gjitha konstruktet e ideore si këto që përmendëm. Ai vepron duke e ngritur mendimin shkencor në rolin e arbitrit definitiv të jetës individuale dhe shoqërore në kundërshtim kjo me rolin që realisht ka shkenca në jetën njerëzore, si një sferë konkrete e dijes. Shkencizmi e njeh shkencën, si të vetmin burim të dijes njerëzore, gjë që do të thotë mohim i çdo përsiatje dhe të vërtete tjetër metafizike, religjioze, mitike, tradicionale, zakonore, etj. Pikërisht kjo e bën gjithë këtë joshkencore. Shtrirja e mendimit shkencor, përtej hapësirës që ka për objekt, është në kundërshtim me vetë mendimin shkencor. Këtu nuk kemi të bëjmë më me shkencë, por me ideologji, madje një ideologji që merr trajtat e një feje, e për më tepër një feje materialiste, të cilën të gjithë filozofët seriozë bashkohorë e kanë denoncuar si një nga burimet kryesore të tragjedisë së shek. XX. Në këtë linjë, besimi se e ardhmja do ti përkasë shkencës, është një profetizim mesianik pozitivist, i cili vjen në mendësinë e inteligjencës shqiptare nëpërmjet ideologjive që kanë formatuar mendimin totalitarist modern. Dukuria thelbësore e tij, ashtu si çdo ideologji tjetër e tillë, është se ai e çvesh mendimin nga çdo burim tjetër njohjeje përveç atij të mendimit pozitiv, gjë që do të thotë, në gjuhën e Marcuse-së, njëdimensionalizim të qenies njerëzore, çveshjen e saj nga çdo përmasë tjetër tej dhe jo-materaiale. Natyrisht, përvoja njerëzore i ka flakur tej ide të tilla, pasi, të paktën që me Bergsonin, metafizika u rikthye fuqishëm në skenën e filozofisë moderne, ndërkohë që feja sot duket në një rigjallërim të ndjeshëm, në pjesën më të madhe të botës lindore dhe perëndimore. Vetëm kombe të tilla të dala përgjumshëm nga ndrydhja doktrinore komuniste, vazhdojnë të besojnë në gjëra të tilla.
Gjithashtu, një prej rrymave që duket se ka lënë gjurmë të thella në një botëkuptim të tillë është pa dyshim iluminizmi. Ky ndikim vërehet në kontrastin fiktiv që autori i shkrimit të mësipërm krijon ndërmjet fesë dhe shkencës. Sipas themeluesve të pikpamjeve iluministe, bota ka qenë në një errësirë të thellë, dhe është lindja e humanizmit dhe e filozofisë së ngritur mbi ratio, ajo që bën të mundur startin e një epoke të re, të ndriçuar me dritën e dijes së vërtetë, e cila do të sjellë përfundimisht, mbretërinë e arsyes. Kjo utopi përbën burimin kryesor të ideologjive që trazuan më pas historinë, më e keqja prej të cilave mbetet komunizmi. Ndikimi i këtij të fundit në shkrimin e mësipërm shquhet në faktin që autori përfshin faktorin ekonomik në dialektikën midis fetarëve dhe “të iluminuarve”, ku sipas tij, fetarët i përkasin shtresave të varfëra dhe të mjera, ndërsa të ndriçuarit, atyre elitare, përparimtare. Përkthimi i dialektikës hegeliane në një këndvështrim ekonomik, përbën çelësin e hyrjes në natyrën e vërtetë dialektike të zbuluar nga Marksi. Logjika dialektike, e kategorizuar në mënyrë kontrastuale, bardhë e zi, si dhe mesianizmi historicist, janë elementë tipik të ideologjive të lartpërmendura, në majë të të cilave qëndron komunizmi.
Shkenca dhe feja këtu kuptohen si kategori të të njëjtit rang, të cilat duhet doemos të konfliktohen, pasi njëra përfaqëson vlerën, ndërsa tjetra, të kundërtën e saj. Ky realitet fiktiv që u vendoset përcaktimeve të tilla është një konstruksion mitologjik në funksion të ideologjisë që i përket. Autori nuk kupton që feja dhe shkenca i përkasin sferave të ndryshme të aktivitetit njerëzor, të cilat nuk kanë përse të konfliktohen, për sa kohë nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Feja ka hapësirën e vetë të aktivitetit njerëzor, ndërsa shkenca të vetën. Natyrisht, historia ka njohur raste të interpretimeve të caktuara fetare, të cilat kanë penguar, në njëfarë mënyre, zhvillimin shkencor. Por kjo ka ardhur pikërisht kur ajo është keqinterpretuar dhe ka tejkaluar hapësirën konkrete që mbulon, ashtu siç bën në fakt vetë z. Thaçi, me shkencën. Në fakt, vendosja e fesë dhe shkencës në të njëjtin rang, do të thotë se, në botëkuptimin e autorit, shkenca është në fetvete një fe, përndryshe, të bësh krahasime të tilla do të ishte vërtetë absurde. Vetëm duke e ngritur shkencën në rangun e një fje, do të kishte kuptim përplasja midis tyre. Kjo është përplasja e dy feve, njëra prej të cilave është ideologji. Ky është shkencizmi.
Por interesante është edhe futja e Sokratit në linjën e shtrirjes së mendimit shkencor në çdo hapësirë të jetës. Në të vërtetë, idetë e Sokratit janë krejtësisht të kundërta me shkencizmin që mbron autori. Për shkencizmin dija kufizohet vetëm në zhvillimin e mtodave të induksionit dhe deduksionit që ngrihet mbi vëzhgimin empirik, ndërkohë që filozofia sokratike ka për burim bazë shpirtin. Sipas tij dija lidhet doemos me të mirën, dhe e vërteta lind, kur njeriu kultivon vlerat shpirtërore. E vërteta Sokratike, ecën në dy rrugë paralele: midis kërkimit filozofik dhe ushtrimit shpirtëror. Pikërisht feja ka për mision tek njeriu kultivimin e kësaj të dytës, dhe këtu ajo është e pakonkurueshme. Sado e dobishme të jetë, shkenca nuk na bën dot më të mirë. Në të njëjtën linjë, dostojevski do ta shihte burimin e të mirës në botë, pikërisht tek besimi i pashmangshëm, gjithaq i pashpjegueshëm, i njeriut në pavdeksinë e vet. Pa këtë të fundit, sipas tij, çdo gjë do të ish e lejuar, madje edhe njeringrënia. Vetë Sokrati ka shprehur nevojën e një Zoti, një mësuesi, që të shërbejë si themel për sigurinë e dijes së tij.
Gjithashtu, edhe përsa i përket dikotomisë së dytë, asaj komb-fe, qasja e vërejtur në këtë shkrim është krejtësisht ideologjike, e cila synon të shkrijë një variant romantiko-iluminist të nacionalizmit. Sipas kësaj pikëpamje, lidhja që kombi duhet të ketë me shkencën, përparimin, civilizimin bën që të mos pranohet asnjë lidhje e tij me fenë. Për këtë arsye, z. Thaçi e konsideron përfshirjen e mësimit fetar në arsimin publik, ashtu si edhe çdo mësim të fesë në çdo medium tjetër në vend, një vepër antikombëtare. Kjo vjen pasi, sipas këtyre pikëpamjeve, kombi ka nevojë të patjetërsueshme për iluminim, për dije, përparim dhe qytetërim, ndërkohë që feja kultivon krejtësisht të kundërtën dhe rrjedhimisht e pengon kombin nga të gjitha këto. Natyrisht, nuk do të ndalemi këtu të vërtetojmë se përse këto pikëpamje janë krejtësisht qesharake në shekullin XXI (i cili përbën burim frymëzimi në metrin evolucionist të autorit), por vetëm po synojmë ti bëjmë një skaner mendësisë që karakterizon mendimin e një pjese të madhe të shoqërisë shqiptare, për të dëshmuar skeletin ideologjik që konstrukton botën ideore të saj.
Nacionalizmi, në emër të të cilit shqiptarët duhet të flakim tej çdo fe, çdo kulturë “të huaj”, çdo vlerë që nuk i përket “kombit”, vjen këtu në variantin e tij më të ngurtë dhe më të ideologjizuar. Në vizionin e autorit, qytetari shqiptar apo kosovar nuk njeh dhe nuk duhet të pranojë kurrfarë përkatësie tjetër përveç asaj kombëtare. Këtu bota ideore karakterizohet nga një mendim bipolar konfliktual, ku njëri prej poleve është krejtësisht i përjashtuar. Sipas kësaj, qytetari i Kosovës mund të jetë ose shqiptar ose musliman, katolik apo ortodoks. Të dyja bashkë nuk mund të qendrojnë. Ja se si shprehet ai:
“... Unë popullin shqiptar, kombin tonë të shtrenjtë, kurrë nuk e kam shikuar si "popull mysliman" as si "popull islam", sepse nuk është i tillë. Njëkohësisht as nxënësit e mi kurrë nuk i kam shikuar si islamistë, por vetëm si shqiptarë.
... duke filluar nga Naum Veqilharxhi dhe gjithë rilindësit tjerë, për fat që Rilindja Kombëtare ishte më herët se periudha komuniste, na kanë mësuar t'i mësojmë e t'i çmojmë vetëm vlerat kombëtare.”
Prej këtej, kuptohet qartë se identiteti kombëtar shikohet me një puritanizëm ekstrem absurd. Ai nuk duhet të përzihet, me kurrfarë identiteti tjetër, dhe mbetet e vetmja përkatësi që sundon atashimin kulturor të shqiptarëve, duke përjashtuar këtu vetëm fenë e shkencës dhe përparimit, të cilat shkojnë në harmoni me vizionin e përfytyruar për kombin. Në fakt, kushdo e ka të qartë që identitetet janë konstrukte të cilat bashkëveprojnë dhe ndërthuren me njëri-tjetrin. Eshtë e natyrshme që njeriu të ndjehet po aq shqiptar sa ç’ndjehet mund të ndjehet musliman, katolik, ortodoks, demokrat, socialist, evropian, ballkanas, liberal, ekzistencialist, feminist, metalar, milanist, etj. Identitetet mund të vendosen shumë mirë pranë njëri-tjetrit dhe nuk ka përse të përjashtojnë njëri-tjetrin, për më tepër kur ato veprojnë në plane të ndryshme. Vendosja e tyre në konflikt i përket një perceptimi doktrinar ideologjik, i cili përpiqet që konstruktet e ngurta artificiale që krijon me mendjen e vet, t’ia veshë realitetit, për ta denatyruar atë dhe për ta bërë të pajetueshëm. Të gjitha këto, janë pikëpamje mjaft të dëmshme për çdo shoqëri, e aq më tepër për realitetin në Kosovë, ku shoqëria shqiptare do të duhet doemos të kultivojë një shëndet të atillë botkuptimor që ia bëjnë të mundur bashkëjetesën me diversitetin që synon të ndërtojë. Kjo intolerancë ndaj vetvetes dëshmon qartë për një mentalitet të paaftë për t’ia dalë mbanë në realitetin e ri dhe të komplikuar ku Kosova ka hyrë. Natyrisht, nëse ka vërtetë ndonjë gjë antikombëtare në Kosovë dhe në mbarë trojet shqiptare, janë pikërisht ide të tilla, të cilat ia bëjnë të pamundur bashkëjetesën vetë shqiptarëve me njëri-tjetrin, e jo më në një nivel më të gjerë ndëretnik apo rajonal. Mbi të gjitha, një mentalitet i tillë, nuk dëshmon gjë tjetër vetëm se prapambetje të thellë kulturore, intelektuale dhe mbi të gjitha shpirtërore, e cila shkon krejtësisht në kundërshtim me ato pak vlera që synohet të mbrohen.

Nuk ka komente:

Posto një koment